Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar

| E shtune, 17.01.2026, 03:55 PM |


Busti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Klinë, kujtesë e përhershme e historisë dhe identitetit tonë kombëtar

(Homazh në 558 vjetorin e kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Sot, më 17 janar në ditën e përkujtimit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, ndalemi me nderim përballë bustit të tij në qytetin e Klinës. Ky monument historik nuk flet me zë, por me heshtjen e tij e bart peshën e historisë, sakrificës dhe të identitetit tonë kombëtar.

Mes ndërtesave dhe ritmit të përditshëm të jetës qytetare, busti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut qëndron krenarë si një pikë e palëkundur referimi historik dhe moral, i cili është vendosur më 1 shkurt të vitit 2019, falë nismës së Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, i cili bust është një dëshmi e kujdesit qytetar për ruajtjen e kujtesës kombëtare.

Prania e tij krijon një kontrast të thellë mes përkohshmërisë së jetës moderne dhe përjetësisë së veprës së Heroit Kombëtar. Ky kontrast nuk e zvogëlon rëndësinë e monumentit, por e bën edhe më domethënës, duke e shndërruar atë në një rojtar të heshtur të ndërgjegjes sonë historike.

Busti e paraqet Gjergj Kastriotin - Skënderbeun me kokën lart dhe me një shikim të thellë e të përqendruar. Ky vështrim duket sikur përshkon kohën, historinë dhe fatin e kombit shqiptar. Në të lexohen vendosmëria dhe mençuria e një prijësi të madh, i cili ka përballuar beteja të ashpra triumfuese, më sakrifica të mëdha dhe vendime vendimtare për ekzistencën e popullit të vet. Pra, nuk është një shikim sfidues, por vigjilent – shikimi i atij që udhëheq dhe mbron edhe përtej kufijve të jetës.

Në përkrenaren karakteristike me brirë dhie, element i njohur ikonografik i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dallohen gjashtë trëndafila të praruar. Midis tyre janë gdhendur iniciale me shkronja latine, të lexuara shpesh si “IMPERATORE”. Ky titull, që rrjedh nga latinishtja imperare – të sundosh, të komandosh – shpreh autoritetin, legjitimitetin dhe rolin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si prijës sovran dhe kryestrateg i shquar ushtarak i kohës së tij. Mjekra e gjatë dhe tiparet e theksuara të fytyrës i japin bustit pamjen e një burri legjendar me përvojë dhe mendim të pjekur, që do të thotë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet si njeri i veprimit dhe i mendimit njëkohësisht, si udhëheqës që ka ditur të prijë jo vetëm me shpatë, por edhe me mençuri, maturi dhe vizion. Edhe në kraharorin e tij është gdhendur shqiponja dykrenare, simboli më i fuqishëm i identitetit tonë kombëtar. Ajo përfaqëson mbrojtjen e Atdheut dhe Qëndresën për Liri. Në këtë formë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu shfaqet si mburojë e gjallë e popullit të tij dhe si mishërim i sakrificës sublime për lirinë kombëtare. Ndërsa piedestali prej guri masiv, mbi të cilin qëndron busti, simbolizon qëndrueshmërinë e kujtesës historike. Mbishkrimi i thjeshtë me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vitet e jetës së tij (1405-1468), flet më shumë se çdo fjalë e tepërt, sepse veprat e tij janë të gdhendura thellë në historinë e popullit shqiptar. Edhe lulet e vendosura pranë monumentit në ditëlindjen e tij, më 6 maj, në 28 Nëntor – Ditën e Flamurit Kuq e Zi, në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe në ditëvdekjen e tij, janë shenja të gjalla të respektit dhe mirënjohjes së brezave. Rrethimi qytetar dhe lëvizja e përditshme e nxënësve dhe qytetarëve krijojnë një dialog të heshtur mes Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe së kaluarës dhe së tashmes. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu qëndron aty si një udhërrëfyes moral, duke i kujtuar çdo kalimtari të gjakut të tij (Skënderbeut), se liria dhe identiteti kombëtar nuk janë dhuratë, por janë fituar me sakrificë dhe duhen ruajtur me përgjegjësi nga brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Ky bust, i realizuar në bronz në mënyrën më ideale nga skulptori Sabri Behrami nga Mitrovica, nuk është vetëm një vepër arti, por një dëshmi e vetëdijes historike dhe e përkushtimit qytetar për ruajtjen e trashëgimisë sonë të lavdishme kombëtare.

Në këtë ditë përkujtimore, busti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Klinë mbetet një mësim i heshtur, por i përhershëm ku historia nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por udhërrëfyes i domosdoshëm për të tashmen dhe për të ardhmen.

Lavdi e përjetshme veprës heroike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!

Klinë, 17 janar 2026