Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëllushe Sheme Koltraka: Mes Kolonje, një kullë Baruti

| E premte, 09.01.2026, 06:30 PM |


Mes Kolonje, një kullë Baruti

Nga Engjëllushe Sheme Koltraka

Po i bëj bashkë majat e maleve

Po i këndoj Kolonjës së halleve

Themeltare që nga lashtësia

Ty të lartësohet krenaria...

Mes Kolonje një kullë Baruti

I bën ballë çdo lloj harbuti

I bën ballë çdo lloj barbari

I bën ballë çdo lloj të marri.

Nuk pranon kurrë skllavëri

Legjendare në histori

O moj kullë me gurë të latuar

Dhunën kurrë nuk e ke duruar.

Në themel këtu te kulla

Brez pas brezi janë rritur burra

Ti ke rritur djem azganë

Kanë luftuar për vatanë.

Nga gryka e alltisë dalin vetima

Në gjirin e maleve rriten trima

Barutlinjve u kanë ngjarë

Besëartë e atdhetarë.

O moj kullë me themel tabani

Këtu u lind e u rrit Asllani

E kish syrin shqiponjë mali

E thërrisnin Bukëdhëni.

I lindi Xhelali i pari i vatrës

Ndaj i vunë emrin e axhës

Lindën pesë çupa porsi zana

Skifterina i rriti nëna.

Në Gramoz çel lulja e zonjës

Nënë Liria, bijë e Kolonjës

Ajo ishte e bukura e dheut

I ngjante Donikës së Skënderbeut.

Kullën e Barutve e mbushi plot dritë

Rrezatim yjësie i lëshonin sytë

Me guxim përballoi bunkerin e Diktaturës

Bukën sapo të dalë prej furrës...

Hallexhinjve ua dërgonte të ngrohtë

Të mos ua ngrinte zemrwn

Akulli  i ftohtë i Diktaturës.

Ajo për dhembshuri ngjante me nënën

Diktatura më e egër se Goreni i Gjonçit

Që nuk të lë të shohësh derën e shoqi-shoqit

Si hejet e akullit në honet e Gramozit

Si e rënda plagë nga shkjelja e Bajlozit.

O liri o zemërbardhë!

Në kullë të Barutit kur ke ardhë

E ndriçove si një perri...

Nuk iu përkule përbindëshit të zi...

...Që të ndau me vëllazëri

Të mos flisje me njeri

Ty në krah të rrinte Asllani

Ai ngjante me njjë majë mali

Ku ti mbështeteshe e gjeje siguri

Gjeje ngrohtësi e plot dashuri

Siç e ka zakon Kulla e Barutit në histori

Ku mirësi gjente çdo njeri.

Kur i mësova e i bashkova vuajtjet e Asllanit

Mua më plasi kapaku i ballit

Aq të rënda ishin e plot trishtim

Të zi ma bënë të artin agim.

I përlotur rrika dhe syri im

Ajo kohë solli vetëm mallkim

Nuk takoje babë e nënë, ky qe kalvari

Nuk e lanë Lirinë të shkonte te varri.

Babës një dorë dhe për t'i lëshuar

Për ta përcjellë në botën e amëshuar.

Se kështu deshte Satani

Mos i takoje për vdekje e për së gjalli.

O Liri si nuk të plasi zemra!

Kur përballove këto gjëma të rënda...

Por një dhuratë t'u bë prej Zoti

E prej syrit t'u hoq loti.

Ty të erdhi në jetë djali

E u trashëgua emri Xhelali

Pas djalit erdhën pesë çupa

Valentina, Filloreta, Pranvera, Luiza, Loranda e bukura

Ledhatoje vajzat dhe djalin e vetëm

Atyre ua kushtove tërë jetën

I pajove e i martove me radhë

Më në fund pe një ditë të bardhë.

E ndieve thellë lumturinë e jetës

Kur nipa e mbesa të mbështilleshin si zgjoi i bletës

Që të gjithë me shkolla të larta

U ngjajnë shqipeve me flatra.

Shtegtimin e morën si dallëndtshe

Duke kërkuar një jetë ndryshe

Nga Kolonja në Tiranë e në Amerikë

Sytë u shkëlqejnë të mbushur plot dritë.

Ngado që punojnë tregojnë aftësitë

Profesionet i përballojnë me meritë

Se gjak Baruti kanë në damarë

Ndaj gjithmonë ndjehen krenarë.

Liria me Asllanin uleshin pranë oxhakut

Dhe qanin hallet e konakut

Kujtonin babanë Qenam Baruti vrarë në Blush

Luftëtarin e paepur si askush.

Me origjinë mijëra vjeçare nga Kosova

Luftëtarë në mbrotje të trojeve tona.

Asllani kishte katër vëllezër me emër

Të cilët i kishte të gjithë në zemër.

Seferin, Sulon, Xhelalin, Petriti

Me shumë mundime nëna i rriti.

Xhevahire, o e zeza nënë

Përballove më të madhen gjëmë

Si të ra ty kjo tragjedi?!

Të qau Asllani me oiii!

Të vranë burrin, mbete e ve

E fortë qëndrove si shqipja mbi re

Rrite fëmijët me shumë mundime

Të shkoi jeta nëpër pushkatime.

E rëndë gjëma kur të vranë Xhelalin

Më e rëndë gjëma kur të dënuan Seferin

Gjëmë e rëndë tronditi botën

Burrit të vrarë i prenë kokën.

Edhe Seferin e përpiu kuçedra lubi

Vdiq në burg të Ballshit pa e parë me sy

I vranë e i burgosën në pafajësi

Plagë në zemër vdekja e Petritit të ri.

Pse i ra kullës së Barutit kjo rrufe?!

A pse lindi e rriti trima për Atdhe?!

O Xhevahire, o moj nënë!

O fjalë ëmbëla, o bukuri e rrallë!

Sa plumba mori zemra jote e baardhë?!

Të mbaj mend, o nënë fisnike

Me Nukon time ishe vërsnike...

...I qanit hallet te cepi i oborrit

Mallkime i lëshonit Diktatorit

Dënimin e tij ia kërkonit Zotit...

Në ato ditë të rënda të motit

Nuk u thanë kurrë pikat e lotit.

Mbi katilat Zoti të merrte hak

Që jetën ua nxinë e ua bënë farmak.

Isha e vogël kur dëgjoja nënën Xhevahiren

Aq të freskët e përshkruante mënxyrën...

...Djemtë e Barutit ushtarakë të rrallë

Në beteja gjithmonë i gjeje në ballë.

Të shquar për drejtësi e trimëri,

Megjithë pasardhësit panë të zezën tirani...

...Internime, pushkatime, dhunë,  skllavëri

Në internim u lindën plot fëmi,

Sa në Savër e sa në Shtyllas...

...Tash më duket si lojë symbyllas...

...Qytetet shqiptare kishin humbur gjumin

Dhimbja e torturave e çau gurin

Histori e gjatë, e trishtë thau drurin

Ndaj e ngjeva penën time

Në pusin e thellë të dhimbjeve

Në sagën e vuajtjeve

Në hullinë e mundimeve

Në helmin e poshtërimeve

Për të pritur zbardhjen e agimeve

Shpirti të qetësohet prej dëshpërimeve.

Të ndriçohet gjaku i derdhur nga të parët

Siç dinë ta falin për Atdhe shqiptarët

Siç ditën etërit tanë fisnikë e patriotë

E mbrojtën vatanin si i madhërishmi Kastriot.

Heronjtë e shqiptarizmës së vërtetë

Ata nuk u përkulën një jetë

Në sy të fëmijëve të mos ketë lotë

Ata ishin më të shquarit në botë.

Për të rënët e luftës për liri

Si homazh po e shkruaj këtë poezi

Për kullën e Barutit në histori

Me trung mijëravjeçarë plot lavdi.