| E shtune, 20.12.2025, 06:55 PM |
Flasin tre këngëtarët më të njohur të Skraparit, Dashuri Hysaj, Neta Doko dhe Dule Malindi:
- Në Skrapar burrëria është zakon, mikpritja
ligj, dhe fjala ka peshën e malit
- Të këndosh sot duhet shumë punë dhe kërkesë
e lartë ndryshe publiku të anashkalon.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Dashuri Hysaj, Neta Doko
dhe Dule Malindi janë tre këngëtarët më në zë të Skraparit të dekadave të
fundit. Zëri i tyre, tekstet e veçanta kanë bërë që emri I tyre të njihet
edhe jashtë kufijve të Skraparit. Këngët e tyre popullore dhe polifonike kanë
një timbër të veçantë por edhe tekste që mbajnë aromë Shqipërie por edhe
Skrapari. Ata të tre ecin në gjurmët e legjendarit Demir Zyko. Ja si shprehen
ata për krijimet e tyre të fundit....
Flet këngëtarja e
mirënjohur nga Skrapari Dashuri Hysaj:
Dashurie Hysaj është një ndër
këngëtaret më të vlerësuara në jug, por sidomos në Skrapar nga ku ka origjinën.
Ajo është një këngëtare serioze, korrekte, por shpërthyese në skenë. Në jetë
është shumë e shoqërueshme natyrë sociale dhe e lidhur ngushtë me Shoqatën
Tomorri. Ajo ka mbi 35 vite karrierë ku ka marrë pjesë në mjaft koncerte
brenda dhe jashtë vendit.
- Dashuria thuajse ka vite që në çdo fund viti
realizon nga një këngë apo klip të ri. Po këtë vit çfarë kënge të re ka sjellë
Dashuria për artdashësit shqiptar kryesisht ata të Skraparit?
- Kënga e fundit titullohet " Të keqen moj nëna ime". Pra për nënën
krijesën më të dashur në botë. E kush nuk i ka kënduar nënës? E kush i ka
kënduar dhe kënga nuk është pëlqyer? " Të keqen moj nëna ime"...teksti :
Pëllumb Alija & Rremo Torra. Muzika & Orkestrimi: Mario Bregu.
Klarinetë : Alban Berati. Make up : Rozana Çepele.
-Para disa kohësh kemi
bërë një intervistë. Gjatë kësaj periudhe sa këngë të reja ka realizuar
Dashuria "
Kam realizuar tri këngë popullore. Tri këngë që
janë të ndryshme por që kanë brenda aromë Shqipërie. Këto këngë janë një
dëshirë e publikut por edhe një përgjegjësi para publikut. Të këndosh sot duhet
shumë, shumë punë dhe kërkesë e lartë ndryshe publiku të anashkalon.
-Ju keni disa këngë për
Skraparin, mund të na përcillni disa?
- Këngë
për Skraparin janë ".Djemtë e Skraparit", "Trëndafil i
bukur.", "Dasmat e Skraparit" "Kapërrolle". Kam dhe
kolazhe me këngë Skrapari, etj...Këto janë disa nga këngët që kanë lënë gjurmë.
Të ndalemi tek polifonia
ku jugu shquhet dhe kjo këngë është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Si do ta
cilësonit polifoninë e Skraparit në veçanti dhe atë të jugur në tërësi?
– Polifonia është hyjnore. Bazohet në zërat e
bukur të këngëtarëve. Pra këndohet pa instrumente dhe duket se e shoqërojë disa
instrumente. Polifonia e Skraparit është shumë e bukur. Skrapari ka shumë
talente dhe një folklor të pasur, që unë sado të bëj këngë të muzikuara prapë
nuk largohem nga këngët polifonike të Skraparit.
– Të ndalemi në trevën tuaj. Këngë
specifike popullore. Ju gjatë karrierës suaj artistike keni sjellë vetëm këngë
të vjetra popullore, apo dhe krijimtari të re? Ku bazohen këngët e reja?
-Sigurisht në fillimet e mia i kam sjellë para
publikut këngë të vjetra popullore që i kam muzikuar, por dhe këngë të
reja dhe tekstet i ka shkruar poeti i njohur Arben Duka dhe shumë tekstshkrues
të tjerë. Në repertorin tim kam shumë këngë të vjetra, sepse më pëlqejnë
tekstet e këngëve të vjetra, që janë shumë të bukura, janë tekste domethënëse
dhe më kanë bërë të ndjehem shumë mirë. Folklori Skraparit është shumë i pasur.
Të vjetrit ruajnë thesare në kujtimet e tyre që shumë janë sjellë në këngë. Nuk
ka si këngët e popullit janë plot dritë.
– Ju
jeni një nga anëtaret më aktive të Shoqatës "Tomorri". E ndjen si
detyrim shpirtëror ndihmesën tuaj në shoqatë?
Si anëtare e shoqatës "Tomorri" dëshiroj të mbajmë lart emrin e kësaj
shoqate me punë dhe aktivitete me në krye Kryetarin tonë të dashur Engjell
Musain. Dashurinë për shoqatën e kam pasion dhe të trashëguar nga familja!
Flet këngëtarja NETA DOKO
Neta është një këngëtare virtuoze popullore por
edhe e këngës polifonike. Këngëtarja popullore nga Skrapari Neta Doko e ka
nisur rrugëtimin muzikor në moshën 10 vjeç, kur u ngjit për here të pare në
skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës me një këngë polifonike. Gjatë
karrierës së saj artistike ajo përveç këngëve polifonike ka interpretuar dhe
këngë të muzikuara, për të qenë më pranë kërkesave të kohës dhe publikut. Ajo
ka në repertorin e saj shumë këngë por që veçon : " Dëm e bëre bukurinë",
"O ju bija të një nëne", "Vajzë shqiptare",
"Mbushje ujë në ato burime"
- Ju keni vite në skenë, dhe një repertor
shumë të pasur. Cili është klipi juaj i fundit apo kënga juaj e fundit në prag
të fundvitit?
- Klipi im i fundit është "Kolazh Jugu",
pra disa nga këngët më të bukura popullore të jugut të përshtatura për zërin
tim. Sigurisht në këtë kolazh ka përshtatje në muzikë pasi edhe zëri im ka
karakteristikat e tij. Kryesisht ky kolazh ka motive popullore kryesisht
nga krahina juglindore, e Toskërisë.
- Pra ky kolazh është përmirësuar duke ju
përshtatur zërit tuaj. Kush është orkestrues?
- Ky kolazh është orkestruar nga muzikanti i
talentuar Festim Kovaçi. Njëkohësisht me këtë kolazh kam realizuar edhe një
këngë polifonike të zonës së Skraparit.
-Pra ky fundviti mbyllet me këto dy
realizime?
Jo! Pikërisht në ditët e fundit të këtij viti kam
në realizim përfundimtar edhe një kolazh tjetër me motive të Skraparit.
Ky kolazh ka përbrenda ato këngë që këndon gjithë zona e Skraparit në ditë të
shënuara. Besoj se ky kolazh do të jetë një dhuratë e bukur për popullin tim ku
jam pjesë. Jam munduar të zgjedh ato këngë specifike që kanë sjell në
vite gëzim, bashkim për trevën tonë atdhedashëse.
-Ju keni shumë këngë në repertorin
tuaj. Me cilët autor tekstesh keni punuar apo me cilët poetë?
Unë kam bashkëpunuar me poetin Arben duka i cili
tashmë është në përjetësi por edhe me poetin Ymer Nurka. Ndërsa tekstet e tjera
janë me motive popullore pra burimore nga këngët e popullit.
-Por
të dalë një këngë e bukur sigurisht duhet dhe një kompozitor i mirë. Me
cilët kompozitor keni bashkëpunuar?
-Unë në rrugëtimin tim kam bashkëpunuar me
kompozitorët Genci Malaj, Edlir Begolli, Agim Xhemali dhe Festim Kovaçi. Të tre
janë të talentuar dhe kanë të veçantat e tyre. Të gjitha këngët kanë pasur
sukses.
-Cilat janë këngët të cilat ju mund
ti quani hite?
Në të vërtetë një këngëtar këngët i ka si fëmija.
Nuk i ndan. Por duke pasur parasysh këngët që kërkojnë më shumë fansat në
koncerte mund të them se janë këto këngë: " Dëm e bëre bukurinë",
"O ju bija të një nëne", "Vajzë shqiptare",
"Mbushje ujë në ato burime" ku kjo e fundit është duet me këngëtaren
Luljeta Zaimi.
-Keni ndonjë peng për realizimin e
ndonjë kënge të veçantë?
Mund të them se nuk kam peng deri tani pasi kur
mendoj një këngë dhe më hyn si peng mundohem ta realizoj dhe deri tani kam
realizuar çdo këngë që kam dashur. Unë e kam nisur këngën që 10 vjeç dhe
çdo vit mundohem të sjell tek publiku atë këngë që mendoj se më mungon.
***
-Flet këngëtari i mirënjohur nga Skrapari, Dule Malindi:
Një artist korrekt, kërkues dhe shumë njerëzor.
Fillesat e tij si këngëtar përkojnë tek Shtëpia e Pionierit Skrapar, kur ishte
rreth 12-13 vjeç, Këngët e para ishin ato patriotike, polifonike. Kur mbushi 20
vjeç, shkoi në një kurs për klarinetë dhe kështu filloi aktiviteti i tij
artistik në zonën e Skraparit. Ndërsa fillimi i këngës solo përkon me vitin
2002-shin. Albumin e parë e ka bërë me 10 këngë të vjetra të Skraparit, në
vitin 2003. Aktualisht ka 5 albume me nga 10 këngë të cilat thuajse janë
përpirë nga fansat e tij të cilët e vlerësojnë shumë.
- Dulja thuajse në çdo fund viti realizon nga një
këngë. Po këtë vit çfarë kënge të re ka sjellë Mjeshtri i Madh për artdashësit
shqiptar kryesisht ata të Skraparit?
Sigurisht që këngëtari gjithmonë është në kërkim të
diçkaje të re. Kënga është pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Pa
këngë nuk mund të jetoj. Dhe nëse nuk sjell diçka të re në vijimësi për të
gjithë fansat e tu duket se rruga e këngës zbehet. Ndaj edhe unë gjithmonë
mendoj si të krijoj një këngë të re. Kënga ime e re titullohet
- FEJA JONË ËSHTË SHQIPTARIA
Po vijnë miq nga trojet tona,/ Hapen porta
e dritare,/ Keto pragje aq të ngrohta/ Janë veç trojet shqiptare.... Sup më sup
ç'i mbledh kjo vatër/ Zjarr e këngë ç'u ndez konaku,/ Myslimanë e të krishterë/
Si vëllezër të një gjaku.../ Këmbëkryq ky bektashiu/ Flet e qesh me muhabete,/
Veç me dashuri dhe paqe,/ Le t'i shkojmë kësaj jete.... Që nga jugu e veriu/
Udhët tona qofshin plot,/ Se të gjithë na lidh një besë/ Dhe te gjithë kemi një
Zot.
Refren:
Mbledhur shqipet në një sofër/ Ku hedh vallen harmonia,/ E ka thënë dhe Pashko
Vasa/
Feja jonë është Shqiptaria.
- Sigurisht që një këngë ka autor teksti, ka
kompozitor ka dhe këngëtar. Kush janë dy të parët?
- Kjo këngë është një këngë patriotike. Tashmë çdo
këngëtar e di mirë që kur shkojmë dhe këndojmë mes emigrantëve ata me patjetër
kërkojnë këngë patriotike. Kjo këngë ka për autor teksti Bledar Koçin. Muzika
Mond Zhulali. Kjo këngë është realizuar në bashkëpunim me këngëtarin e
mirënjohur Hysni Alushi. Kjo këngë më mirë të themi i dedikohet harmonisë dhe
bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe u realizua me rastin e festave.
- Tek kënga Shpirt flori me Evgjeni Culli çfarë
mesazhi përcillni?
- Këngë për vlerat morale të Skraparit! Aty ku
burrëria është zakon, mikpritja ligj, dhe fjala ka peshën e malit, aty është
Skrapari ynë! Çdo varg i kësaj kënge na kujton kush jemi, nga vijmë dhe sa
shumë kemi për të qenë krenarë. Se ne nuk jemi thjesht një krahinë jemi një
forcë, një emër që nuk shuhet, një emër që i bie fort zemrës: SKRAPAR
- Kur e kini realizuar kripi juaj i parë dhe me
ç'ngjarje të jetës suaj përkon?
Këngën e parë klip e kam bërë në 2002, kur jam
kthyer. Pas saj fillova albumin e parë, në fillim të vitit 2003, kryesisht me
këngë të vjetra të Skraparit.
Sa këngë kishte ky album?
Kishte 10 këngë.
Tekstet e këngëve kush i ka bërë në
përgjithësi?
Tekstet e këngëve i kam bërë në fillim me Xhevahir
Spahiun, ndërsa shumicën e repertorit të teksteve e kam me Arben Dukën dhe
Jorgo Papingjin.. Për muzikën kryesisht kam punuar me Klodian Qafokun Alban
Hoxhën dhe me kompozitorë të tjerë.
-Sa albume keni realizuar deri më
sot?
Deri më sot kam 4-5 albume me nga 10 këngë. Në
YouTube janë 17 këngë të miat.
-Keni marrë pjesë në festivalet e
Gjirokastrës?
Në festivalin e Gjirokastrës kam marrë pjesë dy
herë, në dy festivalet e fundit.
Në ç'vende keni shkuar për të dhënë
koncerte?
Duke filluar që nga Australia e largët, në Amerikë,
në Angli, Itali, Gjermani. Emigrantët pëlqejnë më shumë këngën e kurbetit.