| E merkure, 21.01.2026, 03:58 PM |
Ibrahim Rugova- prijësi intelektual
Nga
Ndue Ukaj
I
Duket
sikur jeta e Ibrahim Rugovës është e lidhur me dimrin, një simbolikë që shfaqet
në disa momente kyçe të jetës së tij. Ai lindi në prag të një dimri, më 2
dhjetor 1944, në gërmadhat e tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore, një kohë
kur ndërgjegjja e papërlyer njerëzore, pyeste e trishtuar - nëse ekzistonte
vallë njeriu - dhe ashtu, nën ethet e frikës, shkonte drejt një pranvere të
paqartë.
Vetë
Rugova kishte dalë nga kjo luftë me pasoja të rënda, duke bartë dhimbjen për të
atin Ukën dhe gjyshin Rrustën, të ekzekutuar nga partizanët, pa gjyq e në një
dimër të egër, kur ai ende nuk i kishte mbushë gjashtë javë.
Kjo
dhimbje personale më vonë do të lidhej me tragjedinë kombëtare. Shqiptarët
ishin të ndarë, me një mur të egër ideologjik mes tyre e në anën e gabuar të
historisë, pjesë e perandorisë së kuqe, të ideologjisë komuniste. Dhe kur
përmendet togfjalëshi “ideologji komuniste”, në pikëpamjet e Rugovës, duket se
i ke thënë të gjitha: mungesën e lirisë, shtypjen, dhunën, mashtrimin,
prapambetjen.
Asokohe,
Rugova djalë i ri, i vëzhgonte realitetet sociale e politike dhe ndiente
nevojën për transformime shpirtërore: nisi të shkruajë poezi, duke treguar
talentin e vet dhe shpejt, letërsia, pra arti i gjuhës, bëhet mundësia ideale
përmes së cilës do t’i shprehte idetë e veta intelektuale e politike. Parmës
leximit të veprave më përfaqësuese të artit botëror i thellon njohuritë e veta.
Në
planin autentik kombëtar, ai tregon një interes të vazhdueshëm për historinë
kulturore shqiptare, duke e konsideruar atë si pikënisje për të krijuar një
vizion të tijin. “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, të cilën e cilëson si
“një universitet i kulturës sonë”, bëhet një lloj busulle për orientimin e tij,
kurse patriarku i letërsisë shqipe e strategu i madh i shekullit XVII, bëhet
udhërrëfyes për të. Duke e aktualizuar jetën dhe veprën e Bogdanit, Rugova
ngulmonte t’i shpaloste rrënjët e hershme të idesë europianë te shqiptarët, jo
aq të njohura e ndonjëherë edhe të keqinterpretuara.
Zhvillimet
e hovshme që ndodhën në dy dekadat e fundit të shekullit XX, e gjejnë
intelektualin në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve, dhe pastaj, në krye të
lëvizjes së parë demokratike në rajon.
Atëkohë,
mbi shqiptarët shtohej represioni e dhuna. Intelektuali i formuar me ide
perëndimore, pasi kishte kaluar një kohë solide në Paris, nuk kishte se si të
heshtte përballë shtypjes dhe ishte nga të rrallët shqiptarë, që guxonte të
fliste për dhunën që ushtronte Serbia, fakt ky që e pohonin edhe gazetat
prestigjioze ndërkombëtare.
Rugova
fillimisht kishte folë për refuzimin estetik, si pikënisje për një refuzim
politik kundrejt shtypjes e hegjemonisë. Dhe kështu, një dhjetor të zymtë
shoqëror, në vitin 1989, kur hegjemonia serbe po shfaqej e egër në
ish-Jugosllavi, së bashku me shkrimtarë e intelektualë të tjerë, më 23 dhjetor,
Rugova themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gjithçka
ndodhi në prag Krishtlindjeje dhe kjo nuk ishte koincidencë e pamenduar. Rugova
bëhet prijës intelektual, me besimin e palëkundur te vlerat e hershme
shqiptare, të cilat nisi t’i ripërtërinte në domenin e politikës, pasi një punë
kolosale në fushën e letërsisë. Dhe, duke e parë se komunizmi po shembej e
muret ndarëse po binin, ai nisi betejën politike për t’i shembur muret e
ndarjes e të urrejtjes ndër shqiptare, dhe punoi për liri, integrim ndër
shqiptar, pavarësi e demokraci perëndimore.
Vdekja
e Rugovës, më 20 janar 2006, në një dimër të acartë, përmbyll jetën e tij
tokësore, mbasi vendit të tij ia hapi shtigjet për të kaluar nga dimri e
robëria, në pranverën e lirisë dhe të pavarësisë.
II
Rugova
u shfaq në jetën kulturore e politike shqiptare, në rrethana shumë të vështira
e një kohë kur shterpësia intelektuale, pasojë e uniformitetit ideologjik, nuk
lejonte frymëmarrje të lirë e pluralitet mendimesh.
Ai
ishte ushqyer me liri perëndimore dhe e kërkonte lirinë si imanencë njerëzore e
pa korniza ideologjike. Me idetë e reja që solli në Prishtinë, e që shkonin
përtej mjedisit të ngushtë kulturor e politik, ai shpejt u bë fenomen i veçuar
e një përjashtim. Pikëpamjet e tij për komunizmin i shprehte kështu:
"Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si
negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të
barazisë, që e mohon historinë. Shefat si - Tito, Mao, Hoxha, Lenini...-pastaj
fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit
ishte që të qëllonte intelektualët."
Pra,
si prijës intelektual, ai ishte mishërimi e sublimimi më i bukur i vlerave
pozitive shqiptare, por edhe atyre perëndimore, të cilat i admironte, për shkak
të rezultateve empirike, ndaj i afirmonte me një këmbëngulësi e dije mahnitëse.
Po,
Rugova dinte t’i shpaloste, t’i afirmonte e t’i lidhte fijet e shkëputura të
identitetit europian shqiptar, e nuk pushonte kurrë se foluri për anët më pozitive
të kombit, një gjë që, në një formë tjetër e bënte shkrimtari Ismail Kadare,
për të cilin Rugova ushqente admirim të madh, që në vitet e tetëdhjeta, kur e
vlerësonte përmasën botërore të universit kadarean.
Për
Rugovën, identiteti europian i shqiptarëve, nuk ishte përcaktim as zgjedhje,
por një ndjesi e thellë shpirtërore, mënyrë e të menduarit e të jetuarit, në të
cilën temë, ngjashëm me Kadarenë, ishte i pakompromis e i palëkundshëm.
III
Sa
herë shkruajmë për personalitete e vepra shumëdimensionale, që kanë krijuar
epokën e tyre, pashmangshmërisht bëhen pyetje retorike. Si për shembull: çka e
bënte të veçantë Rugovën?
Dhe
përgjigja, me siguri, nuk mund të jetë një e unike, merr diçka nga klishetë e
zakonshme, por për mendimin tim, ajo që e shquan dhe e bën krejt të veçantë
personalitetin e tij, në fushën e letërsisë e të veprimit politik, ishte besimi
i palëkundshëm te pesha e fjalës e të kultura, si semiosfera më e rëndësishme
shoqërore, të cilën, në përkim me mësimet e Tomas S. Eliotit, nuk e shihte si
shumësi të aktiviteteve, por si mënyrë jetese. Kjo e bënte besimtar të
devotshëm ndaj gjuhës dhe botës së ideve, duke besuar te forca e padukshme e
artit dhe kapacitetet që ka gjuha për të formuar realitete të reja shoqërore e
për t’iu dhënë kahe ideve humane e të bukura.
Fushatës
negative serbe, në fushën e mendimit e të veprimit, Rugova iu përgjigj me
strategji krijuese të mirëmenduar e pozitive, duke afirmuar paqen si vlerën më
humane njerëzore, aq sa ligjërimin i tij, duket sikur ka një shndritje të
epërme e një besim të palëkundshëm te ana humane e njeriut. Dhe kjo filozofi
ndeshet me një mospërkim të thellë më traditat e egra politike të Ballkanit të
trazuar, ku gëlonin idetë e cekëta e urrejtja patologjike.
Shkrimtari
polak, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, Czeslaw Milosz, në vitin 1946 ka
botuar një poezi të titulluar “Dedikim”, në të cilën, ndër të tjera ka dy
vargje goditëse:
"Çfarë
është poezia që nuk të shpëtojë kombe apo njerëz? Një trillim me gënjeshtra
zyrtare.”
Një
besim të tillë e kishte Rugova te letërsia, prandaj thoshte se “ata i kanë
armët, ne i kemi fjalët.”
Duke
iu kundërvënë represionit e dhunës serbe, me strategji paqësore, duke iu
përgjigjur urrejtjes patologjike të regjimit serb e institucioneve që e
përkrahnin, me fjalë të buta, ai afirmonte një dimension të thellë të besimit
tek e mira, te vlerat e demokracisë oksidentale, prandaj, thoshte se rezistenca
jodhunore ishte ide europiane. Dhe të shqiptoje një ide të tillë, në një rajon
gjaknxehtë e ne një kohë kur afshi i luftës e kishte përfshirë rajonin, dukej
një përndritje që vinte nga forcat e epërme.
Rugova
e bëri një gjë të tillë, me kulturë e guxim të pashoq.
IV
Rugova
i artit dhe letërsisë, pra i ideve humane, hyri në një betejë të ashpër të
politikës dhe të lojërave politike, pa ushtri, pa institucione, por i armatosur
me fjalë, e me besim të palëkundur te forca e fjalëve të mira. Me këtë besim, e
ngriti lart nën qiellin e trazuar një flamur të mirësisë, duke nisë me shtetin
serb një betejë të pabarabartë, e të cilën e fitoi, ngaqë e bëri botën
perëndimore të rreshtohej prapa kauzës së popullit të tij. Sepse, ai besonte
tek e mira dhe ishte i palëkundur në këtë besim; nuk e ndiqte dhunën me dhunë,
as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë, dhe në fillimet e rrugëtimit
politik e përmend Edmond Burken, që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për
të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky që
përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor.
Ismail
Kadare duke shkruar rreth figurës së Rugovës, te parathënie a librit “Çështja e
Kosovës” ndër të tjera, shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të
Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e
tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se
sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e
tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”
Pra,
Rugova i kishte shpërfillë konceptet ballkanike dhe në hierarkinë e vlerave
politike, trashëgimitë e këqija nuk i vendoste askund. Kështu, ai e ka shkruar
ungjillin politik të shqiptarëve - testamentin e dashurisë politike, për
njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Dhe, ashtu si
rilindësit e mëdhenj, përveç synimeve politike, kishte mision edhe
oksidentalizmin e shoqërisë sonë. Në
gusht të vitit 1991, ai thoshte:
"Duke
qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me
kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët
dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të
bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.”
Mendimet
e tij janë mësime empirike, të provuara dhe si të tilla shërbejnë si një
dekalog i mirë se si bëhet shteti e si bashkohen njerëzit rreth të mirave të
përbashkëta dhe qëllimeve të larta dhe thoshte:
“Ne
me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin
komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo
parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta
denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por
të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe
të angazhohet konkretisht për të.”
Mësimet
e Rugovës janë mësime të paqes, të përparimit e të solidaritetit, dhe si të
tilla, lidhen me amshueshmërinë e vlerave njerëzore, për çka ai ka kontribuar
si askush në Ballkan.
(Pjesë nga parathënia e librit, “Rugova prijësi
intelektual”, botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova)