Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Llesh Ndoj: As politike, as juridike, por çështje identitare

| E shtune, 20.12.2025, 06:56 PM |


As politike, as juridike, por çështje identitare

Nga Llesh Ndoj

Ka kohë që çeshtja “Balluku”, pasi e hodhi thuajse në harresë çeshtjen “Ahmetaj” apo çeshtjet vijuese të inceneratorëve dhe PPP-ve të famshme, ka marrë përmasa sa të frikshme, po aq edhe të çuditshme. Të gjithë diskutojnë sipas oreksit a kemi të bëjmë më çeshtje juridike, me çeshtje politike apo kushtetuese, por pak kush nga të gjithë të përfshirit në këtë vorbull i bie në krye: Në këtë rast dhe jo vetëm, çeshtja nuk është as politike, as thjesht juridike, as kushtetuese, por është pastër çeshtje identitare. Është çeshtje identitare e klasës së sotme politike dhe sdomos e grupit të strukturuar qeverisës, dhe jo vetëm e tyre! Balluku, ashtu si Ahmetaj, si Koka e PPP-të, si inceneratorët, si Gërdeci, si vrasjet e shumë afera të vjetra e të reja (nuk mjafton as edhe një libër për t’i rreshtuar ato të gjitha), janë çeshtje identitare. Ato prej kohësh e kanë identifikuar klasën qeverisëse shqiptare, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë më frikshëm aktualisht, duke mbetur arësyeja kryesore e prapambetjes tonë historike. Në se nuk e identifikojmë atë si të tillë, si kancerin identitar të “and-s” së mendësive tona qeverisëse, zor se do të dalim nga gjendja ku jemi e, larg qoftë, mund të përfundojmë edhe më keq se kaq. Provat e shenjat janë të shumta.

Në shumë nga shkrimet e mija të mëparshme, disa nga të cilat janë botuar edhe në organet e shtypit, e kam ngritur shqetësimin e mungesës së identitetit që kanë pushtetarët tanë, ata të së shkuarës së largët, të së shkuarës së vonë dhe këta aktualët, pasi mendoj seriozisht se e keqja e këtij vendi me bazë (mos apo keq)qeverisjen e tij, nuk vjen nga të qënit demokratë, socialistë, apo edhe komunistë po deshe, por nga të qeverisurit prej njerëzve të pa identitet, ose me identitet të dyshimtë. Mund ta kaloja analizën time të shkurtër dhe modeste edhe në të gjitha periudhat parakomuniste qyshkur ky vend pati një shtet, por për këtë rast po ndalem deri aty, në pushtetin e post luftës së dytë botërore, ku ngjarjet e faktet janë dukshëm të prekshme për të gjithë ata që duan ta shohin realitetin pa syze zmadhuese apo zvogëluese, ose më keq të ndërtojnë realitete virtuale në vend të atyre që janë të prekshme.

Pavarësisht se i përkas asaj kategorie që nuk dua të mohoj gjithçka u arrit në rreth 45 vite të socializmit, nuk mund ta mohoj se identifikimi me luftën e qeverisja me ata që u identifikuan si triumfatorë ndaj armikut të brendshëm e të jashtëm, fshehja pas dokumentit të partisë dhe e partisë pas ideologjisë klasore, i solli vendit e qeverisjes së tij dëme kolosale. Klasa e fisnikëve të shkolluar e me identitet u përjashtua nga çdo pjesmarrje, u përjashtuan edhe pasunarët dhe pushtetin në emër të klasës e morën punëtorë e fshatarë që as të tillë nuk ishin. Ata ta “merrnin shpirtin” në emër të klasës e të partisë së klasës, edhe pse nuk e dinin se ç’klase i përkisnin as vetë, as partia ku bënin pjesë. Të parët për kolektivizimin e bujqësisë ishin ata që s’kishin as tokë, as blegtori, e po të parët për të kërkuar tokën sipas ligjit në shpërbërjen e socializmit koperativist, ishin po ata. Ata që s’dinin as shkrim e këndim, i kërkonin llogari intelektualit e të shkolluarit, edhe për çeshtje që mund të ishin thjesht teknike. Partia i dinte të gjitha, populli dinte vetëm ta duartrokiste e ta ndiqte pas, të shkolluarit nuk “dinin” asgjë, nëse nuk donin t’i priste burgu…

A mund të jetë qeverisje identitare ajo që bëhet nga njerëz pa identitet?!

Thuajse njëjtë ndodhi me qeverisjen demokratike të pas nëntëdhjetës. Pushtetin e morën komunistët e konvertuar në demokratë, dhe e bënë këtë në emër të ish-klasave të përmbysura, por klasa qeverisëse, veç fasadës, s’pati asgjë identitare. Pseudo komunistë e pseudo demokratë në qeverisje, sollën atë që e pamë të gjithë: vendi shkoi në buzë të greminës e lufta civile ishte më pranë se kurrë. Privatizimi i ekonomisë kombëtare u bë me doumente partie, dhe prona e të gjithëve u bë pronë e atyre që patën “gishtat” më të gjatë! Koncepti “u bëftë pa punue” mori dhenë. Fituesit demokratikas, njëlloj si ata komunistë, u sollën si trumfatorë, dhe zbatuan parimin: fituesit i takojnë të gjitha e humbësit asgjë! Të konsideruarit e demokracisë me koncepte lufte, ku ka vetëm dy palë: fituesi që i merr të gjitha e humbësi që s’merr asgjë, ku gjithnjë mungon bashkëpunimi, ai në dritën e diellit se nëpër skuta gjithnjë ata e ndajnë tortën e hajnisë së bashku), është baza e korrupsionit masiv që i ka shoqëruar qeverisjet tona pseudodemokratike. Bile ato pak dalluan e dallojnë prej pararendësve, vetëm për faktin se nuk i pushkatuan kundërshtarët, por derën e burgut me gjyqe politike edhe ua treguan! Qeverisjet e Nanos i ngjasin asaj të Ramizit dhe janë të tipit “dale-dale”, as mish as peshk, por më shumë liberale e gjithpërfshirëse, ndërsa qeverisjet pas vitit 2005, të PD dhe Rilindjes, nuk kanë identitet politik, por dukshëm identifikohen me korrupsionin masiv, gjenerik e frymëndalës. Nuk dua të flas në vijim për qeverisjen 2005-2013, pasi ajo e mori “dënimin” me vitet e gjata të qëndrimit në opozitë, kryesisht nga identifikimi i saj me korrupsionin, dhe u “dënua” edhe me copëtimin e partisë nga mungesa e identitetit të atyre që u ftuan në qeverisje, por pak fjalë për partinë e qeveritarët aktualë të ashtuquajturit rilindas, nuk mund të rri pa i thënë, duke e bërë edhe veten përgjegjës që i kam votuar ata thuajse gjithnjë.

Asnjë identitet politik të majtë apo të djathtë nuk shfaq kjo qeverisje prej vitesh në aktivitetin e saj. As partia socialiste nuk ekziston më si e tillë. Qeveris Rama me benjiaminët e tij bashkëpunëtorë pa identitet, ose më saktë me identitetin e zhvatësve të paskrupullt! E vetmja gjë që i lidh mbetet: vidh të vjedhim! Aq sa dihen e kanë dalë shesheit deri më tani, fatkeqësisht janë pak. Tashmë më është kthyer në bindje se kudo të “gërvishtësh” në punët e tyre, ka vjedhje, hajni, korrupsion politik e gjithçka të shëmtuar që mund ta identifikoje një qeverisje pa identitet. Sëmundja e korrupsionit është sëmundje kanceroze që ka prek çdo qelizë të trupit “Rilindas”, por pasojat e saj i vuajmë ne. Po të ishin socialistët identitar në pushtet, kurrë nuk do të kishte këto përmasa hajnia. Por Rama, specialist nga ata që pati identifikuar bukur i ndjeri Arbnori, shkatërroi së pari Partinë Socialiste, e kjo i hapi udhën e tij të qeveris si sulltan e të vjedh si pronar i gjithçkaje mbi këtë tokë të pasur, por të lodhur nga hajnia e tradhëtia! Ashtu bënë edhe “pronarët” e Partisë Demokratike, por ai e bëri këtë kur partia qëlloi në opozitë, me idenë se rikthimi në pushtet (nënkupto si pronar!) është çeshtje mandatesh! Por “s’kishin parë gjë akoma!”.

Pse e them se mungesa e identitetit është baza e të keqes? Sepse mendoj seriozisht se socialistët e vërtetë, por jo vetëm ata, edhe demokratët e vërtetë, edhe njerëzit fisnikë përgjithësisht, nuk mund ta lëshojnë fytyrën e tyre përtokë, aty ku do ta shkelin e ta pështyjnë të gjithë! Atyre iu dhimbset fytyra e tyre, e familjes, e origjinës, shkolla e profesioni, tipare këto identitare që duan shumë vite e dekada për t’u ndërtuar. Mungesa e identitetit është shkaku kryesorë i kësaj situate të pështirë, dhe fundi s’mund të jetë Balluku apo Ahmetaj, njerëz pa identitet, por shkërmoqja e Rilindjes dhe rënia e pushtetit të kalbur të tyre. Çeshtja shtrohet a ka mbetur ndonjë identitar dhe me fytyrë ta ndal greminën?! Dyshoj fort se kjo sëmundje e mallkuar e ka marrë krejt trupin e trurin e vendit dhe…

Kështu ndodh e s’ka si ndodh ndryshe, kur i merr njerëzit nga rruga dhe i bën deputet pa patur identitet personal, familjar, shoqëror e politik, fenomen masiv i tranzicionit e sidomos pas vitit 2001 e në vijim. Ata, në mungesë të identitetit që kërkon statura e deputetit, përfaqësuesit të popullit, do të identifikohen me fytyrën e “udheheqësit” e do të shndërrohen në “bythafreskuesit” e tij; nëse i merr nga rruga dhe i bën kryetar bashkishë, drejtorë, drejtorë të përgjithshëm, zëvendësminista, ministra e zëvendëskryeministra, pa patur asnjë identitet personal, familjarë, politik, intelektual e profesional, detyrimisht ata do ta kërkojnë identitetin tek pasurimi me çdo kusht, dhe do të bëjn? “babagjanin” para eprorëve e arrogantin para vartësve e popullit që vazhdon të vuaj plagët e keq qeverisjes historike e aktuale. Fiks kështu ka ndodhur e kështu po ndodh çdo ditë derisa, nëse nuk merret seriozisht, kjo situatë do t’na “gllabëroje” çdo shpresë e vendi ka për të mbetur “i shkretë” nga mungesa e njerëzve dhe nga grabitja e çdo pasurie kombëtare, por në radhë të parë e mbi të gjitha, i shkretë nga vrasja e shpresës. .

Me të drejtë mund të pyes dikush pse ne i votojmë këta pseudopolitikanë hajdutë? Po kë të votojmë? Sëmundja në fjalë është më e thellë se kaq! Ajo i kap edhe partitë e sapolindura, veç atyre historike, i ka kapur edhe “liderët” e pa lindur, duke u bërë “kancer” i trashëgueshëm. Ashtu siç janë përgjithësisht sëmundjet kanceroze!

A ka shpëtim? Nuk dua të bëj pesimistin, por dyshoj fort. Vetëm një amnisti e diktuar nga ndërkombëtarët e me kusht largimin e përjetshëm nga skena publike e klasës aktuale politike, rithemelimi i republikës e rikthimi në binarët e një demokracie reale me një kushtetutë të re, ku pushteti t’i përkas vërtetë popullit e qeverisja të jetë e lehtësuar dhe e kontrolluar, ndoshta edhe një qeverisje e mbikqyrur për shumë kohë nga ndërkombëtarët e me një program qeverisje mbi 10 vjeçar me shina të pandryshueshme, mbase mund të risjell shpresën. A do të ndodh kjo? Europa e bota është në një periudhë jo fort të paqtë që të merret më vende kaq të vogla e ku njerëzit (aq sa kanë mbet) nuk e duan ndryshimin, por përqafojnë ikjen, e bën situatën edhe më pesimiste. SPAK-u dhe drejtësia e re, edhe nëse pranojmë se do “t’i ndezin motoprët” me karburant që s’ka ngjyrë as të kuqe e as blu, janë si të kurosh kancerin me aspirina. Vetëm rikthimi i identitetit në klasën politike e qeverisëse, janë ilaçi për kurim, pasi kjo “and-ja” aktuale e qeveritarëve dhe politikanëve tanë vetëm qeliza e organe kancerogjene pjell!

Lezhë, më 20 dhjetor 2025