| E shtune, 20.12.2025, 06:56 PM |

NË VEND TË NJË URIMI DITËLINDJEJE PËR NIPIN TIM
Visjan
Ukcenaj, rrezja e një drite që sheh thellë në shpirtin e një nëne sakrifikuese
deri në vetëmohim
Nga
Albert Vataj
Gjithmonë,
diku në fund të sallës, kur ai debutonte, ishte ajo, nëna, me sy që gjithnjë i
kishte të mbushur me lot, dhe zemrën që i rrihte fort. Dridhej e tëra.
Donte
që ajo të ishte diku atje në mes të mosvëmëndjes, ku askush të mos mund të
prishte shenjtërinë e një stuhie të dritshme zemre. Diku atje në skaj, për të
qenë sy e shpirt në skenë, ku biri i saj dhe gjithë dëshirimet e saj të shuara,
po ndizeshin.
Askush
nuk e shihte aq thellë dhe aq me drithërimë sa ajo. Vetëm zemra e saj e dinte
dhe e provonte se ç’peshë ankthi dhe frike duhet të mbante.
Ai
që luante në skenë nuk ishte thjeshtë biri i saj, ishte thellësia e gjithë
qenies së saj, që ndeshej dhunshëm me këtë sprovë për të fituar.
Ishte
aty, nëna, mish e shpirt që ndiqte me zemër të ngrirë çdo çast me një
frymëmarrje që e linte pa frymë, për të guxuar të mbyste brenda vetes
shpërthimin e çdo llave ovacioni dhe duartrokitjesh që llamburiste reagimin e
spektatorit.
Ajo
ishte aq e fortë, sa ta bënte këtë, të ishte aty, aty ku unë gjithnjë pata
frikë të isha, sepse pas meje ishte hija e errët dhe e plumbtë e babait tonë që
peshonte duke na shtypur.
Por
ajo ishte një heroinë që dëgjonte nënën në këtë sfidë, në këtë betejë të
përmbushjes së ëndrrës.
Dhe
koha kalon, me shumë përkushtim, punë dhe ngadhënjime të panumërta, sfida dhe
kulmime, dhe ai, Visjan Ukcenaj u bë ai që ju njihni, por sërish ai ka mbetur
pjesë e kujtimeve që lidhen me jetën time dhe motrës sime.
Po,
edhe asokohe kur flinim në një dhomë, kur ato vinin, dhe Visjani, ai që na bën
sot të qeshim dhe mendojmë, qante, dhe më duhej të zgjohesha ta përkundja. Po,
në shtratin ku u rrit, motra ime, nëna e tij dhe unë.
E
shkuara mbeti pas, duke na ndjekur këmba-këmbës, për të qenë kujtesë e
pashpërbëshme, ndjenjë përbashkimi dhe përjetim që i jep kuptim gjërave që ne
bëjmë dhe asaj që ne jemi.
Visjan
Ukcenaj nuk është vetëm nipi im, është shumë më shumë, është ëndrra, ambicia
krejt dëshirimet e mortës sime, të mishëruara në atë çfarë ai ka mundur të
arrijë dhe përpiqet çdo ditë, ngulmueshëm në një botë ndeshjesh dhe
përleshjesh, në këtë realitet që heziton të jetë e bujarshme për ata që nuk luftojnë
për të triumfuar.
Ai
erdhi deri këtu, dhe përtej do ta shkojë në ëndrrën që ka zgjedhur të bëjë
realitet, i udhëprirë nga ylli i mëngjestë i zemrës së kësaj nëne, që ka ditur
dhe guxuar të jetë një misionare.
Për
këtë rrëfim, me autoritetin e vëllait dhe dajës, nuk mora leje, as motrës dhe
as nipit, por dëgjova zemrën time që rreh ende gjithnjë shpejt, sa herë që
Visjani, kjo rreze e diellit të motrës sime është një ngjarje drite në
galaktikën e përmbushjes së ëndrrës.
Gëzuar
ditëlindjen nipi im!
Paç
uratën e asaj gjysheje që iku më shpejt se ajo mund të shihte yllin tënd të
shndrinte në qiellin e saj.
Jeto,
puno dhe përpiqu me pasion dhe përkushtim për më të mirën, për vete, për ata që
të ndjekin dhe të adhurojnë, për të shtrenjtit tuaj, por më së shumti për atë
grua që si ka emrin Regjin, e tillë mbretërore është në zemër dhe në shpirti,
si grua, si nënë, si motër.