Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Vend i fjalëve

| E diele, 21.12.2025, 12:53 PM |


Blerim Rrecaj

Ka-h-je

Me shumë fjalë e pak veprim

Nga udhëkryqi në rrethrrotullim

Dhe anasjelltas

Vend i fjalëve

Pa fjalë

(Heshtja flet ose

sillet vërdallë)

Pak fjalë

(Diç sa për të thënë ose

vështirë me u përmbajt)

Shumë fjalë

(Ku mbërritëm ose

punë të lëna mënjëanë)

Tepër fjalë

(Që endën e përenden nëpër

tërë fshatin global)

Pa hesap fjalë

(Marrëzitë vazhdojnë

të ngjiten nëpër shkallë)

Paralajmërimi

E dinte që jam i lirë

E më tha një shok një ditë

Se është mirë

Të takohem me dikë

S'di a ishte ditë e hënë

A ndofta dhe e shtune

Po e di mirë bëhej fjalë

Për të zënë unë

Një vend pune

Po i thashë shokut

Ta paralajmëroj atë mik

Se kjo çështje e nisur

Mbart me vete dhe rrezik

Se nëpër shumë vende pune

Ku kam hyrë

Në fillim më është dukur verë

Pastaj dimër i vështirë

Edhe unë punëdhënësve

U jam dukur herë-herë

Një ditë si qengj i urtë

E si rebel që bën poterë

Sidoqoftë

Nëpër gjithë këto vende

Ku kam zbarkuar

Diku më larguan

Diku vetë jam larguar

S'dihet se kush kujt

Ia ka bërë me hile

As kush kujt në fund

Ia ka lënë "kile"

Dhe pas kësaj

Mjegull e madhe mbeti

S'dihet ç'faktorë ndikuan

Mospërshtatja a sinqeriteti

Qëndrova diku më shkurt

E diku më gjatë

Nuk erdhi deri aty puna

Sa të shiheshim në gjykatë

Dhe pastaj objekte punishte e zyra

Një nga një dy nga dy

Disa kanë marrë teposhtëzën

Disa janë mbyllur me dry'

Kështu i thashë shokut

Gjatë bisedës në telefon

Ofshamë e qeshëm

Thamë jeta vazhdon