| E premte, 09.01.2026, 06:59 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
NDËRTIMI I BUNKERIT TË
GJON SERREQIT NË SHIPASHNICË (50)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pasi
grupi i përkushtuar rreth Gjon Serreqit mbeti i konsoliduar dhe i reduktuar në
një numër të vogël, por të besueshëm, u hodh hapi i radhës në funksion të
sigurimit të ekzistencës fizike dhe vijueshmërisë së veprimtarisë së tyre
ilegale- ndërtimi i një bunkeri për strehim. Ky vendim nuk ishte thjesht i
diktuar nga nevoja për mbrojtje fizike, por një akt strategjik që pasqyronte
nivelin e lartë të ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbijetesës strukturore dhe
konspirative në rrethana jashtëzakonisht të rrezikshme.
Bunkeri
nuk përfytyrohej si një strehë e përkohshme, por si një hapësirë funksionale
dhe e qëndrueshme ku grupi do të mund të organizonte jetën e tij politike, të
ruante dokumente, të përgatitej për aksione dhe, mbi të gjitha, të qëndronte
larg syve të pushtetit, i cili ishte në kërkim të pandërprerë të kundërshtarëve
politikë. Vendimi për ngritjen e një strukture të tillë fizike nënkuptonte
njëkohësisht edhe një nivel të lartë disipline organizative dhe aftësie për
planifikim afatgjatë.
Megjithatë,
para se të fillonte ndërtimi i bunkerit, Gjon Serreqi dhe bashkëveprimtarët e
tij ndërmorën një studim të detajuar të terrenit, duke analizuar me kujdes çdo
aspekt që lidhej me përshtatshmërinë strategjike dhe mbrojtëse të vendndodhjes.
Kjo analizë përfshinte jo vetëm faktorët natyrorë si mbulimi i pyllëzuar, qasja
e kufizuar dhe mundësitë për fshehje, por edhe konsiderata të tilla si afërsia
me burime uji, rrugët e tërheqjes, distanca nga shtëpitë e fshatarëve dhe
mundësia për të operuar pa u vënë re.
Ky
veprim pasqyronte një qasje të mirëfilltë metodologjike dhe tregon se
veprimtaria ilegale nuk mbështetej në improvizim, por në vendimmarrje të
menduara mirë, të ndërtuara mbi analizë racionale dhe planifikim pragmatik.
Bunkeri, në këtë kuptim, nuk ishte vetëm një strukturë fizike mbijetese, por
simbol i vendosmërisë për të rezistuar dhe për të krijuar një pikë reference të
qëndrueshme për organizimin e mëtejshëm politik.
Në
një analizë më të thelluar, ky akt nënvizon edhe dimensionin ideologjik të
lëvizjes. Qëndresa ndaj pushtetit nuk kufizohej në aksione spontane, por
institucionalizohej në forma konkrete që synonin vazhdimësinë e veprimit.
Përmes ngritjes së bunkerëve si qendra të veprimit të fshehtë, lëvizja ilegale
shqiptare në Kosovë ndërtonte një arkitekturë të vetën të qëndresës, që
mbështetej njëkohësisht në forcën e vullnetit dhe në disiplinën e mendimit
strategjik.
Në
rrethanat e veprimit të organizuar ilegal dhe në një klimë të ashpër
përndjekjeje politike, vendimmarrja për ndërtimin e një bunkeri nuk ishte
thjesht çështje teknike, por një akt me peshë strategjike dhe konspirative. Që
në fazën fillestare të planifikimit, ishte e qartë se zgjedhja e vendit ku do
të ndërtohej bunkeri duhej të udhëhiqej nga kritere të rrepta sigurie,
funksionaliteti dhe vëzhgueshmërie.
Së
pari, u theksua domosdoshmëria që ai të pozicionohej në një vend të fshehtë, që
nuk binte në sy dhe që nuk zgjonte dyshime as nga kalimtarët rastësorë, e as
nga ndonjë element armiqësor i infiltruar. Kjo fshehtësi vizuale ishte jetike
për të ruajtur jo vetëm jetën e atyre që do të strehoheshin aty, por edhe për
të mbrojtur rrjetin e tërë të veprimtarëve të angazhuar në lëvizjen ilegale.
Por përtej izolimit vizual, vendi i bunkerit duhej të përmbushte një kusht
tjetër të rëndësishëm, të ofronte një pamje të qartë dhe të gjerë mbi hapësirat
përreth, veçanërisht mbi ato zona ku mund të vëreheshin lëvizjet e njerëzve apo
patrullimet e forcave të milicisë.
Këto
kritere tregonin se bunkeri nuk do të ishte një vend që shërbente vetëm për
strehim, por një pikë vëzhgimi dhe mbikëqyrjeje, që do të mundësonte marrjen e
informacioneve të drejtpërdrejta për lëvizjet në terren dhe shmangien në kohë
të ndonjë rreziku të papritur. Po ashtu, afërsia me burimet natyrore të ujit
përbënte një kriter tjetër themelor, duke qenë se mungesa e ujit do ta bënte të
pamundur qëndrimin e zgjatur dhe do të rrezikonte vetë qëllimin e ngritjes së
bunkerit. Prania e pyjeve dhe terrenit malor gjithashtu përbënte një avantazh
të dyfishtë, siguronte një mbulesë natyrore për fshehje dhe ofronte mundësi të
shumta për tërheqje dhe lëvizje të lirë në rast rreziku.
Pas
shqyrtimit të të gjithë këtyre faktorëve, u vendos që bunkeri të ndërtohej në
zonën malore të Shipashnicës, një territor që i përmbushte me përpikëri të
gjitha kërkesat strategjike dhe mbrojtëse të ngritura nga grupi i Gjon
Serreqit. Ndërtimi i bunkerit, pavarësisht kushteve të vështira, përfundoi
brenda një afati jashtëzakonisht të shkurtër – vetëm pesë ditë – gjë që dëshmon
jo vetëm për mobilizimin dhe vendosmërinë e grupit, por edhe për shkallën e
organizimit të tyre në terren.
Në
analizë të fundit, ndërtimi i këtij bunkeri nuk mund të kuptohet thjesht si një
veprim teknik, por si një akt politik me peshë të madhe simbolike dhe praktike,
një përpjekje për të krijuar një hapësirë të qëndrueshme mbijetese dhe
organizimi, një vatër rezistence e fshehur në zemër të natyrës, që synonte të
garantonte vazhdimësinë e veprimtarisë kombëtare përballë një shteti që synonte
shuarjen e çdo zëri kundërshtues.
Pasi
përfundoi ndërtimi i bunkerit në malet e Shipashnicës, grupi i Gjon Serreqit u
vendos aty në mënyrë të përhershme, me një strategji të qartë: të ruanin
fshehtësinë absolute dhe të minimizonin çdo kontakt me botën e jashtme. Qëllimi
nuk ishte thjesht të strehoheshin, por të krijonin një qendër konspirative të
sigurt, ku aktiviteti i tyre do të mbetej i padukshëm për strukturat shtetërore
dhe për banorët e zakonshëm të fshatrave përreth. Në këtë mënyrë, u vendos që
të shmangnin lëvizjet nëpër fshatra dhe të mos krijonin asnjë gjurmë që do të
mund të çonte në zbulimin e tyre. Strategjia e qëndrueshmërisë dhe
vetë-mjaftueshmërisë në kushte të ashpra ilegale u bë bosht i veprimit të tyre.
Në
funksion të kësaj strategjie, grupi mori një vendim të rëndësishëm logjistik,
të sigurohej me rezerva ushqimore të mjaftueshme për të përballuar dimrin pa
pasur nevojë të dilte nga bunkeri. U kërkua që secili nga anëtarët e grupit që
kishte familje në fshatrat përreth të kontribuonte me nga 100 kilogramë miell.
Ky veprim përveç funksionit praktik, kishte edhe një dimension simbolik të
fortë, përfshirjen e heshtur të familjeve dhe popullsisë lokale në rezistencë,
përmes mbështetjes materiale dhe morale të të arratisurve. Kjo mbështetje në
natyrë ishte forma më diskrete dhe më e sigurt e solidaritetit.
Kontributet
konkrete nuk vonuan të realizoheshin. Taip Selimi, Hamdi Beha dhe Ban Bojku
sollën secili nga 100 kilogramë miell, duke përmbushur detyrimin e tyre ndaj
grupit dhe kauzës. Edhe Shaip Biçku, i cili më herët ishte larguar nga grupi,
vendosi të rikthehej dhe të kontribuonte me të njëjtën sasi, gjë që dëshmon për
një rimendim dhe riangazhim të tij në lëvizje. Për më tepër, Komiteti i
Tërrnocit, si strukturë mbështetëse, kontribuoi me 140 kilogramë të tjera
miell, duke dëshmuar për ekzistencën e një rrjeti të organizuar solidariteti
dhe logjistike ilegale.
Në
total, grupi kishte në dispozicion 650 kilogramë miell, një sasi që
konsiderohej e mjaftueshme për të përballuar muajt e ftohtë të dimrit. Përveç
kësaj, në rezervat e tyre përfshiheshin edhe disa kilogramë fasule, që do të
plotësonin nevojat themelore ushqimore. Ky organizim i kujdesshëm ushqimor
dëshmon për një nivel të lartë të planifikimit strategjik dhe përkushtimit
kolektiv. Ata nuk ishin thjesht të arratisur që kërkonin mbijetesë, por një
grup i strukturuar që vepronte në mënyrë të organizuar, me vetëdije të plotë
për rëndësinë e ruajtjes së vetvetes dhe të vijueshmërisë së veprimtarisë
politike edhe në rrethana të skajshme.
Në
këtë mënyrë, bunkeri u shndërrua në një qendër jetese kolektive, të ndërtuar
mbi bazën e disiplinës, solidaritetit dhe sakrificës – një mikrobotë e
rezistencës shqiptare ndaj pushtetit që përpiqej ta fshinte çdo formë të
mendimit të lirë dhe të organizimit kombëtar.
Ndërtimi
i bunkerit të Gjon Serreqit në malet e Shipashnicës së Epërme u realizua në
përputhje të rreptë me udhëzimet dhe standardet që vetë ata i kishin
përcaktuar, duke reflektuar jo vetëm mendjemprehtësinë strategjike të tij, por
edhe qasjen e disiplinuar dhe sistematike në organizimin e veprimtarisë
ilegale. Bunkeri nuk ishte produkt i një ndërtimi spontan apo i përkohshëm, por
një strukturë e ndërtuar me një logjikë të qartë mbrojtjeje, funksionaliteti
dhe konspiracioni. Në këtë kuptim, ai nuk përfaqësonte thjesht një strehë
fizike, por një mjedis të organizuar në mënyrë të tillë që të shërbente si
qendër operative për veprimtarinë e rezistencës.
Vendndodhja
e tij ishte zgjedhur me kujdes të jashtëzakonshëm: i ngritur në rrëzë të malit,
në territorin e Shipashnicës së Epërme, në një distancë ajrore prej rreth 1500
metrash nga stacioni i milicisë, bunkeri kishte një pozicion të tillë që e
bënte të vështirë për t'u zbuluar, por të lehtë për të monitoruar zonën
përreth. Kjo distancë, edhe pse relativisht e afërt, nuk komprometonte
sigurinë, për shkak të vendosjes së tij në një terren të mbuluar dhe të
fshehtë, që përjashtonte çdo vëzhgueshmëri të drejtpërdrejtë.
Një
aspekt veçanërisht i rëndësishëm i projektimit të bunkerit ishte dalja e tij e
padukshme – një element kyç për sigurinë e grupit. Kjo dalje sekrete siguronte
një rrugë të fshehtë ikjeje në rast të ndonjë sulmi të papritur apo rreziku të
afërt, pa ekspozuar asnjëherë vendndodhjen e saktë të bunkerit apo lëvizjet e
brendshme të grupit. Ky element pasqyron një vetëdije të lartë për rrezikun dhe
nevojën për fleksibilitet operacional në kushtet e jetës në ilegalitet.
Sa
i përket dimensioneve të brendshme, bunkeri ishte ndërtuar në mënyrë që të
ofronte hapësirë të mjaftueshme për një grup të vogël, pa u bërë i rëndë për
terrenin apo i lehtë për t’u diktuar nga jashtë. Me madhësi të përafërt me një
odë tradicionale shqiptare, i aftë të strehojë rreth 12 deri në 13 persona, ai
ishte konceptuar si një hapësirë jetese kolektive, ku çdo detaj – nga lartësia
e tavanit, e përshtatur për një individ me shtat mesatar, deri te organizimi i
brendshëm – ishte në funksion të qëndrueshmërisë dhe vetë-mjaftueshmërisë.
Sot,
vendndodhja e këtij bunkeri, që ende ndodhen gjurmët e tij, ende mbartin
kujtesën e një përpjekjeje të jashtëzakonshme për mbijetesë, për organizim të
qëndresës kombëtare dhe për ruajtjen e identitetit në rrethana ekstreme
represioni. Ky vend, tashmë pjesë e kujtesës kolektive, është dëshmi e gjallë e
mendimit të strukturuar politik dhe të përkushtimit të palëkundur të figurave
si Gjon Serreqi, të cilët e panë qëndresën jo si një akt të vetëm heroik, por
si një proces të vazhdueshëm, të organizuar dhe të mbështetur në vizion
afatgjatë.
Ndërtimi
dhe funksionalizimi i bunkerit të Gjon Serreqit në malet e Shipashnicës së
Epërme nuk përfaqësonte vetëm një akt mbijetese fizike, por një manifestim të
planifikimit të hollësishëm teknik dhe të mendimit strategjik të zhvilluar në
kushte të jashtëzakonshme konspirative. Një ndër aspektet më domethënëse të
këtij planifikimi ishte sistemi i ngrohjes dhe përgatitjes së ushqimit, i
konceptuar në mënyrë të tillë që të ruante sigurinë maksimale, të minimizonte
rrezikun e zbulimit dhe njëkohësisht të përmbushte nevojat themelore të jetesës
së përbashkët në kushte ilegale.
Në
ballin e brendshëm të bunkerit ishte vendosur oxhaku – një element i përhershëm
në arkitekturën tradicionale shqiptare, por që këtu kishte një funksion
krejtësisht të veçantë dhe një konstruksion të përshtatur për rrethanat e
jashtëligjshme të jetesës. Sistemi i nxjerrjes së tymit ishte projektuar me
kujdes të jashtëzakonshëm: në vend që të dilte drejt për drejt nga oxhaku, tymi
kalonte përmes një qynke të gjatë që ishte fshehur nën dhe, duke u larguar në
mënyrë të padukshme nga vendndodhja reale e bunkerit. Ky detaj teknik e
reduktonte ndjeshëm mundësinë e lokalizimit të vendstrehimit nga strukturat
shtetërore represive, të cilat përdornin çdo shenjë fizike si pikë orientimi
për kapjen e të arratisurve.
Oxhaku
ndizej ekskluzivisht gjatë orëve të natës – një vendim i qëllimshëm dhe
strategjik. Pikërisht në ato orë përgatitej ushqimi ditor dhe piqej buka,
ndërsa errësira shërbente si mburojë natyrore ndaj çdo syri vëzhgues. Ky
rregull, i pashkruar por i rreptë, përbënte një komponent të rëndësishëm të
disiplinës së brendshme të grupit dhe të vetë mbijetesës së tij.
Një
pjesë e thëngjillit që krijohej gjatë natës ndahej dhe ruhej me kujdes për
përdorim gjatë ditës, veçanërisht për ngrohjen e hapësirës së brendshme të
bunkerit dhe për përgatitjen e ushqimit në mangall. Kjo zgjidhje praktike
kishte për qëllim të shmangte çdo nevojë për ndezje të zjarrit gjatë ditës,
duke eliminuar çdo rrezik që lidhej me daljen e tymit në dritë të diellit. Në
këtë mënyrë, thëngjilli bëhej jo vetëm burim nxehtësie, por edhe mjet mbijetese
të heshtur në një botë të ngujuar e të kërcënuar nga çdo lëvizje e panevojshme.
Ky
sistem ngrohjeje dhe ushqimi, i projektuar dhe i zbatuar me përpikëri, dëshmon
për nivelin e lartë të organizimit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të grupit të
Gjon Serreqit. Ai pasqyron se edhe në kushtet më të rënda të izolimit dhe
përndjekjes, rezistenca shqiptare zhvillohej jo vetëm mbi bazën e idealit, por
edhe mbi një mendësi praktike, efikase dhe inteligjente që synonte të
harmonizonte mbijetesën fizike me qëndrueshmërinë politike dhe morale. Bunkeri
nuk ishte thjesht një strukturë mbrojtjeje, por një qendër jetese që
funksiononte si organizëm i gjallë – i disiplinuar, i menduar dhe i vetëdijshëm
për rolin e tij në historinë e qëndresës.
Rrethimi
i bunkerit të ngritur në malet e Shipashnicës së Epërme ishte konceptuar dhe
realizuar me një vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes natyrore dhe artificiale,
duke kombinuar zgjuarsinë e njeriut me avantazhet që ofronte terreni. Bunkeri,
edhe pse i vendosur në një pozicion të fshehtë, nuk mbështetej vetëm në
izolimin fizik, por në një sistem të tërë mbrojtës, që përbënte një strukturë
të menduar mirë për të përballuar çdo rrezik të mundshëm nga armiku.
Në
mjedisin përreth, mbizotëronin drurë të ulët, por të dendur, që krijonin një
perde të natyrshme pamore dhe ndihmonin në fshehjen e objektit nga vëzhgimi
ajror apo nga vrojtimi tokësor. Ky mbulim natyror nuk kishte vetëm funksion
estetik apo ekologjik, por shërbente si një komponent i rëndësishëm i mbrojtjes
konspirative të vendstrehimit. Pranë bunkerit kalonte edhe një përrua
(prroskë), burim i mundshëm uji, por edhe element që i shtonte dinamikën
natyrore të vendndodhjes, duke e bërë më të vështirë për syrin e jashtëm të
dallonte një strukturë të ndërtuar aty.
Në
hyrje të bunkerit ishte ngritur një mur me gurë – një mur i vogël mbrojtës që,
përveç funksionit të tij si mbrojtje fizike, mund të shërbente edhe si pozicion
për pusi në rast sulmi të befasishëm. Ky element ishte pjesë e një sistemi më
të gjerë mbrojtës që përfshinte edhe hyrjen e bunkerit, e cila nuk ishte e
drejtpërdrejtë, por vendosur në fund të një kanali zigzag, të ndërtuar me
qëllim specifik strategjik. Ky kanal i përthyer, me kahe të ndërprera,
mundësonte jo vetëm hyrje të fshehtë dhe të sigurt për anëtarët e grupit, por
edhe shërbente si korridor mbrojtës në rast të një përballjeje të armatosur.
Nga ky pozicion, grupi mund të vendoste pusinë e tij në drejtim të fushës së
hapur përballë bunkerit, përkatësisht në drejtim të Stacionit të Milicisë së
Shipashnicës, që ndodhej përballë në vijë ajrore.
Mbështetjen
më të fuqishme mbrojtëse bunkeri e kishte në pjesën e pasme, ku mbështetej
drejtpërdrejt në trupin masiv të malit të Shipashnicës. Ky varg malor i dendur
dhe i pakalueshëm vazhdonte pandërprerë deri në zonën e Gurit të Zi në
Desivojcë, duke ofruar një mburojë natyrore pothuajse të pakalueshme nga
mbrapa. Ky konfigurim topografik jo vetëm që siguronte mbrojtje fizike, por
edhe mundësi për tërheqje strategjike nëse rreziku vinte nga përpara.
Në
tërësi, pozicionimi dhe fortifikimi i bunkerit pasqyron një koncept mbrojtjeje
të avancuar për kushtet e kohës, të ndërtuar mbi tre parime themelore: fshehje,
kontroll të terrenit dhe mundësi për mbrojtje aktive. Ai nuk ishte vetëm një
hapësirë strehimi, por një nyje mbijetese dhe rezistence, ku çdo detaj – nga
shkurret, prroska dhe gurët, e deri te kanalet e përthyera – ishin pjesë e një
logjike të ndërgjegjshme për t’i mbijetuar represionit dhe për të vazhduar
qëndresën. Kësisoj, bunkeri i Gjon Serreqit përfaqëson jo vetëm një strukturë
materiale, por një arkitekturë të qëndresës së organizuar, të menduar dhe të
skalitur në thellësitë e natyrës dhe të idealit.
Nga
burimet e hetuesisë që lidhen me procesin penal ndaj pjesëtarëve të grupit të
Gjon Serreqit, të cilët ishin strehuar në bunkerin e ndërtuar në zonën malore
të Shipashnicës së Epërme gjatë periudhës, fundi i tetorit 1946 deri më 10
shkurt 1947, del qartë se aktiviteti i grupit karakterizohej nga një diskrecion
i skajshëm dhe një izolim i vetëdijshëm nga rrethina. Këto të dhëna, të nxjerra
nga materialet hetimore që mbajnë natyrën e një dokumentacioni zyrtar dhe që
mbështeten në dëshmitë e anëtarëve të kapur më vonë, ofrojnë një pasqyrë të
qartë të natyrës së jetës ilegale dhe të kujdesit të vazhdueshëm për ruajtjen e
fshehtësisë operative.
Sipas
dëshmisë së Osman Abazit, një ndër bashkëveprimtarët më të afërt të Gjonit,
grupi kishte ndjekur një qasje të qëllimshme të izolimit, duke shmangur çdo
kontakt të drejtpërdrejtë me banorët lokalë apo me rrjetin e veprimtarëve të
Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare (LpLTSH). Ai deklaron në mënyrë
kategorike: “Askush nga fshatrat e afërt të këtij mali nuk ka ditur për ne dhe
me askënd nuk kemi qenë të lidhur”. Ky konstatim tregon për shkallën e lartë të
konspiracionit që ishte mbajtur, një konspiracion që nuk buronte vetëm nga
frika e kapjes, por nga një vetëdije e thellë për rrezikun që përbënte edhe
informimi më i vogël për ekzistencën e bunkerit.
Megjithatë,
edhe në rrethanat më të kontrolluara, nuk mund të shmangeshin plotësisht
kontaktet me botën e jashtme. Një përjashtim i vetëm është regjistruar në
hetuesi: kontakti me bariun lokal Asllan Maksut Dërmeku (1926–1985), banor i
Shipashnicës, i cili, krejt rastësisht, duke çuar dhitë e fshatit në kullotë,
kishte ndeshur në vendndodhjen e bunkerit – dhe kjo, sipas dëshmive, kishte
ndodhur rreth një muaj pas përfundimit të ndërtimit të tij. Kjo rrethanë, sado
e rastësishme, dëshmon për faktin se edhe në kushtet më të skajshme të
izolimit, mundësia e ekspozimit nuk mund të përjashtohej plotësisht.
E
gjithë kjo periudhë dëshmon për një përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur
konspiracionin, për të mbijetuar në një klimë të egër represive dhe për të
organizuar qëndresën në kushte të izolimit ekstrem. Strategjia e veprimit të
kufizuar, kontaktet minimale dhe vetë-mjaftueshmëria absolute nuk ishin
shprehje të mbylljes, por forma të domosdoshme mbijetese në një realitet ku çdo
informacion i rrjedhur mund të sillte pasoja fatale. Bunkeri i Gjon Serreqit,
në këtë prizëm, nuk është vetëm një simbol fizik i rezistencës, por edhe një
ilustrim konkret i filozofisë së jetës në ilegalitet – të mbështetur në
disiplinë, vetëkontroll dhe përkushtim të plotë ndaj idealit.