| E shtune, 17.01.2026, 03:59 PM |

Gjergj Kastrioti, Heroi Arbëror, sipas Inteligjencës Artificiale
Përvjetor:
POROSIA E GJERGJIT TONË
TË MADH
Njëzet
e katër luftëra bëri
Njëzet
e katër vdekje theu
Çka
mangut linte Gjergji
Plotësonte
natën Skënderbeu.
(Ismail Kadare)
Krenaria jonë kombëtare
Nga
Bedri TAHIRI
...Janari
i egër i vitit 1468, krahas dëborës së madhe, solli edhe shumë të zeza, që
rënduan ashpër mbi supet e Arbërisë së molisur nga betejat e pareshtura.
Rrethimi i tretë i otomanëve e kishte sfilitur fare, sa e kishte vënë buzë
varrit. Kryezoti po lëngonte në shtrat. Çdo lajm i hidhur nga fushëbetejat ia
çante zemrën në dysh, por kot.
Shtati
prej vigani, që kurrë nuk njohu përkulje, kishte ngecur pa fuqi dhe s’ngrihej
dot. Fare pranë, Donika sy përlotur, dhe i biri trembëdhjetëvjeçar, Gjoni i
padjallëzuar. Tutje, ulur nëpër frone të mëdha druri, princër e kapedanë
flokëthinjur e mustaqe dredhur që nuk bëzanin. Heshtje e rëndë, plumb. Vetëm
kur ia sollën lajmin e fitores përfundimtare mori frymë lirshëm. U ngrit cazë
në bërryla, ua hodhi një sy të gjithëve, sa ishin aty, dhe me zë të ngjizur
tha:
-O
bashkëluftëtarët e mi besnikë, o princër e kapedanë tima! Unë po ua lë
shëndenë. Amanet Atdheun dhe birin tim të njomë. Po u lë të rrethuar nga
armiqtë, por, nëse bashkoheni dhe lidheni tok, siç kemi qenë deri sot, do t’ia
dilni mbanë. Përndryshe, po u përçatë, do t’u marrë lumi. Lirinë, që nuk ua
solla unë, por e gjeta midis jush, ruajeni më shumë se jetën!
Kujdes
dredhitë...pusitë...pabesitë...xhelozitë...ndasitë...
Dhe,
ditë e zezë agoi. Me shtatëmbëdhjetë janar Lezha u gdhi në zi. Dielli ngatërroi
rrugën. Lumenjtë ndaluan gurgullimën. Zogjtë harruan këngën. Gratë u veshën me
të zeza, ndërkaq burrat shkurtuan gunat mbi bërryla. Kali, ngelur jetim,
kalëroi e kalëroi derisa mbeti pa frymë. Lekë Dukagjini, flokëshprishur e
mjekërrshkulur, me zë hakërrues dha kumtin e kobshëm:
-Mblidhuni,
mblidhuni me vrap, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bën copë e grimë
dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u shemben
muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u
përmbysen forcat e pushtetet tona, sot u shuan së bashku me këtë njeri çdo shpresë
jona...
Vërtet,
dhjetë vjet më vonë, gjërat morën tatëpjetën. Çdo gjë u rrokullis në greminë.
Barbarët i përmbysen të gjitha. Etnosi ynë zu të nëpërkëmbej. U sulmuan gjuha,
tradita, kultura, besa. E gjurmuan dhe e gjetën edhe varrin e kryetrimit. Tërë
mllef, urrejtje e frikë u vërsulen mbi të, si bishat e tërbuara dhe e
zhvarrosen. O tokë, lëshona! Copë e grimë e bënë skeletin e tij. Për çudi, nga
frika se po ringjallej a nga dëshira që të bëheshin trima si ai, eshtrat ia
thërrmuan dhe i bënë nuska për t’i bartur me vete. Kështu, trimi, që lavdinë
dhe trimërinë nuk ia zuri një varr i vetëm, u shtri gjithandej nëpër Evropë e
deri në Azi.
Shpirti
i tij i ndritur edhe më vonë, si gur sinori, u trazua nga të tjerët, që
përpiqeshin me çdo kusht ta përvetësonin. I provuan të gjitha mënyrat, por pa
sukses. Pema s’njihet nga gjethet, por nga rrënjët. E ato ishin thellë- thellë
nën shkrepat e thepisur të Arbërisë, ku nuk arrinte dot dorë e huaj. Prej andej
buronin dhe kujtimet e pashterura për këtë kryehero. I përjetësuar në këngë, në
legjenda, në tregime e në monumente të ndryshme na përcolli denbabaden, duke na
e mbajtur ndezur flakadanin e lirisë nëpër shekujt e errësuar e të pleksur me
gjak.
Emri
i legjendarit frymoi përherë edhe në tokën e lashtë dardane. Më gjallërues
ishte gjatë luftës së ndritshme të UÇK-së.
Një
ditë nuk u durua më, edhe vetë ia mërsye këtej...
-Mirë
së vjen, o Gjergj vëllai, o princi ynë i madh, që për shumë vjet nderove
Arbërinë dhe mbarë Evropën!
-Mirë
së ju gjej, vëlla Adem, o komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me
gjakun Tuaj të shtrenjtë më hapet rrugë për në Kosovën trime, që për të gjallë
vetëm njëherë shkela në këto troje të begata!
Dhe,
shpata e Gjergjit vringëllinte.
Dhe,
mitralozi i Adem Jasharit bubullinte.
Dhe,
kënga e vallja s’kishin të ndalur. Po bëheshin tok edhe tre nëntorët: KRUJA,
VLORA, PREKAZI.
Emëruesi
i përbashkët: L I R I A.
Sot
edhe më mirë. Krenar e fytyrëqeshur nëpër mësonjëtoret tona prore rrezaton
bashkim, urtësi, trimëri, bujari e mbi të gjitha atdhedashuri. Ai, për çdo ditë
sikur u flet njomëzakëve:
Pa
më shihni se ç’kam veshur,
Koha
donte shpatë e trimëri,
Sot,
o bukuroshë, lypset ndryshe,
Libra,
mësime dhe dituri!
Ç’porosi
e mbarë e ç’mësime të mira për dritat e ardhmërisë.
I
tillë ka qenë gjithmonë Gjergji ynë, simboli i krenarisë sonë kombëtare.