| E shtune, 03.01.2026, 06:53 PM |
Zë i bukur, zemër e ngrohtë
(Shënime
për librin “Thesaret e zemrës” me autore Leidi Shqiponja)
Nga
Meçan Hoxha
Edhe në këtë
moshë, kur kam kaluar të 80-tat, vazhdoj të mbetem i ngjizur me Gramshin.
Kështu filloi dhe 1 janari, dita e parë e vitit të ri 2026. Dhe, sa herë kujtoj
Gramshin, poetja Leidi Shqiponja ndodhet në rreshtat e parë. Ndodh kështu se
atje e ka vendosur veprimtaria e saj në ndihmesë të zhvillimeve arsimore,
kulturore e progresiste në atë qytet. Ca më lartë e ka ngritur stekën e vlerave
të saj krijimtaria letrare, ku spikatin poezitë e veçanërisht tekstet e
këngëve.
E kam këtë ndjesi
për çdo arritje e sukses në Gramsh, veçanërisht në fushën e letrave, ku
trashëgimia nga e kaluara ka qenë në nivele zero. Përpjekjet pë të bërë art e
letërsi në Gramsh fillojnë në vitet 70. Po dhe atëhere, edhe pse po kapnim
tregues të lartë në takimet kulturore kombëtare, sundonte mendimi se rolin
kryesor e luanin intelektualët e ardhur me punë nga rrethe të tjera. Sot
përjetojmë një panoramë të begatë, që të sjell shumë kënaqësi. Ka studime të
shumta historike, etnokulturore, folklorike, gjeografike, gjeologjike,
ekonomike, klimatike, hidrologjike, demografike etj. Hop, si në sasi e në
cilësi, ka patur zhvillimi i artit, kulturës e veçanërisht letërsisë. Janë të
shumë ata që shkruajnë prozë e poezi në Gramsh. Ka emra të shquar në nivle
kombëtare në këtë fushë, të cilët s’po i përmend sepse objekt i shkrimit tim
është poetja Leidi Shqiponja, dhe jo për gjithë krijimtarinë, po për librin më
të ri të sajin: “Thesaret e zemrës”
Ka ca ditë që ky
libër më erdhi dhuratë nga autorja. Kam shumë respekt për dhuratat, veçanërisht
kur janë libra. Kurrë nuk i kam vendosur në raftet e bibliotekës sime pa i
lexuar. Gjatë leximit ndodh që mbaj ndonjë shënim dhe kur e shoh të arsyeshme
shfaq ndonjë mendim modest. Kështu po bëj dhe sot.
Për librin
“Thesaet e zemrës” janë prononcuar disa, midis tyre ka patur ekspert të
letërsisë dhe unë nukse çoç do të them, përveç një bashkëbisedimi miqësor.
Në këtë shkrim nuk do të anashkaloj analizën cilësore që ka bërë shkrimtari
i shquar Vangjush Saro, përkundrazi po e filloj me një citim prej tij: “Leidi
është e njohur më tepër si autore tekstesh; shumë këngë të saj, për të rritur
dhe për fëmijë, njihen nga publiku i gjerë. Këngët e saj janë lauruar me çmime
kombëtare disa herë. Në traditën e trevës nga ajo vjen, të kënduarit, poezia,
janë të natyrshme; është kjo një nga arsyet që poezia e saj shihet aq pranë
këngës. Gjithsesi, gjithçka ka filluar nga vargjet, trendi artistik i saj është
poezia. Dhe është fjala për një poezi të thjeshtë e plot mendim, të fortë në
përmbajtje dhe të butë në të lexuar, “të përulur” dhe të lartë njëherësh; siç
është ajo vetë.” (Gazeta Telegraf -19 Qershor, 2025)
Leidi
Shqiponja,
është lindur më 20. 06. 1962 në Gramësh. Diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në
Universitetin e Tiranës në vitin 1985. Ka punuar mësuese për 12 vjet në
shkollën 9 vjeçare “Rilindja » në Gramsh dhe që nga viti 1998 punoi
drejtoreshë e Qendrës Kulturore, po në këtë qytet. Është marrë me krijimtari
letrare që në moshë të vogël. Shkruan vazhdimisht shkrime për sektorin e
kulturës në gazetën lokale të Gramshit etj. Ka marrë pjesë disa herë me tekste
këngësh në Festivalin Kombëtar të këngës në RTSH. Ka shkruar mbi 100 tekste
këngësh për fëmijë dhe për të rritur. Ka botuar librat me poezi: “Qiejt
kundrejt”, “Ku janë engjëjt?”, “Bisedë me diellin” (vjersha për fëmijë),
“Kërcimi i zambakëve” (haik). Libri më I ri është vëllimi me poezi titulluar: “Thesaret e zemrës”
Libri me poezi “Thesaret
e zemrës” i autores Leidi Shqipnja paraqitet si një vëllim i ndërtuar mbi
ndjeshmërinë e brendshme dhe përjetimin emocional, duke e shndërruar poezinë në
një formë rrëfimi intim dhe reflektiv. Që në titull, autorja orienton lexuesin
drejt një bote të brendshme, ku “thesaret” nuk maten me vlera materiale, por me
ndjenja, përvoja dhe gjurmë shpirtërore që formësojnë qenien njerëzore.
Në
këtë libër gjen poezi të brishtë që ndjen e shpreh thellë çdo event jetësor, të
gjallërojnë ndjenjat e të venë në lëvizje mendimet. Vëllimi përbëhet nga 123
poezi ndarë në katër kapituj: Buzëqeshje drite, Si lule lotus, Shigjeta për
shpirtin dhe Pas pasqyrës së shpirtit, të formatuar në një libër të shtypur e
lidhur bukur nga Shtëpia Botuese “Nacional”. Librin e ka redaktuar një ëmër i
njohur në letërsinë tonë, Mimoza Erebara.
Kapitulli
I parë, buzëqeshje drite, vjen si dritare nga merr dritë i gjithë libri. Kjo
dritë buron nga natyra (dielli, yjet, bimët, shpendët), si dhe nga njeriu
(ndjenjat, sjelljet dhe veprimet që dhurojnë dritë mirësie)
Trajtuar
shkurt, thellë, bukur. Nuk gjen gjëra të sajuara me lojëra fjalësh e figura të
tepruara stilistike që e nxjerrin poezinë nga misioni i saj e që e
artificializojnë. Poezia është ndjesi hyjnore dhe duhet të sillesh me të si me
Perëndinë. Atë bën Leidi në këto poezi.
Në
poezitë e faqeve: 7, 11, 13, 18, 19, 21, 25, 26, 27 e 40, të këtij kapitulli,
gjejmë të sinkronizuar mendimin, ndjenjën dhe të bukurën, duke e konceptuar
jetën si një bllok të bardhë, ku shkruhet çdo fletë me ndodhitë e një dite.
Aty
gjen dhe ditën që e lumturoi, sepse ishte dita kur ndihmoi një zemër të akullt.
Mund ta zbukurosh jetën dhe me pak nëse aty gjen vullnet, kurajo, besim e
shpresë.(Pakë dritë nga perëndimi diellit, pakëz dhe nga një xixëllonjë, ca nga
një yll i vetmuar, mijëra xixëllonja natën e bëjnë ditë –.shprehet autorja).
Një shoqëri vuan më shumë nga heshtja e të mirëve se sa nga prapësitë e të
ligëve. Të mirët janë shumë, po kur heshtin zerohen. Poetja kërkon
bashkëveprimin e tyre për të vrarë errësirën.
Më tej në këtë libër gjejmë:
*Hulumtim
në pamjen e ullirit. Vjetërsia e tij shfaqur në portrete brezash dhe ndodhitë
të arkivuara te rrënjët.
*Lirikë
me metaforë mahnitëse (Buzëqeshja e yjeve). Përjeton një çast mes yjeve, në shoqërinë
e tyre dhe të një magjije tjetër, tingujve të violinës. Vjel që andej jo
thjeshtë një dashuri, po parajsën e dashurisë. Po ashtu të impresionon bukuria
e krahasimit: “Vendlindja ime si një grua e dashuruar”
Ndalet shpesh te fëmijët. I gjejmë ata në të gjitha
çastet e bukura të rritjes, në ardhjen e tyre si domosdoshmëri dhe detyrimin e
shqoqërisë ndaj tyre. Kush
nuk ngazëllehet nga përqafimi apo ledhatimi i një fëmije! Por poetja jonë shkon
më tej. Kur përqafova një fëmijë: Koha brenda meje u çel,/Toka gjelbëroi,/
Qielli u hap,/ Dielli më gjallëroi çdo qelizë,/ Më hapi dyert e mirësisë.
Një fjalë e mirë, një lajm i mirë, një sjellje e mirë, një veprim i mirë
gjenerojnë energji pozitive, sjellin gëzim, hare, entuzizëm që të mbrojnë nga
një stres ligësie, të shërojnë. Në libër lexojmë: “Forca e dashurisë mban malin
të mos plaket kurrë se puthet me burimet e freskëta” dhe “E mira të shëron”.
Në faqen 68 të
kapitullit të dytë, është poezia: “Pafajsi”, ku qeni i leh dhe fluturës që
rastësisht i kalon pranë. Më ka mbetur në mendje një pikturë e Rjepinit me një qen që i leh hënës, në
poezinë e Leidit qeni i leh fluturës, Çurçilli thoshte, se po ndale rrugës në
çdo qen që leh, nuk sosesh në destinacion. Morali është i njëjtë një njeri
normal s’duhet të harxhojë kohë me njerëz negativ.
Në kapitullin e tretë: “Shigjeta për shpirtin”, sidomos në faqet: 79, 95,
104, 105, 115, 121, të shoqërojnë të gjitha vuajtjet shpirtërore që përjeton
një njeri i zakonshëm. Poezia: “Shpresë dimrake”, një krahasim elegant dhe i
dhimbshëm i ftohtësisë me shpresën e një nuseje të sapomartuar. Në vend që të
përjetonte flladin e ngrohtë të pranverës, i ngjan acarit të dimrit shkaktuar
nga plaga më e rëndë që po kalon vendi, emigrimi. Poezia tjetër: “Lotët e resë”,
ç’bukuri: Pranë një pylli, u ngjit lartë dhe derdhi lotët një re,/ Ish
psherëtima e një bredhi, i djegur nga një rrufe.
Poetja i kushton shumë vemendje vlerës së kohës. E shohim të ndalet herë
pas here si në poezitë: Kurrë s’është vonë, Koha qesh, Humbje kohe etj. Koha nuk na pyet ne. Ajo t’i le punët pa
mbaruar nëse nuk e shfrytëzon si duhet.
Dhimbja, ëndrra, loti, shpulla, rënkimi, gëzimi, natyra, emigracioni...Kuja
e një gruaje, të gjitha bartin pasuri shpirtërore e ndjesi njerëzore që
gjenerojnë energji, për të qenë më të mirë e më të dobishëm.
Kapitulli i
katërt, në faqet 128, 129,134, 137, 147 etj. gjejmë poezi të bukura që me
dhimbjje qortojnë veset, si te poezitë: Statuja, Mos ngri britma,
Shpifjet, Si mirazh, Prej xhelozisë, Mendje
të ndotura, Si hije etj.
Kur mbaron së
lexuari këtë libër të kujtohet këshilla e Aristotelit: “Edukimi i
mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim” dhe, si në simbiozë me të,
gjen në poezitë e Leidit edhe këshillën e Fridrih Niçes: “Nuk vritet me
zemratë, por me qeshje”.
Nga ana formale,
poezitë e këtij libri janë kryesisht në varg të lirë, çka i jep autores
hapësirë për një rrjedhë natyrale të mendimit dhe ndjenjës. Gjuha poetike është
e pastër, e qartë dhe e kuptueshme, ndërsa figuracioni mbështetet në simbole të
buta dhe imazhe të njohura për lexuesin: zemra, shpirti, loti, heshtja, drita,
bari etj. Këto elemente nuk përdoren për efekt estetik të jashtëm, por si mjete
për të përçuar gjendje shpirtërore dhe reflektime personale.
Zëri lirik i
Leidi Shqiponjës është kryesisht intim dhe meditativ. Autorja flet nga përvoja
personale, por arrin të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin,
duke e bërë përjetimin individual të ndjehet i përbashkët. Poezia e saj nuk
kërkon interpretim të ndërlikuar, por lexim empatik dhe ndalesë reflektimi.
“Thesaret e zemrës” është një libër që i drejtohet
lexuesit që kërkon qetësi, ndjeshmëri dhe përsiatje në poezi. Ai nuk synon të
tronditë apo të eksperimentojë formalisht, por të ofrojë një hapësirë
shpirtërore ku fjala poetike shërben si strehë dhe pasqyrë e ndjenjës njerëzore.
Në këtë kuptim, vëllimi i Leidi Shqipnjës përbën një kontribut të ndershëm dhe
të sinqertë në poezinë bashkëkohore shqiptare, duke dëshmuar se forca e poezisë
qëndron shpesh te thjeshtësia dhe e vërteta emocionale.
Kush e njeh Leidin shehë qartë se poezia dhe portreti i saj janë të
pandarë. Si kur bisedon me të dhe kur i lexon poezitë, prek dhe përjeton një zë
melodioz, një shpirt të ngrohtë dhe zemër bujare. Qënia e saj është peizazh
virtytesh.
Meçan Hoxha, Durrës, 1 janar 2026