| E marte, 13.01.2026, 06:51 PM |

Profili profesional i Dr. Mark Lekoçajt, specialistit të pijeve alkoolike dhe joalkoolike nga Tuzi
Teknologu që solli
inovacione në industrinë e pijeve në rajon
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
një periudhë kur zhvillimi teknologjik po përshpejtohet me ritme të shpejta,
aftësia për të kuptuar, analizuar dhe menaxhuar sisteme teknike komplekse është
bërë thelbësore për funksionimin e industrive moderne. Brenda këtij konteksti,
profili profesional i Dr. Mark Nua Lekoçajt
nga Tuzi, me origjinë nga Trieshi, paraqet një shembull të spikatur të
ndërthurjes së qasjes inxhinierike me vizionin strategjik të menaxhimit
teknologjik dhe inovacionit të qëndrueshëm në industrinë e pijeve alkoolike.
Formimi dhe karriera
akademike
Mark
Lekoçaj u lind më 8 maj 1961 në Shipshanik të Tuzit. Rruga e tij profesionale
nisi në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Beogradit, ku
më 19 maj 1986 u diplomua në drejtimin “Teknologji ushqimore dhe
industri të pijeve”. Pas diplomimit, ai vazhdoi studimet
pasuniversitare në Zemun, ku u specializua në teknologjinë e pijeve alkoolike
dhe mbrojti me sukses magjistraturën me temë mbi ndikimin
e llojeve dhe shumëllojshmërisë së frutave me bërthamë në përbërjen kimike të
rakive.
“Për
temën e magjistraturës janë analizuar rreth 700 mostra të ndryshme
rakish të prodhuara nga fruta me bërthamë, me qëllim
identifikimin e acidit cianhidrik dhe benzaldehidit, përbërje që burojnë nga
bërthama e frutit. Ky hulumtim solli një zbulim të rëndësishëm shkencor: për
herë të parë u konstatua se këto substanca nuk gjenden vetëm në thelbin e
bërthamës, por edhe në lëvoren e saj, ndonëse në sasi shumë të vogla”, thotë
Lekoçaj.
Kulmi
i karrierës së tij akademike u shënua në vitin 2019,
me mbrojtjen e doktoratës me temë “Optimizimi i procesit
teknologjik të prodhimit të rakisë së dyfishtë nga vera e kumbullës të tipit Pruvin”. Ky studim bashkon metodologjinë
bashkëkohore shkencore me përvojën praktike dhe traditën e prodhimit, duke
propozuar modele të reja për kontrollin e aromës, pastërtisë dhe sigurisë së
produkteve.
“Gjatë
punës në disertacionin e doktoratës janë përftuar 4.564
rezultate nga analiza kimike dhe 2.135
vlerësime sensoriale, çka e bën këtë studim një nga më
gjithëpërfshirësit në fushën e teknologjisë së rakisë”, thekson Lekoçaj.
Karriera profesionale –
katër dekada inovacion
Karriera
profesionale e Dr. Mark Lekoçajt nisi në vitin 1986
në Kosjeriq, në fabrikën “Povlen”, ku
shumë shpejt u afirmua si teknolog kryesor.
Pikërisht në këtë periudhë ai mori pjesë
në krijimin e rakisë së parë me origjinë gjeografike të kontrolluar në
ish-Jugosllavi – një arritje që shënoi një kthesë të rëndësishme në
standardizimin dhe vlerësimin e produkteve tradicionale.
Në
praktikën e tij profesionale, teknologu dhe specialisti i pijeve alkoolike Dr.
Mark Lekoçaj ka realizuar një sukses të rrallë-zhvillimin dhe
prodhimin e një pijeje të tipit konjak nga kumbulla, e quajtur “Kralj”, e
para dhe e vetmja e këtij lloji në botë. Ky inovacion është realizuar përmes
metodave të reja teknologjike, duke sfiduar konceptin klasik sipas të cilit
baza tradicionale e konjakut është vera nga rrushi. I mbështetur drejtpërdrejt
në hulumtimet e doktoratës së tij, ky produkt synon të ringrejë
reputacionin e distilateve të kumbullës, duke i pozicionuar ato
në një nivel më të lartë, të krahasueshëm me markat më të njohura ndërkombëtare
të distilateve.
Përmes eksperimenteve
të bazuara në fermentim të kontrolluar, përzgjedhje të kujdesshme të frutave
dhe distilim progresiv, ai arriti të reduktojë ndjeshëm komponimet e
padëshiruara në distilate, duke rritur cilësinë e pijeve rrënjësisht. Metodat e tij sot përdoren si referencë në industrinë e
prodhimit të rakisë së frutave. Produktet e distilerisë ku ai ka punuar, në Distilarinë
“Zariq”, përveç pijesë “Kralj” janë
vlerësuar edhe produktet e tij “Kraljica”, “Nirvana”, “Opsesija”,
“Nostalgija” e të tjera, me çmime, shpërblime dhe medalje në konkurse
prestigjioze ndërkombëtare, si Spirits Selection by Concours
Mondial de Bruxelles, Bartender Spirits Awards,
etj.
Në
vitin 2020, pija
“Nirvana” u përfshi ndër 10 spiritet më të mira në botë,
duke fituar gjithashtu Medaljen e Artë.
Kulmi i këtij suksesi u arrit në vitin 2016, kur
“Nirvana” fitoi çmimin më prestigjioz – Arin e Dyfishtë –
në një nga garat më të njohura ndërkombëtare në Las Vegas ( SHBA). Si simbol i këtij
vlerësimi të jashtëzakonshëm, rakija u ekspozua në vitrinën prej kristali të
hotelit legjendar Caesars Palace.
Një raki tjetër prej mjedre “ Obsesija” në vitin 2018 u rendit ndër 10 distilatet më të
mira të frutave në botë nga revista franceze LARVF.
Sukseset e tij kanë vazhduar edhe në Bruksel,
ku disa herë është nderuar me vende të para.Para tri vitesh, produktet e tij
nga kumbullat dhe dardhat u përzgjodhën ndër gjashtë
produktet më të mira në botë. Në Bukuresht,
dy herë është vlerësuar me çmime për rakinë e ftonit,
ndërsa në Francë rakia e tij renditet ndër pesë
më të mirat në botë.
Po
ashtu Dr. Mark Lekoçaj ka publikuar si bashkautor disa punime
shkencore në fushën e teknologjisë së
prodhimit të rakisë. Gjatë viteve ’90 e
deri më sot, ai
ka punuar në një sërë
ndërmarrjesh të industrisë së pijeve alkoolike dhe joalkoolike, të ujërave,
lëngjeve të frutave, si dhe të produkteve ushqimore. Në këto struktura ai është angazhuar si teknolog kryesor,
konsulent
profesional dhe këshilltar i pavarur
në projekte të specializuara zhvillimore.
Një
element kyç i profilit profesional të Dr. Lekoçajt është aftësia për të
ndërtuar ura lidhëse mes teorisë së sistemeve teknike
dhe zbatimit praktik të tyre në industri. Ai konsiderohet ndër teknologët më të njohur të industrisë së pijeve në rajon,
i cili për katër dekada ka qenë figurë qendrore në modernizimin e
prodhimit të rakisë, verës, distilateve të frutave dhe produkteve ushqimore me
bazë frutash. Me një formim të qëndrueshëm
akademik, inovacione të vlerësuara dhe
përvojë të gjerë praktike, ai ka vendosur standarde të reja
cilësie, të cilat sot njihen dhe zbatohen gjerësisht në
mjedisin profesional.
Aktualisht,
Dr. Lekoçaj udhëheq me sukses fabrikën “Nera”
në Tuz, të themeluar prej tij në vitin 1992, ku ndër
vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e linjave
moderne të prodhimit të lëngjeve, marmelatave dhe përpunimeve të frutave dhe
perimeve. Në këtë rol, ai është i njohur për vendosjen e parametrave
rigorozë të kontrollit të cilësisë, si dhe për trajnimin
profesional të stafit të ri.
Kontributi shkencor dhe
ndikimi në industrinë rajonale
Dr.Lekoçaj
njihet veçanërisht për punën e tij kërkimore në fushën e prodhimit të distilateve me pastërti të lartë nga frutat me bërthamë, për minimizimin
e komponimeve të dëmshme si metanoli dhe benzaldehidi, si dhe
për zhvillimin e teknikave të fermentimit të kontrolluar dhe ruajtjen
e profilit aromatik të frutave. Një tjetër kontribut i rëndësishëm i tij lidhet me standardizimin
e proceseve të prodhimit të rakive me cilësi të lartë, duke
ruajtur një ekuilibër të qëndrueshëm mes metodave moderne dhe traditës lokale.
Studimet
dhe praktikat e tij janë zbatuar në shumë punishte dhe fabrika në
rajon, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së produkteve dhe
përafrimin me standardet evropiane të prodhimit.
Vizioni dhe roli në
komunitet
Për
Dr.
Mark Lekoçajn, teknologjia e pijeve nuk është vetëm shkencë –
ajo është edhe kulturë. Ai ka
qenë vazhdimisht i përkushtuar që tradita e prodhimit të pijeve nga frutat të
mos humbasë, por të përmirësohet,
modernizohet dhe të bëhet konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Përmes përvojës së tij shumëvjeçare, ai ka ndihmuar në forcimin
e industrisë vendase, në ngritjen e vetëdijes profesionale dhe
në edukimin e gjeneratave të reja të teknologëve.
Falë
hulumtimeve dhe zbulimeve të tij shkencore, ky teknolog nga Tuzi ka gjetur vend
edhe në laboratorët më të kërkuar të Ballkanit, duke u shndërruar
në një referencë profesionale për rajonin.
Përfundim
Profili
profesional i Dr.
Mark Lekoçajt përfaqëson një kombinim të rrallë të vizionit strategjik
dhe angazhimit ndaj inovacionit të
qëndrueshëm. Me gati 40 vite
përvojë, një karrierë të pasur me inovacione dhe një doktoratë
të vlerësuar lart, ai mbetet një ndër emrat më të rëndësishëm të
teknologjisë së pijeve në Ballkan. Kontributi i tij është bërë pjesë e historisë
së kësaj industrie dhe vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e saj
edhe sot.