| E hene, 29.12.2025, 06:57 PM |
A
gabon populli?
Nga Ndue Ukaj
Në historinë e njerëzore, ka shumë ngjarje të
mirënjohura, që tregojnë se populli shpeshherë gabon dhe krejt lehtësishët
manipulohet.
Për shembull, në antikë, historia e Sokratit e provon një
të vërtetë të tillë, kurse, përgjatë historisë, ka shembuj të shumtë që
dëshmojnë se shumica, e identifkuar me popullin, lehtësisht gabon.
Historia e krishterimit lidhet pikërisht me këtë temë.
Është populli i Jeruzalemit ai që e pret Krishtin me lule dhe dafina, me këngë
e galdim dhe i njëjti pas pak ditësh tallet me të, kërkon barabën, dhe në fund
e kryqëzon Krishtin.
Prandaj, të mençurit kanë thëne e përsëritur se
"opinioni i dhjetë mijë njerezve nuk ka vlerë nëse asnjë prej tyre nuk di
gjë për temën" (Marcus Aurelius).
Ndërgjegja njerëzore e tronditur përballë barbarisë së
Hitlerit, ende pyet: si u bë që populli i Gëtes e sa e sa mendjeve brilante,
populli që e donte aq shumë artin, muzikën e vénën, në një çast historik, rreshtohet
pas të çmedurëve, barbarëve?
Krejt kjo ndodh, sepse, popujt gabojnë sa herë pranojnë
të shndërrohen në turmë, ku emri e mbiemri i askujt nuk ka kuptim.
Po, populli gabon dhe atë rëndë, sa herë e përqafon
propagandën e mrekullueshme në vend të realitetit.
Po, populli gabon sa herë magjepset pas udhëheqësve
populistë që përndezin epshet e masave, me premtime për parajsë, por që në të
vërtetë i çojnë në ferr.
Po, populli gabon sa herë vullnetin politik e zëvendëson
me urrejtje dhe mllef.
Kosova sot vlon prej urrejtjes politike dhe vërtet është
tragjike të shish një brezni duke u rritë e duke u mësuar të urrejë.
Shkrimtari Lazër Stani, në një bisedë me Lucia
Paprckovan, thotë.
“Ne u edukuam të urrejmë, jo të duam; të urrejmë armikun
e klasës, të urrejmë imperializmin, borgjezinë, kulturën perendimore, të
shkuarën tonë kapitaliste, kulturën tonë tradicionale, fenë. Një komb i edukuar
të urrejë është një komb tragjik.”
Ky lloj edukimi e dominon sot mjedisin etik, social e
politik të Kosovës, ky lloj edukimi jepet me doza të rënda, sidomos nga fuqia e
pushtetit, dhe ky lloj edukim, e ka larguar vendin tonë nga bota e qytetëruar.
Ky lloj edukimi, e ka kthyer vendin tonë në vend tragjik.