| E marte, 13.01.2026, 06:54 PM |
Albert
Habazaj, Eqerem Canaj - dita e Poezisë në Bibliotekën e qytetit Vlorë, 21 Mars
2016
EQEREM CANAJ - KY NOTAR I PAEPUR NË LUMIN E LETËRSISË SË TIJ
Nga
Albert HABAZAJ
Poeti dhe këngëtari
Eqerem H. Canaj ka një gjysmë shekulli
duke notuar hapësirave ujore të Shqipërisë letrare dhe me natyrën rebele të
labit smokthinjot, me krenarinë gjenetike të kapedanit Cane Miftari, por pa u
mburrur, falë pasionit, talentit, mundësisë si mësues i letërsisë dhe gjuhës
shqipe, patjetër dhe këmbënguljes atipike, domosdo që do të dilte nga shtrati
dhe do të krijonte lumin e letërsisë së tij, shpesh herë me mundim sizifian.
Ai është një personalitet i letërsisë
vlonjate, (i asaj që thuret në këtë qytet të bukur e madh, e cila është pjesë e
së tërës Letërsi shqipe). Ai tashmë është një zë i dëgjuar në Letërsinë shqipe
me një profil të dukshëm të tij në letërsinë bashkëkohore.
Kam mendimin se të jesh poet i mirë,
duhet të dish edhe të këndosh mirë këngët e vendlindjes apo vendorigjinës.
Eqerem Canaj këndon shumë bukur e qartë këngët labe sipas stilit muzikor të
Smokthinës dhe ia merr aq shtruar këngëve karakteristike. Në pamje të parë, nga
që njihet si poet modern, Eqeremi nuk ta jep ndjesinë e lidhjes me traditën, me
këngën labe - ilaçin e labit për të shëruar hallet e dertet e shumta përgjatë
shekujve, mjaltin për t’u ëmbëlsuar gëzimeve të pakta në rrjedhat e kohës së murrme.
Kush e ka dëgjuar, është kënaqur me zërin e tij si marrës. Me gurrën popullore
në shpirt, ai që herët pa nga majat e maleve të letërsisë, me synimin qysh
atëherë për t’u ngjitur atje sipër me këmbët e tij, me penën e tij, me fuqinë e
tij si Eqerem.
Sot, me 80 vjet e kusur në shpinë lart
e shikojmë jo llagëmeve, por tek çan monopatet e ngushta për t’u ngjitur lart -
tek synimi, me çdo libër që boton. Është në natyrën fisnike të autorit, që çdo
vëllimi poetik apo libri me prozë (roman, tregime, novela) ditëlindjen t’ia
festojë mes miqsh, me njerëzit e letrave. I dëgjon dhe e dëgjojnë, por, si
shkrimtar mendjehapur, di dhe të kundërshtojë, siç dhe pret ta kundërshtojnë,
sepse është qytetar i emancipuar dhe, natyrshëm, e pranon mendimin ndryshe të
mikut të mirë.
Pak nga Eqeremi i letërsisë
Ndoshta nuk është e nevojshme të rrëfejmë
jetëshkrimin e autorit, se bota letrare e njeh, por, edhe për referencë të
shkrimtarit, dy fjalë vlejnë t’i paraqesim në këtë parathënie të librit të
zgjedhur poetik të tij.
Eqerem Canaj ka lindur më
shkurt të vitit 1944, në fshatin Mesaplik, Vlorë. Mësimet e para i mori në
vendlindje, shtatëvjeçaren në Vlorë (Skelë). Kreu Shkollën Pedagogjike
2-vjeçare “Pandeli Sotiri” Gjirokastër, ndërsa studimet e larta në Fakultetin
e Historisë dhe të Filologjisë, dega “Gjuhë-Letërsi Shqipe”, Tiranë,
1975. Canaj ka shërbyer në arsim prej 46 vjetësh si mësues dhe si drejtor
shkolle, në fshat dhe në qytetin e Vlorës, ku është dalluar si mësimdhënës
dhe metodist jo vetëm në lëndët e profesionit.
Ai është marrë me
krijimtari letrare, qysh nga viti 1976, me botimet në revistën “Nëntori”,
gazetat “Drita”, “Rinia”. Poeti Eqerem Canaj ka botuar poezinë “Labi i vogël” kushtuar mendimtarit
demokrat, atdhetarit Halim Xhelo në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, (e përmuajshme letrare artistike
shoqërore politike), 1977/6, f.101-102. Për novelën “Vlora-Vlora” në
konkursin Kombëtar të Pavarësisë (1982), ka fituar Çmimin e Dytë. Qysh në
ato vite, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të
Shqipërisë, duke iu akorduar edhe leje krijuese sipas kritereve. Në vitet e
demokracisë (2011-2015), ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve
“Petro Marko”, Vlorë. Për krijimtarinë e bollshme e të suksesshme, ka
fituar disa çmime të para e të dyta përgjatë konkurseve kombëtare dhe
lokale. Është dekoruar nga Shoqata “Labëria”, Bashkia e qytetit Vlorë, nga
Qarku Vlorë, shoqatat “Petro Marko”, “100-vjetori i Pavarësisë” dhe
Federata e Paqes Universale.
Vepra letrare e
shkrimtarit E. Canaj është marrë në studim nga Katedra e Gjuhësisë Tiranë
(2013, nën drejtimin e gjuhëtarit, prof.
dr. Rami Memushaj), nga departamenti i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, Universiteti
“Ismail Qemali” Vlorë (2014-2015, nën drejtimin
e gjuhëtarit, prof. dr. Nexhip Mërkuri, përkatësisht: “Gjuha dhe stili
në veprat e Eqerem Canajt” nga Anila Metaj dhe “Vështrimi i gjuhës së
Eqerem Canajt sipas semantikës gjenerativiste” nga Anisa Rapi. Deri
në vitin 2025 ka realizuar 48 botime në të gjitha gjinitë letrare.
Në Katalogun online të
Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjenden 79 regjistrime bibliografike të
autorit, nga të cilat, 40 me emrin Eqerem Canaj dhe 39 regjistrime
bibliografike me emrin Eqrem Canaj, ndërkohë që përditësimi i titujve në kohë
shton numrin e regjistrimeve bibliografike. Përshkrimi bibliografik i veprës së
tij letrare, kritike dhe publicistike të këtij autori gjendet dhe në faqen e Bibliotekës
Shkencore dhe Botimeve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlortë, si pjesë
integrale e platformën ndërkombëtare Cobiss. Net, që është rrjeti i
sistemeve bibliotekare - informuese dhe
sistemeve të informacionit për veprimtari shkencore, regjistruar nga kataloguesi
dhe bibliografi i atij institucioni, autori i kësaj parathënieje.
Ndër veprat e tij më të
arrira të Canajt si “Kur zemërohen yjet” (trilogji), “Gjethi i kuq”, “Çatia e
gjarpërinjve”, “Zëri i vetëdijes”, “Princesha Rugjinë”, “Apoteoza” ‘Misteri”,
“Ombrella e thyer” etj., janë botuar nga gjiganti botues “Toena”.
Romanet “Çatia e
gjarpërinjve” e “Rebeli”, si dhe vëllimi poetik “Gjethi i kuq” janë
promovuar në Londër.
Personalitete të artit
dhe kritika kanë spikatur profilin e tij letrar: “Një zë në Jug, përfaqësues i
letërsisë moderne”.
Siç u shprehëm, Canaj na paraqitet lart
në dy relieve: në këngë - i traditës, në poezi - modern. Qysh nga fillimet. Dhe
me pretendime. Dhe shumë kërkues, i pakënaqur me veten për të mbërritur tek më
e mira e mundshme. Gjithmonë prish një varg, një strofë, një poezi apo dhe një
poemë të tërë, për ta rindërtuar të re, të bukur, të hijshme, të pëlqyeshme. E
ka si normë ai, poezia, poema, tregimi, novela, romani, (sipas rastit) së pari
meriton të pëlqehet nga vetja, dhe duhet prishur për ta ribërë prapë, po i vrau
veshin... Poezinë e ka xanxare Eqeremi, sepse me veten është xanxar. Kërkues te
Zoti. E gërryen mosarritja artistike dhe estetike dhe, në kërkim të gjetjeve të
reja, del në udhën e madhe të letërsisë me hapin e tij të rëndë dhe autoritar.
Ai e ka arritur standardin. E mban atë në lartësi dhe më tutje synon. Ky është
Eqerem Canaj, i pakënaquri me veten për të kënaqur të tjerët.
Ai është si ai notari i mirë, që i zotëron
të gjitha stilet e noti dhe, mund të themi se Eqeremi i lëvron të gjitha gjinitë
e llojet e letërsisë artistike. Është i njohur si romancier i mirë, por po aq
mjeshtër i fjalës artistike është në poezi. Canaj sakrifikon për poezinë e tij
dhe kjo është e vërtetueshme dhe me ç’ka shkrova më lart, por sidomos kjo duket
në përkushtimin e tij serioz deri në eksperimentet letrare që ndërmerr. Të paktën
Vlorë, është unikal në këto prova letrare, jo vetëm në strukturën poetike (si te
haiku etj.).
Notari i dallgëve që del në anë
Dhe erdhi koha që Poeti të botojë Serinë e zgjedhur të veprës së tij
letrare në kolanën Poezia shqiptare
bashkëkohore, vëllimin poetik me titullin metaforik aq të gjetur dhe
intrigues “Gërshet shqiponjash për liri”,
më i ploti dhe më i arriri i derisotëm.
Patjetër nuk mund të bëj analizë teksti
a koment letrar, se nuk është ky misioni i parathënies, por disa piketa poetike
po i ravijëzoj, që teksti të marrë një trajtë të dukshme e të bëhet i qartë i dallueshëm
për lexuesin për strukturën dhe mesazhet që i përcjell përditësueshëm lexuesit
të sotëm.
Shqiponjat me gërshet lirie
Libri që kemi në dorë me emrin e bukur
simbolik “Gërshet shqiponjash për liri”
është vëllim poetik i veçantë sepse është
i ndërtuar vetëm me poema. Libri ka 3 kre, ku kreu i parë titullohet “Mesapliku në luginë”, me 6 poema apo 4
poema dhe 2 vjeshta të gjata, që vijnë si poemth. Edhe në këtë libër vërejmë se
Eqeremi është poet i vërtetë, është vetvetja dhe njeri me personalitet të fortë
letrar, ku spikat për autenticitetin, vetëbesimin e motivuar dhe qëndrueshmërinë
shkrimore. Në poezitë e këtij vëllimi, niset nga vetja, nga shtëpia e tij, nga
Mesapliku. Jam i mendimit, që jetëshkrimi ndjesor, idetë dhe mendimit e çdo
autori gjenden në botimet e tij. Në çdo botim ai jep vetveten, pak e pak a si
t’i vijë. Edhe Eqeremi po kështu. Tek
poezitë e tij gjeni atë. Një vlerë e autorit është se ngre në poezi e poema
gjeografinë lokale, ato hapësira e troje, ata banorë e psikologji, atë jetë të
përditshme e kulturë jetese, ata heronj me histori që njeh më mirë dhe i
paraqet e i përuron në nivelin e botës shkrimore për t’u njohur dhe nga të
tjerët.
Poemës së parë i ka vënë emrin “Baladë mbi Shushicë” dhe ia ka kushtuar
heronjve të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920, profetit të Kotës legjendare
Zigur Lelo, kapedan Sali Vranishtit, Kanan Maze Bukurisë, Ballit të lapidarit
Selam Musai, gjyshërve tanë të mirë, që
nisin kuvendojnë..., Sazanit, Vlorës,
Drashovicës, Gjormit... Ndër heronjtë e popullit, gjaku i të cilëve u bë dritë
më Njëzetën, Kanan Mazja, i cili luftoi sypatrembur, hyri në legjendë me
nofullën e bërë copë nga një predhë. Dhe armikun e hodhën në det, gremisën Perandorinë
Apenine. Autori shkruar me mjeshtëri artistike, me vërtetësi dhe nderim për ata
luftëtarë idealistë të lirisë së Atdheut. Poemës i vesh kostumin që i shkon,
tradicionalin me 6 rrokshin, që përdoret dhe në letërsinë artistike me rimë
abcb (nga që nuk rri dot në rresht të përdorë rimat e puthura, të kryqëzuara
apo të mbyllura), duke e përforcuar ritmin dhe mjetet shprehëse të gjuhës
poetike: “Për lirinë e trojeve/
shqiponjat gërshetë/ përtypin vetëtimat/ gjaku spërkat retë”. Për të vënë në
dukje figurën e luftëtarëve vullnetarë për liri, për të përforcuar përshtypjen,
që të kemi ndjesi të fuqishme gjatë leximit, që ta përjetojmë sa më gjatë në
kujtesë historinë e shkruar në vargje, autori përdor një nga tropet më domethënëse,
siç është hiperbola, që i shkon shumë për shtat poezisë epike dhe kësaj
epiko-lirike.
Duke qenë se jam njëri ndër njohësit e
letërsisë së Canajt, kam bindjen se Eqeremi nuk bën letërsi për letërsi. Patjetër
që letërsia e tij është një standard letrar, por ai ndërton po aq një letërsi
me mesazhe të qarta e të dëlira lirie. Poezia e tij është sa sociale, po aq atdhetare, ndërkohë që poezia atdhetare
nuk mund të jetë kurrë e vjetruar, se ndjenja atdhetare udhëton si stafetë nga
brezi në brez tek banorët e këtyre trojeve, aq më tepër motivi atdhetar tek
poetet, që janë dhe misionarë drite e kanë ndjesi më të thella për rrënjët,
prejardhjen, sotmërinë, ardhmërinë e vendit “ku kemi lerë”. Edhe nëpërmjet
vargjeve të poemës “Baladë mbi Shushicë”,
autori na risjell në kujtesë me format e tij poetike se si përfaqësuesit e
fuqive imperialiste, të mbledhur në Paris, në Konferencën e Paqes (18 janar 1919-1920) për të
ndarë “plaçkën, siç shprehet ai, përpiqeshin të realizonin planet e tyre
antishqiptare. Autori na kujton historinë e hidhur, kur pushtuesit italianë kryenin
barbarizma, duke rrëmbyer fëmijë, gra e njerëz të pafajshëm, të cilët i mbyllnin
në anije, sa “lot vajtonin yjtë”...
Historia na mëson se ishin të shumtë
faktorët që e bënë Vlorën simbolin shqiptar të fitores mbi një pushtues të
madh, më modernin e kohës, ndërsa autori këndon me ngjyrime emocionale, art,
krenari dhe vërtetësi: “Zjarr zemra
shqiponjash/ flakë derdhej nga goja/ rrjedh e rrjedh balada/ për ty: “Vlora -
Vlora”.
Janë ngjarjet dhe njerëzit që i kanë bërë
më shumë përshtypje në jetë autorit, të cilat ai i përjetëson në vargje. Pas
“Baladës...” vjen “Lamtumira”
kushtuar shkrimtarit të njohur Shevqet Musaraj, që jetën dhe veprën e tij e
vuri në shërbim të Atdheut. Musaraj ishte nga Matogjini, fshat i Shullërit në
krahinën etnografike të Mesaplikut; ishte nga rrënjët e autorit (Bashaj - fshat
i Shullërit në krahinës e Mesaplikut); ishte nga rrënjët e mia (Tërbaçi, po
ashtu - fshat i Rrëzës në krahinën e Mesaplikut).
Eqerem Canaj është një shkrimtar me
emrin e tij dhe poet i lirë, që nuk vuan nga komplekset. Përveç Mesaplikut,
prejardhjes së njëjtë, që na bën krenarë në kohë, Musaraj e ka ndihmuar
mësuesin e letërsisë dhe shkrimtarin e ri, të talentuarin e pasionuar dhe të
munduar Eqerem Canaj, e ka përkrahur dhe mbështetur autorin e ri mesaplikas, i
ka falur mirësi. Dhe Canaj, i rrahur në dallgët e furtunat e përroit të thellë,
të egër e rrëmbyeshëm të jetës, di ta ndajë shapin n ga sheqeri, siç thotë
populli. Canaj i thotë të bardhës e bardhë, të zezës e zezë dhe këtë logjikë e
mbështetë në përvojën vetiake, se është i vetëdijshëm kush e ka mbështetur dhe
kush e ka shtyrë. Për ata që e kanë përkrahur shpreh mirënjohje, ata që e kanë
shtyrë i anashkalon me shpërfillje. Shkrimtari i njohur Shevqet Musaraj ka qenë
në shkëlqim qysh nga koha koha e LANÇ - it deri sa ra sistemi në Shqipëri. Këto
35 vjet demokraci emri i tij është zbehur e zvogëluar, është errësuar e
sulmuar. Autori është me kohën, është fatos i demokracisë, por nuk mund të jetë
mosmirënjohës, si ca liliputë. Mirënjohja e tij ndaj shkrimtarit Musaraj është
strukturuar në vetëdijen e tij, në karakterin burrëror, qytetar e letrar, është
virtyt njerëzor. “Deti kaltëron, deti
nxin/ valëzim dallgësh në pafundësi...”
Nëpërmjet kësaj poeme, vërehet lehtë që
autori noton në lumin e letërsisë së tij. Me një gjuhë letrare e mjete të
fuqishme shprehëse në të shkruar, ai është në fushën e tij i lirë, i pa fre, me
frymëmarrje të plotë poetike, ku feksin metaforat, epitetet, krahasimet etj. Në
këtë poemë me 4 pjesëza poetike, si të ishin bisturi e kirurgut, autori i bën
autopsinë mikut të vjetër dhe të mirë, ku “përmbi
qiejt retë ngjyer në shqotë/ ...mbetët të mugtit poetë”. Dhe, natyrshëm,
ndahen në paqe me: “lundërtarin poet/
lamtumirë poet!”
Udhëtimi poetik i autorit ka dy korsi,
atë epiko-historike dhe korsinë liriko-sociale e shpesh herë i kërlesh ato, që
thurja e vargjeve të na bëjë më shumë përshtypje, ta përjetojmë më konkretisht poezinë, pse jo të futemi në lëkurën
poetike që ai na paraqet që ta ndjejmë veten brenda.
E treta në renditjen e “Gërshetit...” është poema apo poezia e
gjatë “Labja”, kushtuar legjendës
njerëzore Miro Tërbaçi, heroinë popullore e mbarënjohur për historinë e saj
trimërore jo vetëm në Labëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Për Miro Tërbaçen janë
shkruar poema nga Odhise Grillo e Zhaneta Lazri, janë thurur poezi nga shumë
autorë, ndërkohë që mund të jetë një personazh historik që ka 146 variante këngësh
labe apo motërzime të këngës popullore. Canaj e gdhend bukur dhe me
origjinalitet personazhin historik në personazh letrar, duke e sjellë në vetën
e dytë njëjës, pra, duke iu drejtuar me “ti”, për ta bërë më të afërt atë me
veten, me lexuesin: “Me legjendat
rritur.../ djepi prej eshtrash/ lëkundej mbi ty,/ vdekjes i thoshje/
plaç,/hasmin/ përpije me sy.../ kokën pashait po sillje në trastë,/ labe, moj
labe!”. Struktura moderne e thurjes së vargjeve e bën poemthin të
pranueshëm dhe tërheqës për lexuesin e sotëm, që është lodhur nga prodhimet e
papjekura letrare, që na i vënë përpara si qullufice.
Edhe poemthi në vijim “Trimi kësaj toke” kushtuar heroit të
Popullit Zigur Lelo, ecën në këtë shtrat, me profilin e tij epiko-historik, ku
në funksion të ndjeshmërisë së lartë letrare, ku shkëlqen kontrasti dhe
similituda, për të realizuar përshkrimin real të heroit në vargje, autori ka
futur me finesë edhe elemente folklorikë, si vargje nga epika historike e Luftës
Kombëtare të Vlorë, 1920 apo edhe pasazhe etnografike. “Gunën e leshtë, hedhur krahëve/ gunë
e ashpër me thinja të bardha,/ si mjekër e maleve të sertë/ i/ fole me
gjuhën tënde vitit të mbrapshtë:/ Mbaju,/ mos u jep!”. Gjatë gjithë lëndës,
vërejmë se autori shpesh herë, ku e shikon me vend, na tërheq vëmendjen me piketën
e lartë letrare të “Gërshetit...”.
Edhe te poemthi i Zigurit, se “Nga Veriu
në Jug/ gërshet i shqiponjave/ rrëmbyer në dyfek/ për nënën e gjorë/ për Vlorën
e shtrenjtë”, kur, siç i drejtohet autor heroit: “mbi trupin tënd/ plumbat hiqnin valle,/ nata blozë e zhgunë” dhe zbritën mbi Kotë, mbi Vlorë kënga e hekurt
e maleve”.
“I
gdhendur në kujtesë” është një poemë elegjiake, që na vjen si lotim i
hidhur i zogut shtegtar për një bir nëne, që, si shumë e shumë të tjerë, mori
udhët e mërgimit dhe u përball keq me liganët e atij dheu, që, ç’nuk bënë me
përbuzje, përçmim e turpërim për t’i vrarë krenarinë, por biri i nënës labe u
bë furtunë e flakë vetëtime për poshtëruesit e ulët, kur na pllakosi gjëma e rëndë
e emigracionit ekonomik shqiptar, viktimë e kohës dhe e shtetit në rrokullimë.
Edhe pse erdhi në arkivol, nëna stoike, shamizeza pahequr e këndoi me vaje
zogun këngëtar: “Diku mbive prapë/ si
lisi në rrënjë/ përjetësisht i gjallë/ i gdhendur në kujtesë”.
“Mesapliku
në luginë” është poemë liriko-epike, e gjashta dhe fundit e kreut I të
vëllimit poetik, e ndërtuar me 7 nënkre, ndër më të bukurat që kam lexuar për
vendlindjen, si gjetje, motivim e realizim tërësor si përmbajtje e një vepre të
mirë letrare në letërsinë shqipe. Poema është botuar edhe në vëllimin poetik “Qiej të çarë”, Tiranë, “Naim Frashëri”,
1996, f. 133-152. Vetëm kjo poemë meriton një shkrim më vete, një vështrim
analitik të merituar, sepse është ndër më të dashurat për autorin, ndër më të
arrirat, si lartësi e nivelit artistik, të humanizmit njerëzor dhe dashurisë për
dheun e të parëve dhe natyrën si kartolinë speciale. Për Mesaplikun, autori rri
e mendohet, trurit t’i ndezë dritë e ballin
rrudh mbi kartë të mbjellë për brezat e këngët e trimërisë ëndrrat për të
ardhmen. Si në çdo krijim të tij, por sido mos në këtë poemë, ka një begati të
shëndetshme retorike, pra të figurave të fjalës, si, fjala vjen, tropet,
figurat gramatikore dhe figurat e ndërtimit. Po kaq të freskëta, të këndshme e
të begata përdor dhe figurat e mendimit, si p.sh., similituda, alegoria,
apostrofi, pyetja dhe përgjigjja retorike, perifraza etj. Është në natyrën e
tij krijuese përdorimi i beftë i neologjizmave, të cilat nuk mund t’i shkruajmë
këtu, se ato aq sa janë të bukura, aq janë dhe të shumta në numër, por, që
fatmirësisht ne nuk na bezdisin, përkundrazi na shijon më kulturalisht dhe
estetikisht këndimi i poemës. Nuk është deklaratizëm patriotik vargu i poetit:
“Mesaplik/ për ty do të vdes”, sepse
vendlindja e tij është “ag dhe dritë”,
sepse është amaneti atdhetar i të parit të tij, Cane Miftarit, që tok me tafilë,
hodot, gjolekët thyen taborë, saqë klithnin sulltanët. “Me leshra të bardha si lule bore.../ me zemrën në duar si në përrallat
mitologjike dhe gunat hedhur përmbi tela”. Në këto katër vargje është një
epope e tërë lirie, me kapedanët e Njëzetë sikur të ishte një pikturë poetike.
Në fund të fundit, çdo përpjekje letrare, arsimore, edukative që bën autori,
ashtu sikundër dhe dëshira mundi i çdokujt, është që të kemi “fëmijët si lulet/ lulet si fëmijët”.
Kreu i dytë titullohet “Përdëllimi” dhe përbëhet nga 3 poema.
Poema e parë ka emrin “Shqiponja nervoze”,
titull i padëgjuar ta ketë tjetërkush në vjershërimet e tij. Është një poemë
politiko-sociale, ç’ka mishëron se autori nuk është një poet i akuariumit, por është
një veprimtar, një intelektual i shqetësuar, që operon ndershëm dhe shëndetshëm,
pa le të dhembë plaga... Në vështrimin e tij poetik, autori tregohet
ashpërsisht i vërtetë, se nuk mund ta mbajë ndërgjegjen të ngarkuar dhe, i revoltuar,
na sjell imazhin e shqiponjës nervoze për këtë Shqipërizë gjithë jetën në dufe
shtrëngatash.
Stili metaforik i autorit nuk bulëzon,
por shpërthen me energji poetike të gjallë. Ka plot vargje me kompozita,
fraza e shprehje metaforike, epitete të
goditura e figura të tjera, që e hijeshojnë poemën, lindur natën e furtunës që
solli shqiponjën nervoze mbi pishë.
Poema II e kreut II ka emrin e një
vajze “Aleksia” dhe vjen si përjetim
i një gjendjeje shoqërore në qytet. Poema ka intensitet, kontraste të fuqishme,
ka ritëm, ka dramacitet e përshpejtime të zhvillimit të situatave e gjendjes
psikologjike të Aleksias, protagonistes së poemës. Trajtohet një ngjarje kulturore
e fundvitit, ku çmimin “Protagonist i vitit” e kishte merituar një poet që mungonte në sallë. Ai ishte
emigrant. Në dhe të huaj. Atje...“Konferencierja
me diksionin kumbues/ të lirizmit karakteristik/ çliroi emrin poetit...”. Aleksia, vajza e bukur e poetit mori
dekoratën dhe tufën me lule i mbajti gjatë në duar... E shtangur, ajo nuk mund
të falënderonte. Nuk mundte. Po mbante rënduar arkivolin e babait. I thoshte
durimit “duro”. Nuk tha një fjalë. Tjetër gjë mendonte ajo: “Me arkivolin e të
et në dorë do të dalë jashtë/ kësaj salle, mbytur frymorësh epshngrirë,/ drejt
hapësirë blu... po babain e saj, poetin/
e natyrës/ e të filozofisë, siç qe: do ta varrosë pranë/ trungut/ të një
ulliri.../ mbi kreshtën e shkëmbit të kalasë... Poema vjen si një prozë poetike
moderne, që rrjedh lirshën në shtratin e saj dhe shfren me zemërim ndaj
maskave, se nuk ndjen mallëngjim, as dhembshuri a mëshirë ndaj realitetit
hipokrit, që hiqen sikur janë prekur në zemër.
Poema III, që ka titullin “Përdëllimi”,
është e fundit e këtij kreu. Është një poemë e gjatë, sa një libërth më vete, që
na vjen si himn për prejardhjen dhe këndvështrim i thukët për veten. Do t’i
shkonte shumë edhe titulli “Monument për
babain”. Është botuar në vëllimin poetik “Gjethi i kuq”, Tiranë, Toena, 2013, f. 145-173. Përmbajtja e poemës
është aq tronditëse, sa që na rrëmben dhe ne i përjetojmë keq ngjarjet që
zhvillohen në rrjedhën e vargjeve dhe ndjejmë, sikurse autori, krenari apo
zemërim, sidomos dufet na bëhen si dallgët e lumit në stuhi të keqe, që rrëzon
pemë e mendime... Këtu autori ulet këmbëkryq me historinë e jetuar, me fshatin,
me realitetin sy më sy si poet i vërtetë, jo si politikanët shtiracakë. Ka
zbritur nga kali i racës që kishte historia e të parëve legjendarë. Këtu ai
gjendet i rrethuar nga trishtimi e pamja e zymtë, që klith. Nuk më pëlqen
shprehja “Burgu është për burrat”. Jo, burgu është për fajtorët, nuk është për
gabimtarët, për ata njerëz të thjeshtë e punëtorë që gabojnë pa dashje, pa
qëllim të keq. Ndërkohë, që burgu është burg, nuk ka emër tjetër, as tjetër
kuptim s’ka. Ai lë shenjë. Edhe pendët e gushkuqit janë nervoze e lehin
vetëtimat qiellit dimëror. Edhe ajri është bërë i egër. Eshtrat e portës -
nervozizëm i ndryshkur. Shtëpia ka vdekur. Autori rrëfen burrërisht dhe me
dinjitet poetik, si kurrë më parë për babain, për gjyshen, për nënën, për
veten... “Ulërin foshnja për qumësht
gjiri nga i së/ ëmës. Po gjyshe zeza e ushqen me lot.../ Zoti e mëkon me
qumësht perëndie...”. lindi djali, drita e syrit. U bë poet. Është një emër
sot. “Përdëllimi mallor më ka përflakur në
tërsëllinë e tejmatë”. Por, zemërata e poetit është e pamatë, saqë, siç
shkruan ai, as Balzaku, Homeri, Tolstoi, Gorki, Tueni, Hajnrih Bël, as Nesin e
as vetë Musaraj i tij nuk ia kthejnë vështrimin
nga droja (?!)... E megjithatë, simbolika e shtëpisë është e veçantë dhe
me mesazhe të kthjellta. Dashuria për vendlindjen merr një kuptim të ri më të
gjerë, më të thellë e bashkëkohës. “Zjarri
i mallit dashuror ta ketë shkrirë/ me degë e rrënjë?!”
Kreu III i këtij vëllimi ka emrin “Burri i dheut” dhe përbëhet nga 3 poema.
“Liria”, që çel këtë kre, është një
poemë epiko-historike, që në 3 pjesë rrëfen në vargje, sipas stilit të autorit
dhe këndvështrimit të tij, dramën e burrave të Hormovës nga diktatori Ali
Pasha. Tragjedia e burrave hormovitë, të cilët diktatori i ndëshkoi rëndë dhe
turpshëm, duke i detyruar të shinin në lëmin me driza është një akuzë e rreptë
ndaj tiranisë së pashait Ali Tepelena. Autori e njeh mirë këtë histori
tragjike, mbushur me barbari mizore dhe ka ditur ç’të përzgjedhë prej saj për të
nxjerrë fjalën poetike me efekt artistik, falë dhe fantazisë së tij krijuese, që
të tërheqë vëmendjen e lexuesit. Vdiq peshku që kërkonte liri, shkruan autori,
jo ngordhi, siç thuhet për ndërprerjen e jetës së një kafshe. Tjetër përmasë i
jep në kontekst të idesë themelore të librit që është liria në tërësinë e saj
kuptimore në univers. “Koha shtërzon
lirinë e Sizifit/ liri me litar në grykë”.
“Vikama”
është poemë e dramave sociale të kohës që
jetojmë. Në këtë poemë kemi fjalë të reja të tijat apo me burim nga dialekti
rajonal, të cilat qëndrojnë mirë në tekst dhe e bëjnë më tonin, si lexues. Të
tilla fjalëformime (neologjizma) që hyjnë rishtazi nga autori mund të
përmendim: lumëmarri, gjëmatari, sherranët, ujana, pikëllimtari, xhindaku, tërbimtari,
rrëmbimtari, gjoriani etj. poema i kushtohet një punëtori nate, që dha jetën, i
përfytur me dallgët gjatë përmbytjes së qytetit të Vlorës, tetor 2015. Ai punëtor
i thjeshtë përjetësohet në poemë si lumëmarri i përroit të lotëve.
“Burri
i dheut”, e treta e këtij kreu dhe e krejt librit, është një poemë tronditëse
politiko-sociale, ku uni poetik, bashkëshoqërues apo udhërrëfyes poetik në të
tre kretë e këtij vëllimi poetik të veçantë për autorin dhe letërsinë e sotme,
ka dalë dukshëm në skenën e fjalës së shkruar të ngrejë zërin, të protestojë e
të shpërthejë për lartësimin e Shqipërisë, se “të parët e shtetit/ luajnë mbi fatkeqësitë/ e atyre që janë poshtë/ në
fushën e të mundurve...”; të ngrejë zërin, të protestojë e të shpërthejë për
burrin e dheut me dinjitet; të ngrejë zërin,
të protestojë e të shpërthejë se shqiponjat “për lirinë/ dhe vetëm për Lirinë
bëhen theror...”
Gjithë lënda poetike e librit ka një
harmoni të natyrshme, që vërehet tek lidhja organike ndërmjet të poemave të
përfshira në 3 kre, të cilat kanë një unitet të qëndrueshëm kompozicioni. Po
ashtu, zgjedhja dhe renditja e fjalëve në mënyrë të këndshme për veshin e një
lexuesi të kulturuar tregon se autori e zotëron më së miri mjeshtërinë
artistike si në formë dhe në përmbajtje. Prandaj shprehemi, se sa më ëmbël të
tingëllojë fjala në varg, sa më e harmonishme të jetë strofa, struktura
poetike, lënda letrare, aq më thellë na prek mendjen dhe zemrën tonë, si
lexues, patjetër dhe të studiuesve të autorit apo letërsisë që prodhohet në
Vlorë apo dhe në Shqipëri.
Në
bodrumin e tij të freskët me figura gramatikore, figura stilistike dhe
artistike, ai merr atë që i duhet dhe e vendos në vendin e saj ku dhe kur vlen,
që të ngjit për lexuesin, që nuk e merr era, por ngelet mbresëlënëse në kujtesë
Ndër kolegët e sotëm të Vlorës (që
ushtrojnë të shkruarit letërsi mbas viteve 1990), E. Canaj është i pari dhe
ndoshta unikal që ndërton një libër vetëm me poema. Ja, ky është Eqerem Canaj -
notari i paepur në lumin e letërsisë së tij, që në një libër me 12 poema thuri “gërshet shqiponjash për liri”.

