Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: 36 - vjetori i themelimit të LDK-së, Ibrahim Rugova dhe Kosova

| E marte, 23.12.2025, 04:58 PM |


36 - vjetori i themelimit të LDK-së, Ibrahim Rugova dhe Kosova

Nga Ndue Ukaj

Pikërisht në vigjilje të festës së Krishtlindjes, në një Kosovë, ku, me shekuj kishte munguar drita e perëndimit, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë demokratike në Europën Juglindore, me drejtues letrarin, Ibrahim Rugova.

Themelimi i kësaj partie, në një kohë simbolike, ka domethënien e një rilindje, në kuptimin më të lartë të fjalës – të një përndritje humaniste - për çka Rugova u angazhua së pari në fushën e letërsisë e të kulturës, në përkim me formulën e rëndësishme të historisë së kulturës shqiptare, “ n’së dashunisë së botës sonë”, të nisur nga Buzuku e Bogdani. Këtë formulë e ripërtëriu, në mënyrën më sublime, në domenin e politikës, duke e vendosur, kështu, kombin e shqiptarëve në hartën e ngjarjeve të mëdha të perëndimit.

Rugova nuk ishte properëndimor, në kuptimin siç na rastis t’i dëgjojmë të flasin liderë anë e kënd botës shqiptare, që bëjnë jetë të maskuar, ai nuk e mendonte këtë si akt zgjedhje politike as si luks, por si një gjendje natyrale, ngaqë për të, Europa ishte shtëpia jonë e përbashkët. Për faktin e pandryshueshëm, se, perëndimorja ishte autoktonia e kulturës dhe arkitektura që kishte formuar e mirëmbajtur identitetin e kombit të shqiptarëve.

Prq, formula e punës së Rugovës, ishte “ n’së dashunisë së botës sonë”. Dhe në saje të kësaj formule, Rugova besonte te dashuria, sepse, dashuria është krijuese, dhe jo të urrejtja, sepse urrejtja është rrënuese.

Prandaj, ai gjithçka që bëri e bëri për dashuri ndaj botës sonë.

Nuk e urrente askënd.

Nuk zgjohej si perëndimor, për të bërë jetë si lindor e për të ra në gjumë në ëndrra të çoroditura.

U kërkonte qytetarëve që t’i votonin edhe partitë tjera.

Dashurinë për vendin nuk e provonte duke ulëritur e gulçuar, as duke treguar sa të këqij janë të tjerët, psh, armiqtë tanë, por duke treguar, kush ishte ai, sa e mirë ishte Kosova e njeriu i saj, pra, duke e dashtë vendin e njeriun e saj, me trashëgiminë pozitive, përditë, me fjalë e vepra.

Ai nuk fliste keq për kundërshtarët, përkundrazi, vlerësonte punën e tyre në kauzën, për liri, demokraci e pavarësi.

Ai nuk luftonte për një shtet, në të cilin njeriu vihet në shërbim të pushtetit, por për një shtet, në të cilën, shteti vihet në shërbim të njeriut.

E, në Kosovën e sotme, këto vlera duken aq të rralla, sa njeriu mallëngjehet. Sepse, vendi ynë, sot, lëngon, dhe përditë ka tendenca të largohet prej këtyre idealeve. Për mendimin tim, pikërisht kjo është arsyeja thelbësore e parehatisë shqiptare, kjo është arsyeja pse shqiptarët ikin, përditë, andej kah Europa, sepse, e kam thënë shpeshherë: sa herë në atdheun e tyre nuk ka mjaftueshëm Europë, ata e dinë se për ta hapen portat e ferrit. Për këtë, kemi përvoja empirike sa të duam.

...

Ibrahim Rugova, përpara se të përfshihej në jetën aktive politike, ishte afirmuar, si rojtar i mendimit të lirë, i lirisë pakushte e deduksione ideologjike, në fushën e letërsisë e të kulturës, ku e gjeti formulën udhërrëfyese, me të cilën hyri në politikë.

Ai ka kritikuar strategjinë negative serbe kundrejt shqiptarëve, përmes një strategji mbresëlënëse pozitive. Ai ka rezistuar në fushën e artit, me libra dhe ide humaniste, duke e përdorur kulturën si strategjinë më fisnike të njeriut në funksion të humanizmit të sjelljeve njerëzore e për t’i shëruar anomalitë shoqërore.

Ai ka besuar, se arti, “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”

Ai ka besuar tek e mira dhe në këtë besim ishte i palëkundur, prandaj nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë. Dhe, në fillimet e rrugëtimit politik, e citonte Edmond Burken që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor.

Kjo qasje e pazakontë e krejt atipike, në Ballkanin e trazuar e të sertë, ku me shekuj kishte sunduar injoranca, ishte në thelb, ide europiane, dhe si e tillë e magjepsi botën perëndimore.

Duke shkruar rreth figurës së Rugovës, shkrimtari, Ismail Kadare te parathënie a librit të Rugovës “Çështja e Kosovës” thotë: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Kosova, ka disa vite që e ka bjerrë rrugën e Rugovës, e kjo domethënë, rrugën e vet, prandaj është e ligështuar, në mjegull mendore, e izoluar dhe e dërmuar. Dhe për të dalë prej kësaj mjegull mendore, ku jemi katandisë, shoqëria jonë nuk duhet të kërkojë formula ideologjike e as instruksione të tilla, ajo duhet të reflektojë për mësimet politike e kulturore të Rugovës, sepse, siç na kanë thënë edhe udhëheqësit më të mëdhenj botërorë, mësimet e tij janë kapitali më i madh politik që ka Kosova dhe bazament i shëndoshë për ta ndërtuar Kosovën e sotme dhe të nesërme.