| E enjte, 08.01.2026, 06:53 PM |
Biseda e fundvitit me shkrimtarin preshevar: Bilall Maliqi
Letërsia si qëndresë,
kultura si mision
Shkrimtari
nga Presheva rrëfen 22 vite krijimtari, përjashtime politike, sfida kulturore
dhe besimin se fjala mbijeton edhe kur institucionet heshtin.
Nga
Sevdail Hyseni
Bilall
Maliqi ka ndërtuar një profil të rrallë në letërsinë shqipe të Luginës së
Preshevës: një shkrimtar produktiv, i përkthyer ndërkombëtarisht, por i lënë
shpesh në hije nga institucionet lokale. I lindur më 8 prill 1969 në fshatin
Elez Bali, Komuna e Preshevës, ai jeton dhe vepron në vendlindje, duke e parë
letërsinë jo vetëm si art, por si formë rezistence kulturore.
Pas
përfundimit të shkollës së Grafikës dhe disa kurseve të gazetarisë, Maliqi u
punësua në Ndërmarrjen Grafike “Grafoflex”, ku punoi për 15 vite, deri në
privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore më 2003. Më pas, për gati dy dekada,
përjetoi papunësinë, duke mos e ndalur megjithatë veprimtarinë kulturore dhe
letrare.
Në
vitin 2022 u punësua në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë,
por pas dy vitesh u largua nga puna, sipas tij, për arsye politike, tetë muaj
para përfundimit të kontratës. “Kjo më rikujtoi kohën e diferencimeve
ideo-politike ndaj shqiptarëve,” thotë ai, duke shtuar se padrejtësitë nuk e
kanë zbehur vullnetin për të punuar për kulturën.
45 libra në 22 vite krijimtari
Krijimtaria
e Bilall Maliqit përfshin pothuajse të gjitha zhanret letrare, përveç dramës.
Ai është autor i 45 librave: poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë për
fëmijë, kritikë letrare, aforizma dhe publicistikë. Në vitin 2024, Shtëpia e
Kulturës i organizoi 20-vjetorin e krijimtarisë letrare, një ngjarje që ai e
cilëson si vlerësim institucional të rrallë, falë angazhimit të ish-drejtorit
Kujtim Sadriu. “Një drejtor e respekton krijimtarinë, tjetri të largon nga puna
politikisht – ky është realiteti ynë kulturor,” thekson Maliqi.
Përkthime, çmime dhe prani ndërkombëtare
Vepra
e tij është përkthyer në anglisht, italisht, rumanisht, frëngjisht dhe
suedisht. Në gjuhën angleze ka botuar dy vëllime poetike dhe është përfshirë në
dhjetëra revista e antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri më tani, ka
fituar mbi 20 çmime letrare, disa prej tyre me karakter ndërkombëtar.
Viti
2025, sipas tij, ishte veçanërisht frytdhënës: botoi tri libra dhe numrin e
15-të të revistës së vetme kulturore-letrare në Preshevë, “Qëndresa”. Po ashtu
u përfshi në shtatë antologji dhe fitoi katër çmime të reja.
Kritika letrare dhe rreziku i pseudo-vlerave
Për
krijimtarinë e Maliqit kanë shkruar emra të njohur të kritikës letrare. Këto
vlerësime janë përmbledhur edhe në një libër studimor prej rreth 200 faqesh,
botuar në vitin 2019, ndërsa një vëllim i dytë është në përgatitje. Megjithatë,
ai shpreh shqetësim për gjendjen e kritikës sot: “Kritika duhet të jetë më e
ashpër dhe më e ndershme. Kritika miqsh dhe ajo komerciale e dëmtojnë letërsinë
dhe vetë librin.”
Panairi i librit dhe politizimi i kulturës
Duke
folur për Panairin e Librit në Preshevë, Maliqi thekson se aktiviteti është
politizuar dhe se shumë krijues janë anashkaluar për shkak të qëndrimeve të
tyre. “Panairi i librit nuk duhet të jetë tribunë politike. Kultura humbet kur
përdoret si dekor,” thotë ai.
Planet për vitin 2026
Planet për vitin
2026 Viti 2026 pritet të nisë me botimin e numrit të ri të revistës “Qëndresa”
, me sponzorimin e atdhetarit dhe dashamirit të kulturës, z. Qenan Hamdi Vlora,
dhe me daljen nga shtypi të librit më të ri me poezi në anglisht, përkthyer nga
Peter Tase. Po ashtu, Maliqi është përfshirë në dy antologji botërore dhe
paralajmëron botime të tjera, të cilat presin kushte më të mira materiale.
Pavarësisht vështirësive, ai mbetet optimist: “Fjala nuk pushohet nga puna. Ajo
vazhdon…”