| E marte, 23.12.2025, 04:55 PM |

TESTAMENTI I ÇAMËRISË NGA MISIONARI I SAJ
-
dy fjalë për librin “Çamëria... heshtja që vret” e autorit Hyqmet Zane -
Nga
MSc. Albert HABAZAJ
Kujtesa vjeshtore e Çamërisë në Vlorë
Me krenari, dhembje e
përgjegjësi jo vetëm çamët e Qarkut Vlorë, nga Panajaja në Konispol, nga
Rrogozhina në Elbasan, nga Durrësi në Shkodër, nga Tirana në Fier e kudo që
jetojnë bijtë e bijat e kësaj krahine të pastër shqiptare, por gjithë labët e
ulqinakët, fusharakët e malësorët, dardanët e iliridasit, mbarë Shqiptaria,
SHQIPËRIA E PARË do të thosha me zjarr, dëshirë e vërtetësi, është mirë të
kujtojmë atë ditë të 30 nëntorit 2025, kur në ambientet e Hotel “Bolonja” në
Vlorë, u zhvillua promovimi i veprës “Çamëria - Heshtja që vret” i autorit dhe
studiuesit të njohur çam, z. Hyqmet Zane. Ky aktivitet u organizua nën kujdesin
e ish - deputetit çam, z. Dashamir Tahiri. Aktiviteti u moderua nga pedagogia
Prof. Dr. Monika Hasani, e cila udhëhoqi diskutimet.
Në këtë promovim morën
pjesë qytetarë vlonjatë, të cilët mbështetën promovimin e veprës dhe shprehën
vlerësimin për punën e autorit. Gjatë aktivitetit, mbajtën fjalën studiuesi z. Ahmet
Mehmeti, zj. Monika Hasani,z. Albert Habazaj, zj. Barie Isufi dhe z. Bari
Zanaj, të cilët ndanë mendimet dhe analizat e tyre për rëndësinë e veprës dhe
trashëgimisë çame.
Gjithashtu u prezantua
projekti i veçantë për ndërtimin e një Muzeu Dixhital, me foto dhe kujtime të
çamëve në vite, projekt i iniciuar nga Prof.Dr.Monika Hasani; si dhe projekti i
nominimit të valles së Osman Takës, si trashëgimi në UNESCO.
Aktiviteti u shoqërua
me motive çame, këngë dhe valle tradicionale, nën kujdesin e koreografit çam,
z. Sali Nuredini, i cili ndihmoi për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe të
gjallë. Pjesëmarrës në këtë promovim ishte gjithashtu "Marubi i Çamërisë",
z. Skënder Beqiri, i njohur për fotografitë e tij historike të kapura gjatë
shpërnguljes së popullsisë çame në vitin 1944. Ai ruan kujtime të
jashtëzakonshme me vlera historike të pamatshme, të cilat janë të rëndësishme
për ruajtjen dhe dokumentimin e shpërnguljes së popullsisë çame.
Ky aktivitet, i
pasuruar me elemente kulturore dhe historike, shërbeu për të nderuar
trashëgiminë e popullsisë çame, si një popull vital, patriot, krenar e me
dinjitet, si dhe për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së vyer
çame.
Vepra "Çamëria -
Heshtja që Vret" vjen si një akt i rëndësishëm për të sjellë në vëmendje
historinë e një populli që ka vuajtur shumë, por që ka mbijetuar me krenari dhe
dinjitet, duke ruajtur traditat e tij unike.
Në përfundim të aktivitetit,
mbështetur financiarisht nga z. Gaz Demi, autori i librit, studiuesi z. Hyqmet Zane shpërndau (me autograf ) kopjet e
librit “Çamëria-Heshtja që vret”.
Mesazhi i Profesores Monika Hasani Hoshafi: “Në
atmosferën e festave të nëntorit, në ambientet e hotel "Bolonja",
Vlorë, u organizua promovimi i librit"Çamëria, heshtja që vret" me
autor Hyqmet Zane, pinjoll i familjes Zane, nga Filati i Çamërisë. Aktiviteti mblodhi
bashkë patriotë çamë e labë nga t? gjitha ngjyrat politike. Gjatë moderimit të
aktivitetit theksova se ky botim pavarësisht karakterit të tij publicistik,
përshkruhet nga nje dashuri sipërore e autorit për krahinën e Çamërisë dhe nga
një përulësi krenarie për njerëzit e saj. Në libër shpërfaqet
identiteti historik, shpirtëror e kulturor i Çamërisë me të gjithë koliritin e
saj. Krenari që gjatë moderimit të kisha pranë figurën e z.
Skënder Beqiri, i njohur si Marubi i Çamërisë, fotograf i masakrave ndaj
popullësisë çame. Aktiviteti u shoqërua me një mozaik kulturor të
traditave të k?saj krahine.
Elma Zeqiri, vajza e zgalemit të detit
dhe shkrimtarit Fadil Zeqiri u shpreh:
Më bëhet qejfi Monika që keni organizuar një ditë kaq të këndshme
dhe me ngjyra e tradita Çamërie, po më duket që mungojnë shumë zonja çame aty
që do i jepnin akoma më ndriçim, kulturë e histori asaj festeje. Të rejat e
bëjnë shumë bukur, e vijojnë stafetën me freski e besnikëri.
Fjala labe për Çamërinë
Të dashur vëllezër dhe motra çame! Unë,
Albert Habazaj nga Tërbaçi i Labërisë së Lumit të Vlorës - Himarë Vlorë me
shpirt ndihem çam po sa ju.
Kam dëshirën dhe nderin tim, që si një
bir Labërie ta nis fjalëzën time me vargjet e një vjershe të vjetër botur në
vëllimin poetik “Buzëqeshje të grisura”. Një strofë është, dy distikë, “Dy
motra” titullohet: “Çamëria, Labëria,/
Lule shege, gjak në rrënjë./ Labëria - Çamëria, janë dy motra bërë një nënë”.
Nëna Shqipëri është mëma e gjithë shqiptarëve këtu, në këtë dhè e këto troje,
jashtë kufijve politikë e kudo, në rajon, nëpër kontinent e nëpër botë, ku është
shpëndarë mërgata e luleve shqipe...
Ndihem shumë i vlerësuar që marr pjesë
në këtë manifestim shpirtëror kaq simbolik e domethënës, siç është përurimi (dhe
më shumë se aq) i librit “Çamëria...
heshtja që vret” e studiuesit të njohur shqiptar, publicistit dhe
intelektualit çam, autorit Hyqmet Zane.
Ju faleminderit të gjithëve për
mirëpritjen dhe i shpreh mirënjohje vëllazërore Saliut, artistit të përkushtuar
çamo - vlonjate Sali Nuredini për vëmendjen ndaj ftesës sime.
Dua të flas e të shkruaj pafundësisht
për Çamërinë tuaj, për Çamërinë time; po aq dua të flas pafundësisht për këtë
visar të shpirtit çam, për këtë kushtrim të gjakut të bijve dhe bijave më të mira
të Çamërisë, prurë me vërtetësi, dashuri e dinjitet nga biri juaj e vëllai ynë
Hyqmeti. Por nuk mundem. Nuk mundem se
as Hyqmet Zane, edhe pse bëri këtë libër të madh me 93 shkrime në 426 faqe,
botuar përgjatë këtij çerek shekullit të fundit në faqet e shtypit të shkruar në
gazetat më prestigjioze të vendit, nuk i ka thënë dot të gjitha... Ai do të
vazhdojë të thërrasë për kushtrim, deri sa krahu i majtë i Shqiponjës të shërohet,
se është lënduar rëndë e gjaku kullon dhembje, aq më keq kur heshtja vret më
shumë se plumbi. Vetëm kur të shërohet krahu i majtë i Shqiponjës (se edhe
krahu i djathtë Kosova dardane ende dhemb jo pak); pra kur të shërohen të dy
krahët e saj, Shqiponja do të fluturojë e lirë dhe krenare, thjeshtë e qytetarisht
drejt Perëndimit, drejt botës, drejt jetës dhe këtyre trojeve të lashta do t’i
themi me krenari e dinjitet: SHQIPËRIA E PARË.
E kam lexuar librin me vëmendje e
dashuri, aty ndihesha entuziast, aty drithërohesha , aty ndihesha kryelartë,
aty tkurresha, aty ndihesha i madh, aty mpakesha... Dhe, herë pas here,
rikthehesha tek faqja e parë poshtë titullit e sytë më mbusheshin me lot, gati
sa të klithja tek lexoja Ahmet Mehmetin me apelin vërtetësisht pikëllues: “Atë
që dje e bëri me armët më mizore, sot e bën me heshtej mortore”
Të dashur motra dhe vëllezër çamë!
Mendoj se e njoh mirë Çamërinë, se përveç afërsisë gjeografike, historike,
etnografike e folklorike, dokeve, zakoneve, traditave të përbashkëta, perlave të
shpirtit popullor aq të mrekullueshme, patjetër dhe virtyteve aq të mira që
kemi, (por edhe të veseve po ashtu),
vetëm unë kam hallën (i ndrittë shpirti ku prehet!) që ka qenë nuse e një djali
çamë, ndërkohë që një bilë çame e kam
nuse për djalë... Po ashtu kam rreth një gjysmë shekulli njohje e miqësi me të
paharruarin Fadil Zeqiri - zgalemin e Çamërisë, me intelektualët e paharrimtë,
prof. Selman Sheme e prof. Agim Bido, me poetin e shkëlqyer të Çamërisë Xhemil
Lato (i dritëroftë shpirti, atje ku prehet tek në hijen e ullinjve e Panajasë.
Siç e nisa miqësinë të dëlirë në vitin 1977 e vijon dhe sot e kësaj dite, madje
më të fortë, me lisin e pashkulur nga furtunat, gati shekullorin
tonë të paulur pa bastun Marubin e Vlorës dhe Çamërisë Skënder Damin Beqirin e
Vrohonait, 97 vjeç djalë... Dhe nga të pesë këta kam mësuar shumë, i kam
dëgjuar dhe më kanë dëgjuar. Por kuptova që, me gjithë dëshirën, mundësinë dhe
dashurinë, ende nuk e paskam njohur sa
dhe si duhet motrën martire të Labërisë - Çamërinë, që u bë therore për Lirinë.
Autori, si besnik i së vërtetës, dallohet për qëndrimet konsekuente dhe na jep
një panoramë të vërtetash historie dhe vlerësime dhe për Heroin e Popullit Ali
Demi dhe dëshmorët e tjerë nga Çamëria që dhanë jetën në Luftën Antifashiste
Nacional Çlirimtare, po ashtu edhe pjesëmarrjen e djemve çamë në brigadat
partizane, dëshmi kjo e antifashizmit të bijve të kësaj treve, në kundërshtim të
dokumentuar me tezën greke të “bashkëpunimit me nazistët”
Hyqmet i dashur! Të falënderoj me
shpirt për këtë horizont që më çele me librin tënd të madh “Çamëria... heshtja që vret”, edhe pse shumë shkrime të tua i kam
lexuar, se i ndjek me ëndje tek “Telegrafi” ynë. Me këtë rast, para jush, motra
e vëllezër çamë e labë, para publikut vlonjate e atij shqiptar, dua të
falënderoj drejtorin deh kryeredaktorin bujar të gazetës “Telegraf”, vizionarin
atdhetar Engjëll Musai për hapësirat që na le në faqet e kësaj gazete me emër
jo vetëm Hyqmetit e mua, por edhe publicistëve të tjerë të përkushtuar për Çështjen
kombëtare, për Shqiptarinë
Do të më falni për kohën, por më ka lënë mbresa të pashlyeshme shkrimi
i Hymetit “Kujtesë pas 60 vjetësh nga vrasja e të ashtuquajturit “grupi i Teme
Sejkos” dhe Tahir Demit.
Vërtetësia, logjika e ftohtë dhe
natyrshmëria e rrëfimit hyqmetian të bën të futesh në personazhet dhe ngjarjet
që shkruan e lë testament brezave që ngrihen, pa e shmangur, pa e retushuar. As
kuajt nuk trajtoheshin siç janë trajtuar bijtë e mirë të Çamërisë së begatë nga
togat e pushkatimit që zbraznin karikatorët e armëve të tyre pa pikë mëshire
mbi bijtë idealistë e të pafajshëm shqiptarë të nënave çame. Ato ditë të zeza të
30 dhe 31 majit 1961. Dhe gjyqi bëhej me altoparlant, që të përhapej sa më shumë
në popull e të linte gjurmë të liga demaskimi i tyre, për atë që s’kishte
ndodhur kurrë. Asnjë falje për ata 63 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda
kufirit shtetëror përfshirë në atë gjyq monstruoz për të ashtuquajturit “grupe
armiqësore” inekzistente të sajuara. Të pushkatuarit dhe të dënuarit llogariten
me 1250 vite burgim pa pasur asnjë faj. I mirënjohuri komandant i çetës
antifashiste “Çamëria” Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë. Kush
mban përgjegjësi për këtë gjëmë për martirët e Çamërisë, që u bënë dëm, sikur të
ishin kecër dhe jo atdhetarë dhe bij nënash? Kush do të përgjigjet për këtë
çmenduri fatale?! Kush duhet t’u kërkojë falje Presidenti, drejtësia, shteti im
çapaçul apo akoma vrëngër do t’i shikojmë vëllezërit tanë jugorë, duke i lënë në
mëshirë të fatit, në gojë të ujqve, apo dhe duke i hedhur benzinë zjarrit të
stisur midis vedit?! Kërkohet shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t’ua
bërë në emër të drejtësisë njerëzore dhe jo sorollatje, shushatje e tallje
dhelpërive djallëzore. Shovenët grekë i vranë, i torturuan dhe i dëbuan
mizorisht nga trojet e tyre stërgjyshore.
Të shkruash për të vërtetat e atyre
ngjarjeve që ndodhën - na jep mesazhin intelektuali atdhetar Hyqmet Zane - nuk është
çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar e dokumentuar pabesitë
e bëra dhe barbaritë e zbatuara nga shovenët grekë dhe emisarët e tyre. Ajo që
të vjen keq edhe mbas kaq shumë dekadash
është: ende edhe sot e kësaj dite nuk është
hequr balta që u hodh padrejtësisht mbi këtë popullatë të pafajshme, por
edhe mbi viktimat e çamët e Shqipërisë janë trajtuar si hebrenjtë e Europës,
por pa u zgjidhur çështja e Çamërisë, çështja
kombëtare është sëmurë. “Plag’ e gjak e shpirt që dhëmb,/ Aty ngrehu, aty shëmb,/ Dritë besimi, trimërie,/Marathonomak
lirie!”
Tragjedia e krahinës shqiptare të Çamërisë
bën apel dhe sikur flet: Mund të më vrasësh mua, por ideali nuk vritet dot. Ai
kalon si frymë kombëtare nga brezi në brez.







