| E merkure, 21.01.2026, 03:53 PM |
ARKITEKTURA POETIKE E NJË VETËDIJEJE
Nijazi
Ramadani, “IMAZHE KOHE”, (Poezi: 1978-2008), botoi Shtëpia Botuese “RRJEDHA”,
Gjilan, 2008, faqe 52. ISBN 978-9951-453-05-9
Nga
Shefqet DIBRANI
Libri
“Imazhe kohe” nga poeti Nijazi Ramadani, është i ndarë në tre cikle
poetike: “Dhimbje shpirti”, “Jetë e përmbysur” dhe “Letra
kohe”. Këto ndarje ndërtojnë së bashku një strukturë triptiku të vëllimit
poetike, vargë i kujtesës, qëndrimit dhe përjetësimit. Këto tri elemente, “kujtesë,
qëndrim dhe përjetësim”, përbëhen nga tri faza të një udhëtimi duke nisur nga
trauma, për tu përballur me sfidat e jetës, dhe faza frytëdhënëse është reflektimi
dhe dashuria. Në këtë kuptim, poezia e Nijazi Ramadanit lexohet si një rrëfim i
përshkallëzuar i identitetit nacional, ndërsa vargu lirik ecën nga klithma
kolektive drejt fjalës së qetë poetike, pa e humbur asnjëherë peshën morale dhe
historike të saj.
Cikli
i parë, “Dhimbje shpirti”, përjetohet siku të ishte epiqendra emocionale
e tërësisë poetike. Vëllimi hapet me poezinë “Imazhi gri”, (f.7), ku
atmosfera e traumës mbetet dhimbje e pashlyeshme. “Imazhi gri” nuk është
vetëm një figurë ngjyrash, por një gjendje ekzistenciale: “Mbaj një gur
n’zemër për ty/ Ndër mote pushon imazhi gri...”, (po aty, f.7). Në këtë
varg guri në zemër është metaforë e kujtesës për një dhimbje që nuk tretet as
nga koha. Te poezia “Rozafa e ringjallur”, (f.8), shfaqet figura e Rozafës,
që është simbolika kryesore e këtij cikli. Poeti Nijazi Ramadani, nuk e ka
trajtuar Rozafën vetëm në kontekstin e mitit, por si "nënë"
universale, dhe e pavdekshme: “Është Rozafa e Ringjallur/ Me ëndrra të
rënduara/ ecën përtej vegullisë”, (po aty, f.8). Në këtë poezi Rozafa nuk
është më gruaja e murosur, por është vetë historia e Arbërit, që ecë “këmbëzvarrë”
nëpër stinët e vitit, duke i bartur plagët e kohës dhe të një kombi, prandaj
ajo flet me “zemër të ngrirë”, sepse dhimbja e saj është universale.
Në
poezinë “Pamje e ngrirë”, (f.9), poeti zhvendos ligjërimin në një
dimension metafizik, ku koha shndërrohet në “kohë mitologjike” dhe
shikimi në relikt: “Relikt i kristaltë/ Në një mur sy-jeshil/ Qiell i
çiltër/ Pamje e ngrirë”, (po aty, f.9), me vargun mjaftë tronditës, “Ku
janë murosur shpirtrat Rozafë”, (po aty, f.9), duke e shndërruar mitin në
realitet bashkëkohor, ndërsa Rozafa vazhdon të jetoj në vargun e poezisë si
harresë e një dhune mitologjike. Në poezitë “Pikë e pesë”, (f.10) dhe “Dhimbje
shpirti”, (f.11), poeti Nijazi Ramadani ndërton një bosht më të forta
tematik. Si duket për poetin Itaka është origjinë e identitetit, “Secili do
të arrin në Itakën e vetë një ditë, veç pikë e pesë është bërë fisi im”, (parafrazuar,
f.11), kurse referenca për Homerin dhe ADN-së e shndërrojnë dialogun real në
mes mitit antik dhe të tashmës moderne, siç shprehet në vargje: “Pa analiza
të ADN-së/ Pa dhimbje shpirti”, (f.11). Poezitë “Si pa mend…”, (f.12);
“Shi mbi muranë”, (f.13); dhe “Zari i zi”, (f.15), e lidhin poezinë
e Nijazi Ramadani me fatin e etnisë ndër shekuj: “Zari i zi troket shekujve/
Katërcipërisht me rrapëllimë…”, (po aty, f.15). Brenda ciklit të
parë janë edhe poezitë me motiv epik: “Cep i epërm i Arbërit”, (f.16); “Përjetësia”,
(f.17) dhe “Pranverat e Arbërit”, (f.18), të cilat e kompletojnë edhe më
tej mozaikun e motiveve. Në përgjithësi, nëpër poezitë e këtij cikli duket se
dhimbja nuk është gjendje shpirtërore, por një formë njohjeje, për lexuesin e
saj. Kujtesa e njeriut nuk shëron plagët, por ajo mban të zgjuar vetëdijen e
njeriut. Itaka shfaqet për herë të parë si mungesë, si rrënjë e copëzuar, apo
siç shprehet poeti “pikë e pesë”, ndërsa Arbëri është një hapësirë e
rrezikuar nga harresa. Në këtë rast, fjala poetike e Nijazi Ramadanit është
klithmë, është elegji dhe është akt i rezistencës nacionale, që refuzon
normalizimin e dhunës historike, pa kërkuar dhunuesi falje.
Në
cikli e dytë, “Jetë e përmbysur”, ligjërimi poetik i Nijazi Ramadanit
zhvendoset nga kujtesa e dhimbjes drejt jetës së jetuar nën peshën e
përditshmërisë. “Itaka ime me fytyrë lirike/ Lidhur me legjenda epike/
Lexuar në figurën trime/ Shkruar përjetësisht/ Në rrugën time”, (fa.22).
Pastaj figura e shtëpisë, murit, gurit dhe oxhakut e ndërtojnë simbolikën e
qëndrueshmërisë, ndërsa “pragu i djegur”, (po aty, f.22) dhe “oxhaku
zi e gjak”, (f.22), dëshmojnë se kjo qëndrueshmëri është paguar me
shkatërrim. Heshtja këtu nuk është boshllëk, por gjuhë e traumës: “Heshtja
flet te prag i djegur/ Mes oxhaku zi e gjak”, (f.22). E kjo Itakë, e poetit
Nijazi Ramadani, është e përmbysur, e rrënuar, e mbushur me heshtje dhe me mure
ku brenda tyre dominon heshtja. Në këtë cikël poezitë hyjnë në listën e epikës
moderne, ku Itaka nuk është më vetëm mit, por shtjellohet si një hapësirë
konkrete e rrënimit dhe qëndresës. Poezia “Itaka ime”, bëhet qendra
semantike e tërë ciklit të dytë: shtëpi, mur, oxhak, gur e lisi, janë simbole
të një atdheu që mbijeton përmes sakrificës. Edhe në vargjet në vijim, Itaka
shfaqet si hapësirë e përmbysur nga historia: “Itaka ime e rrënuar/
Gjithandej vetëtimë/ Shpirt shkrumbuar”, (f.23), dhe “Atje shuan etjen
Akili/ Dhe i’ malësor me plis/ Atje i’ zog shqiponje/ Një çerdhe ngre në lis”,
(f.24). Në këtë rast shtrohet pyetja nëse autori ka shprehur një “mallkim
historik”, apo ka shprehur një “zjarr që nuk i shuhej”, pasi vargjet
shprehin dramën kolektive dhe identitetin nacional në kohën post-traumatike.
Poezi të tjera janë: “Pa titull”, (f.25); “Do të vijë me lirinë”,
(f.26); “Homazh për Arbenin”, (f.27); “Jetë e përmbysur”, (f.29),
si dhe poezia “Portret për luftëtarin”, (f.30), sidomos kjo e fundit e
bënë porteretin e dëshmorit dhe luftëtarit mjaftë të dalluar, madje poezia ngritet
në nivel betimi. Në anën tjetër edhe liria shfaqet si vlerë absolute, e paguar
me jetë, sepse sipas poetit dhe këtyre poezive, jeta pa liri përkufizohet si
ekzistencë e errët, e mbytur dhe madje në formë eklipsi. Prandaj poezia e
Nijazi Ramadanit, ka marrë funksionin e kodit etik dhe të qëndresës shqiptare.
Në
ciklin e tretë, “Letra kohe”, te vëllimi “Imazhe kohe”, vërehet
një kthesë drejt poezisë intime me një reflektimit etik. “Njoha shpirtin
tënd/ Tek e lexova përmes vuajtjeve/ Gëzimeve dhe hidhërimeve”, (poezia
“Vargje për ty”, f.33), nuk është refren spontan, por e pjekur nga vuajtja dhe
koha. Kujtimi këtu nuk është faj, është përgjegjësi: “As në kujtimet e mia/
Që i shkruaj në letra”, (po aty, f.33). Pos atyre vargjeve me motiv epik, dhe
disa të tjerave me motivin e dhimbjes e të përmbysjes, në poezitë e këtij
cikli, përjetohet një qetësi e konsoliduar, ku fjala e shprehur shndërrohet në
letër të shkruar, i vetëdijshëm se edhe kur koha do ta harron poetin, libri “Imazhe
kohe”, do ta rikthen kujtesen tek autori, sidomos poezitë: “Portreti yt”,
(f.34); “Unë nuk jam si ti”, (f.35); “Në mua je”, (f.36); “Ardhja
e vjeshtës”, (f.37), dhe poezia “Natë dimri”, (f.38), kurse poezia, “Kush
është Arbëri?”, (f.39), është emblematike, sepse edhe ashtu i mbyll poezitë
e librit “Imazh kohe”. Në vargjet: “Arbëri është dëshmor lirie…/
Arbëri është atdheu!”, (po aty, f.39), “Arbëri” shndërohet në një subjekt
kolektiv, siç thuhet në vargun “det që kurrë nuk shteret”, (po aty, f.39),
ose në vargun përmbyllës “Jemi dhe ne,/ Me të dashurit tanë/ Me të bukurin
atdhe…”, (po aty, f.39), e kanë rikthyer subjektin epik, te motivi i
dashurisë dhe i përgjegjësisë për Atdheun.
Prandaj,
libri dhe ky lexim, e përkujtojnë poetin përmes mënyrës së artit letrar, duke u
rikthyer te koha e dashurisë dhe e ekzistencës fizike të poetit Nijazi
Ramadani. Sipas këtij vlerësimi, autori i këtyre poezive nuk ka nevojë të idealizohet,
mjafton poezia e tij të lexohet dhe të kuptohet, pasi për secilin lexues të
tyre do të manifestohet një njohje edhe më e plotë e njeriut-poet, me
dritëhijen e tij. Sëkëndejmi identiteti kulturor i poetit artikulohet përmes
një formule morale “Unë nuk jam si ti”, (f.35), kurse stinët e vitit në
poezinë e këtij poeti, shndërrohen në gjendje shpirtërore. Ta zëmë në poezinë “Kush
është Arbëri?”, (f.39), identiteti kolektiv përmblidhet në një korpus
kuptimesh: njeri, dëshmor, atdhe, det, zog, pra një përkatësi e hapur dhe e
gjallë. Ky vëllim poetik e bënë epikën ma humane, duke e kthyer historinë në përgjegjësi
personale, dhe atdheun në dashuri të përhershme.
Në përfundim: Vëllimi me poezi “IMAZHE KOHE”, shprehin
aktin më të sigurt të përjetësisë së poetit Nijazi Ramadani, sepse po të mos
ishte poezia dhe libri i tij, ky vlerësim për “Njeriun” do të merrte
formën e lamtumirës së përhershme, ndërsa në rastin konkret, Poeti Nijazi
Ramadani, do të kujtohet sa herë të lexohet vepra e tij, sidomos tash e tutje kur
prezenca e tij fizike mungon. Nga ky këndëvështrim shohim se poeti e ka
ndërtuar një poetikë të qëndrimit: Cikli i parë, flet me zërin e plagës;
Cikli dytë me zërin e përballjes, dhe Cikli i tretë është zëri i
tij i ndërgjegjes. Ky udhëtim kritik në poezinë e Nijazi Ramadanit, duket sikur
njeriu po niset nga errësira drejt dritës së brendshme, pa e mohuar kurrë
plagën fillestare. Dhe “poezia-poeti”, s’bashku janë forma e qenies dhe e
ekzistencës. Poezia e Nijazi Ramadanit ngulmon të mbetet dëshmi, kujtesë dhe
zjarr që nuk shuhet!...
Shefqet DIBRANI
St. Gallen, 18 janar 2026.
* Ky vlerësim kritik,
në një trajtë më të shkurtuar, për librin “IMAZHE KOHE”, nga Nijazi Ramadani,
(14.02.1964 - 22.11.2025), është lexuar në takimin përkujtimor që mbajti
familja e tij me rastin e vdekjes së poetit. Sot më 18 janar 2026. Shoqata
Kulturore Shqiptare “SHARRI”, Lee 1551, CH-9304 Waldkirch, Zvicër.