| E premte, 09.01.2026, 06:57 PM |
LETRA PASQYRIM I SHPIRTIT DHE TESTAMENT I KUJTESËS
Sabile Keçmezi-Basha, “45 LETRA PËR MARTINËN”, roman biografik, botoi
Shtëpia Botuese "ROZAFA", Prishtinë 2025. Faqe 336. ISBN:
978-9951-02-559-1
Nga Shefqet
DIBRANI
Hyrje:
Ka letra që flasin më shumë se çdo zë,
më qartë se çdo pamje. Këto letra rrjedhin si lumenj të heshtur, mbartin në
thellësinë e tyre kohën, dhimbjen, dashurinë dhe shpresën. Romani “45 Letra
për Martinën” nga Sabile Keçmezi-Basha, është një nga këta romane që si një
rrjedhë shpalosin ndjenjat dhe përjetimet e shumta. Secili rresht është frymë,
secila fjali një jehonë që prek thellë zemrën e lexuesit. Martina, është një
vajzë e urtë që sudionte në Qytetin e Bardhë, por jetonte në një fshat të
Kamenicës, aty ku ditët e saj rridhnin të qeta. “Herë lexoja libra, duke
përgatitur mendjen time për provimet që më prisnin në shtator, herë ndihmoja në
punët e shtëpisë.”, (fq.9).
Këtë roman Sabile Keçmezi-Basha e strukturon
mbi “45 Letra”, ku secila letër është një rrëfim i ri i botës intime të
babait të Martinës, Lirit. Kjo strukturë e romanit me kaq intimitet, ka arritur
për të kthyer leximin në një udhëtim të përjetuar dhe me ndjenjë. Në këto rrethana
Martina mendonte se qëndrimi në vendlindje, “Kishte një harmoni të
padukshme, që më mbështillte, si fryma e tokës së pëlleshme dhe e njerëzve të
mirë që më rrethonin... Për këtë, zemra më rrihte me mirënjohje të heshtur.”, (po aty, f.9) dhe se aty ajo do të mësonte sesi nga
dhuna që bënte pushteti, marrëdhëniet qytetare kishin krijuar një unitet, për
të qëndruar dhe sfiduar kohërat. Lexuesi bëhet dëshmitar i vuajtjeve, por edhe i
dashurisë dhe i shpresës që Lir Thaçi ruante me fanatizëm kujtimet e tij të
shkruar në formë letash për të bijën e tij, e cila ende nuk kishte lindur, por me
këtë mënyrë rrëfimi letrat kthehet në roman, për të ndriçuar mendjen e lexuesit.
“Një ditë, krejt papritur, teksa isha zhytur në përgatitjet për një provim...,
Pa zhurmë..., gjyshja ime hyri brenda, duke sjellë me vete qetësinë e viteve që
ajo mbante në zemër.” Ajo, siç janë gjyshët që mbajnë amanetin peshë, “Me
zërin e saj të qetë dhe plot kujtime, nisi të më rrëfente një histori të moçme,
mbuluar nga pluhuri i kohës, por gjithnjë e gjallë në shpirtin e saj.”, (po aty, f.9-10).
Në këto ngjarje, vuajtjet bëhen dhimbje
dhe kujtim që drithëron zemrën si një thirrje për të mos harruar. Kujtesa e
Lirit është një arkiv i së shkuarës, ndërsa secila letër e shpalosur tash bëhet
dëshmi e kohës dhe përjetimeve. Heshtja e mbyll tragjedinë, por është fjala ajo
që duhet të shpërthej siç është rasti me këto rrëfime-letra të Sabile
Keçmezit-Basha: “Gjyshja ime shpesh më rrëfente me mall se si babai im...
kishte thënë me zemër të hapur: “Nëse fëmija im i parë është vajzë, do ta quaj
MARTINË.”,
(f.11). Pagëzimi me këtë emër ishte një frymë që buronte nga e
kaluara përplot sfida. Kurdoherë në pagëzimin e fëmijës janë involvuar edhe
familja, prindërit, shpesh edhe axhallarët, por Liri ishte përcaktuar në emrin
që dëshironte t’i thërriste vajzës së tij. “Ndërkaq, kur bëhej fjalë për një
djalë”, ai nuk merakosej, prandaj iu kishte thënë: "Ju vendosni!", (f.11).
Tashmë kur Martina ishte rritur gjyshja, asaj i shpjegonte se "vetëm ai
që kishte armë mund të mbijetonte,...(andaj), babai yt deshi të të
quante Martinë.”, (f.13). Në këtë rast “pushka
e vjetër - Martina”, bëhet simbol i mbijetesës dhe absurdit të një
realiteti ekzistues, ku çdo veprim, madje edhe më i vogli, brenda romanit ka
rëndësi jetike. Kjo metaforë dhe estetika e romanit lindin nga përjetimi i
thellë i realitetit të cilin me mjaftë sukses e strukturon vet autorja. Gjuha e
shkrimit është e pasur me nuanca poetike, ku fjalia e saj merr frymë, kurse
emocionet përjetohen thellë. Kështu, proza me element lirik, është rezultat i
natyrshëm i një poeteshe, ndërsa shtrirja historike janë pjesë e punës studimore
të profesionit që ka autorja, dhe kjo trini e krijon një harmoni të qetë, duke
e kthyer leximin në një udhëtim përjetues, ku duket se shpirti i Lir Thaçit,
flet përmes këtyre letrave. Letra të cilat tashmë gjysha ia kishte dorëzuar
Martinës: “Merre,” më tha, duke ma zgjatur atë kujtesë të fshehur. “Gjithçka
që ndodhet këtu, është për ty. Lexoji me kujdes, sepse këto janë dedikime për
ty, shkruar nga babai yt gjatë viteve që kanë kaluar.”, (f.17). Pasi ky
roman është letërsi artistike, figura e Martinës bëhet metaforë e përjetshme e
shpresës, dashurisë dhe kujtesës. Në të njëjtën kohë, edhe i ati i saj, Lir
Thaçi bëhet më tepër se një baba. Në këtë rast, Liri shndërrohet në kujtesë historike
dhe njëkohësisht edhe në testament shpirtëror, pasi shpresa dhe qëndresa e tij
janë më të forta se çdo vuajtje që ai e përjetonte. Vuajtjet e Lirit, nga
torturat e burgut deri te humbja e Bardhit, shok burgu, dhe marrëdhënia e
veçantë me Hansin, gjenerojnë kontrastin e dhimbjes dhe humanizmit.
“Letrat ishin të
palosura me një kujdes të veçantë”, kurse
“Zarfet shumëngjyrëshe - të kuqe, të verdha, të kaltra - krijonin një mozaik
të gjallë..., Në krye të faqes, një dorëshkrim i bukur, me shkronja të dorës,
kishte shkruar me kujdes: “LETRA PËR MARTINËN”, (f.21). Letrat janë të
thjeshta, ato mbanin jetën dhe kujtimet, që tashmë bëjnë histori, kurse romani
është një thesar që hap të vërtetën e së kaluarës. Kështu siç është shkruar ky
roman, duket se historia nuk është vetëm kronologji ngjarjesh, por një plagë që
pulson në çdo rresht. Dhe përkushtimi dhe respekti i autores për rrënjët familjare
është vlera thelbësore e këtyre mistereve. Kështu “45 Letrat e Lir Thaçit
për bijen e tij Martinën”, bëhen rrëfim objektiv drejt kuptimit të jetës
dhe dashurisë, veçmas bëhen kult i trashëgimisë shpirtërore që tejkalon kohën
kur zhvillohet ngjarja.
I.
Romani “45 Letra për Martinën”, mban
dedikimin “Një biografi romanore për babanë tim”, i Sabile Keçmezi-Bashës,
është vepër ku historia personale dhe ajo kolektive ndërthuren në mënyrë
organike, duke u shndërruar në akt kujtese dhe dëshmie artistike, për dramën e
një të burgosuri politik, sidomos për rrugëtimin e një kombi të shtypur, përmes
fjalës artistike e cila refuzon të mbytet nga terri i burgut. Shkrimtarja, me formim
historiane, ka arritur t’i jep rrëfimit formën dokumentare, pa e zhveshur rrëfimin
nga dimensioni poetik dhe filozofik. Letrat, tashmë janë shndërruar në hapësirë
rezistence, dhe kanë kapërcyer kohën, muret e burgut dhe vetë jetën biologjike
të të atit. Këto letra në një plan janë rrëfime intime, po aq edhe fragmente
historie, për të marrë përmasat e një vepre madhore për shoqërinë. Dhe jo
rastësisht Martina, kryepersonazhi, ka futur në funksion të kujteses personale
dhe asaj kolektive me amanetin e babait se: "Duhet të jesh e ditur,... jo
vetëm për veten tënde, por edhe më shumë për të tjerët.", (f.23).
Struktura e romanit hapet me këtë amanet,
në anën tjetër figura e gjyshes dhe akti i dorëzimit të letrave krijojnë
kornizën narrative dhe emocionale të romanit. Ky fillim jo vetëm që e lidh
lexuesin me rrënjët familjare të personazheve, por e përgatit atë për peshën
simbolike që mbart fjala e shkruar brenda këtij romani. Martina, si personazh,
përfaqëson fëmijën e palindur, të ardhmen dhe lirinë, ndërsa Lir Thaçi mishëron
figurën e atdhetarit stoik, i cili, ndonëse i kufizuar fizikisht, mbetet i lirë
në mendim dhe i pathyeshëm në ideal. Ngjarjet e romanit shtrihen diku nga përfundimi
i Luftës së Dytë Botërore, që nis me masakrën e Tivarit, shtetrrethimi i viteve
të dyzeta, jeta e Lirit nëpër burgje të rënda, pastaj jeta pas burgut, duke
përfshirë vdekje të njëpasnjëshme familjare dhe me fundin tragjik si pasoj e regjimit.
Edhe pse letrat e Lirit, nuk kanë datë,
as muaj dhe as stinë të vitit, ato ruajnë kronologjinë historike të të gjitha
ngajrjeve. Sepse siç rrëfehej vet ai, për një të burgosur ditët janë numra, andaj
“Letrat për Martinën”, i shkruante vetëm me numra, 1-45. Në shumë sish
ka shpjeguar pse ai ndodhej në burg, dhe për rrethanat shoqëroe e politike të
asaj kohe. Liri paraqitet si figurë e stoicizmit modern, ai nuk ankohet, por
përpiqet të shpjegoj vuajtjen dhe atë ta shndërrojë në forcë meditimi. Kronika
e këtij ditari interesant është pjesë e etikës njerëzore. Rrëfimi i tij nis nga
tragjedia e Tivarit, pastaj përvoja me shokët e burgut, dhimbjet fizike dhe
shpirtërore, malli për familjen, e bëjnë figurën e Lirit, të veçantë, dhe nëse
e kundrojmë nga një dimension më universal, vuajtjet dhe shpresat e njerëzimit
“bashkëjetojnë”.
“Të kam thirrur
Martinë, dhe ky emër nuk është zgjedhur rastësisht. Do të thotë forcë,
qëndresë, si një pushkë e vjetër, që stërgjyshërit tanë e mbanin në betejat e tyre”,
(fq.35). E duke lexuar këtë roman,
fare lehtë kuptohet se Martina ende nuk paska lindur, kurse emri i saj do të jet
emër i një heroine, që vjen nga thellësitë e historisë sonë. Pastaj ajo do
të mburret me këtë emër, sikurse edhe Liri do të mburret me emrin e saj. Dhe
moj bijë “Kush nuk është me yllin pesëcepësh, është armik i popullit të
tij.”, (f.35), prandaj për të gjithë luftëtarët shqiptarë në Luftën
e Dytë Botërore që nuk ishin partizan,”deti u bë varr dhe varri u bë det”, (f.37).
Atje në tragjedinë e Tivarit, Liri kishte parë të vrarë: Balin, Tonin, Nezën,
Bacalokun, e shumë të tjerë, sepse “aty frika kishte bërë folenë e saj
të errët,”,(f.38). Dhe në atë katrahurë dikush me varkë e kishte tërhoqur
Lirin dhe ndonjë tjetër: “- O Zot, ky qenka një fëmijë... - Kush e ka
marrë në qafë? - pyeti një tjetër. - Nga është, vallë? - pyeti një zë i
tretë.”, (f.38-39). Andaj çdo letër e këtij romani pasqyron e ndriçon një histori
të trishtët, që nga masakra e Tivarit, ku mijëra të rinj shqiptarë humbën
jetën, në burgjet e shumta, ku shtrihej spiralja e dhunës dhe torturat që i
ndoqën shqiptarët, prandaj çdo letër e Lirit shndërrohet në një përvojë të
prekshme. Në këto rrëfime, apo copëza letrash, Martina sjell vetëm kujtimet e
babait të saj, duke u shndërruar në dritë që ndriçojnë atë epokë të errët. Fillimisht
“Masakra e Tivarit”, pastaj... mijëra të rinj shqiptarë humbën jetën, përmes
romanit do të kthehet në përvojë njerëzore, a në ëndrra që nuk u përmbushën
kurrë.
Kjo trajektore jetësore e Lirit nuk
është një histori individuale, por përmbledh fatin e mijëra shqiptarëve të
përndjekur politikisht. Në këtë kontekst, “Letrat për Martinën”, shndërrohen
në revoltë qytetare kundër një sistemi shtypës, duke dëshmuar se fjala nuk njeh
burg dhe se kujtesa është forma më e qëndrueshme e rezistencës. Natyrisht,
sidomos në këto rrethana gjuha e romanit është e ngarkuar emocionalisht, e
lustruar me një poetikë të përmbajtur, në të cilën metafora, imazhi dhe heshtja
funksionojnë si mjete të fuqishme, me një ritëm të brendshëm që e përfshin
lexuesin jo vetëm në rrjedhën e ngjarjeve, por në gjendjen shpirtërore të
personazheve. Kjo formë epistolare (letërkëmbimi), e bënë romanin si kategori
letrare krejtsisht ndryshe nga ata që kemi lexuar deri më tash.
II.
Romani “45 Letra për Martinën” i
Sabile Keçmezi-Bashës, është një vepër me peshë dokumentare, kushtuar figurës
së babait të autores, edhe ai një i burgosur politik në burgun e Nova
Gradishkës. I ndërtuar mbi “45 Letra” që Liri ia drejtonte vajzës së tij
ende të palindur, Martinës, e bënë roman të qëndresës dhe reflektimit
intelektual në kushtet e dhunës totalitare që aplikonte sistemi komunist jugosllavë.
Këto letra dëshmojnë për një platformë kundër shqiptarëve, në anën tjetër
tregohet rezistenca shqiptare për të sfiduar, dhe mënyra se si është përpunuar
ideja mbi lirinë dhe identitetin kombëtar.
Nëpër mes hetuesit Radoja, shpjegohet se
si të burgosurit, e “Kishin harruar si e thërrisnin, sepse për ata ai ishte
thjesht një bishë.", (f.65). Përmasat e dhunës sistematike, madje deri
në mbytjen e të burgosurve kishte vepruar aparati shtetëror nëpërmes rrjetit të
vet. E vetmja mundësi proteste ndaj këtijë formati të dhunës, të burgosurve,
veçmas Lirit, i kishte mbetur greva e urisë, e cila mbahej në shenjë
solidarizimi me Bradhin. Kështu, “Pas gjithë asaj që ndodhi, të nesërmen kur
na thirrën për të dalë në shëtitje, unë nuk pranova të shkoja. Kur e sollën
bukën e drekës, unë dhe dy shokë të tjerë refuzuam ta merrnim. Kështu vazhduam
për katër-pesë ditë, duke bërë grevë urie. Një protestë e heshtur, e zymtë, për
sjelljen e egër që kishte pasur Radoja ndaj Bardhit.”, (f.65). Në këto
raste vazhdohej me skenarin tjetër, fillimisht me ledhatime dhe pastaj me
tortura psikike e fizike, siç përshkruhet nëpër letra, dhe sjellja e Josipit, drejtor
i burgut, i cili edhe ai ishte i keq po aq sa hetuesi Radoja. Gjithnjë sipas
letrave që Babai i Martinës i shkruante asaj: "Liria ka ngjyrën e
gjakut, bija ime. Gjaku i Bardhit dhe i shumë Bardhave të tjerë, që mbetën në
luginat e Tivarit, të Sremit, në tokat e përgjakura anembanë Jugosllavisë, duke
ndjekur lirinë e kuqe, atë liri që nuk vjen pa sakrificë”. Edhe liria jonë,
pohonte ai: “është ngjyrosur me gjakun e trimave, me ngjyrën e flamurit, dhe
me ngjyrën e Kosovës që aq shumë e duam.”, (f.67).
Emërtimi i këtyre personazheve “Liri dhe
Martinë”, përbën boshtin semantik të romanit, ndërsa trekëndëshi letrar “Gjyshja-Liri-Martina”,
do të shpalos një filozofi të veçantë të jetesës në kohë robërie. Autorja duke iu
shmangur shprehjeve patetike, përmes gjuhës me përmbajtje figurative, ka
arritur të shpërfaqë imazhe të qarta dhe heshtje domethënëse. Ky stil kaq i
matur e ka shndërruar tekstin e romanit në një hapësirë reflektimi, ku lexuesi
jo vetëm ndjek rrëfimin, por ka për t’i përjetuar përmasat e dhunës
sistematike, kundrejt të burgosurve shqiptarë. Natyrisht ky sukses i romanit
është një ndërthurje e përvojës profesionale të autores si studiuese e
historisë me krijimtarinë letrare. Përmes këtyre letrave, edhe nëse krejtsisht
janë pjellë e fantazisë, ato përjetohen si lexim faktografik i rrëfimit të
babait, ose të një babai. Pavarësisht asaj se çfare janë këto dokumente,
autorja ka ndërtuar një kujtesë letrare mbi traumën, si përpjekje origjinale për
të kuptuar të shkuarën, përmes formës estetike të strukturimit. Prandaj, romani
është shndërruar në një art të vetëdijes artistike, kundër harresës kolektive, kryesisht
me këtë formë dokumentimi nga plagët ende të hapura që nga Lufta e Dytë
Botërore.
Thellimi i Martinës në leximin e këtyre
letrave, nuk do të mbetët pa tërhequr vëmendjen e gjyshës e cila shpeshherë do
ta këshilloj Martinën, të "mos i lexom më ato letra", dhe me atë
sjelle të butë, gjyshja do të vazhdojë: "Po të tmerrojnë. Po të bëjnë
keq." Në ato momente, Martina djeu si një, “ngushëllim në mes të
një bote që shpesh dukej e egër dhe e paqartë.”, (f.70-71). Dhe padyshim me
një zë të akullt, gjyshja e paralajmëronte Martinën se dënimet mund të jenë të
rënda, kurse në anën tjetër edhe fjalët e Lirit, paralajmëronin re të zeza në
qiellin e errët, e në shpirtin e saj ishte krijuar vetëdija se “e vërteta
ishte një armë që askush nuk mund ta merrte.”, (f.72). Prandaj edhe plagët sado
të thellë që do të ishin, “do të gjejnë një mënyrë për t’u mbyllur, siç
ndodh me çdo dimër, që lë vend për pranverë. Megjithatë, mos harro, bija ime,
se dasmë pa mish nuk ka. Nëse duhet, do të jap edhe jetën time, vetëm që Kosova
ime të jetë mirë, vetëm që ajo të mbijetojë si një yll që ndriçon në
errësirë.”, (f.73), thuhej në mesazhet patriotike në përmbajtjen e
letrave që Liri ia adresonte Martinës. E në një nga letrat, ai shkruante: Bardhi,
" Sot në mëngjes, na la. U largua, Martinë, iku përgjithmonë...", (f.76).
Andaj,“Qava, bija ime, qava si kurrë më parë.”, (f.77). E si të
mos derdhte lot për mikun e zemrës, për mikun me të cilin kishte ndarë çdo
moment të jetës, “të mirën e të keqen, brenda mureve të atij burgu të
ftohtë? (f.80). Ky meditim filozofik, e bënë rrëfimin intim dhe romanin
me vlerë përtej një letërkëmbimi të zakonshëm.
Në thelb, romani “45 Letra për
Martinën” është një roman testament i moralit intelektual të njeriut që
refuzonte të thyhej nga dhuna e pushtetit. Përmes këtij komunikimi tejet interesant,
Liri ka dëshmuar se dinjiteti njerëzor nuk mund të burgoset. Ky roman mbetet
një mësim jo vetëm për forcën e shpirtit dhe për kujtesën historike, por edhe
për pozicionimin e faktorëve relevant brenda rrëfimit. Këtë mendim për qasjen
tejet interesante na e sjelljë shpirti i pathyer i Lirit:“Edhe shokët e qelisë u befasuan nga
shpejtësia me të cilën e rimora veten?!” Edhe pse ata i thoshin me humor të lehtë: ‘Lirë, sa shpirtra ke ti?’”,
Liri do të përgjigjej se: “Kam shumë punë për të bërë..!’”, (f.96).
III.
Ky roman nuk është ndërtuar mbi kuptimin
konvencional të fjalës. Ai përbën një akt të thellë kujtese, një urë të
padukshme, por të qëndrueshme, që lidh kohët, brezat dhe përjetimet njerëzore
përmes një forme intime të rrëfimit. Letrat janë ndërtuar si një dialog i
heshtur mes së shkuarës dhe së tashmes, mes kujtimit personal dhe historisë
kolektive, duke i dhënë lexuesit ndjesinë e një dëshmie që tejkalon kufijtë e
biografisë individuale efamiljare. Dhuna kundër tyre ishte shtrirë deri në
ekstremin e marrëzisë, andaj nga lodhja
dhe tmerret e përjetuar, të burgosurit me gëzim presnin ditën e gjykimit,
pavarësisht vendimit, çfardo le të ishte ai: "O, le të mbahet vetëm ai
proces gjyqësor!", (f.97), është rrëfim mjaftë rrëqethës, dhe pastaj do të vijë: “Dita... për të dalë para gjyqit;
ne s’kemi as mbrojtës, as ndihmës... por, Dika (Sadiku), më tha një ditë
se kishte dëgjuar që shteti po paguante një avokat që do të na mbronte. E,
Martinë, çfarë mendon ti? A do të na mbrojë vërtet ai avokat që e dërgon vetë
shteti, apo do të jetë thjesht një lojtar në skenën e kësaj tragjedie, duke
ruajtur një të kaluar të mbushur me padrejtësi e dhimbje?”, (f.101).
Në këtë mënyrë, romani nuk kat vetëm
fjalë të radhitura në mënyrë narrative, por me objektivitet, falë këtij letërkëmbimi,
ka bartur dhimbjen, krenarinë, dhe mallin e të burgosurve për dashurinë dhe
lirinë e atdheut. Ky letërkëmbim është shndërruar në një tribunë rrëfimi të
ngarkuar emocionalisht, aty ku fjala e shkruar bëhet strehë kujtese dhe mjet
komunikimi përtej mungesës dhe kohës. Përmes këtyre letrave, autorja ndërton
një rrëfim të brendshëm, të ndjeshëm dhe të sinqertë, që e afron lexuesin me
thelbin njerëzor të përjetimit. E pas atij gjykimi shihet se në grupin e tyre
edhe pse “kishin qenë shtatë veta, por, pas tragjedisë së Bardhit, kishin
mbetur vetëm dy: Liri dhe Dika, (Sadiku) e për të tjerët ai nuk dinte
nga kishin tretur.”, (f.103). Prokurori, kishte kërkuar dënimin maksimal
për Lirin dhe Dikën. Në sytë e tij, dy shqiptarët ishin armiqtë e popullit, andaj
sipas tij, meritonin të zhdukeshin pa mëshirë nga faqja e dheut. Edhe pse në atë
gjyq, Liri kishte shpreh dëshrën të fliste, as kjo dëshirë atij nuk iu kishte
plotësuar...
“45 Letra për
Martinën”, padyshim se është një biografi
romanore, por njëkohësisht edhe një bekim i kujtesës. Figura e babait nuk
mbetet e mbyllur brenda kornizës familjare; tashmë ajo shndërrohet në simbol të
një brezi të tërë, të atyre njerëzve që, me sakrificë, përulësi dhe dinjitet, i
hapën udhë jetës, qëndresës dhe vazhdimësisë. Në këtë mënyrë, romani fiton
përmasa universale, aty ku rrëfimi personal shndërrohet në histori kolektive,
ndërsa dhimbja individuale merr vlerë të përbashkët njerëzore. “E dashura
Martinë”, në fillim të letrës së trembëdhjetë, Lir Thaçi shkruante: “Tani
e di se më kanë shqiptuar dënimin. E çuditshme, se në këtë gjyq të errët, për
ne që ishim nga Kosova, asnjë zë nuk kishte depërtuar. Kishim dërguar letra,
por me siguri ato kurrë nuk kishin arritur në duar të atyre që duhej t’i
lexonin, si zëra të humbur në një oqean të pafund.”, (f.107). Kështu, përmes
këtij romani nga Sabile Keçmezi-Basha, “trauma e burgut dhe dhunës” edhe
pse ka marrë trajtë artistike, ajo është shndërruar në një testament
shpirtëror. Ky testament nuk flet vetëm për të kaluarën dhe humbjen, por edhe
për përgjegjësinë ndaj së ardhmes, për nevojën e ruajtjes së kujtesës si akt
moral dhe kulturor.
Romani, në këtë kontekst, shfaqet edhe si
formë amanetit, si thirrje e heshtur për të mos harruar dhe për të mbajtur
gjallë lidhjen mes brezave, pasi thelbi i“traumës së burgut”, ishin “Organizatat
Ilegale”, dhe përpjekjet e shumta për të kaluar kufirin ilegalisht, në këtë
rast “tentimi i Lirit dhe Dikës për ikje në Itali”, pastaj procese të
montuara, gjykime jo të drejta, vendime të shtrembëra të cilat në shënjestër
kishin të rinjtë shqiptar, dhe kjo spirale e dhunës që kishte filluar gjatë
Luftës së Dytë Botërore nuk pushoi asnjëherë gjerë në çlirimin përfundimtar të
Kosovës. E, në gjykimin e Lirit ishin vetëm dy shqiptar, ja si shprehet
ai në një letër: “Emri i Dikes pasoi menjëherë, duke thënë se gjykata, në
emër të popullit, e kishte dënuar me katër vjet burg të rëndë. Dika ishte dy
karrige më larg, por arriti të më buzëqeshte, një gjest i vogël, por plot
ngrohtësi, ndërsa ulte kokën si për të shprehur se në këtë betejë ishim
bashkë.”, (f.110), dhe pas verdiktit gjyqësor “Unë ngela në Nova
Gradishkë, ndërsa Dika u dërgua në një burg të vogël të Kozinës, kështu më tha
avokati im, si një thënie që më ngarkonte me nostalgji dhe brengë.”, (po
aty, f.110). Sipas këtyre rrëfimeve, fjala e shkruar arrin kulmin e saj kur
shndërrohet në art të përbashkët. Ky art i Sabile Keqmezi-Bashës, që rrëfen me
ndershmëri dhe ndjeshmëri, e bënë lexuesin kureshtar dhe pjesë e kësaj kujtese,
e këtij rrëfimi dhe i kësaj “traume” kolektive, që do të mbetet një ndër
romanet artistike, për të cilin letërsia shqipe, veçmas ajo në Kosovë ka pasur
nevojë.
IV.
Romani “45 Letra për Martinën”, manifestohet
si një udhëtim mes dy botëve - asaj personale dhe botës kolektivi. Çdo faqe, duket
si një gjurmë e kujtesës së përjetuar, merr jetë të re nën penën e autores, e
cila ka rrëfyer qetë, në mënyrë njerëzore dhe të ngrohtë. E në letrën vijuese
Liri shkruan: “Mbrëmë, një valë e re të burgosurish mbërriti, dhe tani dhoma
ime është mbushur me pesë shpirtra të tjerë. Ndër ta, një ushtarak nazist
gjerman, një figurë që më bëri të ndalesha dhe të mendoja. Nuk e di ç’të mendoj
për të, por një gjë është e qartë: Popullin gjerman e respektoj dhe ndiej një
admirim të thellë për të. Ata janë trima, të bujshëm dhe punëtorë, një popull
me një shpirt të veçantë.”, (f.116). Jo rastësisht autorja shkruan
me kaq ndjeshmëri, për popullin gjerman, duke i dhënë realitetit të ri kuptim
të arsyeshëm, duke na kujtuar se veprat e vërteta artistike lindin kur edhe përvoja
e dhimbshme manifestohet si alencë mes popujve, ky pasus me guxim është
transformuar në rrafshin human, si artikulim që prek zemrën e secilit. Romani “45
Letra për Martinën”, është një testament i kujtesës, dhe një përpjekje për
të rikthyer zërin e viteve të mbuluara nga heshtja, për t’i dhënë dritë jetës së
thyer e të shkatërruar, por sfiduese. Kështu, romani është ngritur në nivelin e
një narrative përfaqësuese, sidomos kur historia e një individi bëhet dokument
për të kuptuar dhunën sistematike mbi tërë popullin tonë.
Figura e Lirit, protagonistit kryesor të
romanit, i jepet dimensioni i simbolit, ku një individ me sukses e mishëron
fatin e një gjenerate të tërë, i detyruar të përjetojë vuajtjet e represionit
jugosllav. Ardhja e gjermanit në dhomën e të burgosurve siç shprehet ai: “Në
atë çast, në atë dhomë burgu, filloi të lulëzonte një grimë njerëzillëku, si
një kopsht që lindi mes betonit të ftohtë.”, (f.118), kurse
portretizimi i Hansit, siç do të shifet, merrë të gjitha epitetet poezitive. Ai
për Lirin do të bëhet, prind e vëlla, do të bëhet mësues dhe edukator nga i
cili Liri do të mësoj jo vetëm gjuhën gjermane, por do të mësoj edhe
matematikë, dhe për më tepër do të mësoj edhe përvoja jetësore, pasi Hansi
ishte një ushtrak i lartë dhe me përvojë profesionale dhe jetësore.
Autorja nuk e ka thjeshtësuar historinë,
ajo me ndërgjegje dhe me ndjeshmëri ka rrëfyer, duke e kthyer dhimbjen kolektive
në kujtesë të përhershme. Ajo, me këtë roman e shkruan të vërtetën historike si
reflektim moral, duke iu përkushtuar letrave të të atit, duke lexuar edhe aktgjykime
të tjera, deklerata dhe rrëfime të burgosurve të shumtë shqiptar që nga Lufta e
Dytë Botërore e gjerë në ditët tona. S’ka gjë nëse ajo, apo ajo në cilësinë e
Martinës, përmes figurës së të atit a të Lirit dhe shokëve të tij, e fut
lexuesin në thellësinë e absurditetit të shtypjes, dhe duke përshkruar me kaq
hollësi “traumën e burgut e të dhunës”, ka arritur edhe artistikisht të mbrojë
një kauzë të cilën ajo e ka pjesë të hulumtimeve në fushën e historisë. Ftesa e
këtij romani, është për të mos humbur kontrollin e arsyes mbi jetën tënde, për
tu bërë pastaj pjesë e një teatri politik, ku roli i traumës është vetëm
nënshtrimi. Ndërsa këtu brenda këtij romani, edhe brenda errësirës, lind drita
e brendshme e idealit të lirisë, që as burgjet, as torturat dhe as pushtetet
nuk mund ta shuajnë. Tashmë ky roman dokumenton, ndriçon dhe e bënë vuajtjen më
humane, duke e shndërruar në një rrëfim të vogël familjar, letrat shndërrohen në
testament kombëtar. Pa dyshim edhe historia e Lirit dhe shokëve të tij, përmes
këtij rrëfimi artistik, po bëhet histori e një populli, si një thirrje për të
mos harruar, dhe si një kujtesë tjetër për brezat e ardhshëm.
Sabile Keçmezi-Basha, ka ndërthurur me
kujdes profesional dokumentimin dhe imagjinatën, duke krijuar një tekst që prek
shpirtin dhe mendjen, që të fton të reflektosh mbi vuajtjen, krenarinë dhe
qëndresën. “E dashura Martinë, një ditë, lajmi që kishim pritur me padurim
erdhi si një rreze e diellit pas një stuhie: do të fillonim të punonim... Për
habinë time, mua dhe Hansin na caktuan të punonim në bibliotekë. Gëzimi i
Hansit ishte i pamasë; ai buzëqeshi me një shkëlqim të veçantë dhe më tha: ‘E
sheh sa mirë u bë! Tani mund të lexosh çfarë të duash.’ Dhe, vërtet, ashtu
ndodhi.”, (f.135). Por atij nuk i buzëqesh fati për të lexuar dhe punuar në
bibliotekë. Sepse si shpirtmirë që ishte, fliste shqip me të burgosurit
shqiptar, i ndihmonte ata për çfarë dëshironin dhe ua shkruante letrat. Kjo
mirësjellje e tij ishte keqpërdorur nga një i burgosur, për të cilina ai kurrë
nuk kishte besuar se kishte raportuar tek shefi, i cili një ditë, i
kishte thënë: “Nuk mund të punosh më këtu; po e keqpërdor punën që të besuam”,
edhe pse Liri nuk kishte pranuar, “ai ia tregoi letrën para syve dhe e
solli shqiptarin me vete. Ai, pa asnjë shenjë pendese, më tha: ‘Po, ju ma keni
dhënë letrën bashkë me librin.”, (f.136-137). Leximi i letrave dhe i këtyre
rrëfimeve kaq tronditëse, nuk është vetëm estetikisht kënaqës, por edhe në
planin meditativ është dinjitet dhe guxim, letrat janë trashëgimi e përjetshme.
Romani “45 Letra për Martinën”, është një akt i përgjegjësisë
intelektuale dhe morale, një vepër që ruan kujtesën kolektive, duke ndërtuar
një trashëgimi kulturore dhe historike, dhe njëkohësisht ka rikthyer dinjitetin
e atyre që luftuan dhe sakrifikuan.
V.
“Edhe tani, pas dy
ose tre vjetësh, pasojat e asaj torture vazhdojnë të më ndjekin, një kujtim i
hidhur që më përndjek. Më duhet të pranoj, Martinë, se tani nuk dëgjoj më aq
mirë. Por, hëpërhë, kjo nuk është më e rëndësishmja.”, (f.144). Sabile Keçmezi-Basha, veprën e ndërton mbi
një strukturë epistolare-letërkëmbimi, secila letër është një pasqyrë e qartë e
jetës, vuajtje dhe shpresë e babait të Martinës. Në këtë vepër, letrat nuk janë
vetëm mesazhe drejtuar një fëmije (të themi në formë imagjinare), ato janë
dëshmi, kujtesë dhe testament shpirtëror që bashkon të kaluarën, tashmen dhe të
ardhmen e një familjeje të tërë. Që nga letra e parë, ku babai i drejtohej
Martinës e cila ende nuk kishte lindur, lexuesi futet në një botë ku dashuria
dhe shpresa janë forcë e mbijetesës. “E dashura vogëlushe, ende
nuk ke ardhur në këtë botë, por e ndiej praninë tënde në çdo frymëmarrje të
kësaj jete të mbushur me sfida.", (f. 33). Ky varg është më shumë se një
përshëndetje, është një dritë që shpërfaq aftësinë njerëzore për të krijuar
lidhje që tejkalojnë hapësirën dhe kohën. Babai i Martinës, i burgosur dhe i
torturuar, përdor letrën si një strehë shpirtërore, një hapësirë ku mund të
rrëfejë frikën, ëndrrat dhe kujtimet e tij, duke e bërë Martinën pjesë të jetës
së tij, para se ajo të ekzistonte. Asaj i tregon se si ishin detyruar ta
pastronin një serb të pist të cilit rrobat ia kishte pastruar Liri, ndërsa
Hansi trupin, “por, para se të largohej, na e zbuloi një të vërtetë të
hidhur që na tronditi: të gjitha ato tortura që kishte ushtruar ndaj meje ishin
urdhëruar nga Radoja, ai që më kishte thyer gishtat në burg. Ishte ai që i
kishte ngarkuar detyrën për të më thyer edhe shpirtin”, (f.147), një
moment tjetër mjaftë prekës i këti rrëfimi romanot, janë këto pasqyrime të
vuajtjeve dhe të traumave.
Përmes rrëfimeve të Lirit, babait të
Martinës, përjetimet e torturave dhe vdekja e mikut të tij, Bardhit, bëhet
gjurmë e pashlyeshme e sakrificës dhe rezistencës njerëzore. “Bardhin e
morën mbrëmë, e kishin shkallmuar, si të ishte një bishë... Sa e hollë është
ajo fije që na ndan nga bisha, nga ajo shëmtirë, që rri në errësirën e
brendshme të shpirtit njerëzor.”, (f.60). Në këta rreshta, autorja tregon
se dhimbja personale lidhet ngushtë me një tragjedi kolektive, duke u kthyer në
dëshmi historike të një kohe të zymtë dhe të vështirë për shqiptarët. Lexuesi
ndjen çdo goditje si një eklips të shpirtit, ku dhimbja individuale është
reflektim i vuajtjeve të popullit dhe i qëndresës së tij. Në mesin e errësirës
dhe vuajtjeve, një ngjallje shprese sjell miqësia me Hansin, gjermanin që bëhet
“engjëll mbrojtës”, (f.152). Kjo miqësi, e lindur në një kontekst të
tmerrshëm, shndërrohet në një simbol të humanizmit dhe solidaritetit. “Ai
xhemper, me ngjyrat e tij të ngrohta, u bë një simbol i lidhjes sonë, një
kujtim i një miqësie që lulëzonte mes hijeve të vështira të jetës në burg.”, (f.140).
Këtu, lexuesi ndeshet me një kontrast të fuqishëm, midis brutalitetit dhe
dhimbjes, lind një lidhje njerëzore që përjeton përtej çdo vështirësie. Miqësia
mes Lirit dhe Hansit shndërrohet në një metaforë të dritës së papritur në
errësirën absolute të burgut, që është një kujtesë se edhe në kushtet më ekstreme
të ekzistencës, njeriu mund të ruajë aftësinë për të dashur dhe për tu lidhur
shpirtërisht me të tjerët.
Rrëfimet në roman nuk kufizohen vetëm te
vuajtjet individuale. Rrëfimet shpalosin edhe jetën familjare të Lirit, ku
lumturia shfaqet në çaste të shkurtra, ndërsa fatkeqësitë dhe sprovat janë të
pranishme në çdo hap. Marrëdhënia e tij me Zojën dhe lindja e Martinës janë
simbole të qëndrueshmërisë së shpirtit dhe të dashurisë që sfidojnë kohërat. Letra
bëhet një urë lidhëse mes së shkuarës së dhimbshme dhe së ardhmes, mes jetës së
realitetit dhe asaj të imagjinatës, duke krijuar një mozaik ku çdo emocion ka
peshën e vet. Përmes saj, lexuesi kupton se kujtesa dhe rrëfimi janë forma të
fuqishme për të ruajtur identitetin dhe për të transmetuar përvojën njerëzore. Në
qendër të romanit qëndron dashuria e babait për bijën e tij. Ajo është drita
dhe burimi i forcës së Lirit: “Të dua, Martinë. Fjala ‘të dua’ nuk mund të
përmbledhë gjithë atë që ndiej për ty. Je burimi i forcës sime, drita që më
udhëheq në errësirën e këtij vendi.”, (f.120).
Kjo dashuri, e cila lind nga nevoja për
të shpëtuar shpirtin dhe për të lënë gjurmë, kthehet në një testament universal
që flet për të gjithë ata që përballen me humbje, tortura dhe vështirësi.
Kështu, letrat e Lirit nuk janë vetëm dokumente të jetës së tij, por një thesar
human që përçon mesazhin se dashuria dhe kujtesa janë element i domosdoshëm për
mbijetesën e shpirtit. Çdo letër është një hapësirë intime, një dialog i
vazhdueshëm me një qenie që nuk ekziston ende, ku rrëfimi i jetës, kujtimeve,
vuajtjeve dhe ëndrrave ndërthuret me reflektime filozofike mbi ekzistencën,
lirinë dhe dashurinë. Letrat shndërrohen në një art të brendshëm, një prozë
poetike që dokumenton jetën si një rrëfim shpirtëror. “Kurrë nuk kam dëgjuar
për dikë që shkruan letra për fëmijë ende të palindur”, (f.156), i
kishte thënë edhe ai gjermeni me të cilin ishin bërë miq të afërt.
Tani më, “45 Letra për Martinën”,
nuk janë kapituj vetëm të një romani-letërkëmbimi; është një vepër që lidh
historinë personale me historinë kolektive, vuajtjen me shpresën, dhe humbjen
me dashurinë. Sabile Keçmezi-Basha, ka krijuar këtë rrëfim të fuqishëm, ku
letrat bëhen një instrument i kujtesës, një thesar shpirtëror dhe një testament
dashurie. Romani, na mëson se edhe kur koha është e errët dhe shpresa duket e
humbur, fjala e shkruar, kujtesa dhe dashuria mund të jenë instrumentët më të
fuqishëm për të përballuar çdo sfidë. Ky roman në njëfarë mënyre flet edhe për
trashëgiminë e përjetësuar të ndjenjave, vuajtjeve dhe idealit. Sepse çdo
letër, çdo rrëfim dhe çdo kujtim i Lirit nuk është një dokument historik, por
një testament i jetës, një mesazh i fuqishëm për ata që vlerësojnë dashurinë,
besimin dhe qëndresën shpirtërore. Në botën e Sabile Keçmezi-Basha, këto letra janë
bërë më shumë se sa fjalë, tashmë ato janë dritë, strehë dhe testamenti i atij
shpirtit që nuk dorëzohej kurrë.
VI.
Siç e kam thënë, romani është ndërtuar
si një udhëtim intim imagjinar, ku secila letër bëhet një hap drejt thellësive të
njeriut.“Martinë, o Martinë, çfarë lajmi më solli kjo ditë e mrekullueshme!
Më njoftuan se..., më kanë falur një vit burgu. Çfarë ngjarjeje! Çfarë befasie!
Nuk arrij ta besoj se si është e mundur. A është ndonjë shaka e gardianëve,
apo, vallë, realiteti ka ardhur të më përqafojë pas kaq shumë vitesh?”, (f.169).
Ky moment dhe të tjerë e bëjnë romanin vepër që të lexohet me zemër, duke
ndjerë rrahjet e fshehta të shpirtit të një babai që dokumentonte dashurinë,
vuajtjen dhe shpresën për një vajzë që ende nuk i kishte lindur. Letrat e tilla
i bëhen një strehë ku do të ndriçohet marrëdhënia e fuqishme babë-bijë, dhe ku
çdo emocion merr peshën e tij të plotë. Në vazhdim të këtij romani, Lir Thaçi,
i shkruan të bijes emocionet e këtij përjetimi, madje ai qysh tani fillon të
strukturon ndjenjën e tij individuale, duke u bërë si një hapësirë e meditimit.
“Nesër…, nesër do të dal nga kjo birucë dhe do të jem një zog i lirë, do të
jetoj jetën nga e para. Po Kosova, në çfarë gjendjeje do të jetë?”, (f.170),
madje ai shpreh frikën “se si do t’i marr letrat dhe si do t’i kontrabandoj
ato.”, (f.171).
Kjo kujtesë nuk funksionon vetëm si një
arkiv i ngjarjeve të kaluara, por si një hapësirë e gjallë shpirtërore, ku çdo
letër është një dritare e hapur drejt të shkuarës dhe e njëkohësisht një
thirrje për të jetuar me ndërgjegje dhe ndjeshmëri të tashmën. Secila nga 45 letrat
është një gur i vendosur me kujdes në murin e përvojave njerëzore, duke krijuar
një ritëm të brendshëm që lexuesin e fton të meditojë mbi jetën, humbjen dhe
dashurinë, ku figura e Martinës shfaqet si një simbol i dyfishtë, ajo është
prani e prekshme dhe një metaforë e përjetshme e shpresës dhe dashurisë. Ajo
jeton në kufirin mes reales dhe metaforës, mes kujtesës konkrete dhe
shpirtërores së pashlyeshme. Përmes letrave, babai i saj shpreh një dashuri të
një lloji tjetër - një dashuri që ekziston para se të lindë fëmija, një dashuri
që gjen forcë në vetminë e torturave dhe të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj së
ardhmes.
Tashmë, “Në mëngjes, siç të shkrova,
më liruan nga burgu. Nuk mund ta përshkruaj se si ndihesha - i habitur dhe i
tronditur, kur lashë pas burgun, të gjithë ata njerëz që jetonin në errësirë,
brenda mureve të tij. Asnjë nuk e ndjeva si shok, as hungarezin që u lirua para
meje.”, (f.172), i cili “iku, pa fjalë, pa përshëndetje me të
tjerët. Për çudi, më përshëndeti vetëm mua. ‘Rrugë të mbarë edhe ty,’ - më tha,
duke buzëqeshur, ‘do shihemi përsëri, por jo këtu… kurrë.’”, (f.172). Kjo
vetëdije e ngritur në kulturë respekti, do të përjetohet edhe më ngrohtë me
kroatët nga mirësjelljet e tyre: “Njëherë e pyeta një kalimtar të rastit:
‘Ku është stacioni i autobusëve?’ Ai më tregoi drejtimin dhe më tha se për
dhjetë minuta do të isha atje. Nxitova me gjithë forcën time dhe, vërtet,
arrita te stacioni. Aty qëndronte vetëm një autobus, dhe e kapa me zor. Me zë
të ngutshëm pyeta: ‘Për ku shkon ky autobus?’ Shoferi hapi derën, më pa dhe
tha: ‘Hyr, për Zagreb jemi nisur.’”, (f.173). Kurse Liri me të drejt
ishte habitur se si shoferi i autobusit e dinte se për ku udhëtonte ai. Dhe
pasi ishte rehatuar e kishte kap gjumi papritmas, (f.173). Pas një kohe
të shkurtër e kishte zgjuar “një burrë.., për të paguar biletën”, (po
aty, f.173). Ndërsa në Zagreb, përseri shoferi i autobusit pasi e kishte
shikuar me vëmendje, “‘Ja, aty afër,’ tha, duke treguar me dorë një kamion
të madh që qëndronte më tej. ‘Ata janë nga vendi im dhe sot, për fatin tënd,
janë nisur për në Beograd për të dërguar mallra. Shko pyeti, ndoshta të
marrin.’”, (f.174), madje vet ai kroati i lëshoi një bori të shkurtër dhe
kamioni ndaloi në mes të rrugës, “Shoferi i autobusit i tregoi se unë
udhëtoja për Beograd dhe, pas një lutjeje të vogël, ai - shoferi i kamionit
pranoi të më merrte me vete. Me hapa të shpejtë u ngjita në kabinën e kamionit,
me zemrën që më rrihte nga gëzimi dhe frika.”, (f.174).
“Shoferi i kamionit
më hodhi një shikim të befasuar dhe me një buzëqeshje të hidhur pyeti: ‘Nga
burgu vjen?’ Pa u menduar shumë, i thashë: ‘Po, nga burgu.’ Ai ngushtoi buzët,
duke mërmëritur si për vete: ‘E po, këtu thonë se nëse s'ke qenë në burg, nuk
je ende burrë.’”, (f.174), pastaj
ata kishin nisur të bisedonin, por Lirit iu kujtua këshilla e Hansit:
“Mos i beso askujt”, (po aty, f.174). Siç rrëfen në letrën e tij
dërguar Martinës, “pas një udhëtimi të gjatë, shoferi ndaloi, nxori ushqimin
nga prapa dhe e shtroi para meje. ‘I burgosur,’ tha me një buzëqeshje të
ngrohtë, ‘koha për drekë.”, (f.174-175). Por përseri del në pah mirësjellja
kroate: Pasi nata kishte rënë ata hynë në Beograd, Jozefi e kishte afruar me
kamion deri afër stacionit të trenit. Kishte zbritiur për të shikuar kur treni
shkonte për Bujanoc. “Ai, pas pak u kthye me një biletë në dorë dhe më tha:
‘Nxito, se treni niset tani.’ I thashë: ‘Po, sa ju kam borxh për të gjitha
këto?’ Ai buzëqeshi, nxori kokën nga dritarja dhe më tha: ‘S’ke borxh asnjë
dinar, nxito, se të iku treni!’ Pastaj ndezi kamionin dhe u largua.”, (f.175).
Narrativa e këtij romani shpalos me
kujdes vuajtjet e Lirit, babait të Martinës, i cili jeton në hijen e një
regjimi shtypës. Çdo letër ka dhimbje dhe çdo humbje shndërrohet në dëshmi
historike. Vdekja e mikut Bardhit, miqësia me Hansin, përballja me urdhrat dhe
kërcënimet e pushtetit - të gjitha këto bëhen element i një rrëfimi ku
tragjedia individuale ndërthuret me atë kolektive. Pushka e vjetër - Martina,
simbol i mbijetesës dhe i absurditetit të një kohe të shtypur, bëhet metaforë e
realitetit ku çdo veprim, edhe më i vogli, ka peshën e jetës dhe të vdekjes. Në
këtë kontekst, letërsia shndërrohet në një akt shpëtimi shpirtëror. Fjala nuk
është më vetëm mjet komunikimi, ajo bëhet dritë që ndriçon atë që hesht, kujtim
që rikthen jetën dhe shpresën, testamenti i një shpirti që nuk dorëzohet.
Fjalët e Lirit, të shkruara për Martinën, bëhen dëshmi drejt botës së brendshme
të një njeriu, që mes torturave dhe pasigurisë ka gjetur forcë për të lënë një
trashëgimi të përjetshme. Me këto kujtime për jetën e tij, Liri kaloi kohën derisa
arriti treni në Bujanoc. Natyrisht ishte shumë i lumtur. Të nesërmën në mëngjes
arriti në Bujanoc, dhe dikur në mesditë, një kamion të cilin e ngiste një serb,
me përbuzje dhe pasi ishte siguruar se ai kishte para, e mori. Dikur kishte
arritur në Crep, nga aty ishte nisur këmbë, dhe diku te Qafa e Topanicës, i
ishe shfaqur fshati në horizont.
Kur është futur në oborr një çun i ri
nuk e njohu, kurse nëna kur pa të birin si në vegim, i kishte rënë të fikët,
dhe ndoshta është rasti më prekës, kur nënës i shfaqet djali gjallë për të
cilin dinin se kishte vdekur si shumë të tjerë në tragjedinë e Tivarit.
Familjarët dhe fshati iu gëzuan lajmit se Liri është kthyer nga burgu i gjallë.
Estetika e romanit lind nga ndjeshmëria e thellë e autores, ku çdo fjali merr
frymë, kurse emocionet nuk përshkruhen thjesht, por përjetohen. Fryma
epistolare-korrospondencës i jep rrëfimit afërsi, duke kthyer leximin në një
eksperiencë estetike ku ndjenja dhe mendimi bashkohen në një harmoni të rrallë.
Lexuesi ndjen jo vetëm rrëfimin, por edhe shpirtin që flet përmes tij. Një
dimension tjetër i thellë i romanit është marrëdhënia me vendin dhe historinë.
Të qëndrosh në tokën e prindërve, përballë rreziqeve dhe pasigurisë, nuk është
vendim fizik, por akt i dashurisë dhe përkushtimit ndaj rrënjëve dhe kujtesës
kolektive, me një univers emocional ku vuajtja, kujtesa dhe dashuria ndërthuren
dhe kthehen në testament shpirtëror. Prandaj edhe romani “45 Letra për
Martinën” është një meditim mbi fuqinë e fjalës, mbi marrëdhëniet njerëzore
dhe mbi përjetësinë e kujtesës. Përmes këtij romani, Sabile Keçmezi-Basha, na
rikujton se letërsia është forma më fisnike e mbrojtjes së njeriut nga harrimi,
një akt i përhershëm i dritës që ndriçon brenda dhe jashtë nesh, duke u bërë
urë mes gjeneratave, mes dhimbjes dhe shpresës, mes të vërtetës së brendshme
dhe dritës që vazhdon të pulsojë.
VII.
Romani “45 Letra për Martinën”, vazhdon
me historinë personale të Lirit, ku përmes tij shpaloset një historisë e
vërtetë kombëtare si dhe vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin serb. Në qendër të
romanit qëndron portreti i babait, i cili përmes letrave për bijën e tij,
Martinën, ka shpalosur një botë komplekse të sakrificës dhe luftës për ekzistencë
dhe për të drejtat e popullit shqiptarë dhe për ruajtjen e identitetit
kombëtar. Tashmë Liri ka filluar jetën në liri duke u përballur me kushtet e
rënda sociale, por siç mësojmë nga letrat e tij shkruar për të bijen Martinën,
tashmë ai ka gjetur një vend pune. Punësimi i tij në xeherore-madem, edhe pse
puna e vështirë dhe me shumë rreziqe Lirit, kryepersonazhit të romanit, i
krijoi gëzim të madh. Edhe pse rrogën nuk e merrte me para të gatshme por me
triska, me të cilat ai mund të blinte ushqime, veshje dhe gjëra të nevojshme
për ekonominë familjare.
Përmes portretit të Lirit, Sabile
Keçmezi-Basha ka krijuar një mozaik të panumërt të halleve që kishin
shqiptarët, dhe në anën tjetër po aq të kompletuar mozaikun e idealistëve
shqiptarë, të cilët, edhe nën dhunë, shtypje dhe persekutime të egra, nuk u
dorëzuan kurrë. Ky portret, sidomos ai i Lirit, është i ndërtuar me kujdes të
madh artistik, ku secila letër pasqyron një dimension të veçantë të përjetimeve
shpirtërore, morale dhe emocionale. Romani karakterizohet nga një pjekuri e
veçantë letrare, që reflekton aftësinë e autores për të bashkuar memorien
personale me ngjarjet historike. Lexuesi, duke ndjekur rrjedhën e letrave,
mëson mbi kulturën dhe traditat shqiptare, mbi vuajtjet dhe sakrificat e
popullit, mbi shtypjet që përjetuan prindërit, gjyshërit dhe të gjithë
idealistët që luftuan për liri. Në këtë mënyrë, romani shndërrohet në një
dokument historik, dhe nëpërmes këtij rrëfim artistik, ku të vërtetat e trishta
të së shkuarës bashkohen me mjeshtërinë artistike të këtij romani.
Siç thash më parë tallonat që merrte Liri,
bleu farë dhe i mbolli arat me misër e fasule, dhe arat e tij filluan të
gumëzhijnë nga puna në to. Liri mbolli edhe patate, kurse kopshti përreth
shtëpisë u bë i gjallë dhe përplot me pemë e fruta. Familja nuk ndiente më
rrezikun e urisë nga e cila kishin vuajtur për vite të tëra sa ishte ai në
burg. Pastaj Liri bleu bagëti, kurse vëllezërit dhe motrat e ndihmonin atë.
Nëna dhe familja ishin të lumtur, ai u bë mjaftë i njohur në tërë fshatin dhe
përtej. Familja e Lirit u transformua krejtësisht, e në nderkohë, “erdhën
mesitët dhe kërkuan motrën time për një djalë të mirë dhe kështu e martuam
motrën e madhe - Agimen.”, (f.185), shkruante Liri në letrat e tij
për Martinën. Një gëzim i madh kishte hyrë në shtëpinë e tij. Bashkë me
bagëtitë që blenë, erdhën prodhimet e qumështit, djathit, gjalpit, do me thënë
jeta e tyre filloi të shpaloste një peizazh plot ngjyra me premtime të ëmbla e
meperspektivë.
Ky pasus dhe përgjithësisht tërë procesi
i këtij romani, është një analizë e thellë psikologjike e personazheve,
veçanërisht e babait, i cili përjetoi vuajtje të mëdha nëpër burgjet e Tivarit
dhe në Nova Gradishkës, por edhe dhunën tjetër të regjimit ndaj kombit
shqiptar. Përmes këtyre përshkrimeve, lexuesi kupton se madhështia e heronjve
nuk matet me fuqinë e tyre fizike, por me qëndresën shpirtërore dhe moralin e
papërsëritshëm, aftësinë për të ruajtur dinjitetin përballë padrejtësive më të
mëdha. Ky trajtim i kujdesshëm i autores i jep romanit një dimension të fortë
pedagogjik dhe moral, duke frymëzuar për guxim dhe ndërgjegje kombëtare. Veçori
tjetër dalluese e romanit është dimensioni metaforik dhe simbolik i letrave, të
cilat pasqyrojnë traumat e idealistëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Nga
letra në letër lexuesi mëson për absurditetin e proceseve gjyqësore, për
montimet dhe shpifjet e regjimit, për dënimet drakonike dhe për spastrimin
etnik. Përmes këtyre rrëfimeve, Sabile Keçmezi-Basha arrin të ndërthurë
historinë e dhimbshme me reflektimet morale dhe estetike, duke e bërë romanin
jo vetëm një rrëfim personal, por edhe një testament kombëtar.
Siç do të shihet, me kalimin e kohës
Liri do të martohet dhe shumë shpejt nusja e tij do të nisë shtatzëninë e parë,
kurse Liri i gëzohej këtijë momenti kur do ta njihte Martinën. Por Zoja lindi
djalë të cilin e pagëzuan Bardh, me emrin e shokut të burgut, që bartëte peshën
e kujtimeve nga jeta e burgut, dhe vërtetë ardhja e Bardhit ndryshoi jetën në
familjen e tyre. Por, një ditë, diçka ndryshoi, “Zoja, e shqetësuar, më tha
se djali kishte qarë tërë ditën. ‘Nuk do të pijë qumësht, nuk ka fjetur as një
çast,’ - më tha me atë zërin e saj të butë, por të ngarkuar me brengë. U afrova
pranë tij dhe..., dhe... i gjithë trupi i vogël i Bardhit ishte mbuluar me
puçrra të imëta, të vogla...”, (f.196). Fruthi - sëmundje kjo me puçrra, e pas
sëmundjes disa ditëshe erdhi edhe kobi i zi, Bardhi vdiq. “Pastaj... heshti,
dhe sytë e vegjël nuk u hapën më, si dy dritare që u mbyllën përfundimisht
përpara natës... nana ime..., mori fëmijën nga duart e Zojës dhe, me lot në sy,
tha me një zë që mbante brenda gjithë dhimbjen e botës: ‘O bija ime e dashur,
qofshi shëndoshë ju, se djali na shkoi...’ Dhe, qau, qau, si vetëm një nënë
mund të qajë..., duke përfshirë gjithçka me lotët e saj.”, (f.198). Në këtë
dhembje ishte edhe Zoja dhe padyshim edhe Liri... E pas vdekjes së Bardhit, përseri
Liri i shkruan letra Martinës: “Nuk e di çfarë mund të them, e dashur bijë.
Mos u dëshpëro. Edhe pse jeta na godet me thikën e dhimbjes, unë ende të dua
shumë. Ti je..., një shpresë që vazhdon të jetojë në zemrën time, edhe kur çdo
gjë tjetër duket se ka humbur.”, (f.199). Kjo balancë mes emocioneve dhe
historisë është për tu vlerësuar, ku dhimbja dhe pikëllimi shndërrohen në një
frymëzim për reflektim mbi qëndresën, dashurinë për atdheun dhe për ruajtjen e
kujtesës kolektive. Mesazhet e autores janë të qarta: për të ndërtuar një
shoqëri të lirë dhe të drejtë, çdo individ duhet të angazhohet, të ruajë
dinjitetin dhe të kontribuojë në realizimin e idealeve kombëtare. Në këtë
kuptim, romani e thekson se liria nuk është dhuratë, por një ideal që kërkon
sakrifica, guxim dhe qëndresë të vazhdueshme.
Zoja, ishte një grua e urtë dhe e
arsyeshme. Për kundër dhimbjes që ndjente, ajo e ngushëllonte shpeshherë Lirin
duke i thënë: “Mos u merakos, kjo është jeta; na e jep dhe na e merr
lumturinë, por dashurinë, atë asnjëherë nuk do ta mposhtë në zemrat tona.”, (f.200).
Këto “Letra për Martinën”, janë një homazh për idealistët kombëtarë,
për vuajtjet e popullit shqiptar dhe për trashëgiminë e një përvoje kolektive
që nuk duhet harruar. Me një mjeshtëri artistike dhe ndjeshmëri të thellë, ato
kanë ndërtuar një portret të fuqishëm të babait, historisë dhe të sakrificës. Në
përgjithësi romani është thirrje për kujtesë kolektive, reflektim dhe frymëzim,
duke u shndërruar në një testament dhe si referencë letrare dhe historike. Në
pritje për fatin që do t’u sillte jeta, në shtëpinë e tyre ishte shfaqur shoku
i ilegalës Fitor Bjeshka, i cili tregoi se “Në fshatin tjetër do të fillojnë
provimet për shkollën fillore,’ - më shpjegoi ai, duke më dhënë një shpresë të
re. Për të më siguruar, vazhdoi me fjalët: ‘Ti nuk ke kurrfarë problemi, e di.
Ke kryer katër klasa, edhe serbisht, edhe te hoxha,’ - shtoi ai me një zë të
ulët, si për të ruajtur respektin për hoxhën patriot, emrin e të cilit e mbanin
të ndaluar në errësirën e atyre kohëve të vështira.”, (f.201).
VIII.
Romani “45 Letra për Martinën”, është
një dokument historik i së kaluarës, mozaik i kujtimeve për terrorin dhe dhunën
e pushtetit, që na mëson për të njohur ma mirë dhimbjen e plagëve të një
populli. Fitimi (Fitori), do ta nihmoj Lirin për t’i përgatitur si duhet
provimet për të siguruar dëftesën e shkollës tetvjeçare, e domosdoshme për të
që kishte akumuluar dije nga shkollimi paraprak, nga jeta nëpër burgje dhe nga
mësimet që mori nga Hansi, gjermani me të cilin u njohë sa ishte në burg. Po aq
i kujdesshëm për të ishte edhe Fitori, që ishte mësues. E në këtë udhëtim,
sakaq atij iu kujtua porosia e Hoxhës, (Mulla Idriz Gjilani), që iu kishte
thënë: “’Mësoni, mësoni shumë,’ na thoshte ai me përkushtim, ‘se populli ynë
ka nevojë për njerëz të dijshëm.’”, (f.202). Nëpërmes këtyre mesazheve, romani
do të ndriçojë dhimbjen e një kombi dhe e pasuron kuptimin me realitete të reja
të përjetuara nëpër krajatat e jetës, dhe padyshim arti lind nga e vërteta, nga
ngjarjet dhe përjetimet e së kaluarës duke u rikthyer me ndjeshmëri në të
tashmën. Ky roman qëndron si një testament i kujtesës, dhe për të satën herë kthen
frymën e atyre viteve të mbuluara nga heshtja e detyrueshme, kurse autorja me
sukses ka ndriçuar atë fazë të jetës dhe ato përjetime.
Pa asnjë dyshim, një formë e dhunës
kundrejt të burgosurve politik shqiptarë dhe kundër familjeve të tyre, me theks
edhe kundër fëmijve, ishte mohimi i takimve nëse vizitorët nuk flisnin
serbishten, prandaj ishte porosi e mësuesve dhe Hoxhës patriot Mulla Idriz
Gjilani që të mësohet edhe gjuha e armikut, këtë segment të kësaj dhune,
autorja e ka pasqyruar në mënyrë dinjitoze duke shpjeguar një formë tjetër të
dhunës që iu bëhej shqiptarëve sa herë ata i vizitonin djemt e e familjarët e vet
nëpër kazamate e burgje jugosllave: “Sa më shumë të dish, aq më shumë forcë
do të kesh, dhe ta njohësh gjuhën e armikut, për të kuptuar historinë e tij,
është një përparësi e madhe.”, (f.202). Në këto rrethana të reja, mungesa e
Lirit në shtëpi, menjëherë paraqiste shqetësim për familjen, një herë kur u
kthye më vonë në shtëpi “, mor birë,’ - i tha nëna, ‘na ka djegur tambli,
tani po i fryjmë edhe kosit,” (f.204), duke i dhuruar të birit atë qeshjen e
ngrohtë e cila gjatë i kishte munguar. Figura e Lirit bart mbi supe jo
vetëm historinë e tij, por edhe një pjesë të plagosur të historisë së popullit
shqiptar. Përmes figurës së tij, autorja ka arritur për të depërtuar thellë në
rrjedhën e dhunës, torturave dhe persekutimit, ku individi bëhet simbol i
vuajtjeve të një kombi. Arrestimet, hetuesitë çnjerëzore, vitet e gjata të
burgut dhe humbja e rinisë tregojnë se dhuna nuk ishte rast i izoluar, por
pjesë e një mekanizmi shtypës që synonte të shuante identitetin, dinjitetin dhe
ëndrrat e shqiptarëve.
Në pritje të lajmit për lindjen e
Martinës, sa për të thyer kohën, Liri kishte shkuar tek fqinjët: “Aty
qëndrova..., dhe... Sapo kalova pragun e oborrit, motra e vogël vrapoi drejt meje,
si një flutur e gëzuar, duke sjellë lajmin më të bukur që mund të dëgjoja:
‘Bacë,’ - tha ajo me zërin e saj të ngrohtë, ‘e kemi një çikë! Dua bakshish se
unë të mora myzhde!’", (f.209). Personalisht më bëri përshtypje
sihariqi për lindjen dhe dhurata që ia kërkonte e motra, që ishte bërë zakon
ndër familjet tona, ai që jepte lajmin për ndonjë gjë të gëzueshme duhej
fillimisht patjetër të theksonte fjalën “myzhde - sihariq”, dhe pastaj rrëfehej
ngjarja. Dhe për një qast Liri kujtoi vuajtjen e tij dhe kalvarin që kishte
kaluar nëpër dhomat e ftohta të burgjeve, pastaj vdekja e shokut Bardhi iu
kujtua, sikurse edhe djali Bardhi që i kishte vdekur kohë më parë, andaj ky moment
është pjesë e një narrative të gjallë kur individi para se ta ndjej gëzimin
ballafaqohet me nënvedijen e traumës nga dhuna që ishte bërë instrument i
heshtjes. Ardhja në jetë e Martinës, shpirtëzonte idealet e tij njerëzore dhe
uronte fatin për mbijetesë, sigurisht kur i mendonte edhe letrat e shkruara
kohë më parë, pikërisht për vajzën e ardhur në jetë - Martinën, e cila padyshim
hap një etapë të re në dritëhijen e tragjedive të njëpasnjëshme që i ndodhnin
atij dhe familjes në përgjithësi.
Këtij gëzimi i shtohet edhe diploma të
cilën ia solli Fitori për përfundimin e katër klasëve të larta të tetëvjeçares.
Po në të njëjten kohë ai ballafaqohet me Lirin kur refuzoi për të punuar diku
në administratën shtetërore, “Jo, nuk dua të kem punë me këta horra.’ Nuk
mund të harroj ata që më mbajtën pesë vjet në burg; atë që na e bënë, që na
robëruan, që torturojnë popullin tim... jo, nuk mundem’, (f.212), i kishte thënë
Liri me vendosmëri, nuk mundem dhe pikë!". Në anën tjetër Fitori i
përgjigjet me butësi “Në rregull, në rregull” , (f.213), kishte thënë
ai, por mos nxito sepse këtë dëshirë e ka thënë më parë edhe profesor Gjoni,
(fjala është për Gjon Serreçin, i
lindur në Ferizaj, dhe pushkatuar në “Taukbashçe” të Prishtinës, më 31 gusht
1947. Ai ishte profesor dhe kryetar i organizates Nacional Demoktare Shqiptare).
Po ashtu fjalë të mira për Lirin kishte shprehur edhe Shpëtim Shkoza,
drejtor i shkollës në fshat, sikurse edhe profesor Ymer Berisha, kishte po të
njëjtin qëllim. Gjatë asaj periudhe, edhe “shumë të tjerë kanë
dëshmuar se ne shqiptarët duhet të futemi sa më shumë në brendinë e
pushtetit.’", (f.214).
Liri, tashmë u shndërrua në
figurë-simbol, dritë që nuk do të shuhet kurrë. Arrestimet e shumta të tij, dhe
tani edhe në burgun e Gjilanit, sidomos torturat ndaj tij janë metaforë e një
populli të tërë që u mbajt nën thundrën dhe terrorin psikologjik të pushtuesit.
Por mbi të gjitha qëndresa e tij ishte mahnitse. Po aq edhe ideali i tij i
pamposhtur. Qëndroi nga forca e brendshme që e lidhte me tokën, dhe me idealin
e pashuar, për një të ardhme që përtej vetes ishte përgjegjësi ndaj vendit dhe
kombit. Në rrjedhën e këtij romani, historia nuk është kronikë vetëm e
ngjarjeve të thjeshta. Ajo bëhet reflektim i ngjarjeve të mëdha ku do të flitej
hapur e më hapur edhe për çmimin që ka liria e një populli, prandaj Liri me
shokët dhe organizatën NDSH punonin për forcimin e këtij morali duke mjellë në
popull idealin e lirisë!
Zoja sëmuret dhe pas pak ditësh ajo
vdes, duke lënë Lirin dhe familjes në vuajtje të mëdha, por ai kishte ideal
Martinën andaj vendosi që ti përkushtohej asaj, dhe kurdoherë refuzonte
mundësinë e martesës së re, sepse “Prindërit nuk i tradhtojnë fëmijët, e
unë, në të vërtetë, ndihem e tradhtuar”, (f.227), thoshte ai. Kështu romani
“45 Letra për Martinën”, tregon se historia e një individi ishte e
lidhur ngusht edhe me historinë e një populli të tërë. Liri dhe shokët e tij,
nuk janë vetëm personazhe artistike letrare, ata janë dritë që kanë rrëfyer përmasat
e dhunës, një shembull se si ideali i lirisë nuk shuhej me pranga, me tortura
apo me hekur. Liria qytetare, edhe kur duket e mbyllur, mbetet e gjallë, jo
vetëm në zemrat e të burgosurve, por edhe në zemrën e popullit. Autorja
ndërthur dokumentimin historik me imagjinatën, duke krijuar një univers ku
lexuesi jo vetëm mëson për ngjarjet historike, por ndjen edhe dhimbjen,
shpresën, frikën dhe guximin. Ajo e ngre romanin mbi nivelin e një dokumenti
historik, duke e bërë një reflektim meditativ mbi natyrën e fuqisë dhe
rezistencën njerëzore. Çdo letër, çdo rrëfim, çdo përshkrim i vuajtjeve
kolektive është një thirrje për të mos harruar dhe për të kuptuar qëndresën e
heshtur që mban gjallë një komb.
Ky roman nuk e ka mbyllur mundësinë për
rrëfime të tjera, vetëm ka rrëfyer historinë e Lirit, duke u shndërruar kjo
vepër letrare në një hapësirë për reflektim mbi të gjitha përpjekjet e brezave që
kanë sakrifikuar për lirinë tonë. Narrativa e këtij romani qartë tregon se
historia nuk është vetëm dokumentim i ngjarjeve, por është edhe rrjedhë
ndjesish, emocionesh dhe mendimesh. Secila vuajtje e individit, secili akt
guximi dhe secili ideal i pathyeshëm është pjesë e trashëgimisë kolektive, një
kujtesë që flet me dinjitet për lirinë, për sakrificën e popullit dhe për forcën
e shpirtit njerëzor. Në këtë katrahurë mendimesh mbi nocionin e traumës së
dhunës, padyshim është “aksioni i armëve”, që si lak përreth qafës së
shqiptarëve, “po shtrëngohej çdo ditë e më shumë. Pushteti kërkonte armë,
edhe aty ku e dinte mirë se nuk kishte. Nuk kishte rëndësi nëse i kanë armët
apo jo; rëndësi kishte t’i blenin ato dhe t’i dorëzonin në polici.”, (përp.
f.231). Pas ftesës për të shkuar në stacionin e policisë, dhe këmbnguljes së Lirit
se nuk kishte armë për të dorëzuar, i vëllai i tij iu përgjigj shkurt: “Ne
nuk kemi tepër vëllezër për të humbur.’ Fjalët e tij u mbyllën me një vendim të
papritur. ‘Unë do të shkoj në Bujanoc, tek ai dhëndri i fshatit tonë, për të
blerë atë pushkë të mallkuar.’ Me habi dëgjova, si një mësim që jeta ia kishte
dhënë në heshtje. Ai mori paratë që nëna i ruante si një thesar i fundit, të
gjitha paratë e shtëpisë, dhe u nis për rrugë.”, (f.233). dhe para se të
binte terri i mbrëmjes, vëllai kishte kishte blerë armën, dhe e vetmja gjë që
kishte rëndësi, të dorëzohej të nesërmen në polici. Të nesërmen kur Liri e
dorëzoi armën, policia i kërkoi të dorëzonte edhe revolën, sepse sipralja e
dhunës kështu zgjatej e zullumi trashej. I shqetësuar se po i ndodhte gjë, i vëllai
kishte dalë në Berviojcë për ta pritur e shoqëruar atë rrugës gjerë në shtëpi.
Spiralja e dhunës gjatë viteve të pesëdhjeta kishte për qëllim të bënte jetën e
shqiptarëve sa më të vështirë, dhe ky detaj s’ka pasur se si t’i rrëshqiste një
shkrimtareje si Sabilja, e cila ka bërë mjaftë hulumtime për traumat e dhunës
dhe burgimet e organizatave shqiptare që nga viti 1945, gjerë në ditët tona.
Në këtë periudhë do të ndodhë edhe
martesa e dytë e Lirit me Erën, një grua fisnike e cila u bë nënë edhe për
Martinën dhe kjo e gëzonte pa masë Lirin. Veçmas i gëzohej shkollimit të Martinës
e cila ecte mirë në shkollë. Edhe pse dhuna nuk e theu kurrë, pushtuesi ishte i
vendosur për të trilluar skenarë të ndryshëm vetëm e vetëm për ta demoralizuar
dhe për ta thyer e nënshtruar Lir Thaçin, prandaj romani është edhe një homazh
për ata që nuk mundën të flisnin e rrëfenin për përpjekjet e tyre, një
testament i dhimbjes dhe krenarisë për të gjithë, dhe një dritare në horizont për
brezat e ardhshëm, duke reflektuar të kaluarën dhe efektin e traumës që
pushtuesi bëri mbi popullin tonë. Po ashtu ky roman është një akt i
përgjegjësisë intelektuale dhe morale, një përkujtim se liria nuk ka ardhur pa
çmim dhe se dinjiteti dhe guximi janë trashëgimi të përjetshme. Dhe kështu, Sabile
Keçmezi-Basha, faqe pas faqeje, edhe në këtë mënyrë ka mbjellë dije historike, kësaj
here e shoqëruar më me ndjeshmëri dhe përjetim letrar e artistik. Ky reflektim
mbi çmimin e lirisë dhe fuqinë e qëndresës njerëzore është romani i saj dhe vet
babai, jo vetëm i Martinës, që është ndriçuar përmes këtyre rrëfimeve, ku dhimbja
dhe shpresa bashkohen, ku historia personale ndërthuret me atë kolektive, dhe
ku fjalët bëhen amanet për të mos harruar kurrë.
IX
Romani “45 Letra për Martinën”,
siç është thënë shpalos marrëdhëniet komplekse ndërbreznore dhe traumen
historike të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Në qendër të tij qëndron
marrëdhënia e veçantë midis një babai dhe bijës së tij, Martinës, ku letra
bëhet mjet komunikimi, testament dashurie dhe dëshmi e një kohe të errët, për
të cilën shumë kush nuk ka pasur njohuri. Në këtë pjesë të romanit vlenë të
ndriçohen edhe disa aspekte të spirales së dhunës. Pushtuesi dhe strukturat
tjera drejtuese në pushtetin lokal, para se të bënin ndonjë ndëshkim, kishin
pranuar Lirin anëtarë të Partisë. Dhe vetëm “Pas dy ditësh, e thirrën në një
mbledhje në shkollë, ku rendi i ditës ishte drejtori i ri, Shpëtim Shkoza”, (f.241),
si përherë salla e ishte e mbushur me anëtarë të komitetit lokal dhe
qëllimi i tyre ishte për ta përjashtuar nga partia dhe për ta larguar nga funksioni
i drejtorit Shpëtimin, vetëm pse kishte kërkuar që djem dhe vajza të shkonin në
shkollë dhe askush të mos shpërngulet për në Turqi. Edhe Liri ishte ishte i
atij mendimi, prandaj doli haptas në mbrojtje të drejtorit. Në një mbledhje
tjetër, pushteti lokal vendosi që:“Shpëtim Shkoza të suspendohej nga
drejtori i shkollës, e Lir Thaçi, të përjashtohej nga partia.”, (f.242).
Lajmi u përhap gjithandej, filloi një
etap e re e përgjimit. Tashmë njerëz të panjohur frekuentonin fshatin, të cilet
interesoheshin, çfarë bënte, çfarë thoshte, me kend rrinte, kur dilte e kur kthehej
në shtëpi e kështu me radhë. Procedimi epistolar-letërkombimi, si mundësi për
të strukturuar këtë roman ashtu siç ka vepruar autorja, e cila i jep romanit
një strukturë shumëplanëshe dhe një thellësi të veçantë narrative, duke
alternuar mes rrëfimeve të së tashmes dhe kujtimeve të së kaluarës. Në këtë
roman, babai i Martinës, duke qenë i burgosur dhe larg familjes, përdor letrën
si një mënyrë për të ruajtur lidhjen shpirtërore me të bijën. Çdo letër përbën
një dokument të historisë personale, të dhimbjes dhe sakrificës, si dhe një
mjet për të transmetuar vlera etike dhe morale. Përmes tyre shpalosen
përjetimet e torturave, izolimi dhe padrejtësitë e kohës, por edhe një mesazh
optimizmi dhe dashurie të pakushtëzuar ekziston brenda këtij letërkëmbimi. Kjo
formë rrëfimi thyen strukturën tradicionale narrative dhe i jep lexuesit
mundësinë të ndjekë ngjarjet nga këndvështrime të ndryshme kohore dhe
emocionale.
Për ta strukturuar rrëfimin autorja flet
edhe si Martinë e aty këtu edhe si Sabile, dhe nga cila vetë bëhet rrëfimi dhe
cila është poezita e saj: Grupi i parë: Veta e parë, Autorja. Martina dhe Sabilja.
Grupi i dytë: Veta e tretë; Martina. Së këndejmi, letrat nuk janë rrëfime të thjeshta,
por komplekse edhe si akt personal dhe simbolik për ta thënë e shpjeguar të
përgjithshmen. Emri i Martinës, përfaqëson forcën dhe mbrojtjen që babai
dëshiron t’i japë fëmijës së tij. Armët që përmenden në rrëfim janë gjithashtu
një alegori e përkushtimit dhe dashurisë për familjen, jo e dhunës. Kjo tregon
aftësinë e romanit për të ndërthurur dimensionin personal me simbolikën
historike dhe morale. Në të njëjtën kohë, dhurata e mbajtur në një arkë
përfaqëson trashëgiminë emocionale dhe kujtimet e fshehura që kalojnë nga brezi
në brez. Kjo përçon idenë se historia personale është e ndërlidhur me atë
kolektive dhe se kujtimet mbeten të pacenuara përmes aktit të shkrimit dhe të
leximit. Romani trajton gjithashtu tensionet ndërmjet traditës dhe rinovimit.
Konflikti i brendshëm për emrin e Martinës dhe marrëdhënia me gjyshen e saj
pasqyrojnë përplasjet mes dëshirave individuale dhe normave familjare.
Hapja e rrugës përmes oborrit të Lir
Thaçit, ishte vetëm alibi për ta arrestuar atë: “Njëri nga udbashët, që
ndihmonte në këtë turp, urdhëroi me zë të ashpër: ‘Arrestojeni atë armik të
popullit dhe të shtetit! Kjo është fytyra e vërtetë e tij, ai që nga ‘45 lufton
kundër nesh!’", (f.246). Dhe, ashtu, ndadhi, atë e arrestuan, para syve
të nënës dhe vëllezërve. Andaj po e përserisë, se romani si i tillë është një
urë mes të kaluarës dhe të tashmes, duke lejuar protagonisten të kuptojë të
shkuarën, të reflektojë mbi dhimbjet e saj dhe të ndërtojë identitetin
personal. Përveç dimensionit personal dhe emocional, romani shpalos edhe një
histori më të gjerë historike dhe politike. Vuajtjet e babait dhe të shokëve të
tij, si arrestimet, torturat dhe burgosjet, janë dëshmi e dhunës dhe
represionit të pushtetit. Tashmë letrat e Lirit bëhen simbol i qëndresës, i
humanizmit dhe i shpresës, duke treguar se dashuria dhe solidariteti mund të
mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme. Personazhe të tjerë, kontribuojnë në
përshkrimin e një bote të ndërtuar mbi vuajtje, sakrifica dhe solidaritet. Ata
janë mbështetje morale dhe shpirtërore për protagonistin dhe për Martinën, duke
e ndihmuar të kuptojë rëndësinë e familjes, bashkëpunimit dhe idealizmit.
Edhe burgu në Gjilanë i kishte sfidat
dhe pasojat e veta. Lir Thaçin do ta helmojn me minjë të kanaleve (xhirize -
banjo klasike), dhe duke “dëgjuar pikje uji që binte në atë qetësi të
frikshme, si një gjëmë që ripërsëriste dhembjen e tij”, (f.250), dhe nga
lodhja e tepruar ai ishte alivanosur, kurse “Hetuesit, me mendjet e tyre të
prishura, e kishin hedhur një mi gjirizi të uritur në qelinë e tij të errët.”, (f.250),
e si rezultat i helmimit nga brerja e miut ai humb gishtrinjtë. Ndërsa
mjeku e shikonte me një buzëqeshje ngushëlluese, edhe pse i fliste me fjalë të
buta, i kishte thënë: “Mos u bëj merak, rrezikun e eliminuam. Edhe pse dorën
nuk e ke të dëmtuar, dy gishta t’i amputuam; nuk ka rrezik për jetë.”, (f.252).
Prandaj një nga momentet më të fuqishme të këtij romani është shpalosja e
letrave edhe gjatë periudhës së burgut në Gjilan dhe dhimbja ekstreme e babait.
Këto përvoja tragjike janë dëshmi e sakrificës, dashurisë dhe qëndresës, por
gjithashtu pasqyrë e një historie të dhimbshme kombëtare. Pavarësisht
vuajtjeve, babai ruan besimin te shpresa dhe liria, duke i lënë Martinës
mesazhe të qarta për dinjitetin, unitetin dhe krenarinë kombëtare.
Pas trembdhjetë vjetesh nga qëndrimi në
burgn e Gjilanit, Lirit i vjen në jetë Urata, motra e Martinës, (f.261).
Kjo storie i jep lexuesit një ndjenjë të fuqishme të lidhjes ndërbreznore dhe
përjetimeve të gjeneratave të ndryshme. Romani me këto letërkëmbime nga Sabile
Keçmezi-Basha është një reflektim mbi historinë dhe identitetin. Letrat janë
simbol i lidhjes së palodhur mes prindit dhe fëmijës, dëshmi e sakrificës dhe e
dashurisë që mbetet e gjallë përmes kohës dhe distancës. Ato tregojnë se përmes
kujtimeve, reflektimeve dhe shkrimit, individi mund të ruajë të kaluarën, të
ndërtojë të tashmen dhe të shpresojë për të ardhmen. Romani, përmes rrëfimit letrar,
i jep lexuesit mundësinë të përjetojë emocionet, dramën dhe shpresën e
personazheve, duke i bërë ato pjesë të një historie më të madhe njerëzore dhe
kombëtare.
Përfundim:
Trauma e dhunës, ashtu sikurse trauma e
luftës, lënë pasoja të gjata. Kështu edhe epilogu i letrave: “Ajo letër, e
fundit në një varg të gjatë, ruhej në arkën e gjyshes si një thesar i fshehtë,
që ruante brenda shpirtin e një epoke të harruar nga koha... dhe...”, (f.265),
kështu e ka mbyllur epistolarin e “45 Letra për Martinën”, autorja
Sabile Keçmez-Basha, të cilat brenda këtij romani nuk ishin vetëm kapituj, ato ishin
dhe do të mbeten thërmia të një jete e kaluar në heshtje, por që ka rrjedhur si
dëshmi e kohës për të mos harruar, dhimbjen, shpresën dhe dashurinë. Secila
letër është një rreze drite e cila ndriçon errësirën e shpirtit, letrat po
ashtu janë testamenti ynë që flet për jetën e tjetrit, për vuajtjen dhe për
fuqinë e fjalës. Ndërsa traumat e familjes dhe të shoqërisë shpjegohen te “Ëndrrat
e kuqe”, dhe veçmas te “Natë kobi”, andaj ky roman tregon se kur fjala
e shkruar me ndjeshmëri dhe sinqeritet shpirtëror fiton përjetësi, duke lënë edhe
një gjurmë që nuk harrohet kurrë. “45 Letra për Martinën” është roman më
shumë se biografik, është kujtesa kolektive, dhe një dëshmi artistike e çmimit
të lirisë.
Tashmë pushtei kishte bërë skenarin e
arrestimit dhe të vrasjes duke u përpjekur për t’ua hedhur fshatarëve. Por
familja ishte e vetëdijshme, sidomos lokja e cila ua tha në sy policëve kur
erdhën për t’ia bërë Lirit obduksionin?! Në këtë përplasje futet figura e policit
shqipfolës, sepse pa të tillët dhuna nuk do t’i kishte ato përmasa që i pat
kundër shqiptarëve etnik, i cili këmbëngulte se: "Duhet të bëjmë
obduksionin…" - përsëritnin ata si një kor i kurdisur, pa asnjë ndjenjë.
Kryepolici, një shqipfolës i mallkuar, bërtiti me inat: "Duhet të dimë se
çfarë ka ndodhur në të vërtetë." .”, (f.286). Gratë e pranishme
protestuan kurse e ëma e Lirit “Doli nga dhoma..., dhe me flamurin kuq e zi
në dorë..., u kthye nga policët, shpalosi flamurin gjerë e gjatë dhe me ngadalë
mbuloi trupin e babait.", (f.287), në anën tjetër Martina
ofshau, "O mamaja ime e dashur," edhe unë atë e mendova sepse
Babi “shumë-shumë më herët, këtë... më ka lënë amanet... që ta mbuloja me
flamur...”, (f.287). Pastaj nga flamuri, trupi i Lir Thaçit, sikur u bë një
shqiponjë që fluturonte lartësive.
Ndërsa, në “Ankthin e fundit”, (f.
288-300), autorja shpjegon se si familja e Lir Thaçit edhe sot lëngon nga “traumat
e tmerrit”, një lloj “hinopsie”, si pasojë e një dhune përmanente që
pushtuesi kishte zbatuar, kundër jo vetëm kësaj familje, por kundër popullit
shqiptarë në Kosovë dhe tej kufijve gjeografik të atdheut. Nëpër fragmente të
caktuara autorja ka ditur t’i fus në funksion të idesë edhe vepra dhe autorë që
kanë trajtuar traumat dhe dhunën sistematike të pushtuesve: siç janë shkrimtarët:
Orhan Pamuk, “Baulja e Babait” ; Jetshkrim për Maria Kyrin; Coelhos,
romanet, “Ndiqni shenjat...” dhe “Zahiri”; Orian Fallaci, “Letër fëmijës së
palindur”, e ndonjë tjetër që më ka ikur padashje.
Dhe krejt në fund: Mund të them se Sabile-Keçmezi-Basha,
në romanin e saj emblematik, nuk e idealizon të shkuarën, por e ballafaqon me
ndershmëri dhe e shndërron në art, duke e tejkaluar dimensionin personal për ta
bërë traumen pjesë të historisë universale të vuajtjes dhe qëndresës njerëzore.
Aty ku trupi është i burgosur, fjala mbetet e lirë, dhe pikërisht në këtë liri
të fjalës, romani gjen dritën e tij më të fortë. Parë, edhe nga një këndvështrim
tjetër, ky roman i kësaj natyre është edhe rezultat i punës së saj hulumtuese
në fushën e historiografisë, duke hulumtuar burgosjet politike, proceset e
shumta dhe ndikimet e tyre në psikologjinë e shoqërisë. Romani ka ndikime të
pashmangshme nga këto hulumtime, por mbetet meritë shumë e madhe e kësaj
autorje e cila dhimbjen personale të familjes dhe dhimbjen e madhe të
shoqërisë, sidomos të të burgosurve politik për t’i kthyer në vepër artistike,
në vepër letrare, siç janë “45 Letra për Martinën”, roman ky që duhet të
merret model për trajtimin e traumës në mënyrë artistike siç ka vepruar
shkrimtarja Sabile Keçmezi-Basha, të cilës duhet me ia pranuar suksesin. Dhe
vetëm në këtë mënyrë, ajo na rikujton se letërsia nuk është tregim apo dokumentim,
por është art i shpirtit, dritë që shëndritë në heshtje, strehë që ngroh dhe
jehonë që mbetet mes brezave. Ajo na mëson të dëgjojmë, të ndjejmë dhe të
kuptojmë botën dhe vetveten në thellësinë e saj më të fshehtë. Prandaj, nga
botëkuptimi im, leximi i këtij romani nuk përfundon me faqen e fundit, ai
vazhdon të jetojë pastaj brenda nesh, si një jehonë e butë e shpirtit, një
testament i dashurisë dhe kujtesës njerëzore, duke i bërë ftesë edhe kujtesës
kolektive, dhe në aspektin psikologjik, pse jo edhe si traumë e dhunës!
St.
Gallen, 08 janar 2026.
Shefqet
DIBRANI