| E merkure, 17.12.2025, 06:57 PM |

Intervistë: Fatjeta Ramadani – Studente, pjesëmarrëse në aktivitete kulturore
Nga
Nexhmije Mehmetaj
NM. Kush
është Fatjeta Ramadani ?
FR: Jam
nga komuna e Ferizajt, fshati Softaj, e lindur në Kosovë. Në Francë jetoj që
nga viti 2013. Studimet e larta i kam kryer në Gjenevë, Zvicër, bachelor në
Marrëdhënie Ndërkombëtare me specializim në Politikë dhe Histori, ndërsa
masterin po e ndjek në të njëjtin fakultet në Studime Europiane. Aktualisht
punoj me popullatën migrante.
NM: Fatjeta,
si e përjetuat personalisht ekspozitën “Sanxhaku – Histori e dhimbjes
kombëtare”?
Çështja e Sanxhakut, ashtu si shumë
çështje të tjera që prekin popullin shqiptar, nuk kam si ta përjetoj ndryshe
veçse me shumë trishtim. Bëhet fjalë për një histori të gjatë shtypjeje dhe
përpjekjesh për asimilim, të ushtruara nga regjime të ndryshme që kanë
nënshtruar shqiptarët ndër shekuj. Nga ndikimi shumëvjeçar i Perandorisë
Osmane, te politikat represive të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe më pas
të Mbretërisë së Jugosllavisë, deri te masat e ashpra të Jugosllavisë
Socialiste nën Titon dhe regjimeve nacionaliste serbe të shekullit XX,
shqiptarët janë përballur vazhdimisht me mohimin e identitetit të tyre kombëtar,
shpërngulje të detyruar dhe presione të ndryshme kulturore e politike. Kjo
trashëgimi e dhimbshme e bën çështjen e Sanxhakut jo vetëm historike, por edhe
thellësisht emocionale për këdo që e ndjen veten pjesë të kombit shqiptar.
NM:A kishte ndonjë element të
ekspozitës që ju tronditi ose ju bëri të reflektoni më thellë?
FR: FR: Ajo
që më tronditi më shumë ishte vetë njeriu dhe aftësia e tij për të shkuar deri
në shkatërrim për pushtet dhe urrejtje ndaj tjetrit. Ekspozita më bëri të
reflektoj mbi padrejtësitë historike, mbi dhunën ndaj atyre që janë ndryshe dhe
mbi asimilimin si mjet shtypjeje. Sanxhaku është një nga plagët tona historike,
dëshmi e vuajtjeve dhe e politikave shtypëse ndaj shqiptarëve. Përmes
fotografisë, kjo ekspozitë zgjon ndërgjegjen kolektive dhe ndihmon në ruajtjen
e kujtesës historike, në mënyrë që këto padrejtësi të mos përsëriten më.
NM: Sipas jush, pse është e rëndësishme
që rinia studentore shqiptare të marrë pjesë në aktivitete të tilla me karakter
historik?
FR: FR: Pjesëmarrja
e rinisë studentore në aktivitete historike është thelbësore, sepse pikërisht
të rinjtë përfaqësojnë forcën e rezistencës, energjinë dhe guximin për të
sfiduar padrejtësitë dhe narrativat e shtrembëruara. Njohja e historisë nuk
është vetëm rikthim te e shkuara, por mënyrë për të kuptuar të tashmen dhe për
të mbrojtur të vërtetën historike. Nëse ne nuk e njohim dhe nuk e tregojmë vetë
historinë tonë, të tjerët do ta bëjnë në vendin tonë. Prandaj, është
përgjegjësi e brezit të ri që ta ruajë, ta studiojë dhe ta përcjellë historinë
shqiptare me integritet, ashtu siç theksonte edhe Ukshin Hoti: “Historia e
shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”
NM: Çfarë ndikimi mendoni se kanë këto
evente në forcimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare te të rinjtë?
FR: Eventet
me karakter historik kanë një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në forcimin
e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare te të rinjtë, sepse ato krijojnë një
lidhje të drejtpërdrejtë mes brezave dhe rrënjëve të tyre. Në një kohë kur
globalizimi shpesh rrezikon të zbehë identitetet e vogla kombëtare, këto
aktivitete shërbejnë si hapësira ku ringjallet kujtesa historike dhe ku të
rinjtë njihen me sakrificat, vuajtjet dhe fitoret që kanë formësuar ekzistencën
e popullit shqiptar. Përmes fotografisë, dëshmive, diskutimeve dhe
prezantimeve, ata kuptojnë se identiteti nuk është i dhënë, por i ruajtur dhe i
përpunuar gjatë shekujve.
Për të rinjtë, pjesëmarrja në këto
evente është një proces reflektimi, por edhe fuqizimi. Ajo u mëson se historia
nuk është thjesht e kaluar, por mjet për të lexuar të tashmen dhe për të
ndërtuar të ardhmen. Duke njohur të kaluarën, ata zhvillojnë një ndjenjë
përkatësie dhe përgjegjësie ndaj komunitetit dhe kulturës së tyre. Këto evente
i ndihmojnë të shohin veten si pjesë e një historie më të madhe, duke forcuar
vetëvlerësimin dhe vetëdijen kombëtare
NM: Si u përfshitë në aktivitetet e
shoqatës “Studentet Shqiptarë në Gjenevë” dhe çfarë ju motivon të vazhdoni
kontributin tuaj?
FR: Në
vitin 2023 u përfshiva në aktivitetet e shoqatës fillimisht nga kureshtja, e
cila u shndërrua shpejt në angazhim të qëllimshëm. Gjuha, letërsia dhe historia
shqiptare kanë qenë gjithmonë pasioni im, dhe përfshirjen në shoqatë e pashë si
një mundësi për të dhënë kontributin tim dhe për të ndarë përvojën me studentë
të tjerë.
Ajo që më motivon të vazhdoj është
energjia dhe dëshira e studentëve për të mësuar, krijuar dhe bashkëpunuar.
Ndërtimi i këtij komuniteti, respekti i ndërsjellë dhe përvojat kulturore të
përbashkëta më japin ndjenjën e misionit për të kontribuar, për të mbështetur
dhe për të frymëzuar brezat që vijnë.
NM: Cili është roli juaj brenda
shoqatës dhe çfarë dëshironi të sillni si vlerë të shtuar për studentët?
FR: FR: Aktualisht
jam anëtare e shoqatës së studentëve shqiptarë në Universitetin e Gjenevës,
ndërsa më parë kam pasur nderin ta drejtoj shoqatën për një vit e gjysmë. Gjatë
këtij angazhimi, motivimi im ka qenë i lidhur ngushtë me dëshirën për të
trajtuar tema që prekin komunitetin tonë, për të promovuar gjuhën dhe kulturën
shqiptare dhe për të krijuar hapësira bashkëpunimi mes studentëve.
Vlera që dua të sjell është forcimi i
solidaritetit dhe ndërtimi i një komuniteti të bashkuar, ku çdo student ndihet
i përfaqësuar dhe i vlerësuar. Shumëllojshmëria e përvojave dhe prejardhjeve
tona është pasuri, dhe pikërisht kjo energji rinore dhe frymë bashkimi më
motivon të vazhdoj kontributin tim për një shoqatë me zë, vizion dhe identitet
të fortë shqiptar.
NM: Çfarë fiton një studente nga
pjesëmarrja aktive në jetën e komunitetit dhe kulturën shqiptare në mërgatë?
FR: Pjesëmarrja
aktive në jetën e komunitetit dhe kulturën shqiptare në mërgatë i lejon atij
apo asaj të lidhet me rrënjët e tij, të ruajë gjuhën dhe traditat, dhe të
zhvillojë një vetëdije më të thellë kombëtare. Ajo forcon aftësitë personale
dhe profesionale përmes organizimit të ngjarjeve dhe bashkëpunimit me të
tjerët, ndërsa nxit respektin, solidaritetin dhe përgjegjësinë qytetare. Në
këtë mënyrë, studenti/ja bëhet pjesë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit
shqiptar jashtë vendit.
NM: Çfarë
mesazhi do u jepnit studentëve që hezitojnë të bashkohen në aktivitete të
tilla?
Pak dashuri dhe revoltë nëse keni ndaj
heshtjes dhe padrejtësisë që iu është bërë popullit shqiptar, mos hezitoni. Ne
jemi e ardhmja dhe forca e vendit tonë.
Faleminderit.