| E enjte, 18.12.2025, 06:58 PM |

Kadri Tarelli shkruan:
Bëni
si pemët. Ndryshoni gjethet, por ruani
rrënjët.
Pra
ndryshoni idetë, por ruani parimet tuaja.
Viktor Hygo
MOND HALILI DHE
PENSIONISTËT
Skicë
humori
Një
ditë prej ditësh, 3-4 pensionistë, mes nesh edhe humoristi i njohur Mond
Halili, u ulëm për kafe te “Oborri i gjykatës”, këtu në Durrës. Për të shmangur
reklamën, kështu e emërtoj unë, se në
tabelë ka emër tjetër. Shpesh mblidhemi këtu, pasi është ngrohtë, qetësi dhe
shërbim i përkryer, mos harrojmë kafen e mrekullueshme shoqëruar me ujë me limon.
Pas
pak, në kafe vjen avokati, miku ynë më i ri në moshë, mjaft i njohur për
drejtësi dhe fisnikëri në mjedisin e juristëve në Durrës. Ai njëkohësisht është
edhe admirues i letërsisë dhe artit, aq sa ndodhet i pranishëm në të gjitha
takimet apo veprimtaritë letrare e artistike, që zhvillohen në qytetin tonë.
Madje, mos i hamë hakun, i pranishëm edhe nëpër qytete të tjerë, duke shoqëruar
durrsakët tanë krijues. Bie fjala, në Mat, Lezhë, Shkodër, Tiranë, Elbasan,
Pogradec, Korçë, Ersekë, etj, etj........
Por
le të qëndrojmë te ndodhia që lindi kaq papritur për të gjithë ne miqtë e tij,
madje edhe për klientët e shumtë. Ai si mik i yni, na përshëndeti dhe merr një
karrige e ulet në tavolinë mes nesh. I pëlqen muhabeti i shtruar, ku ka copëza
e përvojë jete, por edhe krijimtari letrare me bollëk.
Biseda
me humor vazhdonte dhe do të zgjatej më shumë, pasi shakatë e Mondit nuk
mbaronin. Avokati, nuk kishte nge të rrinte gjatë. E thërriste puna. U ngrit të
largohej dhe pa bërë zë, u drejtua për nga banaku për të paguar.
Mondi
e vuri re dhe shumë “serioz” në dukje, i thotë me zë të fortë, sa edhe klientët
që ishin në tavolinat përreth, kthyen kokën të çuditur: - Vallë ç’pati Mondi?
Ç’po ndodh.....!?
–
Ku shkon ti.....!
-
Të paguaj....! - U përgjigj shkurt dhe i çuditur avokati ynë.
-
Nuk të vjen marre ty? – I foli në dialektin shkodran. – S’të vjen zorr....! Ne
këtu katër pensionistë dhe ti ngrihesh të paguash.....!? Ku-ku ç’na ka gjet
ne......!? – Dhe shtrëngonte kokën në mes duarve, sikur ishte shembur bota...!
Avokati,
në fillim shtangu nga ky ton i ashpër dhe tepër serioz. Por e mblodhi veten
shpejt. E kuptoi shakanë dhe filloi të qeshë, duke mbajtur ijet me dorë. E
qeshura përfshiu edhe tavolinat e tjera.........
Mondi
e tha fjalën dhe po rrinte ashtu i ngrysur.... Por serioziteti nuk vazhdoi
gjatë, pasi miku ynë avokat, u kthye nga banaku dhe i foli bufistes me zë të
lartë: - Çoji këtyre pensionistëve edhe nga një teke ose dopjo raki, sipas
dëshirës.....! Kujdes, se këta dehen me një gotë të vogël! - E ngrit zërin që
ta dëgjonim edhe ne. – Pagoi dhe u largua duke qeshur.
Humoristi
ynë e vazhdoi shakanë:
-
E, ja bëra mirë.....!? Guxoi të matet me ne pensionistët.....! Nuk e di ai, se
ne xhepgrisurit të thyejmë kokën me p ......, me para, desha të them! Po në
fund na e nguli përgjigjen si gozhdë kovaçi! – dhe nisi të qeshë edhe vetë.
Këtë
ndodhi e kujtoj dhe e kujtojmë duke qeshur. Madje unë, po duke qeshur, e përdor
herë-herë kur trimërohemi, “kush të paguajë”. Qesh dhe qeshim, sidomos kur
pensionist Mondi, vjen dhe ulet me ne, duke i thënë:
-
Hë, Mondi.....! Ka kush matet me ne pensionistët .......!?
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës, më, 30, të
vjeshtës së tretë, 2025.
