| E merkure, 17.12.2025, 06:58 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
BUNKERËT
NË DRENICË (35)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lëvizja ilegale shqiptare u përball me
një periudhë të errët përndjekjesh dhe represioni, që e detyroi të strehohej fshehurazi
brenda vendit apo të emigronte jashtë kufijve të Kosovës. Pushteti i ri, i
vendosur mbi bazat e ideologjisë komuniste jugosllave, shpalli një fushatë të
ashpër ndaj çdo individi apo grupi që shfaqte mendim të pavarur politik, duke e
konsideruar çdo shenjë mospajtimi si akt armiqësor ndaj rendit të ri shtetëror.
Në
këtë klimë politike të frikës dhe ndëshkimit, përndjekja e ilegales shqiptare u
shndërrua në një politikë të mirëfilltë shtetërore. Anëtarët e saj u ndaluan, u
burgosën, u torturuan, e shumë prej tyre u likuiduan pa gjyq. Regjimi përdori
metoda brutale për të shuar çdo formë të rezistencës intelektuale, patriotike
apo morale, duke synuar ta mbyttë në rrënjë çdo “xixë të pakënaqësisë” që
lindte brenda shqiptarëve në Kosovë dhe gjithandej në Jugosllavi.
Në
të gjitha trevat e Kosovës, u ndërmorën aksione të gjera spastrimi politik, të
cilat synonin jo vetëm eliminimin fizik të kundërshtarëve, por edhe krijimin e
një atmosfere frike kolektive, ku askush të mos guxonte të artikulonte asnjë
mendim ndryshe nga ai i pushtetit. Këto aksione, të njohura për egërsinë e
tyre, përbëjnë një nga periudhat më dramatike të pasluftës, ku dhuna dhe
terrori shtetëror u përdorën si instrumente për të shuar frymën kombëtare dhe
ndjenjën e lirisë në popullin shqiptar të Kosovës.
Megjithatë,
pavarësisht kësaj fushate të egër shtetërore, ilegalja shqiptare nuk u shua.
Ajo mbeti një rrjedhë e nëndheshme e rezistencës kombëtare, që e mbajti gjallë
idealin e lirisë dhe pavarësisë, duke dëshmuar se shpirti i qëndresës shqiptare
nuk mund të mposhtet nga asnjë pushtet.
Për
të siguruar mbijetesën dhe vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre atdhetare, shumë
prej luftëtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë u detyruan të ndjekin rrugë të
fshehta e të rrezikshme për të shpëtuar nga përndjekja e pushtuesve dhe
aparatit shtetëror represiv. Në mungesë të sigurisë dhe në përballje me një
aparat shtetëror që synonte asgjësimin e çdo përpjekjeje për liri, ata gjetën
strehë te njerëzit e besës — jatakët — të cilët, me guxim dhe sakrificë të jashtëzakonshme,
hapën dyert e shtëpive të tyre për t’u bërë mburojë e heshtur e lirisë.
Megjithatë,
jo gjithmonë strehimi ishte i mundur në mjedise të banuara. Për t’u mbrojtur
nga dhuna dhe kapja e armikut, shumë prej tyre u detyruan të ndërtonin bunkerë
e strehimore të improvizuara në vende të izoluara, male, pyje, apo edhe nën
tokë. Këto struktura nuk ishin vetëm hapësira fizike për fshehje, por u
shndërruan në simbole të qëndresës, të organizimit të fshehtë dhe të vullnetit
të pathyeshëm për mbijetesë kombëtare.
Në
thelb, ky akt i ndërtimit të bunkerëve dhe i mbështetjes nga jatakët përfaqëson
një formë të rezistencës pasive, një strategji të domosdoshme për të ruajtur
idealin e lirisë në kushte shtypjeje të ashpër. Ajo dëshmon për bashkëpunimin e
ngushtë midis popullit dhe veprimtarëve politikë, si dhe për lidhjen e thellë
të ndjenjës kombëtare me aktin e mbijetesës. Kjo periudhë e historisë sonë
mbetet dëshmi e gjallë e përkushtimit dhe e sakrificës që i parapriu çlirimit
dhe vetëdijes kombëtare.
Në
këtë kontekst, do të ishte me rëndësi të veçantë të përmendeshin disa nga
bunkerët që u ndërtuan në vende të ndryshme të vendit — struktura të ngritura
jo vetëm për t’u fshehur nga ndjekjet e pushtetit, por për të ruajtur vetë
qenien e lëvizjes ilegale shqiptare dhe idealin e saj për liri. Këta bunkerë,
shpesh të ndërtuar me mjete modeste dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira,
përfaqësojnë një dëshmi të rrallë të përkushtimit dhe të organizimit të
atdhetarëve, të cilët ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për të shpëtuar
idenë e pavarësisë.
Ajo
që i bën edhe më mbresëlënës këta bunkerë është fakti se shumë prej tyre u
ngritën në vende ku as mendja më e guximshme nuk do ta kishte imagjinuar: në
shpate të thepisura malesh, në pyje të dendura, nën rrënoja të vjetra, apo
madje edhe brenda mureve të shtëpive që duken krejt të zakonshme. Vendndodhjet
e tyre përziheshin me natyrën, duke u bërë pjesë e saj, të padukshme për syrin
e armikut, por të gjalla në kujtesën e atyre që i ndërtuan dhe i përdorën.
Këto
vende të fshehta, në thelb, ishin më shumë se hapësira për mbrojtje fizike: ato
ishin simbole të qëndresës, të mençurisë popullore dhe të besës shqiptare që
lidhi njerëzit në një rrjet të heshtur solidariteti. Ndërtimi i tyre shpreh jo
vetëm dimensionin praktik të mbijetesës, por edhe një akt të lartë të vetëdijes
kombëtare – dëshmi se fryma e rezistencës nuk mund të shuhej, pavarësisht se ku
ishte e detyruar të fshihej.
BUNKERI NË OXHAK
Në
familjen e njohur të Mjekëve nga fshati Shipitullë, ndjenja e atdhedashurisë
dhe guximit ka qenë gjithmonë e trashëguar brez pas brezi, duke u shndërruar në
një traditë të qëndresës dhe përkushtimit ndaj vendit. Kjo familje, e cila në
periudha të ndryshme të historisë ka dhënë bijë e bija për mbrojtjen e trojeve
shqiptare, u bë shembull i qëndresës së heshtur dhe i sakrificës së vazhdueshme
në emër të lirisë.
Gjatë
kohërave të pushtimeve, burrat e kësaj familjeje, me pushkë në dorë, morën
pjesë në përpjekjet e armatosura për të mbrojtur tokën nga forcat okupatore.
Por, edhe pse lufta kishte përfundua, paqja e premtuar nuk mbërriti. Kosova,
sërish, ra nën sundimin e Serbisë dhe më pas të Jugosllavisë, duke sjellë një
periudhë tjetër të errët, të mbushur me ndjekje, arrestime e dhunë politike.
Në
këtë realitet të ashpër, Hakif, Salih A. dhe Ramadan Mjeku u gjendën përballë
një zgjedhjeje të dhimbshme, por të domosdoshme: ose të dorëzoheshin në duart e
pushtuesit, ose të fshiheshin për të ruajtur jetën dhe idealin e tyre kombëtar.
Duke zgjedhur rrugën e dytë, ata gjetën strehë në vende të fshehta, ku syri i
armikut nuk mund të depërtonte. Kjo zgjedhje nuk ishte akt frike, por akt i
mençurisë dhe i mbijetesës, një formë tjetër e qëndresës ndaj pushtetit
shtypës.
Në
thelb, përvoja e tyre është një rrëfim i qëndresës shpirtërore shqiptare – një
dëshmi e besës, e vendosmërisë dhe e dashurisë së pashuar për atdheun, që edhe
në fshehtësi, nuk e humbi kurrë dritën e lirisë.
Gjatë
viteve 1941–1943, Hakif Mjeku ushtroi detyrën e kryetarit të Prilluzhës, duke u
dalluar për angazhimin e tij në mbrojtjen e interesave të popullsisë vendase në
një periudhë tejet të ndërlikuar politike e shoqërore. Në të njëjtën kohë,
Salihu dhe Ramadani, ndërmorën veprime konkrete për të rivendosur drejtësinë
mbi tokat që u përkisnin, duke larguar disa familje serbe të vendosura aty nga
pushteti i kohës në mënyrë të padrejtë e të dhunshme.
Ky
akt i guximshëm, që në thelb kishte synimin e mbrojtjes së pronës dhe
dinjitetit kombëtar, u interpretua nga regjimi i pasluftës si një sfidë ndaj
rendit të ri politik. Me vendosjen e pushtetit të Serbisë dhe më pas të
Jugosllavisë mbi Kosovë, çdo përpjekje për të ruajtur identitetin, pronën apo
kujtesën kombëtare u trajtua si akt armiqësor ndaj shtetit.
Si
pasojë, Hakif, Salih dhe Ramadan Mjeku u shpallën “armiq të pushtetit dhe të
popullit”, një etiketim i rëndë që përdorej nga regjimi për të eliminuar
kundërshtarët politikë dhe për të shuar çdo zë rezistence. Në të vërtetë, ata
nuk ishin armiq të popullit, por bij të tij më të devotshëm, që mbrojtën me
dinjitet të drejtën mbi tokën, lirinë dhe identitetin. Historia e tyre dëshmon
për mënyrën se si pushteti përpiqej të shtypte çdo shenjë të qëndresës
kombëtare, duke e përmbysur kuptimin e së drejtës dhe të moralit në shërbim të
ideologjisë sunduese.
Pasi
disa nga familjet serbe kishin refuzuar të largoheshin nga tokat që kishin
uzurpuar dhe kishin treguar rezistencë ndaj vendimeve për kthimin e pronës tek
të zotët legjitimë, situata midis palëve u tensionua në mënyrë të pashmangshme.
Në përpjekje për të mbrojtur pronën dhe dinjitetin e tyre, Salihu dhe Ramadani
ndërmorën një akt që kishte për qëllim më shumë frikësimin sesa dëmtimin e
rëndë të kundërshtarëve – ata plagosën një nga kolonët serbë që po
kundërshtonte largimin. Ky veprim, megjithëse i ndikuar nga rrethanat e ashpra
dhe padrejtësitë e shumta që shqiptarët përjetonin, u përdor nga pushteti si
pretekst për ndëshkim të rëndë ndaj tyre.
Për
më tepër, fakti që Ramadan Mjeku kishte shërbyer më herët si xhandar në
Ferizaj, e vuri atë në një pozitë edhe më të brishtë përballë regjimit të ri.
Pushteti jugosllav, i cili synonte ta shkatërronte çdo strukturë që lidhej me
autoritetet e mëparshme shqiptare apo me forcat që kishin bashkëpunuar për
mbrojtjen e interesave kombëtare, e konsideroi këtë shërbim si dëshmi të
“besnikërisë ndaj armikut”.
Në
këtë mënyrë, pushteti tregoi një qëndrim të pamëshirshëm ndaj tyre. Ata u
trajtuan jo si qytetarë që mbronin pronën dhe dinjitetin e tyre, por si “armiq
të sistemit”, duke u ndëshkuar për shkak të bindjeve dhe veprimeve që ishin në
thelb patriotike. Ky episod reflekton mënyrën se si regjimet e pasluftës në
Kosovë përdorën dhunën politike për të frikësuar, përçarë dhe nënshtruar
popullsinë shqiptare, duke kriminalizuar çdo akt që vinte në mbrojtje të
identitetit kombëtar e të së drejtës mbi tokë.
Përballë
rrezikut të vazhdueshëm që u kanosej jo vetëm atyre vetë, por edhe familjarëve,
miqve dhe bashkëfshatarëve të tyre, Hakif, Salih dhe Ramadan Mjeku morën një
vendim të vështirë, por të domosdoshëm: të kalonin në ilegalitet. Ky akt nuk
ishte thjesht një përpjekje për vetëmbrojtje, por një zgjedhje e vetëdijshme
për të mos vënë në rrezik të pafajshmit që mund të bëheshin viktima të
hakmarrjes së pushtetit.
Në
këtë frymë, ata u tërhoqën drejt maleve të Çiçavicës, ku ngritën një bunker të
fshehtë që do të shërbente si strehë dhe bazë për mbijetesë. Çiçavica, me
relievin e saj të ashpër e pyjet e dendura, u bë një vend i përshtatshëm për
fshehje, por edhe një simbol i qëndresës së tyre — një hapësirë ku liria merrte
frymë fshehur, larg syrit të armikut. Bunkeri i tyre, i ndërtuar me mund e
sakrificë, përfaqësonte një urë midis mbijetesës fizike dhe qëndresës
shpirtërore, midis heshtjes dhe rezistencës.
Megjithatë,
pushteti serb nuk ndalej. Vizitat e shpeshta të policisë në shtëpitë e Mjekëve
dhe të afërmve të tyre u kthyen në një ritual dhune e frikësimi. Torturat,
kërcënimet dhe maltretimet ndaj familjarëve ishin të përditshme, duke synuar të
thyenin moralin dhe lidhjen e pathyeshme midis ilegalëve dhe popullit.
Në
këtë kontekst, qëndresa e familjeve të tyre merr një dimension të veçantë moral
e historik: ajo dëshmon për një bashkësi që, pavarësisht vuajtjeve, nuk e
tradhtoi kurrë të vërtetën dhe nuk e zbuloi strehën e atyre që luftonin për
dinjitetin kombëtar. Ky kapitull i historisë së Mjekëve është dëshmi e
sakrificës së heshtur që mbështeti lëvizjen ilegale shqiptare, duke e bërë
familjen një kështjellë shpirtërore të qëndresës kombëtare.
Vizitat
e shpeshta të forcave të OZN-së në familjet e Mjekëve u shndërruan në një
realitet të përditshëm të frikës dhe dhunës së sistemuar. Pushteti, përmes
aparatit të tij represiv, synonte jo vetëm kapjen e atdhetarëve që kishin
kaluar në ilegalitet, por edhe shkatërrimin moral dhe ekonomik të familjeve të
tyre, në mënyrë që të shuante çdo gjurmë të qëndresës. Çdo hyrje e forcave të
sigurisë serbe në shtëpitë e tyre përfundonte me plaçkitje, poshtërim dhe
shkatërrim, duke e kthyer dhunën në një mjet të frikësimit dhe në një strategji
të qartë për të nënshtruar popullsinë shqiptare.
Veçanërisht,
familja e Hakif Mjekut u godit në mënyrë të pamëshirshme. Pasuritë e tyre, të
fituara me mund dhe punë ndër vite, u grabitën deri në skajshmëri, duke mos
lënë asnjë send me vlerë. Kjo grabitje nuk kishte vetëm qëllim material, por
ishte një akt politik e psikologjik – një përpjekje për të shkatërruar
krenarinë, dinjitetin dhe rezistencën shpirtërore të një familjeje që
simbolizonte qëndresën kombëtare.
E
njëjta fatkeqësi i goditi edhe familjet e tjera të fisit Mjeku – atë të
Rexhepit, Ferizit, Raifit dhe Muharremit. Asnjë prej tyre nuk i shpëtoi
hakmarrjes së pushtetit, i cili i konsideronte të gjithë si pjesë të një
“rrjeti armiqësor”. Kjo dhunë e përbashkët ndaj familjeve tregon se persekutimi
nuk kufizohej në individë, por shtrihej mbi tërë strukturën shoqërore që
mbështeste idealin kombëtar.
Kështu,
plaçkitja dhe dhuna e ushtruar mbi këto familje nuk ishin thjesht episode të
shpërndara të një kohe të trazuar, ato përbëjnë një dëshmi të gjallë të
politikës së sistematizuar të shuarjes së rezistencës, ku pushteti kërkonte të
nëpërkëmbte çdo formë të vetëdijes kombëtare përmes varfërimit, poshtërimit dhe
frikës. Megjithatë, historia e Mjekëve dëshmon se as dhuna, as grabitja, as
terrori nuk arritën të shuajnë shpirtin e qëndresës shqiptare që ata
përfaqësonin.
Në
rrethanat e ashpra të ndjekjes dhe persekutimit politik, ndërtimi i bunkerëve
në male u bë një domosdoshmëri jetike për luftëtarët e lëvizjes ilegale
shqiptare. Këto strehime të fshehta, të ngritura me mund dhe me zgjuarsi
popullore, përfaqësonin një formë të organizuar të mbijetesës dhe të
rezistencës përballë aparatit shtetëror jugosllav, i cili kërkonte të
asgjësonte çdo zë të kundërshtimit kombëtar. Ndërtimi i bunkerëve në male u
kthye në një praktikë të zakonshme për shumë atdhetarë, që gjetën në thellësitë
e pyjeve dhe në shpatet e thepisura vendin ku liria mund të merrte frymë e
fshehur.
Megjithatë,
vëllezërit Mjeku shkuan përtej kësaj forme tradicionale të fshehjes. Për të
qenë më afër familjeve të tyre dhe për të shmangur dyshimet e armikut, ata ndërtuan
një bunker brenda vetë shtëpisë — pikërisht në oxhakun e odës së miqve, aty ku
priteshin mysafirët. Ishte një zgjidhje e jashtëzakonshme, që bashkonte
zgjuarsinë, guximin dhe rrezikun ekstrem. Në këtë hapësirë të vogël, të
ndërtuar me mjeshtëri, mund të strehoheshin tre deri në katër persona.
Struktura
e bunkerëve të tillë ishte një mrekulli e improvizimit popullor: mbi hapësirën
e fshehtë vendoseshin rrasa të mëdha guri, të cilat mbuloheshin me hi e më pas
ndizej zjarri, duke krijuar pamjen e një oxhaku krejt të zakonshëm. Në këtë
mënyrë, edhe në rast se policët apo spiunët hynin në shtëpi, nuk mund ta
imagjinonin se pikërisht nën vendin ku digjej zjarri i mikpritjes, fshiheshin
njerëzit që për pushtetin ishin “armiq”, por për popullin ishin bijtë e lirisë.
Ky
bunker në zemër të shtëpisë nuk ishte vetëm një strehë fizike, por edhe një
metaforë e qëndresës kombëtare – dëshmi e mënyrës sesi besa, mikpritja dhe
mençuria shqiptare u shndërruan në armë kundër pushtetit shtypës. Ishte një
vend i fshehtë, por njëkohësisht një vend nderi, ku çdo gur, çdo hi e çdo flakë
zjarri ruante sekretin e qëndresës dhe të dashurisë për atdheun.
Në
rrethanat e ashpra të ilegalitetit, jeta për Hakifin, Salihun dhe Ramadan
Mjekun ishte tepër e rëndë dhe e pasigurt. Ditët kalonin nën ankthin e
ndjekjes, lodhjes fizike dhe vetmisë
shpirtërore. Në bunkerin nën oxhakun e odës, ku ishin strehuar, çdo mëngjes
niste me pasigurinë nëse do të përballonin edhe një ditë tjetër. Megjithatë,
qëndrueshmëria e tyre buronte nga bindja se po mbronin një ideal më të madh se
vetja — lirinë dhe dinjitetin e njeriut shqiptar.
Në
këtë periudhë të vështirë, pushteti shpalli një amnisti të përgjithshme, e cila
u interpretua nga shumë të ndjekur si një mundësi për t’u kthyer në jetën
normale dhe për t’i dhënë fund jetës në fshehtësi. Edhe këta tre burra, pas një
reflektimi të gjatë, vendosën t’i besonin këtij akti formal të pushtetit dhe të
dorëzohen, me shpresën se sakrifica e tyre do të gjykohej drejtësisht.
Pas
dorëzimit, ata u arrestuan menjëherë dhe u dërguan në burgun e Vushtrrisë, një
ndër burgjet më të njohura për ashpërsinë e trajtimit të të burgosurve shqiptar.
Hetimet kundër tyre zgjatën për një periudhë të konsiderueshme, por për shkak
të mungesës së provave konkrete dhe për faktin se veprimtaria e tyre nuk kishte
prodhuar dëshmi të dëmshme sipas ligjit të pushtetit, ata u liruan.
Ky
episod dëshmon për kompleksitetin e kohës dhe për mënyrën se si shumë
atdhetarë, të ndodhur midis besimit dhe zhgënjimit, u përpoqën të ndërtonin një
rrugë të re jetese pas viteve të përndjekjes. Megjithatë, lirimi i tyre nuk
ishte vetëm rezultat i mungesës së provave — ai përfaqësonte gjithashtu
dështimin moral të një regjimi që, përkundër përpjekjeve për të shuar idealet
kombëtare, nuk arriti të thyejë shpirtin e qëndresës shqiptare.
Vijon