Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Domethënia e Vitit të Ri

| E merkure, 31.12.2025, 04:58 PM |


Domethënia e Vitit të Ri

Nga Gjon Keka

Që nga antikiteti Viti i Ri ka patur një domethënie dhe është shoqëruar me urime dhe dhurata për një mirëqenje dhe lumturi. Zakone të tilla kanë qenë praktik e vjetër, që do të thotë se çdo ndërrim viti njeriu ka kujtuar vitin që ka lënë pas dhe ka mbajtur në gjoksin e tij dëshirat dhe urimet për një vit më të mirë, me fat dhe të lumtur e të bekuar. Ndoshta nuk duket fortë e besueshme për ne sot, por Viti i Ri ka të ngjarë të ketë një histori më të gjatë, sepse ky zakon ka ekzistuar dhe është dokumentuar deri në ditët tona si një vazhdimësi e këtij zakoni.

Ndërsa dërgimi i kartolinave të Vitit të Ri te të afërmit, miqtë dhe të njohurit ka vazhduar deri në ditët tona dhe që nga prodhimi i kartolinave të tilla të urimeve për Vitin e Ri, që fakt filloi në fakt me shpikjen e gdhendjes në bakër dhe prerjes në dru. Kalendari i parë i shtypur duke përdorur pllaka druri u relizua në vitin 1439 dhe menjëherë më pas dolën edhe urimet e shtypura të Vitit të Ri.

Poashtu nga viti 1466 thuhet se ruhet një nga urimet më të vjetra të Vitit të Ri, të gdhendura në bakër, me imazhin përshkrues të Krishtit Fëmijë me fjalët: "Ein gout selig jor.", që në përkthim do të thotë „Një Vit të Ri të lumtur".

Urimet pastaj morën formulat si kjo, p.sh.: "një vit i mbarë" ose "edhe shumë vite të mira e të lumtura". Sikur u tha, përshkrimi i Krishtit Fëmijë rrjedh nga fakti se e gjithë periudha nga Krishtlindja deri në Epifani formonte një sezon të vetëm festiv, të atyre "Dymbëdhjetë Netëve", siç shprehet edhe sot kudo në botën e civilizuar e demokratike në urimet me fjalët: "një Krishtlindje të gëzuar dhe një vit të ri të lumtur".

Nga shekulli XVI e këndej urimet për Vitin e Ri lidheshin me kalendarët e murit, një zakon i njohur kudo në botën e qytetëruar, respektivisht në kontinentin europian. Ndërkaq në shekujt në vijim një stil më ceremonial zëvendësoi zakonet e rafinuara dhe jetën e gjallë popullore të shekujve të mëparshëm, pstaj luftërat e ndryshme përgjatë shekujve, humanizmi, laiciteti etj., kështu që urimet e Vitit të Ri morën një karakter krejtësisht të ndryshëm. Nga ajo që më parë bëhej me përshkrime fetare u zëvendësua nga alegoritë e atëhershme popullore dhe urimet u veshën me vargje të zbukuruara, pra Viti i Ri mori një karakter shekullar apo laik, civilizues e humanizues në kuptimin e modernitet dhe dinamikës së zhvillimit të gjithmbarshëm të botës. Kështu që u futën në përdorim kartat nga buznese të ndryshme që shtypnin urime, të shtampuara në reliev dhe të mbuluara me atlas, duke përshkruar një zbrazje të bollëkut në familje si bekim e lumturi dhe fat, si dhe në altarin e miqësisë dhe gëzimit të përbashkët, qoftë familjar ashtu edhe të mbledhurit sëbashku për ta pritur Vitin e Ri.

Nga ajo kohë e deri më sot, si kudo në botë, edhe tek ne arbërorët, të afërmit dhe miqtë vizitojnë njëri-tjetrin në Ditën e Vitit të Ri, i urojnë njëri-tjetrit një vit të ri të lumtur, shkëmbejnë dhurata dhe argëtohen sëbashku, duke e bërë kështu Vitin e Ri domethënës dhe duke treguar simbolikisht një llojë vlere për vitin që kalojë dhe Vitin e Ri.

Si sot mua më kujtohet kur isha i vogël gjatë kohës sa ishim nën pushtimin dhe sundimin serb, para çlirimit dhe pavarësisë, ne festonim Vitin e Ri në familje bashkë me familjarët, motrat, dhëndër e fëmijë e pleq dhe ishte një festim domethënës edhe përkundër kushteve jo të mira dhe rrethanave politike të kohës. Ne prapë ishim pjesë e dritës dhe e fetave të përbashkëta me botën e civilizuar, repsketivisht me familjen europiane.

Sot, pas çlirimit dhe pavarësisë, kanë disa mbetje, injorant dhe ideologë të errësirës dhe nxjerrin helm e errësirë se nuk duhet festuar Viti i Ri, se është vit i të krishterëve, se është kështu e ashtu. Pra, mbetjet e errësirës harrojnë se ne si popull, edhe kur ishim të pushtuar dhe në errësirën otomane e serbe, e festuam Krishtlindjen e Vitin e Ri dhe nuk arriti askush ta ngdalë këtë dhe nuk do të arrijnë as bijtë e errësirës ta ndalin popullin e Kosovës, si një shtet laik dhe europian, ta festojë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, pra t’i takojë dritës.

Kosova dhe tërë kombi ynë iliro-arbëror e dardan i takon dritës, prandaj edhe festat si Krishtlindja dhe Viti i Ri janë të mishëruar që nga lashtësia dhe do të vazhdojnë të bëjnë dritë nga brenda sa të ketë gjak të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës, Idriz Seferit, Ibrahim Rugovës, Ukshin Hotit, Adem Demaçit etj.

Prandaj, nga zemra, të gjithë popullit të Kosovës, atyre që e duan dritën, urime Viti i Ri, paqe, bekime, shëndet dhe lumturi në familjet tuaja. Ndërsa atyre që e urrejnë dritën dhe tentojnë ta pengojnë dritën, po e përdor fjalën e Jezus Krishtit që tha (bazuar tek Luka 23:34): "O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë".