Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: 'Katër stinët dhimbje e kuqe'

| E diele, 28.12.2025, 06:10 PM |


Tahir Bezhani, cikël me poezi:

“Katër stinët dhimbje e kuqe”

VITET E IKURA

Vitet e ikura thyejnë errësirën

Pas lënë gjurmë  hiri  të shkriftë

Nga zjarr përvëlues vetëtimash

Mes reve të dendura derdhet shi lotësh

Kujtimet  lëpihen mallëngjimeve rinore

Nuk ke kohë të numërosh ditët

Mbushur  me gëzime të harruara

E as vuajtjet nuk numërohen

Kur vrapojnë mendimet si në log betejash

Pa u  përkulur në përballje stuhish

Edhe atëherë kur shtrembëroheshin   lisat

E rrënjët nuk tundeshin....

Në fletoren shumëfaqëshe të jetës

Janë drynuar kujtime të thella

Në rafte mbeten si hieroglife

Nuk mund t’i grisë as era , as furtuna

Vitet e ikura lënë pas  vragë si hije nate

Brenda  meje fle dhimbja e dashuria

Rrugëtim i papërfunduar kurrë.....

VALLËZIM I BUKUR...

Dhimbje e heshtur në brendi

Buzëqeshje e vrarë fluturim

Mes reve të zeza n’ hapësirë

Lëkurë e çarë erërave të ftohta

Tajitje  limfe, jargosje stinëve

Rrugëtimeve të gjata

I hutuar në kohë...

Në katër stinë dhimbje e kuqe fle

Njëlloj  shfaqet buzëqeshja

  pranverë  gjelbërim i dalldisur

Rreshkje përvëluese  vapës verore

Pikturë shumëngjyrëshe  në vjeshtë

( Brushë e Pikasos shndrite lartësive)

Dimrit akullnajë, dru i ndezur brenda...

Sa gjatë i bartka njeriu plagët

Kur dhimbja vallëzon bukur

Homazh mirësie...

DIALOG  ME VARGUN....

Ti, vargu im idhnak

Kurrë nuk më le të qetë

Në qetësinë  time të shurdhëruar krismash

Më ngacmon ditë natë, pa pushim

Shprush zjarrin tim të përgjumur moteve...

Më thuaj edhe çfarë do nga ky shpirt i dërmuar

Unë te fala buzëqeshjen e zemrës

Më dhurove lotët e shpirtit

Së bashku për të gjetur  shtegun e ecjes

Rrugës së dashurisë e të dhimbjes

Si t’ia  verbojmë territ sytë...

Udhëtuam lartësive në kërkim  të horizonteve

Ura jete ndërtuam brigjeve tona

Ecëm e ecëm  kapur për ashtin e plagosur...

Mëngjeseve  rrezonte   dielli

Buzëve dukeshin ngricat e natës

Errësira e natës ishte çmendur

Shkulte mykun e flokëve të gjata...

Sytë shpojnë qiellin n ‘thellësi

Furtunat këndojnë këngën  heshtur

Sa kryengritëse dita e lirisë sime

Gjithherë festë bën shpirti i paepur