| E shtune, 03.01.2026, 06:59 PM |

Austria mbështetëse e shqiptarëve shekujve
Nga Hazir Mehmeti,
Vjenë
Fan Stilian Noli dy vjet para
vendosjes së tij përfundimtare në
Amerikë e vlerëson objektivisht politikën e suksesshme të Austro-Hungarisë ndaj
shqiptarëve e mbështetur tek shqiptarët patriot:
“ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka
qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi
shqiptarët nacionalistë. Ja arsyeja e parë dhe ja arësyeja e dytë: Austria
ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se
çdo arnaut.” (Fan Stilian Noli)
Pas këtyre luftërave Porta e Lartë dobësohet edhe
në territoret shqiptare. Disa familje feudale shqiptare u fuqizuan dhe krijuan
pashallëqet e mëdha, e të cilat kishin ndikim të fuqishëm në zonat e vendit.
Pashallëku i Bushatllinjve në Shkodër
dhe më vonë ai i Janinës. Ndikimi
austriak duke qenë i fuqishëm tani në Evropë, pas reformave të marra nga Maria
Theresa dhe Josefi II, shtriu ndikim të fuqishëm edhe në viset shqiptare.
Tregtia e fuqishme shkodrane duke shfrytëzuar flotën e fuqishme ulqinake
, depërton thellë në territoret e zotëruara nga austriakët deri në Trieste.
Kështu trevat shqiptar tregtinë e tyre, në vend të parë e kryenin me Austrinë,
kurse në vend të dytë me Italinë. Kjo
solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave. Austria e fitoi të
drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike, e shoqëruar kjo me kthimin e
Urdhrit Jezuit, i cili ishte prezent më 1842. Kjo mundësoi edhe lejimin e seminarit
jezuit, të kolegjit Saverian.
intelektualët e
shquar shqiptarë
Edhe pas shpalljes
së pavarësisë roli i intelektualëve që u shkolluan në Austri ishte domethënës.
Librat mësimore si, abetare, matematika, libra mbi dituritë natyrore kryesisht
ishin të hartuara nga autorë të shkolluar në Austri. I njohur në historinë e
hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është
Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve tjera
mësimore dhe mësimi në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë
të madhe, zhvillohej sipas konspekteve
dhe metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.. Qeveria e Ismail
Qemalit qe në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një
gjendje katastrofe në arsim.
Luigj Gurakuqi
kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve
shqiptarë që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë
i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë.
Kontribut në dërgimin e studentë në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja.
Këta student pas shkollimit u kthyen në atdhe dhe u dalluan si mësues të
devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në
Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez.
Menjëherë pas
hyrjes së trupave Austor-Hungareze në
Shqipëri në vitin 1916, duke e parë gjendjen katastrofike në fushën e
shkollimit dhe në kulturë, në bashkëpunim me figura të njohura kombëtare organizuan hapjen e shkollave për
të luftuar analfabetizmin dhe ngritur kulturën e arsimin. Në ndërkohë, me urdhër të Krye
komandës austriake Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e
Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka
Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e
Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare
e themeluar në vitin 1920 drejtor i së
cilës emërohet Karl Gurakuqi.
Ministër i Arsimit
ishte Sotir Peci i pasuar nga Hilë Mosi i cili për shkak të rrethanave nuk e
mori këtë detyrë. Më 7 dhjetor 1921 caktohet Kristo Dako i cili kishte kryer veprimtari patriotike e
kulturore në Vjenë në vitet 1906 - 1910. Me ndërrimet e shpeshta të qeverisë ndërrohen
edhe ministrat. Kështu Kristo Dako pas një jave zëvendësohet nga Aleksandër
Xhuvani i cili pa u mbushur dy javë zëvendësohet nga Rexhep Mitrovica i cili
gjatë Luftës së Parë Botërore qëndroi në Vjenë dhe kishte ndihmuar materialisht
studentët shqiptarë.
Bursa nga qeveria shqiptare
Qeveria Shqiptare
ndau bursa studentëve shqiptar pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët.
Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr.Nush Bushati,
Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore
ishte Filip Llupi. Me këto bursa
studiuan në Austri këto personalitete:
Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov
Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl
Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e
tye kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ
të arsimit shqip.
Këtu mund të përmendim disa nga figurat më meritore të kohës: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë.
Më 23 mars të
vitit 1917 austriakët duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e
Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emrohet Gasper Baltoja, i cili
kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë.
Austria pati një
rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare i mohuar shekujve
nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur
dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Austro Hungaria mbështeti interesat kombëtare
të shqiptarëve para se gjithash në fushën politike.
Që në hapat e parë
të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për studime në
universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah.
Një ndihmë të madhe për kombin shqiptarë dhanë shumë figura të njohura austriake dhe hapësirat gjermanofolëse. Shkencëtari i njohur Miklosich (Miklosiç) në veprën "Albanische Forschungen" (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, më 1870, në faqen 10, shënon një fakt interesant, që tregon vendosjen e shqiptarëve intelektuale, në Austri, qysh ne fillim të shekullit XIX. Ai shkruan se "dijetari slloven Kopitar ,me 1829, boton një studim mbi marrëdhëniet midis shqipes, rumanishtes e bullgarishtes, brenda të cilit gjendet përkthimi në shqip i Shen Llukas, "Djali plëngprishës", hartuar nga te dy veI1ezerit gjirokastrite, Anastas dhe Spiridhon Çelo.
Në ekzistencën e popullit shqiptar i përballur me gjenocidin e ushtruar
kundër tij nga serbet pas rënies së
Perandorisë Osmane, me shkrimet e tij faktike rreth kësaj u dallua politikani
dhe shkrimtare i njohur i kohës Leo Freundlich. Ai shkroi librin e tij
domethënës “Albanische Golgota” (Golgota
Shqiptare) duke argumentuar një pjesë të krimit serb, gjenocidin i pa paparë
për nga barbaria mbi popullsinë shqiptare. Ai mblodhi lajme gazetash nga
Shqipëria dhe shtypi i huaj rreth Shqipërisë dhe i shpërndau në adresa të
caktuar, para se gjithash në qarqet qeveritare. Ishte kjo koha më tragjike e
kombit shqiptar.
Në vitin 1931 ai i shkroi nga
Vjena sekretarit të përgjithshëm te
Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet
shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni
nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla
me mjete private. “Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e
shtronte më parësoret të shtetit. Nga
ana tjetër Hasan Prishtina prej rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri, konsiderohej shpëtimtari i çështjes
shqiptare, kurse Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i qendrës kulturore shqiptare “Dija” në Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin: për
shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,
i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që
do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj
Shqipëria”.
Vargu i intelektualëve
shqiptarë që ndihmuan çështjen shqiptare ishte i madh. Edhe sot e kësaj dite
mbi dy mijë studiues në studimet e larta nga të gjitha trevat etnike shqiptare
studiojnë në universitet austriake.
Burime:
Akademia e
Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar-2, f.1055/56.
Franz Miklosich, Albanische
Forschunge, Kërkime shqiptare, Vjenë, 1870, f. 10.
Uran Asllani, Studentët
shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre , Tiranë. 2000, f.8,9, 64,65.
H. Mehmeti, Studiues austriakë e shqiptarë në Austri, Prishtinë.2021, f 26,27,29, 89.