Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Republika e Kosovës bëri hapin e duhur duke iu bashkuar Bordit të Paqes

| E premte, 23.01.2026, 06:56 PM |


Republika e Kosovës bëri hapin e duhur duke iu bashkuar Bordit të Paqes

Nga Gjon Keka

Duke parë se ekzistenca e njerëzimit dhe civilizimit të tij, të krijuar me shekuj, është në rrezik të vetëshkatërrimit nga armët atomike dhe rreziqet e daljes jashtë kontrollit të teknologjisë artificiale të inteligjencës, idetë apo përpjekjet për paqe nga SHBA, në krye me presidentin Trump, janë të mirëseardhura dhe duhet përkrahur dhe përshëndetur fuqishëm nga të gjithë.

Tani, kur po vendoset vija e kufirit të rendit të ri botëror dhe përcaktohet se cilat shtete do të rreshtohen në cilin botë dhe ku do t’i japin kontributet e tyre për një botë të teknologjisë dhe të demokracisë së re të shekullit XXI, ky proces merr një rëndësi të veçantë.

Në lidhje me këtë, po e nënvizoj një përshkrim të një autori të njohur europian, i cili shekuj më parë shkruante mbi idetë e reja që mbështeten në frymën e unitetit:

„Zgjimi i kësaj fryme uniteti dhe organizimi harmonik shënon fillimin e një epoke të re të jetës njerëzore në Tokë... Sa herë që drita e një ideje të re ndriçon të gjitha çështjet njerëzore; sa herë që një shpirt më i lartë përshkon të gjitha përpjekjet e njerëzimit, duke punuar për të ngritur dhe fisnikëruar gjithçka që ekziston, po ashtu shfaqet një lidhje krejtësisht e re në jetën njerëzore, e cila më parë ndihej dhe lajmërohej vetëm dobët nga shenja të heshtura, si një gjymtyrë dhe organ i ri; si fryti dallues i çdo përpjekjeje të re, si xhevahiri më i bukur i çdo epoke të re.

Megjithatë, në zhvillimin e një qenieje të gjallë, asgjë nuk ndodh papritur dhe e papërgatitur; madje edhe në fazat e hershme të jetës njerëzore, Zoti mbjell fara të heshtura dhe fillime të padukshme të një të ardhmeje më të bukur. Vetëm ata që janë të ndriçuar dhe të ngrohur nga të vërtetat e përjetshme dhe nga historia e njerëzimit mund t’i perceptojnë këto fara dhe t’i nderojnë si shenja të dashurisë dhe mençurisë së përjetshme."

Në këtë proces të madh dhe kuptimplotë, dalja me ide të tilla si „Bordi i Paqes" nga presidenti i SHBA-s Donald Trump tregon se po bëhen përpjekje që ideja e paqes dhe e Rendit të Ri, bazuar në parime të traditës së vjetër të politikës amerikane (nga Ati themelues George Washington e deri më sot), të shërbejë brezave të ardhshëm dhe të mos lërë mbi shpatullat e tyre konfliktet e së kaluarës.

Hedhja e themeleve të këtij projekti historik paqësor dhe të zgjidhjes së konflikteve nga disa shtete nënkupton se Bordi i Paqes po bëhet një organ dhe sistem që do të përcaktojë shtyllat e Rendit të Ri botëror, ku ShBA vepron si udhëheqëse e këtij misioni historik të shekullit XXI.

Ftesa që mori Kosova për t’u bashkuar Bordit të Paqes ka një vlerë të madhe dhe historike, sepse e vendos Kosovën në anën e duhur të historisë dhe të ardhmes së Rendit të Ri botëror. Hapat e sotëm të Kosovës, duke u futur brenda ombrellës së projektit të paqes dhe rendit të ri nga ShBA, e bëjnë atë një kontribuese simbolike, aktore të bashkëpërgjegjësisë dhe një nga të parat nënshkruese të këtij akti themelues.

Edhe po të ishte gjallë presidenti dr. Ibrahim Rugova, ai do t’i bashkohej çdo ide, projekti dhe iniciative të SHBA-s për paqe dhe liri, duke dëshiruar që Kosova të kishte një lidhje të veçantë miqësie me Amerikën dhe të bëhej pjesë e misionit të saj historik për të ardhmen e botës dhe njerëzimit.

Nënshkrimi dhe hyrja e Kosovës në Bordin e Paqes, edhe pse mund të kritikohet nga individë dhe grupe të ndryshme ideologjike, politike apo fetare, mbetet një veprim i drejtë dhe historik. Ky hap vendos Kosovën në rrugën e duhur të politikës dhe diplomacisë amerikane dhe i jep asaj një rol të rëndësishëm brenda Bordit të Paqes.

Nënshkrimi nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është një hap i duhur dhe në përputhje me vizionin profetik dhe burrështetin e urtë të dr. Ibrahim Rugovës.