| E marte, 23.12.2025, 04:59 PM |

Moderatorja
Klodjanë Shkoza-Bala prezantuese brilante
SHQIPTARËT KREMTOJNË
113-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Shoqata
e mirënjohur që mbanë emrin e heroit të shumëdashur "Kadri Zeka", në
Kirchheim Teck, në Gjermani, kremtoi përvjetorin e 113-të të Pavarësisë të
Shqipërisë londineze dhe të ngritjes të
Flamurit Kombëtar në Vlorën heroike. Shoqata është themeluar më 12 shtator
1992, në Nürtingen, me nismen e veprimtarit të hershëm, Xhafer Leci, kryetar
shumëvjeçar i Aktivit të LDK-së, në Kirchheim Teck dhe delegat i Degës në
Gjermani. Është një ndër Shoqatat shqiptare më jetëgjata dhe më aktivet në
nivel të Gjermanisë dhe më gjerë. Kontributet e saja për Atdheun-Kosovë janë të
shumta dhe të shumëllojshme, në veçanti, ato materiale, siç është begatimi i
Fondit shtetëror i 3 %-shit dhe aksione tjera në vijimësi, që kalojnë 6
(gjashë) shifrorin në numra.
Organizimi
i Shkollës shqipe, ruajtja e kulturës dhe traditave kombëtare, bashkëpunimi me
palën vendore, afirmimi i çështjes shqiptare në Gjermani, integrimi në
shoqërinë gjermane, kanë qenë pjesë e veprimtarive 33-vjeçare të Shoqatës
atdhetare, simpatike humanitare, kulturore dhe artistike "Kadri
Zeka".
Përgjatë
tej tri dekadave jetë të kësaj Shoqatë kanë punuar, vepruar dhe kontribuar
shumë dhjetëra-qindra veprimtarë të devotshëm dhe mijëra anëtarë mërgimtarë të
përkushtuar, Andaj, natyra e këtij shkrimi, nuk na mundëson t`i përmendim me
emra masiv. Kufizohemi që në përfaqësim të tyre, të citojmë disa nga
veprimtarët që kanë bërë emër dhe janë ende në jetë: Xhafer Leci, në prag të 80
viteve, Faredin Emërllahu, Arban Hoxha, Bedri Islami, Taxhidin Bakija...,
ndërsa, tashmë, në amshim: Qemail Morina dhe Hajrullah Matoshi.
Kryesia
aktuale e Shoqatës përbëhet nga Taxhidin Bakija, kryetar, Selami Morina,
nënkryetar, Ramadan Zeka, sekretar, Fatmir Krasniqi, arkatar, Xhafer Leci,
Kryetar Nderi, Hamza Brahimi dhe Islam Shahini, anëtarë kryesie.

I
parë në foto kryetari i shoqatës Taxhidin Bakija
Manifestimi
shënues i Shpalljes të Pavarësisë, hapet me intonimin e Hymnit Kombëtar, me
dëgjim të ngritur në këmbë.
Moderatorja
simpatike, Klodjanë Shkoza-Bala, gazetare, përshëndet të pranishmit, duke i
falenderuar për pjesëmarrjen e tyre fisnike në festimin madhor. Dhe, i fton të
pranishmit për nderimin me heshtje të Dëshmorëve, të rënë për çlirim dhe lirinë
e Atdheut.
Moderatorja
Klodjanë fton në skenë kryetarin e vyeshëm dhe urtak të Shoqatës, Taxhidin
Bakiu, për t`i përshëndetur mysafirët e pranishëm, të cilët janë të shumtë në
numër, ashtu siç meriton të nderohet Shoqata emër mirë "Kadri Zeka".
Por, ne po sjellim, në këtë shkrim, vetëm ndoca nga përfaqësuesit e zëshëm të
disa Shoqatave simotra:
Fatbardha
Rama, mësimdhënëse e Shkollës shqipe në Vendlingen; Kolë Merturi e Nami
Ramadani, bashkëveprimtarë të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, heronj të
Kosovës; Abit Fazliu, kryetar i Shoqatës "Nëna Tereze" në Göppingen
dhe Jahja Gashi, ish-kryetar dhe veprimtar i hershëm; Dr. Rexhep Shala,
koordinator me palën gjermane; Nora Gashi-Abedini, kryetare, koreografe e
grupit artistik, në Göppingen; Miradije Gashi, veterane e arsimit, poete,
shkrimtare dhe veprimtare e hershme e çështjes kombëtare; Gjylije Lecaj,
sekretare e Qendrës Kulturore Shqiptare në Stuttgart; Refki Bytyçi, kryetar dhe
Sadik Zogaj, Kryetar Nderi të Shoqatës "Kosova", në Felbach; Gjevdet
Nikqi, kryetar i Shoqatës "Dardania", në Pforzheim; Xhevdet Syla,
poet, shkrimtar, ish-kryetar i Shoqatës "Pavarësia", në Stuttgart;
Nue Lekaj, zyrtar në komunën Vernau, përkrahës i aktiviteteve të Mërgatës dhe
veprimtar i zellshëm e cilësor i çështjes kombëtare.

Grupi
i valltarëve të Shoqatës "Nëna Tereze" të Göppingenit
Grupi
artistik i Shoqatës "Nëna Tereze", i mësuar nga krye valltarja Nora
Gashi, mysafirë të kësaj mbremje festive, prezantoi, mjeshtërisht dhe besnikërisht,
dy valle nga trevat shqiptare, duke sjellur në skenë, për pak minuta, Atdheun
në miniaturë dhe përlotur mërgimtarët e përmallur gjithmonshëm, për Vendlindjen
e largët, madje shumë të largët fizikisht, por rrast afër mendjes dhe zemrës.
Fëmijët provuan talentin e tyre, me recitimet e poezive të përzgjedhura enkas
për festën, nga mësuesja e pasionuar për edukimin e brezit më të ri të
mërgimtarëve.

Kryetari
i Nderit, Xhafer Leci, prezanton historikun e Pavarësisë të Shqipërisë
Të
dashur bashkatdhetarë dhe ju mysafirë të nderuar,
Sonte
jemi tubuar, për ta shënuar së bashku festën më të rëndësishme të historisë
tonë kombëtare, 28 Nëntorin të vitit 1912, ditëlindjen e Pavarësisë të
Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar. Kjo ditë kishte qenë ëndrra shumë
shekullore e shqiptarëve, të pushtuar dhe të sunduar ndër shekuj. Ketë shpallje e bëri publike, nga ballkoni i
një shtëpie dy-kateshe, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali së bashku me Isa
Boletinin, Luigj Gurakuqin dhe shumë kombëtarë të tjerë. Më këtë rast, duke
ngritur flamurin tonë kombëtar, është mposhtur flamuri osman.
Fajet
tona historike:-Ideologu i pavarësisë së Shqipërisë Hasan Prishtina, deri në
vitet '60-a konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por
më pas ai u rehabilitua! Më 6 dhjetor 1977 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të
eshtrave të tij në qytetin e Kukësit.
Hasan
Prishtina, në vitin 1911 kishte mbajtur një fjalim mbresëlënës në Parlamentin
turk. Ai mungoi në Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912, ngaqë ndodhej
i burgosur në Beograd.
Në
60 vjetorin e Pavarësisë, më 1972, në pllakën përkujtimore, në Sheshin e
Flamurit në Vlorë, nuk figuronte portreti i Luigj Gurakuqi, me arsyetimin se ai
ka qenë i afërt dhe i dashur me klerin katolik!
Pa
mëdyshje, shqiptarët janë të kamotshëm në aspiratat e tyre për liri dhe
pavarësi, veçse shumë të vonuar në organizimin e duhur, për t`u përballuar me
pushtuesit, të cilët e zëvendësonin njëri-tjetrin, në pushtimet e tyre të
trojeve tona të lashta. Pushtuesi i parafundit ishte Perandoria Osmane. Në
gjysmën e dytë të shekullit 19-të, në përballjen luftarake të vazhdueshme me
Rusinë Cariste, fuqia e saj ushtarake po dobësohej, madje deri në atë shkallë,
sa të quhej "i Sëmuri i Bosforit".
Është
thënë dhe përsëritur se shqiptarët janë të vonuar në histori. Përveç disa
lëvizjeve lokale e fragmentare, në mbrojtje të kufijve perandorak, nga armiqtë
fqinjë, serbë, malazezë, bullgarë dhe grekë, brenda të cilëve ishte Shqipëria
Etnike, pra, jo vetëm ajo londineze, si dhe të disa rasteve të kundërshtive të
pronarëve, bejlerë dhe agallarë, të brendshëm shqiptarë, kryesisht, zaptues të
hapësirave të tokave pjellore, nuk kishte as organizime dhe aq më pak veprime
domethënëse për çlirim dhe liri.
Përpjekja
e parë serioze organizative shqiptare për luftë, çlirim, liri dhe pavarësi,
ishte Lidhja e Prizrenit e qershorit të vitit 1878. Burrat e dheut të Etnikumit
shqiptar, ishin trima të mençur, të prirë nga Abdyl Frashëri, ideolog i kësaj
Lidhje, i koordinuar me udhëheqës popullor Ymer Prizrenin, vendor, Sylejman
Dibra, dibran, ushtaraku Sylejman Vokshi, gjakovar, me ushtarët e tij. Qëllimi
i tyre fisnik ishte organizimi i kryengritjes të parë në Veriun e Shqipërisë,
respektivisht, Kosovën e sotme. Por, për shkaqe të dobësive të mobilizimit në
jugun e Shqipërisë, pengesave subjektive, përvojave të pakëta, kryengritja
dështoi dhe robëria vazhdoi.
Rrjedhojat:
Fuqitë e Mëdha, nën presionin e Rusisë Cariste, në Kongresin e Berlinit, më
1878 injoroi kërkesën e shqiptarëve, dhe Kancelari Otto von Bismarck pretendoi
se një komb shqiptar as nuk ekzistonte. Kancelari i Perandorisë Gjermane, Otto
von Bismarck, mbajti marrëdhënie të ngushta me gratë, gjatë gjithë jetës së
tij. Lidhja e tij me Princeshën ruse Katharina Orlov pothuajse për pak i kishte
kushtuar me jetën. Shqiptarët nuk njiheshin si komb arbërorë-shqiptarë por si
arnavut (Arnavudluk)
Në
Konferencën e Londrës 1913 dhe të Parisit, bënë
pazare të pista me tokat shqiptare, duke shpërblyer: Serbinë, Malin e
Zi, Greqinë, duke u dhënë: Hotin, Grudën, Malësinë e Madhe, Sanxhakun, Kosovën
Lindore, Epirin, Iliriden!
Çuditërisht,
Evropa nuk kishte ushtri në trojet shqiptare më 1878 , madje as më 1912!
Lufta
kundra Osmane filloi të zgjerohej, sidomos në Veriun shqiptar. Ky organizim iu
imponua shqiptarëve, nga pafuqia e "turqve të rinj", për të mbrojtur
kufijtë shqiptar, nga fqinjët lakmitarë, si: Serbia, Mali i Zi, Greqia,
Bullgaria, të cilët kishin oreks të shtuar, për të pushtuar tokat shqiptare!
Shqiptarët
asnjëherë nuk harrojnë ndihmat në fusha të ndryshme të vendeve mike për
çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, siç janë; Austria, Amerika, Gjermania e
vende tjera mike të shqiptarëve.
Pa
Shqipërinë e Pavarur nuk do kishim as Kosovën e Pavarur. Lavdi dhe nderim të përjetshëm
për burrështetasit, nga Ismail Qemali dhe Ibrahim Rugova, me atdhetarët tjerë
si dhe luftëtarët heroikë, përgjatë shekujve, të cilët i kontribuuan çlirimit,
lirisë dhe shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë londineze dhe një pjesë të
Dardanisë, respektivisht, Kosovës dardane.
E
gëzofshim për jetë e mot Pavarësinë e Shqipërisë!
Ish-kryetari
i "Shoqatës "Pavarësia", në Stuttgart, veprimtar i shquar,
Xhevdet Syla, recitoi krijimin e tij poetik,"Kur koha më flet me emrin
tënd, Shqipëri".
Këngëtarët
Lirije Morina e Dukagjin Kastrati, në shoqërimin e sintistit muzikor, Fatmir
Jashari, kënduan, argëtuan, vallëzuan dhe gëzuan së bashku me mërgimtarët, deri
në mesnatën e vonshme. Manifestimet kulturore dhe artistike në Mërgatë, për
ndryshim nga rrethet familjare në Atdhe, shtrihen në tërë gjeografinë e
etnikumit shqiptar.
Fotografitë
janë realizuar nga mjeshtri i kamerës - Gani Kryeziu.
Moderatorja
Klodjanë Shkoza-Bala, duke e mbyllur programin festiv, felenderon dhe uron me
përzemërsi pjesëmarrësit: Gëzuar festat e Nëntorit të madh!

Mërgimtarët festojnë dhe vallëzojnë