Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Kapja e lemzës

| E diele, 11.01.2026, 06:50 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Kapja e lemzës

“Hik!” - e kap lemza pushtetarin,

Pastaj deputetin e opozitarin.

Të gjithë me radhë, deri n’Qeveri,

Sapo ta përmendin fjalën “ndershmëri”.

Lemza s’vjen nga uji i ftohtë, akull,

As nga ushqimi i lagët e shakull.

Por nga betimi shpeshherë i nxituar,

E premtimi i shkelur, i harruar.

“Hik!” - andej e “Hik!” - këndej pari,

Lidhjet partiake s’i merr vesh tartari.

Lemza bën opozitë, bën edhe pozitë,

Si mollë të kalbura na bien qeveritë.

Ndaj populli qesh, se e kupton lojën,

Para kësaj komedie s’e mbyll gojën.

E di se për lemzën s’gjendet ilaçi,

Si ajo thënia: jo buka, po kulaçi!

Po nëse ndalet, mos u gëzoni shpejt,

Nuk është e lehtë lufta për pushtet.

Do të ketë lemzë që na hyn në punë,

Sa herë të gëlltitet bajga për samun!

(Karikatura marrë nga interneti)