| E shtune, 17.01.2026, 03:54 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
MULLA IDRIZI NË
ILEGALITET TË THELLË- JATAKËT E MULLA IDRIZIT (54)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Fillimisht,
ai strehohet në fshatin Tugjec, një vend që i ofronte mbështetje njerëzore dhe
anonimitet të përkohshëm. Më pas, gjen strehë dhe përkrahje në familjen
atdhetare Sadiku në fshatin Gjyrishec – një familje me tradita të thella
patriotike, që e mirëpriti jo vetëm si mysafir, por si një pjesëtar të
rezistencës së përbashkët. Aty, për pesë vite me radhë, Mulla Idrizi jetoi në
bashkëjetesë të pandarë me popullin, duke qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me
strukturat e Lëvizjes së Rezistencës dhe duke dhënë kontributin e tij për mbajtjen
gjallë të shpirtit të qëndresës kombëtare në kohë të errëta.
Strehimi
i tij në këto treva nuk ishte një tërheqje në heshtje, por një veprim
strategjik: ai vijoi të vepronte përmes rrjeteve të besimit, të këshillave, të
komunikimit të fshehtë dhe të nxitjes së qëndresës morale në një kohë kur shumë
të tjerë kishin zgjedhur heshtjen përballë frikës. Figura e tij u bë simbol i
qëndresës së matur, i përkushtimit ndaj lirisë, por edhe i qëndresës
shpirtërore që nuk e njihte as dorëzimin, as kompromise me pushtetin.
Megjithatë,
rrjeta e përndjekjes komuniste, e ushqyer nga rrëfimet, tradhtitë dhe
kontrollet sistematike, arriti ta kapërcejë edhe këtë hapësirë të mbrojtur. Pas
një periudhe kërkimesh të gjata dhe të përqendruara, në natën mes 22 dhe 23
nëntorit 1949, Mulla Idriz Velekinca u zbulua dhe arrestua. Ky arrestim nuk
ishte një akt i zakonshëm policor, por një goditje e rëndë simbolike ndaj
gjithë strukturës së rezistencës që ai përfaqësonte.
Lajmi
për arrestimin e tij u përhap me shpejtësi rrufeje nëpër qytet e fshatra – jo
vetëm si fakt, por si thirrje për reflektim, si lajm i hidhur për humbjen e një
figure të dashur dhe të respektuar. Ai nuk ishte thjesht një klerik i ndjekur,
por një intelektual, një udhëheqës shpirtëror dhe një patriot i paepur që, edhe
në fshehtësi, kishte qëndruar i palëkundur në mbrojtje të idealeve për të cilat
kishte jetuar e vepruar. Arrestimi i tij shënoi një nga momentet më të
dhimbshme të përballjes ndërmjet ndërgjegjes kombëtare dhe aparatit shtetëror
të dhunës – por figura e tij vazhdoi të jetojë, si një gur themeli në
ndërgjegjen historike të popullit shqiptar.
Gjatë
periudhës së hetuesisë, Mulla Idriz Velekinca përjetoi formën më ekstreme të
dhunës fizike dhe psikologjike që aparati shtetëror i kohës ishte në gjendje të
ushtronte mbi individët që përfaqësonin ide dhe ideale të kundërta me sistemin.
Torturat ndaj tij nuk ishin vetëm një përpjekje për të nxjerrë informacione,
por mbi të gjitha një mjet për ta thyer shpirtin e një figure që kishte
mishëruar për vite të tëra rezistencën e heshtur, por të qëndrueshme, ndaj çdo
forme shtypjeje – politike, kulturore dhe shpirtërore.
Përkundër
dhunës së pashoqe dhe metodave çnjerëzore të përdorura ndaj tij, Mulla Idrizi
nuk u dorëzua. Ai qëndroi i palëkundur në bindjet dhe idealet e tij, duke u
kthyer kësisoj në një shembull të rrallë të qëndresës etike dhe morale. Ky
qëndrim i tij e ngrenë figurën e Mulla Idrizit përtej kornizave të një
dëshmitari historik – ai përfaqëson njeriun që, edhe në çastet më të errëta,
ruan dinjitetin dhe nuk e shet të vërtetën për çlirim fizik.
Dokumenti që dokumenton
për padrejtësinë e pushtetit
Për
të ilustruar këtë periudhë të dhimbshme të jetës së tij, vlen të përmendet një
dokument zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Federative
Popullore të Jugosllavisë (RFPJ), për rrethin e Gjilanit, ashtu siç është
lëshuar nga Arkivi Regjional i Gjilanit. Dokumenti mban datën 3 dhjetor 1949
dhe është regjistruar nën numrin protokollar 887, Gjilan. Edhe pse dokumenti i
përket një periudhe kyçe të arrestimit dhe ndalimit të Mulla Idrizit, ai mbart
një mungesë domethënëse të informacionit: aty nuk përmendet as data e saktë e
arrestimit, as kohëzgjatja e mbajtjes në burg.
Kjo
heshtje burokratike, kjo mospërfillje ndaj kronologjisë së një ngjarjeje kaq të
rëndësishme, është në vetvete dëshmi e një praktike sistematike për të zbehur,
relativizuar ose fshehur të vërtetën rreth fatit të atyre që u përballën me
represionin. Ajo çfarë nuk mund të fshehë asnjë dokument, është qëndresa e tij.
Mungesa e të dhënave në raportin zyrtar nuk i zbeh aspak peshën e dhimbjes së
përjetuar e as madhështinë e qëndrimit të tij. Përkundrazi, ajo i jep ngjarjes
një tjetër dimension: përpiqet të zhdukë një të vërtetë që populli e kishte
përjetuar dhe e kishte ruajtur me kujtesë të gjallë, shumë më të fuqishme se
çdo arkiv i shtetit.
Në
këtë mënyrë, qëndrimi i Mulla Idrizit në hetuesi bëhet jo vetëm dëshmi
personale, por edhe dokument i gjallë i forcës së ndërgjegjes njerëzore
përballë dhunës institucionale. Heshtja e arkivës zyrtare për kohën e
arrestimit dhe të burgut nuk është boshësi faktike – është boshësi morale që
flet më shumë për sistemin që e prodhoi sesa për njeriun që tentoi ta thyejë.
Dhe ky njeri, Mulla Idrizi, nuk u thye.
Në
dokumentacionin zyrtar të lëshuar nga autoritetet e kohës, konkretisht nga
Prokuroria Publike e Rrethit të Gjilanit, thuhet se më 26 nëntor 1949 është
marrë vendimi për hapjen e hetuesisë penale kundër Mulla Idriz Velekincës, duke
urdhëruar paraburgimin e tij si pjesë e procedurës hetimore. Vendimi, i
regjistruar me numrin 18/49 dhe i mbështetur në nenin 3, pika 3 dhe 8 të Kodit
Penal të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, shënon formalisht
aktin e arrestimit të tij dhe fillimin e një procesi të strukturuar ligjërisht,
por në thelb të motivuar politikisht.
Ky
dokument, i cili mban po atë datë me ditën e arrestimit – 26 nëntor – përbën
një provë të drejtpërdrejtë për momentin kur Mulla Idrizi është futur në
rrjetën e përndjekjes institucionale. Dyshimet e ngritura ndaj tij, të koduara
në ligj si “vepra penale” që kërcënonin rendin publik dhe shtetëror, nuk ishin
tjetër veçse arsyetime formale për të legjitimuar eliminimin e një figure që
për shumë vite kishte sfiduar autoritetin e pushtetit jugosllav – si në planin
fetar, intelektual, ashtu edhe kombëtar.
Por
ajo që pason, dhe që e zhyt ngjarjen në një re të dendur dyshimesh dhe
absurditeti të montuar, është mënyra se si përmbyllet procedura hetimore. Në
dokumentin e datës 2 dhjetor 1949 – vetëm disa ditë pas arrestimit – raportohet
se Mulla Idrizi ka kryer “vetëvrasje” duke “kallur veten”, sipas versionit
zyrtar të UDB-së. Ky pretendim, i shprehur në mënyrë të thatë dhe pa asnjë
argument bindës hetimor, më shumë se një deklaratë faktike, përbën një
përpjekje për të mbuluar një akt të rëndë dhune shtetërore me një retorikë
burokratike të zakonshme për kohën.
Pas
këtij njoftimi, organet e sigurimit propozojnë që hetuesia dhe paraburgimi të
ndërpriten, me arsyetimin se “subjekti” i procedurës nuk ekziston më. Ky akt
procedural – që do të duhej të ishte fundi i një procesi të natyrshëm ligjor –
në këtë rast shërben si vula e fundit mbi një akt të dhunës që nuk mund të
justifikohej juridikisht. Dokumenti, i nënshkruar nga zyrtari i autorizuar
Dragi Popoviq, është më shumë një dëshmi e një ekzekutimi të fshehtë sesa një
procedurë gjyqësore që synon drejtësinë.
Në
të vërtetë, akti i “vetëvrasjes” i raportuar nga UDB-ja, i përshkruar me gjuhë
të thatë dhe të kontrolluar administrativisht, është refuzuar gjerësisht nga
rrëfimet e mëvonshme, nga kujtesa kolektive e popullit dhe nga vetë karakteri i
figurës së Mulla Idrizit – një njeri i përkushtuar ndaj jetës, dijes dhe
besimit. Ajo që paraqitet në këtë dokument nuk është një e vërtetë juridike,
por një gjuhë e përpunuar për të mbyllur një krim me ndihmën e një akti zyrtar.
Përmes kësaj gjuhe, pushteti përpiqej të fshihte faktin se kishte eliminuar një
prej zërave më të fuqishëm të ndërgjegjes shqiptare të kohës.
Në
këtë mënyrë, dokumenti i datës 3 dhjetor 1949, më shumë sesa dëshmi e një procesi
ligjor, është dëshmi e një sistemi që përdorte strukturat e ligjit për të
justifikuar veprimet e tij të paligjshme. Figura e Mulla Idrizit, e cila në
këtë akt zyrtar synohej të shuhej, në fakt u ngrit në piedestalin e qëndresës
dhe mbeti përjetësisht e pranishme në kujtesën historike si shembull i
burrërisë, i qëndresës morale dhe i refuzimit të përkuljes përballë tiranisë.
Duke
u përballur me dokumentin zyrtar që mban gjurmët e një epoke represive, është e
pamundur të mos ndjesh një tronditje të thellë shpirtërore dhe një ndjenjë
ankthi historik. Teksa rreshtat e ftohtë burokratikë përpiqen të paraqesin si
të zakonshme arrestimin, hetuesinë dhe "vetëvrasjen" e Mulla Idrizit,
lexuesi i vëmendshëm dhe i ndjeshëm për historinë kombëtare shqiptare përplaset
me një të vërtetë të heshtur, por që zë ulërimën e saj ndër rreshta: sa e sa
falsifikime, sa e sa ngjarje të deformuara, sa e sa jetë të shqiptareve janë
përmbysur me një firmë, me një vulë, me një akt që fshihte më shumë sesa
zbulonte.
Kjo
përvojë e leximit të dokumentit nuk është thjesht një akt dekodimi teknik i një
materiali arkivor, por një përballje me pasojat e thella të manipulimit
shtetëror – një pyetje etike dhe historiografike që qëndron pezull: sa të
vërteta janë shkatërruar nën emrin e ligjit? Sa dokumente të ngjashme, me të
dhëna të rreme, janë përdorur për të justifikuar dënime, pushkatime, internime,
tortura? Dhe sa prej tyre janë ende të padekonspiruara, të mbyllura nëpër
arkiva që nuk tregojnë gjithë të vërtetën, por vetëm narrativën e një pushteti?
E
megjithatë, ky dokument – sado i rënduar me gjuhën e shtetit që kërkonte të
fshihte krimin nën mbulesën e ligjshmërisë – mbetet një dëshmi me vlerë. Jo për
atë që thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por për atë që lejon të kuptohet
përmes heshtjes, përmes gjuhës së tërthortë dhe përmes datave të shënuara pa
kujdes të veçantë nga vetë hartuesit e tij. Pikërisht këto data – 26 nëntori si
moment i arrestimit dhe 2 dhjetori si dita e djegies së Mulla Idrizit – kanë
një vlerë të madhe dokumentare. Ato, ndoshta, janë ndër të paktat elemente të
ruajtura pa kalkulim të posaçëm nga organet e sigurimit, për faktin se në
mendësinë e tyre nuk përbënin ndonjë rrezik a domethënie të madhe për të
ardhmen.
Prandaj,
pavarësisht përpjekjes së dokumentit për të legjitimuar një akt çnjerëzor
përmes frazeologjisë së sistemit, vetë ekzistenca e tij përbën një lajm të
rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Ai na furnizon me një të dhënë të
qartë për kohën e arrestimit dhe për momentin tragjik të zhdukjes fizike të një
prej figurave më të rëndësishme të rezistencës shqiptare në Kosovë. Edhe kur
gënjen, dokumenti na tregon diçka të vërtetë – ndoshta jo në përmbajtjen e tij,
por në shenjën e datës, në rrjedhën e ngjarjeve që përpiqet t’i maskojë dhe në
heshtjen e vet që flet më shumë se çdo fjali e shkruar me gjuhën e shtetit
represiv.
Në
këtë dritë, leximi kritik i dokumenteve të tilla nuk është vetëm detyrë e
historianit, por edhe akt i drejtësisë ndaj kujtesës kolektive. Është një
përpjekje për të nxjerrë dritë nga hije të qëllimshme, për të ndarë të vërtetën
nga tymnaja e manipulimeve. Dhe mbi të gjitha, është një mënyrë për të nderuar
të vërtetën e atyre që, si Mulla Idriz Velekinca, zgjodhën të mos përkulen
kurrë, as përpara dhunës, as përpara vdekjes.
Nga
këndvështrimi im si historiane, dhe ndër vite jam ballafaquar me një numër të
madh dokumentesh të klasifikuara si "top sekret", shpeshherë të
hartuar me qëllim manipulues dhe propagandistik, nuk mund të pranoj pa rezerva
asnjë version zyrtar që rrjedh nga praktikat e errëta të UDB-së, e aq më pak
narrativën e tyre për “vetëdjegien” e Mulla Idriz Velekincës. Jo vetëm që nuk
besoj në këtë version të ngjarjes, por jam thellësisht e bindur se e
ashtuquajtura “vetëvrasje me djegie” është një konstrukt i pastër, i prodhuar
me mjeshtërinë e një aparati shtetëror që e ka pasur për specialitet
falsifikimin, fabrikimin dhe maskimin e të vërtetave më të dhimbshme të
historisë shqiptare në ish-Jugosllavi.
UDB-ja,
që nga themelimi i saj, nuk u karakterizua nga ndershmëria dokumentare, por nga
një sistem i ndërlikuar mashtrimesh burokratike, ku e vërteta nuk kishte vend –
përkundrazi, ajo shtypej me mjete të sofistikuara: me fjalë të zbrazëta, me
aktakuza të montuara, me vendime të formuluara për të zhdukur gjurmët e krimeve
shtetërore. Rasti i Mulla Idrizit nuk bën përjashtim. Madje, për nga
brutaliteti dhe mënyra se si tentuan të mbulojnë krimin, është një nga shembujt
më ilustrues të monstruozitetit të kësaj strukture.
Megjithatë,
pavarësisht se dokumenti në fjalë është i mbushur me paqartësi, me heshtje që
bërtasin dhe me gjuhë të kontrolluar nga ideologjia, ai ruan një rëndësi të
veçantë për opinionin e gjerë dhe, në mënyrë të veçantë, për komunitetin
shkencor. Vlera e tij nuk qëndron në besueshmërinë e plotë të përmbajtjes, por
në të dhënat që, të lexuara në mënyrë kritike dhe të kontekstualizuara me
burime të tjera, mund të ndihmojnë në ndriçimin e momenteve kyçe të jetës dhe
veprimtarisë së Mulla Idriz Velekincës – një figure që mbetet e lidhur
pandashëm me historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe më gjerë.
Ky
dokument, sado i ngarkuar me gjuhë të standardizuar shtetërore, përmban të
dhëna që ndihmojnë në përcaktimin më të saktë të kronologjisë së ngjarjeve – si
data e arrestimit dhe dita e vrasjes së tij – të cilat përbëjnë elementë kyç në
rikonstruimin e së vërtetës historike. Pikërisht këto data, të cilat për UDB-në
mund të kenë pasur rëndësi të vogël operative dhe janë shënuar pa kujdes të
posaçëm, sot për ne janë gurë themeli në ndërtimin e një narrative të ndershme
dhe të drejtë për jetën dhe sakrificën e një prej figurave më të ndritura të
ndërgjegjes sonë kombëtare.
Rrjedhimisht,
Mulla Idrizi nuk mund të mbetet thjesht një emër në një listë të martirëve të
paemër – ai është dhe duhet të jetë një nyje qendrore në historinë e
rezistencës shqiptare, një dëshmitar i gjallë i guximit moral dhe një simbol i
bashkimit mes fesë, dijes dhe përkushtimit atdhetar. Dokumente të tilla, të
lexuara me sy kritik e me ndërgjegje profesionale, do të ndihmojnë në plotësimin
e mozaikut të jetës së tij dhe, përmes tij, në ndriçimin më të gjerë të
historisë së popullit shqiptar në përballje me mekanizmat e shtypjes,
gënjeshtrës dhe dhunës.
Ishte
tërësisht e pritshme që pushteti i kohës, i ndërtuar mbi frikën dhe kontrollin
absolut, ta ndiente si kërcënim rrezatimin moral, intelektual dhe atdhetar të
një figure si Mulla Idriz Velekinca. Aftësia e tij për të frymëzuar masat, për
të bashkuar popullin rreth vlerave të lirisë, besimit dhe identitetit kombëtar,
përbënte një burim ndikimi që e tejkalonte funksionin e një kleriku të
zakonshëm. Pushtetarët e ndien që, në praninë e tij, autoriteti i tyre binte në
hije – sepse ai nuk i bindte as frikës, as kompromisit, as llogarisë politike.
Ndaj nxitimi për ta asgjësuar ishte rezultat i një paniku të brendshëm që vinte
nga përballja me një burrë që nuk mund të blihej, as të përkulej.
Në
përballjen me mekanizmat e dhunës shtetërore, Mulla Idrizi u shfaq si një
figurë e papërkulur, e pathyeshme. Ai kurrë nuk pranoi të bëhej pjesë e
sistemit të gënjeshtrës: nuk bashkëpunoi me UDB-në, nuk pranoi të shpifte, nuk
dha emra, nuk tregtoi shokët dhe mbi të gjitha – nuk mohoi vetveten. As
torturat më çnjerëzore, as kërcënimet më të errëta nuk arritën ta ndryshonin
rrugën e tij. Ai qëndroi si një gur i rëndë në rrjedhën e një lumi të dhunshëm,
duke dëshmuar se dinjiteti njerëzor është më i fortë se çdo makineri shtetërore
që kërkon nënshtrim total.
Është
e vërtetë se jeta e tij ishte e shkurtër në numër vitesh, por brenda atij harku
kohor të ngjeshur me veprim, përkushtim dhe sakrificë, ai arriti të lërë pas
një trashëgimi të pashlyeshme. Veprimtaria e tij nuk ishte e zakonshme: ajo
ishte e bujshme, e guximshme, e ndërtuar mbi parime të forta dhe me bindje të
palëkundura. Me fjalën dhe veprën e tij, me refuzimin e kompromisit dhe me
besnikërinë ndaj idealeve kombëtare, ai e sfidoi armikun shekullor të popullit
shqiptar – jo me dhunë, por me forcën e së vërtetës, të dijes dhe të
dinjitetit.
Mulla
Idrizi u bë emblemë e një qëndrese që nuk negocioi me të keqen. Ai nuk është
vetëm një figurë historike, por një vetëdije që vijon të jetojë ndër breza si
simbol i pastërtisë morale, i përkushtimit atdhetar dhe i refuzimit të
nënshtresimit. Në një kohë kur shumë u thyen ose u heshtën, ai qëndroi i
patundur, duke u bërë dëshmi e gjallë se liria është më e madhe se frika, dhe
se e vërteta, sado e shtypur, gjithmonë gjen rrugë të flasë përmes jetëve që u
flijuan për të.
Është
e domosdoshme të theksohet se pikërisht forca shpirtërore, qëndrueshmëria
morale dhe ndikimi i gjerë i veprimtarisë së Mulla Idrizit ishin ato që
tërhoqën vëmendjen e padiskutueshme të pushtetit represiv dhe rrjetit të
spiunazhit jugosllav. Më shumë se çdo akt formal apo fjalë e artikuluar, ishte
vetë përmasa e figurës së tij që trazonte zyrtarët dhe strukturat e sigurimit:
një burrë që fliste pak, por që me qëndrimin e tij sfidonte sistemin; një njeri
që nuk kishte nevojë të thoshte fjalë të mëdha për të mishëruar një ideal të
madh. Ndaj, për autoritetet e kohës, çdo hap i tij përbënte një kërcënim – çdo
shfaqje publike, çdo predikim, çdo takim me njerëzit ishte një alarm i
brendshëm për aparatin shtetëror.
Pikërisht
për këtë arsye, ndjekja ndaj tij nuk ishte sporadike apo thjesht e rastësishme.
Ajo u bë pjesë e pandarë e jetës së tij, një prani e vazhdueshme e pushtetit në
formën e hetuesve, spiunëve, survejuesve dhe të gjithë atyre mekanizmave të
errët që ushtronin presion të përhershëm mbi lirinë individuale e kolektive. Ky
persekutim i ngulitur në përditshmërinë e tij u përshkallëzua deri në momentin
e arrestimit, i cili nuk ishte një akt juridik, por një vendim politik i
drejtpërdrejtë: të eliminohej rreziku që përfaqësonte ky burrë, i cili nuk
përkulej dhe nuk dorëzohej.
Frika
që e përshkonte pushtetin përballë figurës së Mulla Idrizit nuk ishte frikë e
zakonshme – ishte një frikë ekzistenciale. Ata ndjenin se nëse ai do të mbetej
i lirë, zëri i tij mund të frymëzonte një lëvizje më të gjerë, mund të ndizte
vetëdijen, mund të bashkonte shqiptarët rreth një ideali të përbashkët. Dhe kjo
ishte një frikë e madhe... shumë e madhe... sepse Kosova e pasluftës,
veçanërisht pas riokupimit të saj në vitin 1945, ishte një hapësirë e mbushur
me tension dhe pakënaqësi – një fuçi baroti, e cila kishte nevojë vetëm për një
fije shkrepëse për të shpërthyer e për ta përfshirë në flakë jo vetëm Kosovën,
por tërë Ballkanin.
Në
këtë kontekst historik, është krejtësisht e kuptueshme që shteti jugosllav do
të shtonte represionin, ndëshkimin kolektiv dhe dhunën sistematike ndaj
shqiptarëve, duke u përpjekur me çdo kusht të zbulonte vendndodhjen e Mulla
Idrizit. Ai nuk ishte thjesht një individ në arrati – ai përfaqësonte një ide,
një frymë, një potencial rrezikimi për rendin e vendosur me forcë. Për ta,
kapja e tij nuk ishte një sukses i zakonshëm policor; ishte një fitore ndaj një
simboli të gjallë të rezistencës.
Por
ajo që nuk mundën ta ndalonin, ishte përhapja e ndikimit të tij edhe pas
arrestimit e vrasjes. Sepse një burrë si Mulla Idrizi nuk mund të eliminohej me
ndalimin fizik: ai kishte hyrë tashmë në kujtesën kolektive, në zemrën e
popullit dhe në rrjedhat e një historie që, pavarësisht përpjekjeve për të
heshtur, do të vazhdonte të dëshmonte për të. Dhe çdo dokument i fshehur, çdo
akt dhune, çdo përpjekje për ta fshirë, do të shërbente vetëm për ta bërë më të
fortë figurën e tij në ndërgjegjen kombëtare.
Shekujt
e historisë shqiptare janë shënuar nga një varg i pandërprerë përpjekjesh,
flijimesh dhe rezistencash, që kanë pasur si busull të vetme aspiratën për
liri. Ky motiv i thellë, që ngjizet në ndërgjegjen kolektive të një populli të
shtypur, është ai që ka ushqyer veprimin dhe qëndresën e shumë figurave të
shquara kombëtare. Në këtë rrjedhë të gjatë sakrificash dhe ideali, përfshihet
në mënyrë të natyrshme edhe figura e shumëdimensionale e Mulla Idriz Gjilanit –
një ndër përfaqësuesit më të plotë të ndërthurjes mes besimit, intelektit dhe
veprimit politik e kombëtar.
Mulla
Idrizi nuk mund të rreshtohet brenda një kornize të ngushtë përshkrimore, sepse
vetë jeta dhe veprimtaria e tij përfaqësojnë një univers të gjerë rolesh dhe
funksionesh të ndërlidhura. Ai paraqitet njëkohësisht si hoxhë – udhëheqës
shpirtëror dhe bartës i dijes tradicionale islame, por edhe si vizionar – që
përtej horizontit të kufizuar të kohës së tij, projektonte një të ardhme të
lirë për shqiptarët. Ishte realist në kuptimin më të mirë të fjalës, sepse
veprimtaria e tij nuk ishte e shkëputur nga rrethanat konkrete historike, por i
përgjigjej me mençuri dhe guxim sfidave të kohës.
Përkushtimi
i tij ndaj çështjes kombëtare nuk ishte deklarativ, por i mishëruar në çdo akt
të jetës së tij publike dhe private. Si atdhetar i devotshëm, ai nuk u mjaftua
me fjalë të bukura për atdheun, por vuri veten në shërbim të tij me vetëdijen
se kjo rrugë ishte e mbushur me rrezik, por edhe me nder. Si përfaqësues politik
dhe figurë e njohur në tubime kombëtare dhe ndërkombëtare, Mulla Idrizi nuk
fliste vetëm si një individ, por si zë i një populli që kërkonte të dëgjohej
dhe të njihej në të drejtën e tij për vetëvendosje.
Ai
mbeti gjatë gjithë jetës së tij një njeri i patjetërsueshëm – i papërkulur
përballë presioneve, i pakompromis përballë padrejtësive dhe i palëkundur në
përkushtimin ndaj idealit kombëtar. Figura e tij si luftëtar i madh i lirisë
nuk është thjesht një shenjë e përfshirjes në betejat fizike apo politike të
kohës, por mbi të gjitha një simbol i qëndresës morale, e cila është përmasë
thelbësore e çdo lëvizjeje të vërtetë çlirimtare.
Mulla
Idrizi e ëndërronte Kosovën e lirë – të çliruar jo vetëm nga prangat e
pushtimit, por edhe nga vargonjtë e nënshtrimit shpirtëror. Ai gjakonte me
gjithë qenien e tij që një ditë të shihte Kosovën të bashkuar me shtetin amë,
në gjirin natyror të atdheut shqiptar, aty ku i takon me të drejtë historike,
gjeografike dhe shpirtërore. Dhe në këtë ëndërr të tij – të pashuar edhe në
çastet më të errëta – gjendet thelbi i vizionit të tij: një Kosovë e lirë,
dinjitoze dhe e bashkuar, si pjesë e pandashme e trungut kombëtar.