| E diele, 21.12.2025, 06:53 PM |

Lamtumirë Ismet Bellova!
Nga
Ilir Çumani
Komentatori
më unik i sportit shqiptar Ismet Bellova e dha frymën e fundit. Me zërin,
pasionin dhe gjuhën e veçantë të komentatorit sportiv, ai la pas jo vetëm
emocione, por edhe gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar, në
kujtesën kolektive të sportdashësve.
Për
dekada me radhë, ndeshjet nuk ishin thjesht lojë për ata që e dëgjonin
timbrikën e veçantë të Bellovës. Ato shndërroheshin në rrëfim, në dramë
sportive, në art të fjalës së thënë me ndjenjë dhe kulturë. Ai nuk komentonte
vetëm rezultatin; ai lexonte shpirtin e lojës, emocionin e tribunave, frymën e
fushave të blerta anembanë Shqipërisë dhe jashtë vendit. Përmes tij, futbolli
merrte zë njerëzor dhe dimension kombëtar.
Të
mëdhenjtë nuk harrohen. Ashtu si zëri i tij nuk u shua kurrë në kujtesën e
atyre që u rritën duke e dëgjuar. Edhe sot, kur kohët ndryshojnë dhe ritmi i
sportit bëhet gjithnjë e më i shpejtë, figura e Ismet Bellovës mbetet pikë
reference — simbol profesionalizmi, përkushtimi dhe dashurie të sinqertë për
sportin.
Ai
e shkroi bukur, me fjalë të zgjedhura dhe me gërma të arta, një epokë që tashmë
mban emrin e tij: një epokë belloviane, ku komentimi nuk ishte zhurmë, por
kulturë qytetarie; jo thjesht pasion, por përgjegjësi publike.
Largimi
i tij nga jeta është një humbje e madhe e Historisë futbollistike shqiptare,
por trashëgimia që la pas është një pasuri që nuk venitet. Ismet Bellova do të
mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë sportive dhe e kujtesës shpirtërore të
Shqipërisë.
Prehu
në paqen e merituar, Mjeshtër i Madh.
Tiranë, e diel – 21 dhjetor 2025