| E enjte, 15.01.2026, 06:55 PM |
Me vitet e vuajtjes së katër dënimive të skalitura në dorë
Nga
Kastriot Dervishi
Fazli
Deli Zenuni, lindur më 6.9.1941 në Çabër, afër Mitrovicës, pasi ishte dënuar
nga regjimi jugosllav, kërkoi shpëtimin në Shqipëri, por si gjithë kosovarët e
ardhur, u keqtrajtua dhe u dënua 4 herë nga regjimi komunist. Vuajti gati 20
vjet heqje të egër lirie. Erdhi 25 vjeç në Shqipëri në vitin 1966 dhe u largua
50 vjeç në vitin 1991.
Pasi
e mbajtën të izoluar në Shijak, e çuan për banim në Rubik. Pasi u njoh me
mënxyrën komuniste internacionaliste, kërkoi të arratisej, por një shofer e
dorëzoi në Kukës në vitin 1967. Pas lirimit u vendos në kampin e përqendrimit
të kosovarëve në Çermë të Lushnjës. U dënua në Lushnje në vitin 1972 dhe u
ridënua për agjitacion e propagandë në vitet 1975 kur vuante dënimin në Ballsh
e në vitin 1984 në Zejmen. U lirua më 16.10.1990. Pas lirimit u kthye në
vendlindjen e tij, i rrënuar dhe i lodhur. Në krahun e tij shkroi vitet e
vuajtjes nga regjimin komunist në Shqipëri, si fotografi të fatit të hidhur që
e gjeti. I iku rinia kot. Por kjo ishte politikë zyrtare e shtetit
internacionalist komunist. Në krah shënoi vitet e këqija të fatit të tij të zi.
Po ta njihte të keqen nuk do ta vuante atë.
Shënim:
I përmenduri është pjesë e studimit tim për rreth 1000 persona që vuajtën shumë
vite heqje lirie gjatë regjimit komunist. Kush ka informacione plotësuese nëse
rron ose jo personi në fjalë, ose foto të tij, është i lutur t'i përcjellë.
