| E diele, 21.12.2025, 07:00 PM |

Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song Contest
Nga
Albert Vataj
Festivali
i 64-t i Këngës në RTSH, uli mbrëmë siparin e tij, duke shpallur si fitues të
këtij edicioni, Alis me këngën “Nân”.
E
nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, Alis triumfon në Fest 64, dhe “Nân” do të
përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri.
Sërish
ishte publiku ai që vendosi, për “Nân” një baladë emocionalisht e fuqishme e
shkruar nga Desara Gjini, me kompozim nga Alis Kallaçi dhe instrumentacion nga
Erjet Barbullushi.
Një
këngë që i flet shpirtit, një hymn për një nga plagët më të dhimbshme të
shoqërisë shqiptare. Një nga tempujt më të lartë të shenjtërisë së jetës,
“Nân”, mbremë provoi të ngjitej më lart, në qiellin e një adhurimi të publikut,
të artdashësve, të atyre që pavarësisht paragjykimeve, gjithnjë kanë ditur të
zgjedhin, kanë ditur të jenë përcaktues në vendimin e jurisë, por më së shumti
në atë vlerë dhe ndërgjegje të shpirtjes kolektive që do t’i përfaqësojë ata në
Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri, në një nga eventet më të
rëndësishme të këngës në Evropë.
“Mu
më bahet jashtëzakonisht qefi që fitusi sante shkon shumë mirë edhe me dëshirën
e audiencës sepse në fund të fundit në krijojmë kangë për audienca, ne
prodhojmë për audienca. Juria profesionala në mënyrë të padiskutueshme që asht
shumë e rëndësishme për të shku tek detajet e krijimtarisë. Po kangt bahen për
audiencën, kshtu që na vjen shumë mirë se sante jemi në nji za me audiencën”,
kjo ishte ajo çfarë tha mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, Ramë Lahaj, tenori me
famë botërore, që ishte në Festivalin e 64-tërt të Këngës në RTSH, në rolin e
kryetarit të jurisë, para se t’i dorëzonte Alis trofeun e këtij eventi të
rëndësishëm të këngës.
Në
vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht, Inis Neziri dhe Sheila.
Alis,
me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e
ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nân” mori 152
pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes
sms-ve.
Festivali
i 64-t i Këngës uli siparin me një natë ku muzika ishte më shumë se spektakël.
Të ftuarit specialë, nga Bleona Qerreti te dueti emocionues Elsa
Lila,Aleksandër Gjoka, nga “Shkodra elektronike” te energjia elektrizuese e
Tommy Cash, e shndërruan mbrëmjen në një festë të shumëzëshme. Por mbi të
gjitha këto, qëndroi një këngë e vetme, e heshtur në fuqinë e saj, që nuk pati
nevojë për efekte për të fituar: “Nân”.
Tani,
Alis do ta çojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë jo me
zhurmë, por me thellësi. Jo me klishe, por me dhimbje të vërtetë. Ai do ta çojë
atje zërin e nënës shqiptare, mallin e saj, pritjen e saj, dashurinë e saj të
pashtershme. Dhe në një skenë ku shpesh fitojnë format, “Nân” do të guxojë të
fitojë me përmbajtje.
Kjo
është arsyeja pse kjo fitore nuk i përket vetëm Alis. Ajo i përket publikut që
zgjodhi me zemër. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë, Europa do ta dëgjojë.
Teksti
i këngës fituese të Festivalit të 64-t në RTSH ndërtohet mbi një thjeshtësi të
qëllimshme, pothuaj liturgjike, ku fjala “Nan” shndërrohet nga emër familjar në
simbol universal të origjinës, dashurisë dhe sakrificës. Nuk kemi të bëjmë me
një narrativë të ndërlikuar apo metafora të stërholluara, por me një poezi
këmbëngulëse në ndjenjë, që gjen forcën pikërisht te përsëritja dhe te emocionaliteti
i zhveshur nga ornamentet.
Vargjet
hapëse, “Lotët ti i fsheh, / E gjumi nuk të merr”, përshkruajnë figurën klasike
të nënës shqiptare: një qenie e heshtur në vuajtje, vigjilente, që jeton më
shumë për tjetrin sesa për veten. Dritat që “i mban nxehtë” nuk janë thjesht
një detaj shtëpiak, por një metaforë e pritjes së përhershme, e gatishmërisë
emocionale që nuk fiket kurrë. Në këtë kuptim, nëna shfaqet si prania konstante
që garanton siguri, edhe kur mungon fizikisht.
Përsëritja
obsesive e emrit Nan krijon efektin e një thirrjeje intime dhe kolektive
njëkohësisht. Ajo tingëllon si një lutje, si një këngë ninulle e kthyer
mbrapsht: tani është fëmija që i këndon nënës. Zgjedhja e gegnishtes i jep
tekstit një ngrohtësi të veçantë dhe një autenticitet emocional, duke e afruar
këngën me rrënjët, me shtëpinë, me kujtesën e hershme.
Momenti
kur nëna merr emër konkret, “Emri saj Mara”, është veçanërisht domethënës. Këtu
teksti kalon nga universalia te individualja, duke na kujtuar se çdo “nan” ka
një histori, një fytyrë, një emër të vetin. Kjo e bën homazhin më të prekshëm
dhe e çliron nga retorika e përgjithshme, duke e ankoruar në një përvojë reale,
personale.
Refreni
“Me dashni m’ke sjell / n’han e n’diell” përmbledh thelbin e mesazhit: jeta si
dhuratë dhe dashuria si akt themelor krijimi. Nëna nuk është vetëm burimi
biologjik, por modeli etik, “Shembulli im ke me mbet”, figura që formëson
njeriun përtej kohës. Dashuria e saj nuk është kalimtare, por “n’dashni e
përjet”, një koncept që e vendos figurën e nënës në një dimension pothuaj
metafizik.
Në
tërësi, ky tekst nuk synon të befasojë me risinë poetike, por të prekë me
sinqeritetin e tij. Është një këngë që nuk kërkon interpretim kompleks, sepse
flet drejtpërdrejt me kujtesën emocionale të dëgjuesit. Pikërisht kjo
thjeshtësi e ndershme, e kombinuar me një ndjenjë universale si ajo e dashurisë
për nënën, e bën tekstin të fuqishëm dhe të denjë për jehonën që ka marrë në
Festivalin e 64-t.