Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Shqiptarët kremtojnë 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

| E marte, 23.12.2025, 04:59 PM |


Moderatorja Klodjanë Shkoza-Bala prezantuese brilante

SHQIPTARËT KREMTOJNË 113-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata e mirënjohur që mbanë emrin e heroit të shumëdashur "Kadri Zeka", në Kirchheim Teck, në Gjermani, kremtoi përvjetorin e 113-të të Pavarësisë të Shqipërisë  londineze dhe të ngritjes të Flamurit Kombëtar në Vlorën heroike. Shoqata është themeluar më 12 shtator 1992, në Nürtingen, me nismen e veprimtarit të hershëm, Xhafer Leci, kryetar shumëvjeçar i Aktivit të LDK-së, në Kirchheim Teck dhe delegat i Degës në Gjermani. Është një ndër Shoqatat shqiptare më jetëgjata dhe më aktivet në nivel të Gjermanisë dhe më gjerë. Kontributet e saja për Atdheun-Kosovë janë të shumta dhe të shumëllojshme, në veçanti, ato materiale, siç është begatimi i Fondit shtetëror i 3 %-shit dhe aksione tjera në vijimësi, që kalojnë 6 (gjashë) shifrorin në numra.

Organizimi i Shkollës shqipe, ruajtja e kulturës dhe traditave kombëtare, bashkëpunimi me palën vendore, afirmimi i çështjes shqiptare në Gjermani, integrimi në shoqërinë gjermane, kanë qenë pjesë e veprimtarive 33-vjeçare të Shoqatës atdhetare, simpatike humanitare, kulturore dhe artistike "Kadri Zeka".

Përgjatë tej tri dekadave jetë të kësaj Shoqatë kanë punuar, vepruar dhe kontribuar shumë dhjetëra-qindra veprimtarë të devotshëm dhe mijëra anëtarë mërgimtarë të përkushtuar, Andaj, natyra e këtij shkrimi, nuk na mundëson t`i përmendim me emra masiv. Kufizohemi që në përfaqësim të tyre, të citojmë disa nga veprimtarët që kanë bërë emër dhe janë ende në jetë: Xhafer Leci, në prag të 80 viteve, Faredin Emërllahu, Arban Hoxha, Bedri Islami, Taxhidin Bakija..., ndërsa, tashmë, në amshim: Qemail Morina dhe Hajrullah Matoshi.

Kryesia aktuale e Shoqatës përbëhet nga Taxhidin Bakija, kryetar, Selami Morina, nënkryetar, Ramadan Zeka, sekretar, Fatmir Krasniqi, arkatar, Xhafer Leci, Kryetar Nderi, Hamza Brahimi dhe Islam Shahini, anëtarë kryesie.

I parë në foto kryetari i shoqatës Taxhidin Bakija

Manifestimi shënues i Shpalljes të Pavarësisë, hapet me intonimin e Hymnit Kombëtar, me dëgjim të ngritur në këmbë.

Moderatorja simpatike, Klodjanë Shkoza-Bala, gazetare, përshëndet të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrjen e tyre fisnike në festimin madhor. Dhe, i fton të pranishmit për nderimin me heshtje të Dëshmorëve, të rënë për çlirim dhe lirinë e Atdheut.

Moderatorja Klodjanë fton në skenë kryetarin e vyeshëm dhe urtak të Shoqatës, Taxhidin Bakiu, për t`i përshëndetur mysafirët e pranishëm, të cilët janë të shumtë në numër, ashtu siç meriton të nderohet Shoqata emër mirë "Kadri Zeka". Por, ne po sjellim, në këtë shkrim, vetëm ndoca nga përfaqësuesit e zëshëm të disa Shoqatave simotra:

Fatbardha Rama, mësimdhënëse e Shkollës shqipe në Vendlingen; Kolë Merturi e Nami Ramadani, bashkëveprimtarë të Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, heronj të Kosovës; Abit Fazliu, kryetar i Shoqatës "Nëna Tereze" në Göppingen dhe Jahja Gashi, ish-kryetar dhe veprimtar i hershëm; Dr. Rexhep Shala, koordinator me palën gjermane; Nora Gashi-Abedini, kryetare, koreografe e grupit artistik, në Göppingen; Miradije Gashi, veterane e arsimit, poete, shkrimtare dhe veprimtare e hershme e çështjes kombëtare; Gjylije Lecaj, sekretare e Qendrës Kulturore Shqiptare në Stuttgart; Refki Bytyçi, kryetar dhe Sadik Zogaj, Kryetar Nderi të Shoqatës "Kosova", në Felbach; Gjevdet Nikqi, kryetar i Shoqatës "Dardania", në Pforzheim; Xhevdet Syla, poet, shkrimtar, ish-kryetar i Shoqatës "Pavarësia", në Stuttgart; Nue Lekaj, zyrtar në komunën Vernau, përkrahës i aktiviteteve të Mërgatës dhe veprimtar i zellshëm e cilësor i çështjes kombëtare.

Grupi i valltarëve të Shoqatës "Nëna Tereze" të Göppingenit

Grupi artistik i Shoqatës "Nëna Tereze", i mësuar nga krye valltarja Nora Gashi, mysafirë të kësaj mbremje festive, prezantoi, mjeshtërisht dhe besnikërisht, dy valle nga trevat shqiptare, duke sjellur në skenë, për pak minuta, Atdheun në miniaturë dhe përlotur mërgimtarët e përmallur gjithmonshëm, për Vendlindjen e largët, madje shumë të largët fizikisht, por rrast afër mendjes dhe zemrës. Fëmijët provuan talentin e tyre, me recitimet e poezive të përzgjedhura enkas për festën, nga mësuesja e pasionuar për edukimin e brezit më të ri të mërgimtarëve.

Kryetari i Nderit, Xhafer Leci, prezanton historikun e Pavarësisë të Shqipërisë

Të dashur bashkatdhetarë dhe ju mysafirë të nderuar,

Sonte jemi tubuar, për ta shënuar së bashku festën më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 28 Nëntorin të vitit 1912, ditëlindjen e Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar. Kjo ditë kishte qenë ëndrra shumë shekullore e shqiptarëve, të pushtuar dhe të sunduar ndër shekuj.  Ketë shpallje e bëri publike, nga ballkoni i një shtëpie dy-kateshe, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali së bashku me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin dhe shumë kombëtarë të tjerë. Më këtë rast, duke ngritur flamurin tonë kombëtar, është mposhtur flamuri osman.

Fajet tona historike:-Ideologu i pavarësisë së Shqipërisë Hasan Prishtina, deri në vitet '60-a konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua! Më 6 dhjetor 1977 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në qytetin e Kukësit.

Hasan Prishtina, në vitin 1911 kishte mbajtur një fjalim mbresëlënës në Parlamentin turk. Ai mungoi në Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912, ngaqë ndodhej i burgosur në Beograd.

Në 60 vjetorin e Pavarësisë, më 1972, në pllakën përkujtimore, në Sheshin e Flamurit në Vlorë, nuk figuronte portreti i Luigj Gurakuqi, me arsyetimin se ai ka qenë i afërt dhe i dashur me klerin katolik!

Pa mëdyshje, shqiptarët janë të kamotshëm në aspiratat e tyre për liri dhe pavarësi, veçse shumë të vonuar në organizimin e duhur, për t`u përballuar me pushtuesit, të cilët e zëvendësonin njëri-tjetrin, në pushtimet e tyre të trojeve tona të lashta. Pushtuesi i parafundit ishte Perandoria Osmane. Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të, në përballjen luftarake të vazhdueshme me Rusinë Cariste, fuqia e saj ushtarake po dobësohej, madje deri në atë shkallë, sa të quhej "i Sëmuri i Bosforit".

Është thënë dhe përsëritur se shqiptarët janë të vonuar në histori. Përveç disa lëvizjeve lokale e fragmentare, në mbrojtje të kufijve perandorak, nga armiqtë fqinjë, serbë, malazezë, bullgarë dhe grekë, brenda të cilëve ishte Shqipëria Etnike, pra, jo vetëm ajo londineze, si dhe të disa rasteve të kundërshtive të pronarëve, bejlerë dhe agallarë, të brendshëm shqiptarë, kryesisht, zaptues të hapësirave të tokave pjellore, nuk kishte as organizime dhe aq më pak veprime domethënëse për çlirim dhe liri.

Përpjekja e parë serioze organizative shqiptare për luftë, çlirim, liri dhe pavarësi, ishte Lidhja e Prizrenit e qershorit të vitit 1878. Burrat e dheut të Etnikumit shqiptar, ishin trima të mençur, të prirë nga Abdyl Frashëri, ideolog i kësaj Lidhje, i koordinuar me udhëheqës popullor Ymer Prizrenin, vendor, Sylejman Dibra, dibran, ushtaraku Sylejman Vokshi, gjakovar, me ushtarët e tij. Qëllimi i tyre fisnik ishte organizimi i kryengritjes të parë në Veriun e Shqipërisë, respektivisht, Kosovën e sotme. Por, për shkaqe të dobësive të mobilizimit në jugun e Shqipërisë, pengesave subjektive, përvojave të pakëta, kryengritja dështoi dhe robëria vazhdoi.

Rrjedhojat: Fuqitë e Mëdha, nën presionin e Rusisë Cariste, në Kongresin e Berlinit, më 1878 injoroi kërkesën e shqiptarëve, dhe Kancelari Otto von Bismarck pretendoi se një komb shqiptar as nuk ekzistonte. Kancelari i Perandorisë Gjermane, Otto von Bismarck, mbajti marrëdhënie të ngushta me gratë, gjatë gjithë jetës së tij. Lidhja e tij me Princeshën ruse Katharina Orlov pothuajse për pak i kishte kushtuar me jetën. Shqiptarët nuk njiheshin si komb arbërorë-shqiptarë por si arnavut (Arnavudluk)

Në Konferencën e Londrës 1913 dhe të Parisit, bënë  pazare të pista me tokat shqiptare, duke shpërblyer: Serbinë, Malin e Zi, Greqinë, duke u dhënë: Hotin, Grudën, Malësinë e Madhe, Sanxhakun, Kosovën Lindore, Epirin, Iliriden!

Çuditërisht, Evropa nuk kishte ushtri në trojet shqiptare më 1878 , madje as më 1912!

Lufta kundra Osmane filloi të zgjerohej, sidomos në Veriun shqiptar. Ky organizim iu imponua shqiptarëve, nga pafuqia e "turqve të rinj", për të mbrojtur kufijtë shqiptar, nga fqinjët lakmitarë, si: Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, të cilët kishin oreks të shtuar, për të pushtuar tokat shqiptare!

Shqiptarët asnjëherë nuk harrojnë ndihmat në fusha të ndryshme të vendeve mike për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, siç janë; Austria, Amerika, Gjermania e vende tjera mike të shqiptarëve.

Pa Shqipërinë e Pavarur nuk do kishim as Kosovën e Pavarur. Lavdi dhe nderim të përjetshëm për burrështetasit, nga Ismail Qemali dhe Ibrahim Rugova, me atdhetarët tjerë si dhe luftëtarët heroikë, përgjatë shekujve, të cilët i kontribuuan çlirimit, lirisë dhe shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë londineze dhe një pjesë të Dardanisë, respektivisht, Kosovës dardane.

E gëzofshim për jetë e mot Pavarësinë e Shqipërisë!

Ish-kryetari i "Shoqatës "Pavarësia", në Stuttgart, veprimtar i shquar, Xhevdet Syla, recitoi krijimin e tij poetik,"Kur koha më flet me emrin tënd, Shqipëri".

Këngëtarët Lirije Morina e Dukagjin Kastrati, në shoqërimin e sintistit muzikor, Fatmir Jashari, kënduan, argëtuan, vallëzuan dhe gëzuan së bashku me mërgimtarët, deri në mesnatën e vonshme. Manifestimet kulturore dhe artistike në Mërgatë, për ndryshim nga rrethet familjare në Atdhe, shtrihen në tërë gjeografinë e etnikumit shqiptar.

Fotografitë janë realizuar nga mjeshtri i kamerës - Gani Kryeziu.

Moderatorja Klodjanë Shkoza-Bala, duke e mbyllur programin festiv, felenderon dhe uron me përzemërsi pjesëmarrësit: Gëzuar festat e Nëntorit të madh!

Mërgimtarët festojnë dhe vallëzojnë