| E diele, 04.01.2026, 07:04 PM |

Zhvillimi i arsimit në
tokat shqiptare pas pushtimit nga P. Osmane
Nga
Dr. Qazim Namani
Pas pushtimit të Kosovës nga P. Osmane filloi dhe përhapja e
arsimit në këto treva më qëllim të edukimit dhe asimilimit të komuniteteve
tjera të pushtuara.
Ndër shkollat e para që u hapen në Kosovë ishin Mejtepet, në këto shkolla mësohej
leximi, dhe këndimi i Kuranit, shkrimi i shkronjave arabe. Medresetë ishin
shkolla e mesme dhe e lart për arsimin e klerikëve islam. Një shkollë të tillë
në Prizren e hapi poeti dhe historiani Suzi nga Prizreni në vitin 1531.[1] Në shekullin XVI po ashtu
u hapen disa Medrese në trevën e Kosovës së sotme në Prishtinë u hap medreseja
e Haxhi Aliut, në Pejë e Besharet Beut, në Prizren e Mehmet Pashës si shkollë e
parë e lartë teologjike në Kosovë.[2]
Iptidadia, ishte
shkollë fillore shtetërore turke. Këto shkolla janë zhvilluar nga mbarimi i
shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Në “Kosova Vilayeti
Salnamesi”shkruan se në vitin 1900/01 ishin pesë iptidai dhe dymbëdhjetë
sibian-mejtepe (shkolla për fëmijë).[3]në këto shkolla përveç
lëndëve fetare mësoheshim dhe lëndë laike. Mësues ishin muelimët me shkollë
normale.[4]
Ruzhdia, ishin
shkolla të mesme të ulëta. Deri në vitin 1854 në tërë P. Osmane ishin vetëm 60
shkolla–ruzhdie me 3371 nxënës. Me dekretin mbi shkollat publike të vitit 1869
të gjitha ruzhdiet ne Turqi ishin në mbikëqyrje të shtetit. Ruzhdia më e vjetër
në Kosovë ishte ajo e Prishtinës (1869) dhe deri në vitin 1878 në Kosovë
numëroheshin 7 ruzhdie.[5]
Idadia, Ishte
shkollë e mesme islame e tipit të internatit në nivelin e gjimnazeve të larta,
që u themeluan me dekretin turk të vitit 1869 për shkolla. Pas vitit 1908 këto
shkolla jo të plota u hapen në Prishtinë e Prizren.[6]
Durul-mualimin- shkolla
normale, hapen pas vitit 1869, kishte disa klasë në Prizren.
Sulltania , ishte
shkollë perandorake, kjo shkollë ekzistonte vetën në qendrat e disa vilajeteve.[7]
Në Kosovë kishte dhe shkolla të profesioneve të ndryshme në gjuhen
turke, që quheshin “Islahanet”. Në Mitrovicë ekzistonte shkolla zejtare e
femrave.
Misionarët katolik- Pas pushtimit osman, misionarët katolik kishin
përgatitje të larta teologjike të kryera në Itali. Misionarët shqiptar përveç
përkthimit të shumë veprave teologjike ata kanë shkruar edhe vepra në gjuhën
shqipe për nevoja pedagogjike. Meshari i Gjon Buzukut (1555), sot ruhet si
libri më i vjetër në gjuhën shqipe. Më pas shquhen: Pjetër Budi, Frang Bardhi,
Andrea Bogdani, Gjon Nikoll Kazazi etj. Pjetër Budi e kishte përkthyer në shqip “Shkencën Kristiane të Belarminit”….sepse në serbi flitet edhe
shqip.[8]
Në vitin 1716 misionari italian Francesko
Mario da Lece e botoi gramatikën “Vërejtje gramatikore në gjuhën shqipe”.[9]
Me 1750 në Voskopojë shkolla e mori emrin “Akademia e Voskopojës”,
për shkollimin e shqiptarëve meritë ka sidomos Theodor Kavalioti, pastaj Danil
Voskopojari e shumë të tjerë që i themeluan bazat e arsimit në frymën e
iluminizmit evropian të komuniteti shqiptar dhe tjerë për një rilindje
kombëtare të popujve të Ballkanit. Voskopoja përbën më tepër një shembull
kuptimplotë të emancipimit kulturor të popullsive të kësaj zone.[10] Në shekullin XVIII
shkrimtarët shqiptar nën ndikimin e gjuhëve të huaja përdorën alfabete të
gjuhëve që shkruanin, p.sh. bejtegjinjtë si: Nezim Beratasi, Hasan Zyko
Kamberi, Muhamet Çami-Kyqyku etj. përdorën alfabetin arab. Theodor Kavalioti,
Daniel Haxhiu etj. përdorën alfabetin grek. Në fillim të shekullit XIX arsimi
te shqiptarët ishte shumë i ulët, ata nuk kishin pasur libra e as alfabet në
gjuhën shqipe.[11]
Reformat
në shkollim që i ka paralajmëruar “Hatisherifi
i Gylhanës” me datën 3.11.1839 në kohën e Sulltan Abdyl Mexhidit, me të
cilin ishte rekomanduar hapja e shkollave për të gjithë nënshtetasit e shtetit
turk. Këto reforma dhe dispozitat ligjore të quajtura “Tanzimati Hajrije”, në Vilajetin e Kosovës përparuan me ngadalësi.
Në vitin 1856 Sulltan Abdyl Mexhidi nxori një akt të ri të quajtur “Hatihumajun” që në fushën e arsimit i
barazoi myslimanët me jomysliman. Në vitin 1869 u hartua “Ligji i arsimit “ që ndikoi në zhvillimin e shkollave shtetërore.
Në
ketë periudhë P. Osmane lejoi hapjen e shkollave në gjuhën serbe, në trevat shqiptare të veriut.
Me
Kushtetutën e perandorisë osmane 1876 me
nenin 15 thuhet se mësimet janë të lira ndërsa turqishtja njihej si gjuhë
shtetërore.
Pas
ardhjes në pushtet të Xhon turqve me 1908, ata pasi i forcuan pozitat e tyre,
filluan ti pengojnë shkollat në gjuhët amtare. Me ligjin e 25 shkurtit të vitit
1912 u parapa modernizimi i procesit mësimor, ku u formuan këshillat e arsimit
në çdo Vilajet, Sanxhak dhe Kaza.[12]
Në gjysmën e shekullit XIX, në kulturën dhe arsimin e shqiptarëve
rolin kryesor e luajtën rilindësit e parë shqiptar, e sidomos arbëreshët e
Italisë dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ndër shqiptarët që punuan për
mësimin e gjuhës Shqipe në këtë kohë dallohen: Naum Veqilharxhi, Konstandin
Kristoforidhi, Jeronim De Rada, Santori Dara i Riu, Kamarda, Hasan Tahsini,
Sami Frashëri, Vaso Pash Shkodrani, Zef Jubani, Jani Vreto, Koto Hoxhi, etj. Më
1877 u formua komiteti i Stambollit, i cili kishte në program edhe mësimin në
gjuhën Shqipe. Për këtë qëllim në Stamboll më 1879 themelohet “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”,
e cila e formoi komisionin për alfabetin e gjuhës Shqipe sipas projektit të
Sami Frashërit. Rol luajtën edhe shoqëritë kulturore-arsimore të themeluara në
mërgatë e duhet veçuar atë në Bukuresht, Stamboll e vende tjera, dhe së fundi
vullneti dhe kërkesa energjike e popullit për shkolla shqipe.
Në vitin 1887 më 7 mars u hap shkolla e parë laike në gjuhën
shqipe në Korçë. Hapja e kësaj shkolle ndikoi edhe ne trevat tjera shqiptare.
Me 1 maj të vitit 1889 filloi punën Mësonjëtorja
Kombëtare e Prizrenit. Më 23. tetor të vitit 1891 hapet shkolla shqipe për
vajza në Korçë, një vit më vonë shkollat filluan punën në disa fshatra. Më 10
maj 1892 u themelua shkolla e parë normale Shqiptare-Rumune në Bukuresht.[13] Kjo ndikoi që të hapen
shkolla Shqipe edhe në Kosovë si: Prizren, Zym, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Janjev,
Stubëll të Gjilanit, Mitrovicë etj. Deri
në unifikimin e alfabetit të gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit mbajtur më
1908 janë përdorur dhe alfabete tjera si: alfabeti i shkrimtarëve të parë
shqiptar, alfabeti me shkronja latine, greke, arabe, alfabeti i Naum
Veqilharxhit, i Shoqërisë “Shqipëria”
të Bukureshtit etj.
Deri në Kongresin e Manastirit, me alfabete të ndryshme kanë
vepruar dhe kanë korresponduar komitete, shoqëri e klube të ndryshme shqiptare.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, formohen komitete,
shoqëri e klube të reja si: “Dëshira
“ ne Sofje (1890), “Vëllazëria e Shqiptarëve”
në Aleksandri (1894), “Bashkimi” dhe
“Agimi” në Shkodër (1889,
përkatësisht 1901), “Shoqëria Kombëtare
Shqiptare” në Kalabri (1897), “Komiteti Kombëtar Shqiptar” në Romë
(1900), “Dija” në Vjenë (1905), “Kombi” në Boston (1905), “Malli i Mëmëdheut” në Bufallo të SHBA-ve
(1906), “Besa Besë” në Boston (1907).[14]
Prej vitit 1848, kur u botua fletorja “Arbreshi i Italisë” prej Jeronim De Radës, e deri më 1912, dolën
rreth 50 gazeta e të përkohshme politike e kulturore.[15]
Si mësues në këtë kohë vlen të shquhet Konstantin Kristoforidhi,
Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qirijazi, Tina e Nikës, Urani
Rumbo, Gjerasim Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Mati Logareci punoi mësues në Prizren,
Sotir Peci etj.
Shqiptarët e krishterë, ata që vareshin nga kisha e Romës dhe
Austrisë nuk flitnin gjuhë tjetër përveç shqipes. Në shekullin XIX priftërinjtë
shpërndan në Vilajetin e Shkodrës dhe ishin të shkruara në gjuhën shqipe me
shkronja latine. Po ashtu edhe në jug shpërndaheshin libra në gjuhën shqipe.[16] Në këtë kohë shumë aktiv
për mësimin në gjuhën shqipe ishin Hasan Prishtina dhe Myfit Beu i
Gjirokastrës, të cilët vajtën fshat për
fshat për të dërguar nxënës në shkollën private pedagogjike në Elbasan. Qeveria
turke në këtë kohë dërgoi për shkolla fillore libra në gjuhën shqipe, por me
shkronja arabe.[17]
Me donacione të mbledhura nga Hasan Prishtina u ndërtua shkolla
shqipe në Pozharan të Vitisë, e cila filloi punën në vitin 1909 (tetor) e deri
në fillim të vitit 1910, dhe mësues i parë ishte Qamil Bala nga rrethina e
Gjilanit.[18]
Kontribut për hapjen e kësaj shkolle ka dhënë dhe Islam Pira. Haxhi Zeka,
kryetar i Lidhjes së Pejës, ka ndërtuar shkollë shqipe në Pejë dhe e ka thirrur
kuvendin në Fushë Kosovë për përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla në tërë
Vilajetin e Kosovës. Për shkollën Shqipe në Kosovë mësues dhe teste kanë
siguruar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga, Isa Boletini i cili
ndonëse i pa shkollë në vitin 1902 e hapi shkollën Shqipe në Koshtovë, pastaj
Jashar Erebara e hapi degët e klubeve shqiptare në Prishtinë dhe Podujevë,
përkrahu shkollën shqipe dhe më 1911 botoi abetaren në gjuhën Shqipe .
Ndër mësuesit që vepruan dhe punuan në Kosovë ishin: Ivan Berisha, Atë Shtjefën Gjeçovi, Pal
Gjergja nga Zara, Pashk Prelaj, Lazër Lumezi, Qamil Dula, Pal Qurqiaj, Marjan
Prelaj, Ndue Lezhaj, Frano Lufi, Mikel Tarabulluzi, Luigj Kroniqi, Mëhill
Kurti, Ndue Bytyqi, Engjëll Ndocaj, Gaspër Gjugjaj.[19]
Pas lëvizjes Xhonturke, shqiptarët hapen shkolla, klube dhe aktivitete tjera për mësimin e
gjuhës amtare. Xhonturqit, kundër gjuhës dhe shkollës shqipe kishin angazhuar
tërë klerin fanatik mysliman dhe një pjesë të çifligarëve.
Xhonturqit e përkrahën edhe “Organizata
Popullore Serbe”, e themeluar në Shkup më 1908. Mitropoli i Shkupit e
nënshkroi vendimin e Këshillit Administrativ të Vilajetit të Kosovës, duke e
hedhë poshtë alfabetin latin. Kundër alfabetit në gjuhën shqipe u deklarua Greqia dhe Patrikana e Stambollit.[20]
[1] Dr. Hasan Kaleshi, “Dokumentet më të vjetër të vakëfëve në Jugosllavi në gjuhën arabe”, Prishtinë,
1972, fq. 14
[2] Mehmed Tevfik, “Kratka istorija Bitolskog Vilajeta”, Beograd, 1933, fq.27
[3] Kosova “Vilayeti Salmanesi, 1900”, fq. 743
[4] Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Jashar Rexhepagiq, “Tema të zgjedhura dhe
bashkëkohore pedagogjike”, botuar nga Libri Shkollor, Prishtinë 2002, fq. 621
[5] Po aty, fq. 622
[6] Po aty, fq. 630
[7] Po aty fq. 632
[8] Po aty , fq. 614
[9] Rexhep Ismaili, “Gjuhë dhe etni”, Rilindja, Prishtinë, 1991, fq.189
[10] Max Demeter Peyfuss, “Shtypshkronja e Voskopojës 1731-1769”, përkthyer nga Gjergj Misha,
Tiranë, 1996, fq. 9
[11] Ferdinand Schevill, “Ballkani historia dhe qytetërimi”, Tiranë 2002, fq. 377
[12] Dr. Jashar Rexhepagiqi, Enti i Historisë së Kosovës, “Kosova”, Prishtinë, 1972, fq. 110,111
[13] A.SH.A.K. Jashar Rexhepagiqi, “Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike”, Prishtinë,
2002, fq. 586-594
[14] Mr. Mehmet Gjoshaj, “1oo Vjetori i Kongresit të Manastirit”, Ekspozitë tematike, Prishtinë, 2008,
fq. 4
[15] Po aty, fq. 25
[16] Sylejman Kylqe, “Shqipëria në historinë Osmane”, Tiranë, 2004, fq. 207, 208
[17] Po aty. Fq. 208
[18] Arkivi i D.T.K. në MKRS
[19] A.SH.A.K. Jashar Rexhepagiqi, “Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike”, Prishtinë
2002, fq. 381-616
[20] Mr. Mehmet Gjoshaj, “1oo Vjetori i Kongresit të Manastirit”, Ekspozitë tematike, Prishtinë, 2008,
fq.49