| E diele, 18.01.2026, 06:54 PM |

Vajza
e Avni Varfit, Aleksandra mes Bardhosh Gaçes dhe Albert Habazajt
AVNI VARFI SI POET DHE STUDIUES ME DRITË PËR DRITËN E KULTURËS DHE LETËRSISË SONË
Avni
Varfi - poeti i Lumit të Vlorës, gjaku i babait tim
Nga
Albert HABAZAJ
Miku ynë i ndritshëm Avni Varfi,
Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës, pas 3 vjetësh fluturim tek yjet,
erdhi përsëri midis nesh, por kësaj here i përjetësuar në librin “Avni
Varfi - një meteor në qiellin e Labërisë”
përgatitur nga prof. dr. Bardhosh Gaçe, botuar me sakrificën fisnike të së
bijës së Avniut, Aleksandra Varfaj Arshiaj dhe financuar nga djemtë bujarë të
poetit Marsel e Artur Varfi. Jo çdo fëmijë e bën këtë për babain e tij me vepra
si Avniu. Të tre këta janë gjaku i gjakut tim dhe në emër të atyre të dyve, që
s’i kam, me shpirt u them: MIRËNJOHJE!
Përveç të tjerash, nga që jam dhe
redaktor i librit dhe shkrimi im për profilin njerëzor dhe kulturor të Avniut është
përfshirë në tekst, po ashtu dhe balada “Dritë nga shpirti dhe nga vargjet”
thurur me lot në sy atë natë të së shtunës, aq të trishtë të 3 shtatorit 2022 (00:29') është përfshirë në këtë libër, unë tre pika të vogla do të
kap shkurt:
1. Akti i Aleksandrës, këmbëngulja aq
vullnetshme dhe fjala e dhënë përpara shpirtit të Atit të saj më vjen si reminishencë
epike e legjendës së famshme “Kostandini dhe Doruntina”. Në këtë rast, nuk kemi
vëllain, motrën dhe nënën, por bijën, atin dhe letërsinë. Dhe jo në legjendë por
në të vërtetë.
2. Avniu pati jetën, ikjen dhe pasjetën
(jo kushdo e meriton këtë të fundit). Avniu e arriti e na dritëron si meteor.
E kishim njohur si poet, si
elektricist, si këngëtar, si autor tekstesh, si bujar. Si poet qe gur themeli i traditës dhe majë e lartë e poezisë moderne.
Ngaqë përgatitësi i këtij libri të madh
ka bërë një parathënie serioze, siç di profesor Gaçe, ndihemi mirë si shoqëri
letrare dhe në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”
Vlorë, anëtar nga të parët e së cilët ishte dhe poeti e studiuesi Avni Varfi,
jemi mirënjohës veprës së tij shumëplanëshe që e lartëson në përmasën e përjetësisë.
Që në gjallje (sa shpejt na iku tek
yjet... vetëm 71 vjeç), Avni Varfi na la 8 vepra (3 me poezi, 5 monografi), por
pak e dinin se ai kishte një visar të pabotuar me shënime, refleksione, mbresa
e shkrime të ndryshme kritike, po ashtu me vlerë dhe në fushën e folkloristikës.
Ai dinte shumë e shkroi pak. Ka qenë në një klasë me mësuesin e gjuhëve të
huaja, poetin popullor dhe studuesin e folklorit dhe etnografisë Llambro
Hysaj nga Kallarati dhe me mësuesin e
fizikës, prof.dr. Bilal Shkurtaj (dritë pastë) ish- rektori historik i
Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Siç më thoshte prof. Bilali, Avniu mësonte
shumë mirë, si ne, e shpesh herë dhe më i mirë se ne. Por ky nxënës i shkëlqyer
nuk mund të shkonte më tej, në universitet, se kishte një “havale” në biografi...
A, i marrtë djalli, se ky ceni në biografi po i ndjek njerëzit si hije resh të
zeza!
Nuk do të shtjelloj shkrimet e tij, se
janë në libër, ato nuk kanë nevojë për reklamë, sepse janë shkrime dhe analiza
që lexohen me ëndje, shijohen artistikisht dhe estetikisht.
Ky libër që kemi në dorë, libri i përjetësisë
së Poetit të Vranishtit, na erdhi këtu në qendër të Vranishtit, si një vilë e
bukur letrare me 3 kate.
Kati I ka studimet e tij (nxjerrë nga
krijimtaria e pabotuar e Avni Varfit).
Kati II ka poezi, këngë e valle nëpër
flatrat e frymëzimit. Tok me Muhamet Tartarin, me grupin e mirënjohur të Vranishti dhe grupin e fëmijëve të fshatit
ishin një dyshe e përsosur kulturore, shembull për të tjerët. Edhe pse në
tjetër rrafsh, më sjellin një imazh të Lasgushit me Kutelin.
Kati III është me artikuj e studime mbi
krijimtarinë e Avniut. Pra, në fillim flet Avniu për të tjerët, në fund flasin
të tjerët për Poetin e Dritës. Janë rreth 50 autorë që kanë shkruar për të dhe
janë përfshirë në këtë monografi letrare. Ka të tjerë e të tjerë që do të
vijojnë të shkruajnë për Avni Varfin. Po shkëpus vetëm një fragment nga çfarë
shkruan intelektuali dhe artisti vranishnjot Bashkim Canodemaj (sot emigrant në
Belgjikë, tek fëmijët):
“Është kënaqësi për mua që përjetoj
ngjarje të tilla, lexoj, dëgjoj e shikoj se si një djalë vranishnjot jeton në
qiellin e kaltër nëpërmjet vlerave të tij njerëzore dhe poetike, del, na flet
dhe komunikon me virtytet e larta njerëzore dhe aftësinë për të na thurur
vargje historike dhe dashurie për të na e bërë kohën më të lehtë duke jetuar me
ndjenjat e tij. Avni Varfi, një djalë i thjeshtë në një familje të thjeshtë por
dinjitoze me babë Nexhipin buzagaz në çdo moment dhe nënë Kafazen e urtë e fjalëpak,
por dashurishumë, na sillnin ne, fëmijëve të asaj kohe, kur shkonim në shtëpinë
e tyre atje buzë përroit të Kaurit ku derdhet në lumin Shushicë (lumi i Vlorës,
ose lumi i Bardhë quhet në popull) aq emocion e kënaqësi. Si duket, ky ujë e
kjo fëshfërimë gurgulluese e bënë Avniun që të futej në rrjedhat e natyrës
bukur, duke na dhuruar ato vargje kënge që ngelet të përjetshme për brezat. E
jetoj në heshtje akoma fëmijërinë time n’ ato shtëpi të ndërtuara bukur për kohën
dhe n’ato ambiente aq të dashura që i krijonin ata njerëz. Prejardhja,
zanafilla dhe karakteri individual i Avni Varfit e bëri njeri dhe poet
Frashërlli me të gjitha atributet. Lëvizja e drejtuar e elektroneve që shfaqej
në elektricitetin që ai ushtroi, ngacmonin në çdo moment shpirtin e tij
pasionant që të na linte këtë trashëgimi që ju, Aleksandra, keni fatin të
ndiqni edhe të shijoni edhe këtë takim të bukur, human e artistik në këtë datë
për librin që përmbledh brenda oksigjenin shpirtëror të derdhur në artin e
poezisë”.
3. Do të marrë malli, o Anvi dhe falmë të
shkruaj dhe dy fjalë më shumë për hir të artit tënd poetik, për dinjitet të
gjakut fisnik që kemi!
Avni Varfi dallon për stilin realist, që
herë - herë merr horizonte romantike e herë - herë filozofia e poezisë së tij të
qep në vend nga tronditja e vargut
lakonik, vërtetësisht shkruar dhe ardhur artistikisht bukur, një e veçantë dinjitoze
e poezisë Made in Avni Varfi. Nga shqetësimet njerëzore, ekonomike, politike në
rrjedhat e kohës, vetëdija kombëtare, kur poeti qytetar e ndjen së brendshmi kushtrimin
për të përballuar përbindëshat që të përpijnë dhe frymën, burojnë vargje të
tilla të skalitura si monument dhimbjeje, si pasaportë identiteti, spaletë
dinjiteti, si manifest lirie:
O Lum’ i Vlorës ku vete,
Asnjëherë nuk pyete,
Rreth me male, rreth me dete,
Nuk të deshën disa shtete,
Luan ishe që në djepe,
Luan ishe, luan mbete.
Në betejat si tërmete,
Djem e burra merr me vetes,
Kush, moj kush, ta prek lirinë,
Ngre në këmbë gjithë Labërinë,
Mitrovicë, gjer në Janinë,
Kush s’ta njohu trimërinë?!
Se kombi kur ka pasur nevojë, të ka
folur ty, se trojet, kur i ka shkelur hasmi, ty të kanë kërkuar, t’u dalësh zot
tok me vëllezërit e tu, se lirisë, kur i është marrë fryma, sytë nga ti, Lumë i
Vlorës i ka hedhur me besim e shpresë. Kështu e lexon Alberti poezinë tënde,
more Avni vëllai.
Dhe poezia këngëzohet e fiton
jetëgjatësi, se rrjedh si krua e merr hapësirë, gjerësi e thellësi, ku noton një
anije me busull në shtratin e vjetër e të sigurt të këngës labe, interpretuar
aq mjeshtërisht nga grupi i mirënjohur i Vranishtit.
Avni Varfi ishte një poet atdhetar, që
nuk kishte nevojë të shfaqej si i tillë. Janë të rrallë poetët besnikë ndaj
vendlindjes, sidomos në këtë kohën e vërshimeve tutje, tutje tutje, drejt
Tiranës, ... deri në Australi ...Të paktën në trevën e Vlorës, që njoh mirë,
janë vetëm dy: Hiqmet Meçaj, një ndër poetët më të mirë të Shqipërisë, nuk e
ndërroi kurrë Vlorën, atë shtëpizën e tij përdhese në lagjen e vjetër të qytetit me Tiranën metropolitane (dhe
pse vëllimi i tij poetik “Tokë e pagjumë”, 1983
vlerësohet me çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit”.
As poeti Avni Varfi
nuk e ndërroi kurrë Horën e Vranishtit buzë lumit jetëdhënës me Vlorën
bregdetare, që të magjeps e të merr mendtë... Edhe pse ishte elektricist, dhe
aq i zoti, dhe aq human dhe që sa shumë kërkohej në qytet...
Në një poezi tjetër atdhetare, autori
skalit vargun: “Buletinët si sparatanët”... Më mirë shijojeni sipas mënyrës
tuaj dhe kënaquni me poezinë e Avniut tonë, se të vijoj komentin e saj. Veç një
gjë e them me siguri: kemi qenë fatlumë që e kemi pasur Avniun me poezinë e
tij, me shpirtin e tij, me humanizmin e tij të kthjellët, patjetër dhe me
këmbalecat e tij shtyllave elektrike...
Ai na i sjell vargjet të tejdukshme,
pra sikur i shohim të gjalla, të prekshme. Një imtësi funksionale tejpërmasore:
“Ecim
mbi urë, në një shteg të ngushtë
këtej një luan , andej një tigër”.
Avniu nuk mund të ishte poet akuariumi,
madje shpesh i kalonte me mospërfillje të tillët. Ai ishte poet i hapësirave. Poet
i dritës ishte Avniu. Lirikën shoqërore e kishte në shpirt si këmbalecat majë
shtyllave. Ai e shikonte realitetin në sy Dhe zhgënjehej jo pak:
“Udhët
i kemi të ndryshme në jetë
njësoj këtu, askush nuk i ka,
Budallenjtë pengohen e bien në kënetë
Të mençurit fluturojnë e ngjiten me krah.
Ata që bien kthehen në ngjala, peshq, gjarpërinj
Të tjerët ngjiten e bëjnë karrierë,
Me kokën ulur e qepen si minj
Të çajnë ndonjë vrimë, poshtë, nën derë”.
Po sa aktuale është edhe sot kjo poezi,
more Avni, që paç dritë, se sa shumë dritë na dhe!
Alegoria, mjetet stilistike, tematika
pasur dhe arti i lartë realizues e bëjnë Avniun të jetojë në poezi, në pasjetë.
Ai është regjistruar në kujtesën tonë me poezitë e tij, sidomos me vëllimet
poetike “Kthehem në ekran”, (2000) dhe “S’kam kohë”, (2007) në një lirik aq të
ndjerë, që ka frymëmarrje të thellë, që na fal emocione të fuqishme e ngjyra të
papërsëritura, aq të veçanta, me një figuracion të tijin, që i nxjerr ngjyrat
në diell aq bukur, krejt origjinal dhe shumë të kursyer. Ai ka shkruar pak, se
e ka çmuar fjalën si të shenjtë e nuk mund të shpërdoren shkronjat e gjuhës
shqipe, që janë “flori e kaluar floririt, o tunxh!”.
Si tek pakkush poetë që lëvrojnë
poezinë dhe kanë jetë aktive në letërsi, tek Avniu, tradita dhe modernia kanë
udhëtuar qetë, bukur dhe përsosmërisht në harmoni me njëra-tjetrën, për të
prodhuar letërsi të mirë.
Nuk do të flas për prozën e tij, për
monografitë, ku shkëlqeu edhe në rrafshin e konceptimit strukturor dhe të
ndërtimit përmbajtësor, as për vështrimet e tij folklorike dhe etnografike, apo
mendimet e tij për autorë të tjerë, por një fjali dua që ta ritheksoj: Monografitë e Avni Varfit, sidomos “Kapedani i Labërisë: Azem Sulo”, Tiranë, 2000 apo “Puthje në Berlin”, veçmas kjo kushtuar
Azis Qerim Rexhepaj janë shembëlltyrë frymëzimtarie për çdo studiues që guxon
të trokasë e të futet në portën e rëndë të gjurmimeve monografike kushtuar
njerëzve të shquar të pushkës dhe të penës.
Po rikthehem tek një poezi ku autori,
si poet i vendlindjes, shfaq një dashuri reale, të bukur, të pastër, shumëpërmasore,
të dëlirë, ekzistenciale, aq të dinjitetshme:
“Nëpër
qiellin e vendlindjes,
muza ime rreh në erë,
pranë të gjallëve
pranë të vdekurve,
vargu im dritë merr.
edhe ikën nëpër male,
eh, vise Labërie,
bëhet këngë e ndez stralle,
nëpër shkrepa dashurie”.
Aty, tek rrënjët e letërsisë, pranë
vatrës së zjarrit, te shtëpia e Poetit, buzë Lumit të Bardhë, bekuar nga uji i
kulluar dhe gurët çuditërisht të bardhë të Lumit tonë dhe dielli që shkon i
lodhur në Çikë, vetëm të ditë para fluturimit të Zogut të Dritës, më 1 Tetor
2022, në Vranishtin e historisë dhe valles së rëndë, e thuri këtë poezi si
testament shpirti.
Vranisht, 20. 08.2025
Vlorë, 12 Janar 2026



