| E hene, 29.12.2025, 06:59 PM |

PERGATITI FRITZ RADOVANI:
PARRIZI N’ FESTË
SHKOI AT GJERGJ FISHTA OFM
POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA
Nga Agim Xh. Dëshnica
October 21, 2021
AT GJERGJ FISHTA OFM (1871 – 1941)
Në Fishtë të Zadrimës, më 23
tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të
njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve. Por
në atdheun e vet, gjatë diktaturës disa nga profesorët
e letërsisë e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën
përsipër të përbaltnin e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në
shërbm të atdheut. Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me
kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor
fjalori politik, fyerja, shpifja, e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë:
“Përfaqësuesi kryesor i klerit françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist
, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë
kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë
qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e
mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të
punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”,
propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit
osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit,
obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike,
kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare
të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i
Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike,
ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e
për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej
t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh
proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit
gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me
pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i
mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”
Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i
paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej
edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin
“Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta
edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim
Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të
tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu:
gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit
kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit,
kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj
edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa
atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca
dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”
Po ashtu gabuan edhe ata, që
shkruan se emri i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi,
librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri.
Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell.
Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e
fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e
menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E.
Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me
satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet
Musarajt.”(?!)
Drita e së
vërtetës nga autorë vendas e të huaj.
Në një kohë, kur Fan S. Noli
nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta
është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti
përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre
një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci,
do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe
shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa
analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet
Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet
epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj theksonte se “krahasimi i poezisë epike
të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën,
por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër
te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë
shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton
në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin
dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos
kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”. Aurel Plasari
shkruante: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka
vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të
vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.” Albanologu i
njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës,
ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther
e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio
thoshte: “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si
poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të madh tjetër:
Rabindranat Tagora.”
Publicistë të ndryshëm
shqiptarë me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të
vërtetën e jetës e veprës së Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi,
Salih Kabashi, Arben Marku, , Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të
tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e
veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të
ndrequra studimet e viteve para ’90. Ndërsa aty – këtu vihet re se
disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli,
duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe
ritmin e vargjeve të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër,
duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të
përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e
veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim
tymnaje, notonin dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të
atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.
Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot
hedh dritën e së vërtetës vetë poeti me veprat e tij. Fishta ishte
ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë,
apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.
Krijimtaria
e botuar e Fishtës
Poezinë e parë Fishta e botoi më
1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si
poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç
poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“,
„Vierrsha t’përshpirtshme“, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“,
„Vallja e Parrizit“, „Shën Françesku i Asizit“ „Gomari i Babatasit„
, „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda
Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i
qytetnuem“, „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e
Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e të tjera. Në vëllimin
„Mrizi i Zanave“, renditet “Gonzage„ dhe poezia „Nji
Lule Vjeshte“, nga më të dhimbëshmet e më të bukurat e letërsisë
sonë.
Proza e rrjedhshme e Fishtës u
shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në
gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen „Hylli i Dritës.“
Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në
vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës
dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta – Poet Kombëtar Shqiptar”, etj…
Fishta dhe “Lahuta e Malcis”
Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin
poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes,
rrezatimi i saj çante terrin:
“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si
mbretneshë!/
Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo,
robneshë!.”
Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë
ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e
Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian
Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa
mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e
Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa
“Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.”
Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl,
pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në
gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig
1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag
R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga
Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas
shembjes së diktaturës “Lahuta e Malsisë”, u njoh në anglisht e
përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London,
New York, 2005).
Fillimi
e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”
Fishta poemën e filloi më 1905 me
titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën e parë “Cubat” dhe e përfundoi më
1937, me këngën e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”
Në shënimet e veta Fishta, kujton
se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin
Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të
qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti.
Mbrëmjet i kalonin bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi rrëfime nga më
të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe
për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi
vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar
më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga
viti 1950,, një libër të vogël i ribotuar në vitin 1923, me
titullin “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para. Në krye të
librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi: “Me ket botim shuhen ato të
përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”
Lahuta e Malsisë me gjuhën
e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në
Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë.
Poema në vargje tetërrokësh, sado
me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori
në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë,
si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj. Befas, në
çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së
mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të puthura, herë
të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim,
afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë,
pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.
Pjesë
nga këngët e Lahutës
Gjatë analizës së krijimtarisë së
autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo
shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura
armiqësore, del e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me
tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota.
Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër
shqip të poetit atdhetar At Gjerg Fishta. Shembuj shkrimesh në
libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre, “Shkrimtarët shqiptarë”-
1942, në dy vëllime duke filluar nga Buzuku, ku shkrimtari i
njohur Karl Gurakuqi paraqet me imtësi jetën e Fishtës
vargje të shumta e të gjata, nga poema “Lahuta e Malsisë”,
nga poezia lirike, dramat e nga proza.
“LAHUTA
E MALCIS”
Këngë të zgjedhura.
C u
b a t
Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ket’ Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,
frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr’ të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,
me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër s’pari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:
e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum’ mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue
s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë
t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë,
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
………………
Vranina
Vojti fjala te Çetina:
-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!
Vallë! ç‘po ban Vranina
m’Shkje?
rob tue xanë e gjind tue
pre,
tue pre gjind, tue xanë kajduka
qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, ’i burrë shkodran,
shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë
për kah besa e kah trimënia,
qi zanatë i ka Shqipnia.
Kaleshan e sy-përgjakun,
mje m’sylah mustakun:
ushton mali, thonë, kur t’flasë,
dridhet fusha kah t’vikasë,
e kah t’dredhë të rrebtë taga’n
thue se rr’feja shkrep për anë
kaq vringllim ai shkon tu’ i dhanë!
……………………
Marash
Uci
Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….
Te
kisha e Shinjonit
Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kish mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’e rëmue dora grabitçare?
Sot m’e dá duen copa – copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………
Te ura
e Rzhanicës
Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! – i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.
……………………………
Dhunimi i veprës së Fishtës
Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malcís” dhe
krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i
ashtquajtur popullor, por ndërkohë u ribotuan në Romë më 1958, në Lubjanë, më
1990 dhe sërish në Romë më 1991.
Pas përmbysjes së diktaurës, veprat e Fishtës dhe
shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malsisë”.
Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë,
sepse lidhen me vlerësimin e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë
kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej,
duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malsisë”
përballë poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes Negoshi. Me
“Lahutën e Malsisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep
kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të
atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në
një fe, në luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me
krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit
shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e
pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi
titullin Poet Kombëtar”. Në veçanti Lahuta e Malsisë, i ngjan një
simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat
e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e
ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së
bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e
përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë
edhe vargje të rralla lirike për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës
shqiptare, si këto:
“Varza ka e varza s’ka,
porsi asht nji varz’ n’Janinë
kurrkund shoqen s’ia ke pa,
kah bje‘ diell e serotinë;
synin diell, ballin si hana,
ardhun shtatit si selvija
Efruazin e quejti nana,
augur t’mir me e pas Shqipnia.”
Fishta për Atdheun
Shpalljen e Pavarësisë së
Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës
Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës -1913. Një
gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën „Lahuta e Malsisë“ dhe në
artikujt e botuar në revistën „Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në
Shkodër më 1913. Në shkrimin me titull: “A jan t’zot
shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë
veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane
kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë. Ndërkohë ai argumenton
me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin e shtetit të
pavarur brenda kufijve etnikë.
Një ngjarje e paharruar do të
mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në
Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky
një veprim i guximshëm për bashkimin e shqiptarëve me disa besime
fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e
Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919
dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i
delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë
tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919, ai tha: „Pak
i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa
stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të
thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i
pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i
autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor
për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e
lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe
gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u
sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja
e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të
kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për
t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në
këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe
sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll në Ballkan ka ndjesi ma të
thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar? Në rast se ata nuk na duan
në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na
Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë
vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje e dalë nga
shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare
ndërmjet shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet
krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e
mrekullueshme fetare. Në vitin 1922 Fishta pritet në Uashington si personalitet
i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për
çështjen e kufijve të Shqipërisë.
I ftuar, më 1930, në
Nju Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të poetëve nga
60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet
ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e Bukuresht.
Me prozën e tij të shkëlqyer
përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit
të trazuar do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të
motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur, edhe shenjtorëve.
Nga leximi me vëmendje i
prozës së Fishtës, vihet re se ajo rrjedh po ashtu si poezia e tij.
Poezia, ashtu edhe proza e Fishtës, janë burime frymëzimi për
poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata që duan të flasin bukur
shqip.
Veprimtaria e Fishtës në vitet 20
– 30
Në vitet 20, Fishta merr pjesë
edhe në veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti
zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit
shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në
Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet
nga atdheu dhe vendoset në Itali. Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon,
boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë pjesa më e madhe e
dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më
1937 poemën epike „Lahuta e Malsisë“.
Më 1939, Fishta është kandidat i çmimit Nobel, anëtar i
Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve,
kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më
1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë
rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni
prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë
jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat
e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të
etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye. Tashmë letrat e sajuara nga
këta profesore, askush nuk i beson.
Po dokumentet ç’thonë për jetën e
veprimtarinë e Fishtës?
At Gjergj Fishta për fat të mirë mësimet e para i
mori nga mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e
mesme e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji,
filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë,
Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua
meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin
e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At
Pashko Babin etj., themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin
1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi
shqipen në programin mësimor. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në
Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim të
Kongresit, Fishta kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e
vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohe në moshë të re.
Dëshira e përkrahja e gjuhës shqipe nxiti drejtuesin e
arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916 Komsinë
letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i
ndikuar dhe nga Dr.R. Nahtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si
dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet e
tyre, përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër
Xhuvani, Sotir Peci e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu.
Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e
veprës së At Gjergj Fishtës ishin të paktë lexuesit e letërsisë, që kaluan
çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfilltë e të gjitha kohëve bashkohet në
një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur, që u ngrit madhërisht për rreth
dyzet vjet mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në shërbim të atdheut.
Nderimet nga vendi e bota
At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë zë një vend me
rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare
dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe nga
shkrimi në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare” – 1983, Fishta njihej kudo,
si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar,
edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist,
politikan demokrat, etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante:
“Fishta i la nder gjithkund emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare
e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe
bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën
dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në
vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë
argjendi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të
veprimit të tij letrar e politik. Perandoria Otomane i dha dekoratën Mearif
kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa
Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit
françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix”
(1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.
Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin
Nderi i Kombit.
Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarësisë
së Shqipërisë, ishte një nga vlerësimet më të larta, që
mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta.
Po ç’thotë Fishta me poezitë e
veta?
Ashtu siç u tha për poemën
„Lahuta e Malsisë“, gjithashtu duhet t’u jepen lexuesve të rinj edhe disa
nga poezitë apo tingëllimet e zgjedhura me ndjenja të përflakura atdhetarie.
NGA
“MRIZI I ZANAVE”
Gjuha
shqipe
Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjinjt e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.
Ah, po, â e ambël
fjala e saj,
Porsi gjumi m’nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka’ i bjen qiellvet tue fluturue
N’ t’ zjartat valle t’amëshimit.
Prá, mallkue njaj bir shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perëndísë,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia lên ai fmís;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë kët’ gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’ huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’ veten lên mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do ta dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhe shqip na thanë se Zoti
Për shqiptarë Shqipnínë e fali,
se sá t’ enden stina e moti,
Do ta gzojnë kta djalë mbas djali.
Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë jú për shqiptarë:
Trima n’zà sikurse jini.
Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malësija
Prej njaj goje sot t’ brohorisin:
Me gjuhë t’ vetën: “Rrnoftë Shqipnia!”
Shqipnia
Edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ ket’ pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë perherë t’
kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye n’për mriza hale,
Gurgullojn’ n’për rrâjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ shqiptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Liria.
Lume e shé para atij ngelin,
Ia lshojnë udhën dete e male;
Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.
Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Po, edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ két’ pá,
Se për qark ksaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá, moj Shqipní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí.
I
dbuemi
Lamtumir’, vendet e mija,
Qe, po zhduken dal’ngadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka val’ mbi valë;
Kah njaj diell, qi a tue flakue
Andej fill un’ tash do t’vete…
Lamtumir’, o dhe i bekue!
Lamtumir’ përsa t’jet jeta!
Nesër nadje kur mbi ne
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhé
Mue prej tejet kan me m’da?!
E por n’pyetsha retë mizore,
E por n’pyetsha zogjtë e detit
Se për ty, moj tokë arbnore,
S’ka me m’fol’ kush mue
t’shkretit
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pa, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;
Vendin t’em, por, s’kam me e pa
Ku kam le e jam burrnue;
Syt e mij edhe kan me kja,
Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.
Pa kënd t’emin, po e’ nji Zotit,
Tue shtegtue për dhe të huej,
Kan’ me m’shkue mue ditt e motit
Sha e përbuzun prej gjithkuej.
Kam me pas’ shkretin’ për votër,
E për shtroj’ të ndeztën ranë.
Kam me pasë ulkojën motër,
Kam me pasë , ehu, tigrën nanë.
Nana e mbetne për s’të gjallit
Ka me m’kja, kushdi, ndo’ i ditë,
Der sa motra dekun mallit,
Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.
Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,
Me i pru nanës n’shpi nji re:
Por i vllai, kushdi m’ at-hera
Ka me u kalbun për nën dhé!
E, njaj dhé-ehu! Kob prej qiellet!-
S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parëvet,
Ku ma bukur qielli kthjellet,
Ku ma ambël n’gjuh’ t’shqiptarvet
Para Hyut naltohet luta,
E ku besa asht e shejtnueshme,
E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,
E ku bjeshk’t jan’ të
madhnueshme.
Oh, ju bjeshk’t e Shqiptaris’,
Ku ma mir’ shndrit’ dielli e
hana,
E ku logu a i bujaris’
E ku rriten djelm si zana!
Un’ ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Der’ sa t’muj me ligjrue,
Ju gjithmon’ kam me u përmendë!
E ato halë e qipariza
Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,
E ato stane e njato mriza,
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh, vaj! Malet e mija,
Qe, po zhduken dal’ngadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka val’ mbi valë.
Lamtumir’, pra, bjeshkë e male!
E ju krepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale;
E ju prroje edhe ju gurra!
Lamtumir’ ju mrrize e stana!
Lamtumir’ kumbona e berre!
Lamtumir’, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe, ende ju djerre!
Lamtumir’ ti, shpija e t’Parëvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhaç’ shtegtarëve
Miqt e babës’ edhe ku i prita
Lamtumir’, carani m’votër,
Lamtumir’, ju arm’t e shkreta;
Lamtumir’ ti, nanë e motër,
Lamtumir’ për sa t’jet’ jeta!…
Surgite
mortui!
(Çohuni
të vdekun!)
Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Europa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,
Të cillët Kishat rrënue ua kanë
me topa
E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn
pré:
Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.
E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;
E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?
Hajnat lapera zotëni do t’
thrrasin,
E t’pa rodit do t’ i apin pagë e
t’ dheta;
Me armë shqyptare, n’ za
gjithmonë e n’ namë,
Sogje Shqyptari shkjaut do t’
rrijë sod m’ kamë
.
Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’
ketë jetë?
A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…
Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:
Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:
Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut?
–
Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej
Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,
A e ka uficiali kalin at’ a pélë.
E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,
Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: –
Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue
Me malazez të shkyem a me
serbjan:
Por per me mujtë me xjerrun kund
ndo ‘i grosh
Tue rrêjtë me to ndonji hingliz
balosh.
Jo, po; Shqyptarët kanë sot të
madh kujdes…
Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e
presin,
E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:
Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,
S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot
Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.
Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun
Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa
T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun
Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa
Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,
E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!
Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u
kam…Ku jéni?…
Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…
Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,
E, shk’ asht ma zi, né vlla me
vlla na dau!
Ah! M’ kambë, brè burra! Shka
jini mshehun
Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…
Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;
Asht turp, per Zotin! Shurdhë me
hupë Shqypnija.
Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me ndérë, a dekun grue e
trim!
Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…
Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!
Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;
E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.
Ku themra e jote per Atdhé të shklase,
Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!
Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde
Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!
Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,
– Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…
Mblidh Toskë e Lapë, e sod per
Shqyptari
Qindro, s ‘i herë qindrove me
trimni.
M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i t’ biri t’
shkinës
Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn
Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:
A i mend, thue, ti, kaq marre do
t’ a bâjn;
Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,
Qi aq gjak kanë derdhun per Liri
t’ Shqypnis?
Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri
Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,
Aty kufin e ka, per ball me Viri,
E ké me pá ti atëherë, se rrokullija
Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;
Pse per Shqypni Malcorët janë
msue me dekun.
Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’
u lshojë, jo, zemra,
Po Perendija s’ ka me u lanë me u
thye.
T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra
E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.
Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,
N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë,
Shqyptar t’ hijë n’ dhé!
E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar
m’ therore,
Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli
Per Shqyptari, me shue çdo mni
mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë
e rrnoftë
E nami i sajë per jetë u
trashigoftë!
Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi
krypa n’ Dri
E porsi krandja e that n’nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal
me vrri
Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë
me zâ,
Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë
me uzdajë
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë
Flamuri i Saj!
Nga poezitë Gjuha Shqipe.
Shqipnia, i Dëbuemi, çdo shqiptar ndien në thellësi të zemrës embëlsinë e
shqipes posi fllad pranvere, ndien krenarinë e përmallimin për
vendin e të parëve. Papritur Fishta na shfaqet krejt ndryshe,
tek Surgite mortui! Bëhet fjalë për fatin e atdheut të
rrezikuar nga copëtimi,. Zëmërimi i poetit s’ka kufi. Sokëllin me sharrje
therëse e mallkime kundër vendimeve të padrejta të diplomacisë Europiane nga
një anë dhe shqiptarëve me ndjenja të mpita atdhetare nga ana tjetër. Poezia
dridhëruese, ngjan me një ngrehinë klasike teksa tronditet në çaste
tërmeti. Mandej shpërthen kushtrimi e thirrja e luftës për kapedanët
e gjallë apo të vdekur, për burrat e djemtë e
rinj. Vargjet e hovëshme mbyllen me besim e brohori për
Shqipërinë e flamurin e saj.
Porositë e fundit të Fishtës
Sipas disa publicistëve shqiptarë
dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë
shprehur fjalët e fundit prekëse, testamente, këshilla, porosi… Pak para se të
shuhej në spitalin e Shkodrës, i ftohur rëndë në thëllim e
borë, la këshilla e porosi për fretërit e rinj françeskanë. Në testamentin e
tij lexohen këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue
për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i
poetit Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës
së Malcis” dhe përsëriti fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj
kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i
fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për
tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me
vdekë.”
Sipas kujtimeve të At Zef
Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga
sivëllezërit, Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një
varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se:
“Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma
dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj
ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim
tjetër se përnji ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don
rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”
Poeti At Gjergj Fishta ndërroi
jetë në mbarrim të vitit 1940. Nderimet fundit
u kryhen në Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Morën pjesë
mijëra vetë nga Shkodra. Erdhën edhe shumë telegrame, nga Prof. Eqrem
Çabej, Zenel Prodani, Spiro Vinjau, Muharrem Bajraktari, Rexhep Mitrovica,
Bahri Omari, Karl Gurakuqi, Frano Alkaj, Mihal Bellkameni, Lasgush Poradeci,
Ernest Koliqi, Hafiz Murati etj.
Duke lexuar shkrimin e prof.
N.Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për
atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë” me të cilën iu drejtua tërë
kombit shqiptar për bashkim kundër pushtimit të huaj. Nga vepra e ndritur
e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “ porsi kanga e zogut
t’verës.”
Poetët e shkrimtarë të viteve 30-40
Melbourne, 29 Dhetor 2025.