| E hene, 29.12.2025, 06:54 PM |
Si erdhi LVV-ja deri te fitorja spektakolare?
Nga Ismet M.
Hasani, Suedi
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare –
të cilave u paraprinë përplasjet disamuajshe ndërmjet partive politike,
bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues – përfunduan me një fitore
bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Njohësit e zhvillimeve politike
vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë (REL) se zgjedhjet e 28 dhjetorit ia sollën
partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore spektakolare, të
cilën ajo e arriti kryesisht falë "dobësive" të partive opozitare.
LVV-ja i fitoi 49.30 për qind të
votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve
preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
"Kjo është një fitore spektakolare
e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të
ideve se si të ballafaqohet me popullizmin e fuqishëm të Kurtit", thekson
analisti Artan Muhaxhiri për REL-in.
Të dhënat preliminare të KQZ-së
tregojnë se partitë opozitare ngelën shumë mbrapa.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i
fitoi 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)13.59 për
qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.
Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72
për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.
Lista Serbe, partia më e madhe e
serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.
Fitoren e LVV-së, politologu Dritëro
Arifi e sheh si rezultat të disa faktorëve të ndërlidhur – "propagandës së
fuqishme" që ka kjo parti, si dhe dobësive të partive opozitare, të cilat
nuk kanë arritur të jenë mjaftueshëm aktive dhe të prezantojnë ekspertizë.
"Më e rëndësishmja është se
qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitare, si dhe
të një personi që do të mund ta ndryshonte gjendjen", thekson Arifi për
REL-in.
Bazuar në rezultatet preliminare,
LVV-ja pritet t'i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23 ulëse, LDK-ja
15 ulëse dhe AAK-ja 6 ulëse.
Lista Serbe pretendon se i ka fituar të
gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, por mbetet
ende në pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe
Mbijetesë e Nenad Rashiqit, do ta fitojë një ulëse.
Çka thanë partitë politike?
Lëvizja Vetëvendosje po shkon në
drejtim të përsërisë ose tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur
kishte fituar 50.28 për qind të votave.
Asokohe ajo e krijoi shumicën
parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por vetëm me deputetë
nga pakicat joserbe, të cilat i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend,
gjithashtu.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti, pas
shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se "sa më parë që
certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejt do të krijohen
institucionet".
Ai i ka ftuar partitë e tjera që të
bashkëpunojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se ky hap do të jetë
test për bashkëpunimin e mundshëm të mëtejmë, përfshirë edhe çështjen e
zgjedhjes së presidentit të vendit në pranverë.
"Natyrisht që duhet ta bisedojmë
me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për
marrëveshjet ndërkombëtare", tha Kurti.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha një
ditë pas zgjedhjeve se priste rezultat më të mirë.
"PDK-ja ka pritur rezultat më të
mirë dhe unë kam pritur rezultat më të mirë, por ne kemi arritur ta ruajmë
votën dhe elektoratin tonë", tha Hamza në një konferencë për media.
Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir
Abdixhiku, e ka uruar fituesin e zgjedhjeve, duke thënë se "Kosova ka
nevojë për demokraci funksionale".
Ai e mori përgjegjësinë për rezultatin
e dobët të partisë së tij, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së
tij.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj,
menjëherë pas mbylljes së votimeve u shpreh i kënaqur me rezultatin e partisë
së tij.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek,
pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se ka fituar mbi 90
për qind të votave të komunitetit serb dhe "të gjitha dhjetë
mandatet" e deputetëve të rezervuara për këtë komunitet.
Megjithatë, ai theksoi se për
rezultatin final, Lista Serbe pret vlerësimin e Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve.
Fjalori "i zbutur" i Kurtit
dhe sfidat e së ardhmes
Fjalimi i Kurtit, kur e shpalli fitoren
pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, ishte "mjaft i
kujdesshëm dhe i matur", në raport me partitë tjera shqiptare, vlerësojnë
vëzhguesit e zhvillimeve zgjedhore.
Por, sipas tyre, sfidat të cilat e
presin shumicën e re parlamentare, por edhe qeverinë e re, përfshirë edhe
zgjedhjen e presidentit të vendit në pranverën e vitit 2026, nuk i lënë vend
"arrogancës të Kurtit", të cilën ai e kishte shfaqur ndaj
kundërshtarëve politikë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe atyre të
9 shkurtit 2025.
"Nuk jemi mësuar ta shohim Kurtin
në këtë mënyrë. Por, kjo është gjë pozitive. Mirëpo, nga këndvështrimi im,
gjuha e trupit e tradhtonte. Normalisht që gjuha ishte e fituesit, por nuk e
kishte entuziazmin e fituesit", thekson politologu Arifi për REL-in.
Ai, por edhe analisti Muhaxhiri,
besojnë se Kurti, i cili pritet të jetë për herë të tretë kryeministër, mund ta
krijojë qeverinë e re vetëm me partinë e tij dhe me pakicat joserbe.
Një koalicion me një parti tjetër
shqiptare, do të ishte rezultat i dëshirueshëm për Kurtin, vlerësojnë ata.
Megjithatë, Muhaxhiri vlerëson se
hendeku i krijuar ndër vite ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, frika e LDK-së se mund
të humbë edhe më shumë elektorat në rast të një marrëveshjeje me LVV-në, e
bëjnë të pamundur një koalicion të LVV-së me dy partitë më të mëdha opozitare,
por edhe ndonjë mbështetje të këtyre partive si opozitë.
"Do të jetë shumë vështirë që
[Kurti] t'i bindë PDK-në dhe LDK-në që të qëndrojnë në sallë, për të arritur
kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit ose presidentes. LDK-ja
dhe PDK-ja konsiderojnë që presidentja [Vjosa] Osmani, me shumë veprime të saj,
i ka ndihmuar LVV-së", theksoi Muhaxhiri për REL-in.
Ai shtoi se refuzimi i bashkëpunimit
ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, mund ta çojë sërish
vendin në zgjedhje, qysh në pranverë kur Osmanit t'i mbarojë mandati në prill.
Politologu Arifi shpreh mendimin se në
rast se Lëvizja Vetëvendosje e tejkalon rezultatin e vitit 2021, Kurti do ta
shqyrtojë nëse ka nevojë edhe për një mandat të presidentes Osmani, apo synon
të propozojë një kandidat tjetër.
Sipas tij, kornizat që përcaktohen për
partitë politike opozitare shqiptare, në bazë të numrave të ulëseve të fituara
në Kuvend, nuk u mundësojnë hapësirë të madhe për manovrim me rastin e
zgjedhjes së presidentit në mandatin e ardhshëm.
"Opozita do ta bëjë një
kuazi-pragmatizëm, në këtë rast të detyruar, që të qëndrojë në sallë, sepse
alternativa tjetër janë zgjedhjet e parakohshme, në të cilat, nëse opozita del
si problematike, atëherë zoti Kurti mund të fitojë 60-70 për qind të votave
totale", thekson Arifi për REL-in.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të
28 dhjetorit, janë rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive
politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin
Kuvendin deri më 10 tetor.
Kurti më pas nuk arriti t'i marrë votat
e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Qeverinë nuk arriti ta formojë
as i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, po ashtu nga LVV-ja, gjë që detyroi
presidenten Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Teksa Kurti synon të formojë qeverinë e
re, KQZ-ja ende ka punë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi
duhen numëruar votat për deputetë, ato nga diaspora, votat me kusht, si dhe të
personave me nevoja të veçanta.
Të gjitha këto hapa kanë edhe afate për
ankesa, të cilët mund të jenë arsye për të marrë disa javë deri te formimi i
ekzekutivit të ri.