| E marte, 30.12.2025, 06:56 PM |
Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të At' Gjergj Fishtës – "Homerit të shqiptarëve" (pjesa 1)
Shkruan:
Ismet M. Hasani
"Deri sa t'mundem me ligjrue,
E sa gjallë me frymë unë jam,
Kurrë Shqypni s'kam me t'harrue,
Edhe n'varr me t'permend kam."
(Gjergj Fishta)
*
Përkujtim nga autori:
Këtë shkrim ua kushtoj dy burrave të
mirë shqiptarë: At' Gjergj Fishtës, në 85 vjetorin e kalimit në amshin dhe
Mustafë Hasani - Paci, në 42 vjetorin e ndarjës nga jeta (që e mësoi dhe e
këndoi "Lahutën e Malcisë"- poemë nga e cila u frymëzuan breza të
tërë).
Pra, atyre që na banë mos t'i harrojmë
kurrë - njanin me penë e tjetrin me kangë.
/Ata kurrë mos u harrofshin/N'zemra tona gjithmonë rrnofshin!
(Autori)
*
Për ta përfshi krejt jetën dhe veprën e
At' Gjergj Fishtës më nëvojitet kohë e kohë, për ta shkrue më nëvojitet shumë
letër dhe shumë pena e bojë-pene, e këtë, deri më sod nuk e ka bâ askush,
prandaj, unë po shkruej at' që ma ka përthekue mendja jeme, dora jeme dhe
koha...; At' Gjergj Fishta Meriton të shkruhen libra sa ka nji bibliotekë...!
(IMH).
*
Data 30 dhjetori 2025 shënon
85-vjetorin e vdekjes së françeskanit e poetit të madh kombëtar shqiptar, At
Gjergj Fishtës ( lindur në Fishtë, më 23 tetor 1871, vdekë në Shkodër, më 30
dhjetor 1940), një prej figurave më të mëdha të Kombit dhe Kishës Katolike
shqiptare. Në varrimin e "Homerit të shqiptarëve" – më 31 dhjetor
1940, kanë marrë pjesë mijëra banorë të Shkodrës dhe personalitete fetare, kulturore
e politike nga Shkodra dhe më gjërë. Një prej tyre, Hafiz Ali Kraja, nderi i
fesë dhe krenaria e Kombit, njëri prej personaliteteve më të njohura fetare në
Shkodër dhe përtej, mik i ngushtë i At Gjergj Fishtës, ka mbajtur me atë rast
një fjalim historik që kujtohet dhe citohet edhe në ditët tona, 85-vite pas
vdekjes së Fishtës së madh.
Kur një klerik i lartë mysliman
shqiptar fliste për një klerik tjetër të madh katolik shqiptar, si At Gjergj
Fishta, bota shqpitare i respektonte dhe i nderonte dhe i dëgjonte si
fillimtarë të bashkjetesës fetare për të cilën shqiptarët kanë marrë famë anë e
mbanë botës. Me këtë rast të 85-vjetorit të vdekjes së At Gjergj Fishtës, ia
vlen ta sjellim pjesë nga fjalimi i Hafiz Ali Krajës:
"Poet kombëtar, Patër Gjergj! Kur
nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë
shumë, janë të mëdha edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se
për të cilën duhet të flitet...Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare
jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të "Lahutës së Malcisë",
kryevepra jote monumentale."
Profesori i njohur shqiptaro-amerikan
dhe ish i burgosur i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Sami Repishti kujton
se, "Me 30 Dhjetor 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e
vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë
kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut "At
Gjergj Fishta", dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës,
shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte
figurë të madhe të Kombit tonë. Edhe ashtu ngjau! Grupe studentësh u grumulluen
para Kishës Françeskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera
ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej
në supe vullnetarësh, filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji
turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga
koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të
tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Isha i
magjepsun para nji pamje të ktillë e thellësisht i emocionuem! Fishten –ashtu e
quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni. E kam njohë që në
klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte
figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në
votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë
Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por
kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste." ..."Të
rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë.
Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi. Fishta
që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të
ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesia që na mbushte
zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji
perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji
të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na
ushqejnë me mendime, na ngjallin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na
bajnë, me nji fjalë, me qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim,
nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal
ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht,
paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve. Por
Fishta kishte mbyllë sytë përjetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbarë percolli
veshun në zi, njeriun që ma shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që
jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsinë e nji turme që kurr nuk
deshti me njohë peruljen..." (Sami Repishti, nga varrimi i At
Gjergj Fishtës).
*
Fishta është varrosur më 31 dhjetor
duke i vendosur një kryq druri tek kryet e varrit të tij, sipas porosisë së
vet: /"Nji kryq druni, t'kojsha true/nxierre e venma përmbi
krye"/
Hedhja e eshtnave të At' Gjergj
Fishtës në lumin Drin?
Histori:
"Por për fat të keq të Kombit
shqiptar, nuk do të kalonte shumë, sipas dëshmitarëve të asaj kohe, disa njerëz
u futën në kishën ku ishte varrosur At Gjergj Fishta, për të zhdukur çdo kujtim
të tij, duke marrë trupin e eshtrat e Poetit dhe duke i hedhur në lumin Drin,
duke bërë aktin e fundit të hakmarrjes për të zhdukue kujtimin e tij, duke
zhdukur eshtrat dhe varrin e tij.
Duke menduar se me zhdukjen fizike të
At Gjergj Fishtës – madje edhe i vdekur nuk do të kishte më burra si Fishta të
cilët nuk do ishin më, "mburojë me i ndejtë Shqipënisë. Por si për çdo gjë
tjetër, komunistët ishin të gabuar, megjithëse ia tretën eshtrat dhe varri i
tij nuk dihet – veprat e At Gjergj Fishtës as nuk vdesin as nuk do të harrohen
kurrë. Varri mund të jetë i zbrazët por Lahuta nuk hesht!"
*
Eshtnat e At' Gjergj Fishtës gjënden në
Rëmaj të Shkodrës
( v i j o n )