| E hene, 15.12.2025, 06:52 PM |
“Peizazhi Impresiv” i Faton Aliut në SHBA
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Pikura
“Peizazh Impresiv”, nga piktori Faton Aliu është përzgjedhur nga juria
profesionale dhe është ekspozuar në ekspozitën prestigjioze ndërkombetare “Red
Dot Miami” në SHBA.
Ajo
që ta rrëmben syrin, është ngjyra, forma dhe lëvizja e natyrës me një simfoni
mbretërore të krijuar nga rregullat absolute. Fuqia e kësaj pikture është
poetike, plot rrimë, ndërgjegje, shpirt, art, estetikë, vlerë dhe mirëfillë.
Pesha e lojës shpirtërore është e barabartë me vetë motiviin, sepse pasqyra e
shpirtit është natyra, pra ajri, uji, toka, gjelbrimi i dendur dhe masiv.
Kompozimi refuzon mimetikën e thjeshtë, nuk është një imitim i peizazhit, por
një rindërtim poetik i tij, i formësuar nga lëvizja, drita dhe masa e bojes.
Vepra vendos në dialog perceptimin e natyrës me gjuhën e pastër pikturale, duke
krijuar një hapësirë ku perceptimi dhe materiali bashkëveprojnë.
Paleta
ngjyrave flet me dinamikën e një ekosistemi të brendshëm dominon gjelbërimi në
nuanca që lëvizin nga thellësia oksidante në freskinë e gjelbërimeve të reja ,
“bërthama” të jetës bimore, ndërsa fusha e sipërme, transparente dhe e
ndritshme, shton një tension nga vet ajri që lëviz gjithçka. Prekje të imëta
violete dhe pulsime të kuqes shërbejnë si aksente janë drita të vogla që
thyejnë monotoni dhe udhëzojnë vështrimin drejt nyjeve kyçe të kompozicionit.
Kjo paletë mban harmoni analogjike, por edhe një kontrast të brendshëm që i jep
veprës lëvizje dhe peshë.
Trajtimi
i sipërfaqes është i guximshëm, impastot e dendura, goditjet e mëdha dhe
shenjat e shpakllës së paletës shndërrohen në fjalë të një leksiku të vetë
autorit. Çdo shtresë boje kontribuon në ndërtimin e volumit dhe atmosferës,
boja fiton trup dhe prekje, deri sa sytë presin pothuajse të ndjejnë trashësinë
e saj. Nuk është një dekoracion teksturor, por një fjalor gjuhësor që tregon
procesin dhe intensitetin e aktit piktural.
Perspektiva
zëvendësohet nga një ndjesi e kompresuar dhe atmosferike, thellësia
manifestohet përmes ndryshimeve të densitetit dhe vlerave, jo përmes linjave
drejtore. Kjo e bën peizazhin një fragment të kapur në kohë, një moment
emocional i kondensuar në sipërfaqe pikturore. Ritmi vizual lind nga alternimi
i zonave të ngarkuara dhe atyre më të qeta, përsëritja e motiveve dhe
variacionet e tyre krijojnë një puls të brendshëm që mban kompozicionin në
lëvizje, sikur një melodi e përbërë nga motive dhe devijime të vogla. Nga
këndvështrimi filozofik, vepra shqyrton transformimin e përvojës perceptive në
gjuhë pikturale, peizazhi shfaqet jo si kopje, por si ndërdije imagjinative dhe
emocionale. Faton Aliu beson në aftësinë e mediumit për të kapur intensitetin
ekzistencial të vendit dhe momentit , për ta bërë përvojën e natyrës një
përvojë materiale dhe shpirtërore. Shpirti artistik që del në pah është i
pasionuar dhe i kërkueshëm, një krijues që gëzon procesin, që pranon rrezikun
formal për të arritur një të vërtetë estetike më të thellë. Vepra fton
shikuesin të afrohet, ta ndjenë bojën, imazhin më shumë si përvojë shpirtërore
se sa si një dëshmi reale.
