| E merkure, 14.01.2026, 06:57 PM |
Ndue Ukaj:
Sot,
vendi ynë ballafaqohet me krizë energjetike, pra me mungesë të rrymës, por
kriza e vërtetë nuk është kjo: kriza e vërtetë që bërtet mes nesh është kriza e
dritës së diturisë, ose më saktë, kriza e gjakimit për dituri, të cilin e kemi
shuar, duke e zëvendësuar me standarde të ulëta e do parulla shterpe, një gjuhë
e varfër, që ka pllakosë kudo, që njeriun e ndjeshëm e normal e shqetëson edhe
sikur ta dëgjonte në një skaj tjetër të botës, jo më në vendin e tij.
Dhe
pas një viti të mbrapshtë, vendi ynë, ka filluar një vit të ri, pa asnjë ideal,
me një trashëgimi të keqe politike, që është ripërtërirë me besim të verbët
popullor, në emër të disa psuedostandardeve nacionaliste.
Vërtet,
këto pseudostandarde, e kanë gërryer shtetin tonë që pesë vite, e kanë amortizuar
motorin që e mirëmban shoqërinë -
dialogun - e kanë futë vendin nën
sanksione, duke e zymtësuar dhe izoluar prej krejt botës normale.
Dhe
më e keqja, këto pseudostandarde, kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të
shoqërisë sonë, të brishtë në punët politike e me trashëgimi të këqija, për
shkak të mentalitetit dhe historisë.
A
ka vendi ynë sot një ideal?
Unë
them jo dhe këtë jo e provon më së miri gjuha e varfër politike, që e dëgjon
dhe lexon përditë, një gjuhë që nuk propozon asgjë e nuk aspiron asgjë, një
gjuhë që nuk i kalon as standardet minimale të përdorimit publik. Kjo gjuhë, me
siguri, nuk ka kapacitete të prodhojë asnjë fryt të mirë për njeriun e këtij
vendi, pos që do t’i mirëmbajë flamujt e lartë të injorancës e arrogancës, që
janë ngulë e valëvisin kudo mesh nesh.
Gjuha
krijon barriera dhe gjuha heq barriera.
Dihet
se duke e shkatërruar motorin që e mban gjallë demokracinë, rrjedhimisht
shoqërinë humane - dialogun - shoqëritë, rrezikojnë të bëjnë vetëvrasje
politike.
Ky
rrezik, është në prag të shtëpisë sonë të përbashkët, vendit tonë, dhe si i
tillë, është më i frikshëm se krejt rreziqet tjera, që mund të vijnë nga
armiqtë e jashtëm.
Po,
vendi ynë, ka hyrë në këtë vit, jo me një gjuhë të re e me dëshira të reja, për
shembull, për më shumë dritë e më shumë dituri, për punë të ndritshme e të
mençura, siç urojnë njerëzia, por me një varfëri gjuhësore e mendore që shfaqet
brutalisht në jetën e gjithmbarshme dhe të bën të kuptosh se njeriu ynë, do ta
shikojë sërish reprizën e një shfaqje të neveritshme.
Kjo
gjuhë mund të tingëllojë e pëlqyeshme dhe e kapshme për turmat që ushqejnë
ndjesi sensuale për udhëheqës, dhe me siguri e leverdishme për ata që mjelin
lopën e pasur elektorale, por është shumë e dëmshme për shëndetin e vendit, e
kam frikë se do të jetë e pariparueshëm, se siç dihet, dëmet politike, në
shoqëri të brishta si kjo e jona, ndodh të trashëgohen brez pas brezi. Dhe për
këtë, pak popuj në kontinentin tonë kanë prova aq sa kemi ne si komb.
Se
ne jemi e keqja e vetvetes, kanë këshilluar të mençurit tanë, të cilët, sa herë
i kemi dëgjuar, na kanë ndihmuar t’i heqim rrobat e rënda të robërisë dhe të
vishemi me rroba të bukura të lirisë e të ecim shtegut të dritës, krah për krah
me popujt e qytetëruar.
Po,
sot në Kosovë mbretëron errësira. Nuk ka rrymë, por më tragjikja është se nuk
ka mendime të ndritshme. Ka mendime të errshme.
Dhe
kështu, vendi ynë, që dikur ishte kampion rajonal i ideve dhe e idealeve të
mëdha demokratike perëndimore, po katandisët në errësirë.
Në
gjithë këtë amulli, shoh plot krijues, intelektualë, të lidhur ose të
vetëlidhur në litarin e pushtetit, që me epsh e krahasojnë një errësirë me një
errësirë tjetër ose një të keqe me një të keqe tjetër. Kjo është ajo kategoria
më e dëmshme e më e neveritshme që e mirëmban të keqen shoqërore.