| E merkure, 07.01.2026, 07:00 PM |
FTONJTË E TAHIRIT
Nga Bedri TAHIRI
Një emër-shumë histori
Një
toponim i lashtë, që na shpije në thellësi të historisë. Një fije dëshmie që
lidhë brezat. Po ta shikosh hollë e hollë, në dukje të parë, diçka fare e
thjeshtë, që të tjerëve edhe mund të mos u bëj kurrë fare përshtypje. Një tufë
ftonjsh të egjër, në qendër të fshatit
Galicë, në një kryqëzim rrugësh. Kaq dhe pikë! Madje, sot, ca filiza të
rinj, mbirë mbi rrënjët e degëzuara të atyre të vjetërve...
-Ore,
çfarë na duhet kjo histori, kur të tilla toponime kemi kah të rrotullohesh?!-
mund të thotë ndonjëri disi me mospërfillje.
-Jo,
ore lum vëllai, jo, këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një emër e me një copë
vendi, por, me një emër të shkruar me shkronja gjaku! Një emër, një kujtim-
shumë histori!...
Dorën
në zemër, këta ftonj nuk janë vetëm ftonj. Ftonj ka kudo. Por, këta janë krejt
ndryshe. Këta simbolizojnë një sakrificë sublime. Janë vulë e pashlyer e një
ngjarjeje që ka ber emër në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Këta flasin vetë. Heshtja e tyre ngërthen në vete atë që as lapsi nuk e shkruan
dot. Rrënjët i kanë thellë në tokën e lashtë stërgjyshore, të ujitura me gjakun
e arbërorëve, andaj edhe do të gjëllijnë për jetë të jetëve. Janë dëshmitarët
më besnikë të një drame të madhe kombëtare, luajtur nga aktorë të mëdhenj,
pikërisht në bërthamën e shtetësisë sonë, në Arbërinë e Vogël të Azem Galicës.
Në këtë vend, më 15 korrik 1924, ushtria dhe xhandarmëria serbe pushkatuan
shumë gra, pleq e fëmijë, në mesin e tyre edhe plakun Shaban Tahiri 85 vjeçar,
i cili po u printe atyre dhe po përpiqej t’i kapërcente jashtë rrethimit.
Trung i lashtë...
Dhe,
që thua ti, për mua ata kanë vlerë të shumëfishtë.
E
para, ata, në njëfarë mënyre paraqesin historinë gjenealogjike të trungut tim
të lashtë familjar. Aty lidhem breza e brezni, siç i thonë një fjale. Që nga
këtu e deri te Tahiri i moçëm, për të cilin dimë pak. Nga ajo lozë e hershme,
ka rrjedhën një familje e madhe. Po, po, një familje që shtrihet në përmbi
shtatë-tetë breza.
Duke
gërshetuar rrëfimet për gjyshin tim, Tahirin e tretë, del pakëz në dritë dhe
zhdavaritët mjegulla e kësaj historie...
...Tahiri kishte ardhur në këtë botë në janarin e egër e me borë të vitit 1894. Galica e tij asokohe numëronte pak shtëpi, të vogla përdhese, strukur te këmbët e Sukës së Madhe, bri Kërshit të Hutit. Qe i biri i Shaban Tahirit, kryeplakut galicas, i cili shquhej për urtësi, burrëri, trimëri e bujari. Oxhaku i Shaban Tahirit qe bërë i njohur në gjithë Drenicën heroike e emri i kishte vajtur edhe më larg. Edhe dasma e Azem Galicës, kur me insistimin e Shotës, mori për grua Zojën e Shaban Cekut nga Kostërci (Kastrioti), e cila u organizua në shtëpinë e Shaban Prebrezës, aty pranë Kalasë dardane, në vjeshtën e vitit 1921, e që, në fakt, qe një tubim për bisedime e vendime me peshë historike. Xhemë Tërnafci ishte ndër organizatorët kryesorë. Shpenzimet e dasmës i hoqën banorët e fshatrave të Drenicës, në veçanti Galica e Dubofci. Për organizimin e këtyre punëve në Galicë u caktua Shaban Tahiri.
Rrënjët gjenealogjike të kësaj familjeje, sigurisht, duhet të shkojnë edhe më tej në mugëtirat e historisë, por të gjitha rrëfimet e më të moshuarve ndaleshin e përfundonin pikërisht te Tahiri i parë, përkatësisht të djali i tij, Tahiri i dytë, i cili pati tre djem: Jonuzin, Xhemën dhe Shabanin. Jonuzi pati vetëm një vajzë, Hanifen, e martuar në Vllahi të Shalës së Bajgorës; Xhema pati vetëm një djalë e dy vajza: Kamerin, Hatën e Shotën; kurse Shabani pati tre djem e dy vajza: Qerimin, Smailin, Tahirin, Hamiden dhe Zojën.
Nuk thuhet kot: dardha bie nën dardhë. Rrugës së mbarësisë, trasuar nga të parët, kishte ecur edhe Shabani, i cili trashëgoi një pasuri të madhe pronash: ara, livadhe, kullosa e male dhe mbi 150 copë krerë bagëti. Dhitë dhe delet e tij vargëzoheshin që nga oborri i shtëpisë e deri në krye të Drumit, në Breg, siç e quajnë vendësit vargmalin nga ana verilindore që katundit i qëndron mbi kokë si kurorë nusërie. Në odën e tij prej guri, punuar nga mjeshtër të njohur dibranë, gjenin sofrën shtruar, natën e ditën, të gjithë: miqtë e dashamirët, lypsarët e skamnorët, udhëtarët e nevojtarët, trimat e luftëtarët.
Ky burrë babaxhan e sederli, me gruan e parë nga Syrigana, që i vdiq pa e mbushur motin, pati vetëm një vajzë, Hamiden; kurse për së dyti qe martuar me Zyhër Perçukun nga Cecelia dhe patën tre djem: Qerimin, Smajlin, Tahirin dhe një vajzë: Zojën.
Dëshmitarë të një
ngjarje rrëqethëse
-Epo,
kjo nuk është e mjaftueshme për ta tërhequr vëmendjen e kureshtarëve, të cilët
presin më shumë...!- mund të shtoi tjetri, pa u kredhur në mendime.
-Po,
ore ju paça për jetë të jetëve, kanë të drejtë, ngase ende nuk e shpalosa
thelbin e rrëfimit rrëqethës të këtyre ftonjve dëshmitarë të asaj që ngjau
këtu, para një shekulli!
-A
durohet kjo, shteti në shtet?! O Shën Savë, Azem Galica po na çmend fare! Edhe
fëmijët në djepa po e shohin ëndërr,- çirreshin ministrat e oficerët serbë,
nëpër zyrat e Beogradit.
-Do ta
djeg shkrumb e hi mbarë Drenicën e mallkuar,- shfreu i tërbuar kral Aleksandri.
– Ah,
jo, ore të keqen, jo, e zbuti mjekërbardhi tinëzar, Pashiqi. Unë të mësoj
ndryshe, që, mishi të piqet e helli mos të digjet, do ta heqim qafe atë të
mallkuar Azem Galicë, dhe Evropa mos të hidhërohet…
...Natë
e zezë, skëterrë. Hëna si bukë misri, fshihej pas resh. Nuk donte t'ua ndrijë
rrugën tinëzarëve, që vjedhurazi zvarriteshin drejt Arbërisë së Vogël. Ajo si nuse e bukur flinte ëmbël. Nuk e merrte
me mend se tre rrathë hekuri e kishin mbërthyer në shtat. Zhupani e gjeneralët
shpirtzinj te topi kryesor. Veç agun e prisnin. Pranë topit Rexhep Lushtaku,
topçiu më i mirë në garnizonin e Mitrovicës. E kishin marrë me dhunë dhe i
besonin. Kujtonin se do t'i qëllojë vëllezërit e vet. Ah ç' tutkunë e syleshë
që ishin. Tri herë shtiu e kurrë nuk qëlloi në cak. Veç gjumin ua nxori
trimave. Të befasuar e dëbuan duke e sharë.
E
marta e 15 korrikut 1924, agoi para se të lindte dielli. Agoi nga zjarri i
topave të artilerisë serbe. Ishte dita e tretë e Bajramit të vogël, siç e quan
populli. Atë natë kobtare, Arbëria e Vogël e Azem Galicës ishte rrethuar nga të
katër anët. Dhe lufta nisi furishëm. Gjashtë topa e dymbëdhjetë mitraloza të
rëndë përnjëherësh vollën zjarr. Artilerinë e udhëhiqte
kapiteni i klasit I Nikodija Marjanoviqi, i cili me vete e mori edhe ushtarin
shqiptar (të tjerët ushtarë shqiptarë i lanë në kazermë) Rexhep Lushtakun, që
ishte topxhiu më i mirë në garnizon. Krisma e topit të parë do ta shënonte edhe
fillimin e betejës. Kjo detyrë i ra hise Rexhepit. Ai tri herë shtiu, por
asnjëherë nuk qëlllloi në cak. Predha e
parë fluturoi mbi kullë, e dyta në të majtë dhe e treat në të djadhtë të saj.
“Eh Xheko, Xheko (ashtu e thërrisnin Rexhepin), kemi pasur besim në ty deri
tani, por ti kësaj radhe na tradhtove”,- i thanë oficerët serbë, duke e larguar
nga vija e fronti. Dheu
u tund si nga tërmeti. Goditej çdo kullë e çdo shtëpi. Tri fshatrat: Galica,
Luboveci e Mikushnica, morën flakë. Nga tymi, që ngrihej deri në qiell edhe
dita u errësua. Edhe kundërsulmi qe i ashpër dhe i shpejtë.
Kushtrimi
i kapedanit qe më i fortë se krismat e tyre. Në dhe i futi për së gjalli
katilët që iu kishin afruar kullës. Disave u ranë pushkët nga dora. Përmbi ta
shkelnin dhe s'bënin zë. Trimat, përmes flakësh, si dragonjtë fluturuan drejt
Qyqavicës legjendare.
Sakaq
lufta u nis ashpër. Qëllohej çdo kullë dhe çdo shtëpi, por zjarri kryesor ishte
drejtuar kundër kullës-fortesë, e cila iu përballonte predhave që e qëllonin pa
pushim. Kur nuk mbeti kullë a shtëpi pa i dalë flaka nga artileria u dha
komanda për këmbësorinë. Ushtarët, që kishin dëgjuar dhe lexuar për trimërinë
dhe luftërat e Azemit, i kishte rrokur paniku. Ata përkundër komandës për sulm,
nuk guxonin t’i afrohen kullës...
Lufta
u ndez edhe në shtëpitë e tjera, në Galicë. Kush kishte pushkë luftonte aty ku
ishte. Askush nuk ia kishte frikën vdekjes. Edhe në dy fshatrat e tjera, në
Lubovec e Mikushnicë, luftohej për jetë a vdekje. Çdo gjë mori flakë. Digjej
gruri nëpër ara e nëpër lama, digjeshin shtëpitë, digjeshin stallat bashkë me
bagëtinë brenda. Gratë, fëmijët dhe pleqtë iknin kush kah mundej pa ditur as ku
po shkojnë. Ishte mbyllur qielli nga tymi dhe flaka.
Azem
Bejtë Galica nga rrethimi i parë doli me një plagë në kraharorin e majtë. Ai,
para se të vazhdojë rrugën e porosit Shotën që t’i marrë dy gratë e tjera dhe
t’i bashkojë të gjithë fëmijët e gratë e Galicës e të shkojnë të kryeplaku
Shaban Tahiri e bashkë të nisen për në Qyqavicë.
-Shotë, pasi e çamë rrethimin, ju shkoni te mixha Shaban
dhe takohemi në Qyqavicë,- i tha për flakë pushkësh Azemi dhe fluturoi drejt
malit Gamna.
Shotë Galica, edhe pse atë natë kishte qenë e sëmurë, u
tregua heroinë e vërtetë. Pasi i ndihmoi burrit për ta çarë rrethimin, sipas
porosisë së tij, mbi rrobat e veta i veshi do rroba të grave dhe me pushkë nën
sqetull u nis drejt qendrës së fshatit. Pas saj shkonin edhe Zoja me Hatën.
Shumica e grave, pleqve dhe fëmijëve ishin tubuar përreth plakut mjekërbardhë,
Shaban Tahiri. Në qendër të fshatit, te Ftojt e Tahirit, arrin edhe Shota. Ajo
bashkë me plakun u jepnin zemër.
Shota me grupin e vet u nis për në Qyqavicë, Shaban
Tahiri me të tjerët mbetën aty...
Sakaq, drejt tyre po vinte një lukuni ujqërish
dhëmbëzhveshur. Meshkujt, pa dallim, të rinj e të moshura, i grumbullojnë para
Ftonjve të Tahirit. Disa gra e fëmijë i mbyllin në një stallë aty pranë...Dy
ushtarë i caktojnë roje. Dikur njëri prej ushtarëve i lodhur nga vapa ua qet
një bombë brenda. Një grua e shpejtë e kap bombën ende pa eksploduar dhe e
gjuan përjashta, me çrast i mbyt të dy ushtarët. E çelin derën dhe dalin në
rrugë..
Rrëfime e kujtime...
Pasi
shkretuan dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, disa pleq dhe të rinj të Galicës, që
ende po i mbanin peng, i pushkatuan në qendër të fshatit, te Ftonjtë e Tahirit. Pas pushkatimit,
kolonisti malazez i vendosur në Taraxhë, Maksim Ujakoviqi, me rroba civile e me
revole në dorë, i rrotullonte kufomat dhe ai që kishte mbetur gjallë e vriste.
Aty e vrau të riun 18-vjeçar, Sinan Ujkanin, i cili kishte mbetur gjallë.
Mirëpo,
në atë plojë, nën kufomat e mbuluara me gjak, fati e mëshiroi ndonjë jetë. I
tillë qe edhe Hamzë Zena, i cili, i plagosur, duke mos lëvizur fare, ashtu nën
kufoma, i kishte shpëtuar vdekjes. Edhe më afër vdekjes kishte qenë Brahim
Ferizi- Galica, i cili, më vonë dhe rrëfente:
...S’kemi ditë çka u bë
deri kur kanë krisë pushkët. Tani jemi dalë. Ata çka patën pushkë, ju bashkuan
Azemit, ne çka s’patëm mendonim qysh me shpërthye rrethin e me dalë në mal.
S’patëm mundësi. Na zunë të gjallë. Na lidhën dorë për dore dhe na dërguan në
qendër të katundit, ndërmjet tri rrugëve. Në secilën rrugë na e kishin ngreh
nga një mitraloz. Një malazez, me allti t’karadakut në dorë, në rroba civile, e
ka pru një fëmijë 13 vjeçar përpara dhe e ka përzier me ne. Ne u mundoheshim
m’i fsheh diqysh. Malazezi na hetoi. Ia ka ngjitë fëmijës për krahu e i ka ra
gjashtë herë allti para nesh. Një oficer i raportoi komandantit se u krye, nuk
kishin gjetur njerëz të tjerë.
Mua më shkoj mendja që
sa të fillojnë me qëllua të rrëzohem pa më marrë plumbi. Kanë krisë të tre
mitralozat përnjëherë. Unë jam rrëzua. Disa shokë janë ra përmbi muet. Gjaku i
tyre më përvëlonte sikur ujët e valë. Njërit i digjte xhamadani me pambuk. Ma
soske dorën (ende i dihej shenja). Tani, përmbi
kufoma, na kanë hipë me alltia. Për cilin mendonin se është gjallë, i
binin edhe nga njëherë në krye. Kur ua mori mendja se nuk ka më, janë larguar.
Janë shpërnda nëpër shtëpi, me vra, me djegë e me plaçkit.
Unë e kam nxjerr dorën e
lidhur prej shokës. Tue shty kufomat e qita kryet përmbi grumbull. Mora rrugës
më dalë prej katundit, mirëpo të tri rrugët ishin nxënë. Kudo nëpër oborre
dëgjoheshin duke folur serbisht. Jam hi në një bashqe aty afër. Një pulë, e
ngrenë dreqit, me nja dy zogj, që ish mbet gjallë, mu kishte afruar ngatë, tuj
ba klluk- klluk. Papritur katër ushtarë serbë po zbrisnin rrugës duke
kuvenduar. Nuk shkelën mbi kufoma që kishin zënë rrugën, por kërcyen gardhin
dhe hynë në bashqe, ku isha strehuar unë nën disa lozë t ‘kungujve dhe t’
pasulit. Njëri ka nga pas pule dhe më ka hetuar. Unë rashë përmbys, mos me i pa
kah më vrasin. Ushtari më pa, i thirri serbisht një dhjetari:
-Hajde këqyrni një
shqiptar t ‘gjallë!
-A i gjallë është a?-
pyeti dhjetari.
-Valla nuk di. Krejt
koka i lamë në gjak- iu përgjigj ushtari.
Erdhën të katërtit, më
rrethuan dhe po më shikonin a jam i gjallë a jo. Dikush thoshte lë se qenka i
vdekur, dikush thoshte që po merr frymë. Njëri më ra me maje të qezës. Atëherë
jam kthye mbarë dhe ua kam ngul sytë. Unë shiko, ata shiko. M’i kanë shti
grykët e pushkëve në gjoks. Dhjetari u ka piskatë:
-Mos e vrani se urdhri i
kapitenit është që ata që kanë mbetur gjallë deri tash të mos vriten por të
dorëzohen të gjallë në komandë!
Atëherë ma kanë zhvesh
shokë e me të më kanë lidhë në fyt e në të dy krahët e më kanë vu përpara
ushtrisë që shkonte për Vushtrri. Aty i pashë edhe dy-tre shqiptarë me plisa të
bardhë dhe u gëzova që paska shpëtuar edhe dikush i gjallë. Na kanë drejtua për
në Vushtrri pa na nda drurin deri në burg. Në burg na kanë rrahur gjithë natën,
duke u ndërruar me rend. Të nesërmen na kanë qitë me shkurtua dru. Të
pasnesërmen na kanë qitë në gjyq e na i kanë pre nga një muaj burg e më vonë na
kanë lëshua...
* *
*
Dhe, epilogu i asaj beteje të përgjakshme, qe trishtues.
Cerberët e përtej Tunës, kur kuptuan se Azem Bejtë Galica
doli i gjallë nga rrethimi, u tërbuan fare. Pasi shkretuan çdo gjë të gjallë,
mblodhën të vrarët e tyre dhe ikën në teqafje.
Arbërisë
së Vogël u shua. Të vrarët u varrosen aty ku kishin rënë, në
ara, në male e në livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosën
në varre të përbashkëta, nga tre-katër e pesë në një vend. Të shpëtuarit u
degdisen gjithandej, nëpër miq e shokë. Mbi tri fashatrat e boshatisura, për
disa ditë rresht ka qëndruar një mjegull e dendur nga tymi dhe shkrumbi që
lirohej nga gjërat e djegura...
Pra,
më 15 korrik 1924, në tri fshatrat e rrethuara u dogjën 100 shtëpi, u plagosën
rëndë 26, ndërsa u vranë dhe u masakruan 82 veta, përkatësisht, me kryetrimin
Azem Bejtë Galica, i cili, nga plagët vdiq dhjetë ditë më vonë, na dalin 83, që
e kalon shifrën e dhënë nga gazeta “HAK” dhe nga shtypi i asaj kohe.
Kështu
që, Ftonjtë e Tahirit, ngërthejnë në
vete një histori, e cila nuk duhet harruar, por, përherë duhet përkujtuar e
nderuar...
Lavdi!
Galicë, korrik 2025

Ftonjtë
e Tahirit në qendër të Galicës