| E marte, 13.01.2026, 06:55 PM |
NËNSHKRIMI I LIGJIT PËR MBROJTJEN NGA TRUMP, DOMETHËNËS PËR SIGURINË E KOSOVËS
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Nënshkrimi i ligjit për Autorizimin e
Mbrojtjes Kombëtare, nga Presidenti Trump, ku përfshihet edhe Kosova, padyshim
është i një rëndësie të veçantë historike. Pas një bjerrakohe prej një
çerek-shekulli, më në fund, Kosovës iu dha drita e gjelbër, për të dalë nga
kurthi i ngritur nga disa bijë bastardë të saj, në koordinim me disa shtete
armike dhe Serbinë.
Për çudë, edhe ashtu të lodhur, e donim
Biden dhe frikësoheshim nga presidenti në ardhje Trump. E quanim të
paparashikuar dhe sidomos pazaret me Putinin, për Ukrainën, na frikësuan, deri
në ëndrrat tmerruese! Prof. Dr. Sali Berisha është intelektual kalibri,
bollshëm i shkolluar, pa çka se e ka mundur e keqja."Kur të hypë i ligu në
shpinë, nuk dinë se kur është boll",- thonin pleqtë. Profesor Berisha e
quajti Presidentin Trump, "mik për kokë" të popullit shqiptar, një
burrështetas, i cili do të bëjë mrekullira, jo vetëm për botën, por edhe për
Kosovën. Zëri i Doktorit në vesh të Perëndisë! Dhe, kështu po ndodhë, realisht.
Kthimi i Presidentit Trump në
udhëheqjen e SHBA, ishte i frikshëm, sepse proklamoi se "Amerika duhet të
punojë vetëm për mirëqenien e amerikanëve". Ai reduktimin e ndihmave në
shkallë të gjerë, rritjen e tarifave doganore tregtare, përfshi edhe aleatët e
tij strategjik. Atë kohë, një shkrim timin e titullova: "Trump u kthye në
Shtëpinë e Bardhë me hu në krah"! Disa miq më ngushëlluan, duke më thënë
se forca e Amerikës janë pikërisht popujt dhe kombet anekënd botës. Dhe,
vërtet, në orbitën e saj qenka edhe Kosova jonë.
Nënshkrimi i ligjit federal nga
Presidenti i SHBA, Donald Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, është
risia më unike në historinë e të gjitha kohërave. Në veçanti, vlerë shtesë merr
për garantimin e shteteve dhe të popujve të vegjël, të cilët kanë nevojë për
mbështetjen dhe mbrojtjen e vendit, nga shtetet diktatoriale dhe me pretendime
pushtuese të fqinjëve të tyre. Shembull konkret është Serbia agresore, e cila,
i lakmon Rusisë ekspansioniste, për krijimin e "botës ruse". Qëllime
identike ka edhe Serbia, me sloganet për "Serbinë e Madhe" dhe
"botën serbe"!
Serbia me orekset e saj pushtuese,
pretendon aneksime të territoreve jashtë kufijve të saj shtetëror ku jetojnë serbët,
me sloganin e njohur, të trashëguar nga etërit e saj racistë, se "Vetëm
bashkimi i serbëve shpëton Serbinë", kërcënon Bosnje-Hercegovinën, Malin e
Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Dhe, në këto ëndërrime pushtuese,
frymëzimin e merr nga Rusia edhe shpresat i mbështetë tek fuqia e saj
ushtarake.
Ligji federal amerikan përfshinë
garancitë parësore për Kosovën, në kuadrin e Ballkanit:
1) Nuk lejohet ndryshim kufijsh në
rajon;
2) Nuk lejohet ndarja e shteteve mbi
baza etnike;
3) Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë
do të rezultojë me njohje reciproke;
4) Zgjerimi i NATO-s në Ballkan, do të
vazhdojë edhe me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancën
veri-atlantike.
Me ligjin e nënshkruar nga presidenti
Trump për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, paralajmërohen diktatorët
dhe "pazarxhinjtë pa hanxhinë", që nga kërkesat e Thaçit, Ramës,
Vuçiqit, të bërë shefit të Sigurisë amerikane, Bolton, që kishin për qëllim,
nën maskën e "Shkëmbimit të territoreve", të realizohej ndarja e
Kosovës, në këmbim të lirisë personale të Hashim Thaçit, i akuzuar për krime të
luftës dhe krime kundër njerëzimit. Përgjigjia e Bolton ishte aprovuese:
"Administrata amerikane pajtohet, për çfarëdo që të bini dakord ju"!
Por, Trump e akuzoi vartësin e tij se "ke dashtë ta ndaje Kosovën prapa
shpinës time" dhe e shkarkoi atë.
Me ligjin në fjalë presidenti Trump u
jep përgjigjen ultimative, që nga Grenelli i tij; argatëve të Hashimit në
kryesinë e PDK-së dhe PANI-istët tjerë; Edvin Ramës; Vuçiqit me Serbinë e tij
dhe Putinit me Rusinë e tij. Në ketë rreth destruktiv bënë pjesë edhe BE-ja, e
cila përmes përfaqësuesve të saj që nga Mogherini, Borrell e Lajçak, por
edhe të disa emisarë amerikanë, kanë mbështetur dhe përkëdhelur zëdhënësin e
luftës të Millosheviqit në Kosovë, racistin Aleksander Vuçiq.
Me nënshkrimin e ligjit të ri të
Trumpit, po konsiderohet si forcë politike, sigurie dhe gjeostrategjike. Madje
nuk është deklaratë e thjeshtë, por lëndëzohet me garanci ligjore federale. Dialogu
nuk ka më hamendësime, bien poshtë draft-statutet e BE-së, Macron-Scholz,
Escobar dhe të tjerë. Hapësira e dialogut reduktohet me përfundimin e procesit
për njohjen reciproke. Përjashtohet mundësia e lojërave të ndyra të
Vuiqit, për dialog në zyre dhe provokime e tensione në veriun e Kosovës.
Ligji fedaral i Trump besoj se do të
lehtësojë çështjen e krijimit të Asociacionit, i cili i rrinë mbi qafë "si
shpatë e Demokleut" popullit të Kosovës për 10 vjet radhazi. Bazuar në atë
që i ndodhi Bosnjes, me Asociacionin e 14 komunave serbe, prej nga lindi
"Republika Srpska" atje dhe entusiazmin që treguan serbët e
Ballkanit, duke festuar krijimin e "Republlika Srpska" të dytë në
Ballkan. Personalitete amerikane, evropiane dhe botërore, e këshillojnë Kosovën
të mos e krijojë asnjë lloj Asociacioni, qoftë me apo pa kompetenca, sepse
është kancer për Kosovën. Asociacionet ligjore janë vetëm ai i tipit që e ka
Kosova aktualisht.
Nënshkrimi i ligjit nga Presidenti
Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ku përfshihet edhe Kosova, është
rast paparaprijës, për nga rëndësia madhore që ka për kushtet dhe rrethanat e
Kosovës të sotme. Mirëpritja e këtij ligji nga shqiptarët e Kosovës dhe
shqiptarët e përbotshëm, kalon çdo përmasë normale. Pozitiviteti i këtij ligji
është shumëdimensional, sepse përfshinë zgjidhjen e shumë çështjeve kruciale,
që Kosova i ka përpara për zgjidhje.
Pas një çerek-shekulli shqiptarët e
Kosovës dhe ata të botës të kudondodhur, e gëzuan frymëmarrjen dhe buzëqeshjen
e lirë, të cilën ua kishin ngrirë në buzë Serbia dhe disa bijë bastardë të
Kosovës, agjentë të hershëm të Shërbimeve Informative të huaja armike, si dhe
disa zyrtarë BE-së dhe ndërkombëtar të tjerë, të blerë si mercenarë nga Serbia.
Të gjithë, si ne kor bretkosash, duan ta bëjnë hisedare Serbinë në Kosovë, edhe
pse Amerika me aleatë të NATO-paktit e shporri soldateskën kriminale
serbo-sllave, me Apaçët e saj luftarakë.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes
Kombëtare thekson fort parimin e mos ndryshimit të kufijve dhe sidomos mos
ndryshimin e tyre mbi bazën etnike. Kjo është bazë sidomos për Ballkanin e
mbetur me probleme, "si fuqi baruti" përtej një shekulli. Mbi
bazën etnike nuk mund të këtë kriter që prek territoret, as institucionet, aq më
pak kompetencat politike, për të cilat shkumon përnatshëm dhe përditshëm
"analisti" sharlatan Halil Matoshi, me zuzarë të tjerë, duke u
thirrur në Kushtetutën e Ahtisarit, të cilat nuk janë të fiksuara, përveç se i
kërkon Serbia paushall. Krejt në një linjë me Serbinë dhe Borrell-in, kur për
hatër të Vuçiqit kërkonte ndryshimin e Kushtetutës të Kosovës. Sipas tij
"ajo nuk është as Bibël dhe as Kuran"! Ligji i Presidentit Trump,
është edhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, sidomos në
trajtimin e çështjeve etnike.
Ligji parashikon rritje të investimeve
strategjike ekonomike. Ligji është paralajmërim për aktorët destabilizues,
sidomos për Serbinë dhe Rusinë. Kjo është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes
dhe të stabilitetit në Ballkan. Çdo tentativë destabilizuese nuk shihet si
problem lokal, por si sfidë ndaj interesave amerikane dhe NATO-s. Në ketë rast
aludohet edhe për garancinë e sovranitetit dhe të integritetit territorial të
Kosovës.
Ligji është i një rëndësie supreme,
sepse është akt federal detyrues dhe pasqyron konsensusin e plotë të aparatit
shtetëror amerikan, për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo
është arritje dhe dhuratë e artë për Kosovën tonë. Urojmë ta vlerësojë dhe
shfrytëzojë me mirënjohje kulmore pushteti dhe shteti i Kosovës!