Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Mosha e poetit

| E marte, 13.01.2026, 06:50 PM |


MOSHA E POETIT

(Agim Shehut në përvjetorin e lindjes)

Nga Mihal Gjergji

Poetët, rivalët e filozofëve, kjo klasë artistësh e ngjizur me frymë perëndie për të qëndruar në tempullin e lartë ku gjykohen popujt dhe mbretërit, por edhe e dënuar për të ngarkuar në shpinë dramat njerëzore, e mandej për t’i kënduar ato, me buzët e plasaritura nga dhimbja. Askush nuk e di moshën e saktë të Homerit, Shekspirit, Dantes, Gëtes, Bodlerit, Kuazimodos, Naimit, Fishtës, Migjenit...etj. Dhe s’ka pse ta dijë. Jeta e poetit del jashte kufijve kohorë. Ata janë këtu, mes nesh, gjersa i lexojmë e rilexojmë, i mbajmë brenda kujtesës dhe i përcjellim nga njëri brez të tjetri. Ata kanë vetëm vitlindje... Agim Shehu mbush 82 vite jetë, po i afrohet shekullit, e pas kaq vitesh të tjera, Ai do jetë 200 vjeçar. Vjen një kohë kur artisti luan me mënçurinë, e kjo është mosha e argjëndit të thinjave. Ja, në këtë moshë është edhe Agim Shehu. E kam njohur herët, shumë herët. Në vitin ’83, ndërsa hyja gjithë drojë në ambjentet e Lidhjes së Shkrimtarëve, miku im, Luan Qafzezi, më prezantoi me Agim Shehun. Të nesërmen e takova përsëri Agimin. Atje ku tashmë është ndërtuar e ashtuquajtura “Ministri e Drejtësisë”, ishte hoteli “Arbëria”. Ai ftoi në takim edhe Kadarenë. I dëgjoja teksa bisedonin dhe kërkonin mundësi ndihme për mua. Ngulmoja për të studjuar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, por biografia e trazuar më bëhej pengesë... Aty e njoha humanizmin e Agim Shehut. E këtë përmasë, ai e ka jo vetëm brenda shpirtit, por edhe brënda artit të krijuar.

Jam menduar disa herë të shkruaj për poetin në fjalë. Heshtjen e ka pasuar një lloj ngurimi. Dhe kjo nuk vinte si rezultat i mungesës së njohjeve për gjuhën e artit të përdorur nga krijuesi, për fuqinë jetëdhënëse të folklorit të cilin ai e ka shfrytëzuar mjeshtërisht, për çështjet kombëtare në art dhe qëndrimin konkret nga ana e tij, për ndjenjat dhe arsyen në vargjet lirike, për... Tjetër gjë më bënte të stepesha. A do arrija t’i qepja një kostum kombëtar këtij monumenti të gjallë të poezisë shqipe. E shikoj mbi ballinën e një libri. Fytyra e poetit ngjason me nje copë shkëmbi të gdhëndur nga rrufetë. Pastaj imagjinata ime shkon më larg. E përfytyroj me gunën e Selam Musait të hedhur supeve. Brënda shpirtit prushi i vendlindjes, ndërsa fjala e veshur me kadifen e butë të qytetarisë.

Poezia lirike e Agim Shehut e ndërtuar me ndjenjë dhe mendim të fuqishëm, me ritëm, rimë dhe muzikalitet të veçantë, njihet gjerësisht nga lexuesi edhe jashtë kufijve. Brenda saj është magjikja-gurra popullore, historia dhe malet shqiptare . Përballë kësaj poezie, lexuesi ndien një rritje brenda vetes, një krenari për fatin e të qënit shqiptar, fisnikërohet, qëndron si mes heronjve. Ndjenja kombëtare e përshkon krijimtarinë e poetit nga fillimi në fund, si nervi që përcjell dhimbjen në gjithë trupin. Do ndalem pak vetëm te dy poema; e para është “Poema e mërgimit”. Kjo poezi ka shumë brengë, trishtim dhe vargje tronditëse. Të kujton ligjërimin lab. Fisniket shamizeza s’vajtojnë vetëm atë që ”ikën”, por edhe fatin e atyre që mbeten prapa:

”Fluturoj në veri-perëndim

me sy nga hapsirat e Ilirisë

në veshë më trokasin gozhdët e arkivolit

që Athina i bën Shqipërisë”

Poeti largohet nga mëmëdheu duke marrë me vete bashkë me fatin e hidhur edhe legjendat pellazge që nëna ia mëkonte te djepi. Duke lexuar këtë poemë, nuk e di pse mu kujtuan vargjet e Fan Nolit : ”Cilët jan’ ata tiranë/ që të pren’ e që të vranë/ që të therë bij e bija/ dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia?”.

Dramat përsëriten. Njerëzit e mëdhenj qënka e thënë që të kalojnë përmes rrathëve të ferrit. Ndërsa “Bisedë me rubairat” është një kryevepër e poetit tepelenas dhe e fjalës poetike në tërësi. Brenda saj flet bota e pasur e mjeshtrit krijues, fjala e fuqishme e intelektualit, dhimbja e shqiptarit të mërguar nga dhuna, një shekull pas Fan Nolit. “Më jepni një dhembje, t’ju jap një kryevepër”-i tha Shopeni, një mikut të tij kur ky i fundit e pyeti se pse e keni lënë mënjanë krijimtarinë, -ndërkohë që kompozitori i madh lumturohej rrugëve të Parisit me Zhorzh Sandin. Ndërsa bashkatdhetarët e tij, poetit të tyre i shkaktuan jo një goditje të vetme, por një dhimbje të gjatë e të madhe, e cila shpresoj që ta ketë një fund. Dhe Ai na dhuroi këtë kryevepër:“Hoqa aq vite mynxyra të tëra/ për faje që i bëra e s’i bëra/ e s’e mendoja, kënga e rinisë/ të kthehej gazavaj në shtatë zëra!” Jeta e poetit kryeneç ka kaluar nëpër kalvarin e gjatë të dënimeve . E përsëri poeti shprehet me fjalët fisnike të Kutelit:” Atdheu është Atdhe, edhe kur të vret “. Sigurisht, s’mund ta identifikojnë veten me Atdheun dhe as ta përfaqësojnë denjësisht atë, disa njerëz, qofshin këta të veshur me petkun e “shërbëtorit” të Perëndisë a politikanit të lartë, kur truri i tyre është shëndërruar në dhomë torturash ndaj kundërshtarëve, madje edhe kundër shenjtorëve-krijues me titullin e lartë të poetit. Ata nuk e dinë që boja e poetit dhe gjaku i martirit ndihmojnë njëlloj në betejën e përparimit. Dhe çfarë bëri Agim Shehu. Dëgjoi Trojën të shikojë e hutuar gjakun e derdhur nga Labëria, dëgjoi rënkimin e varreve stërgjyshore që mbajnë brënda eshtrave plumbat dhe shpatat e korofillakëve. Ruhuni nga urët e zjarrit që mund të na shkrumbojnë përsëri, kujdes nga thikat e traktateve dhe konferencave që mund të presin trupin e drobitur të Atdheut. Ja, këto tha poeti,dhe pagoi për guximin e treguar. Mirëpo Atdheu është i brezave, prandaj poeti shkruan:

” Brezat që ikin e brezat që vinë

kur kënga ime t’u trokasë shtëpinë

te zëri im do të shikojnë vallen

zgjatur nga Mitrovica në Janinë”

Në këtë dualizëm mendimi më erdhi në ndihmë shkrimtari dhe psikoanalisti amerikan H.G.Ëatson. Në një nga librat e tij kisha lexuar për fatin e kompozitorit të madh Xhorxh Bize. Meqënse muzika dhe poezia ushqehen nga i njëjti burim shpirtëror, e shikoj me vend t’i’u rrëfej një të vërtetë të hidhur. Për operan Karmen kritika ju vërsul muzikantit duke e përcaktuar muzikën e tij “ të pakuptueshme...”(ashtu si mendimet e Agim Shehut për problemet kombëtare). Një mik i tij, e përgëzoi dhe deshi ta qetësonte nga revolta e brëndëshme që e mbërtheu, por ishte e kotë. Frederik Niçe ishte ndoshta i vetmi i asaj kohe që e kuptoi. Kur njohu partiturën e Karmenit thirri i entuziazmuar: “... Ja një që ka kuptuar nevojën për ta bërë madhështore muzikën. Përballë kryeveprës së këtij kompozitori, bëhët kryevepër edhe vetja jonë. Kurrë nuk janë dëgjuar mbi skenë theksime më tragjike e më të dhimbëshme. Si janë krijuar? Sa zili e kam Bizetin që ka pasur kurajon për këtë ndjeshmëri që deri tani nuk kishte gjetur shprehje në muzikën Europiane të qytetruar...”Fjalë të shkëlqyera, por me vonesë, sepse kur janë shqiptuar, i mjeri Bizet, i vrarë nga hidhërimi, prehej në një nga varrezat e Parisit...

Gjëndja shpirtërore e poetit pasqyrohet në poemën e mrekullueshme “ Bisedë me Rubairat”. Kjo Poemë është kulmi i lartësisë poetike të krijuesit për të cilin po flasim. Është një Simfoni zërash disi sugjestionues që vinë nga tërë poezitë e tij më të mira. Shtrirja e poemës që lexohet me një frymë, ka dhe jetë, dhe lirikë, dhe meditim, dhe filozofi, dhe mall, dhe revoltë, dhe dashuri, dhe dramë...Të tëra të derdhura harmonishëm si me një frymë ajri të vëndlindjes. Brënda saj, te jeta e një poeti është jeta e Atdheut gjykuar prej tij. Për të zbërthyer shpirtin e tij me flori arti brënda, si çelës ka zgjedhur «Rubairat» e Omer Khajamit. Një gjetje e mrekullueshme ku brezi i sotëm bisedon me të kaluarën për të vlerësuar më saktë të ardhmen. Çdo fjalë në vëndin e vet, e të gjitha bashkë krijojnë atë mbretëri bukurie që quhet poezi.

( Ja disa fragmente nga poema “ Bisedë me Rubairat”)

“Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita

(kolegët në pushtet i kisha prita).

Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere

ku piva një gëzim që s’e arrita.

Hoqa aq vite mynxyra të tëra

për faje që i bëra e s’i bëra

e s’e mendoja, kënga e rinisë

të kthehej gazavaj në shtatë zëra!

Isha një çast te “Zeus” i Gjëmimit,

po e vështroja me sytë e hutimit:

i ngula sytë mes gishtave - ku fshihej

aq lemeri rrufesh të zemërimit!...

Befas, një ditë me zagushi qershori

goditj’ e tij në ballë seç më mori

(s’qënkish Ai, buzëmbëli-engjëllori,

qe i hatashmi-tmerri, Diktatori)!

Të bijt e vrasësve - gjarpinj zezonë

i lanë, e bënë me kate varrin tonë

e na përmjerin gratë e pushtetarëve

tek na kalojnë sipër me avjonë.

Ç’qe kjo kolerë që këtë komb e zuri,

“burra” që s’u ka mbetur fije burri,

që për një pulë të pjekur në Korfuz

shesin dhjetë herë shqiponjën te Flamuri!?

Një stan me dhjetë flamurë te “këmbora”

që mbjellin ditë zie në të korra,

që as vëllait nuk i japin dorën

po nuk i panë grusht paràsh te dora!

Dhe kombi, prapë te fat i tij i lig -

një lopë kurbani shtrirë në Ilirik:

Goja që ha e zgjatur në Strasburg

e sisa që e mjel, në Selanik.

Thamë, iku Diktatura me fanfarat,

po u ringjall më keq me të palarat.

“Shqiptar, më ndote!..” flasin nga Europa

(o ulërimë, ku i ke ujvarat)!

Del udhës e nuk di se nga të shkosh

kur xhepet bosh i mbush me duart bosh.

Nga lart të shoqëron një hënë ari

që si monedhë kurrë s’ra përposh…”

P.S: Në moshën 82 vjeçare pesha e mallit të thyen, të bën thirrje për t’u kthyer pranë varreve stërgjyshore, sikurse rrugët që i ka matur me pëllëmbë i kërkojnë hapin e menduar, ndërsa Bohotina e Progonatit kërkon shokun ku të mbështetet. Prej disa vitesh zëri i tij dëgjohet përtej reve, nga Gjeneva mikpritëse. Larg vëndit të gjakut të cilit i kushtoi jetën, i endur mes shpresës e zhgënjimit, poeti përsëri nuk e lejon veten të bjerë në humnerën e frikshme të dëshpërimit tronditës. Fjala e lirë s’ka për të mbetur ëndërr.

Tiranë, Janar 2016.