Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Abedin Hoxha i Zyrës Sekrete

| E diele, 14.12.2025, 06:56 PM |


Abedin Hoxha i Zyrës Sekrete

Nga Kastriot Dervishi

Në periudhën 12 gusht 1928 – 3 dhjetor 1930 në krye të Zyrës Sekrete ishte gjirokastriti Abedin Hoxha (1897-1954). Ishte financier dhe arkivist. I arsimuar në shkollën rushdije të Rodosit, gjimnazin “Vefa” në Stamboll dhe një vit në kolegjin gjerman “Gjorg” në Stamboll, hyri në shërbim të shtetit shqiptar në vitin 1915. Pati funksione të ndryshme nëpunësi në Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Këshillin Kontrollues.

Pas lënies së detyrës, ishte nënprefekt: Shijak (1930-1931), Mallakastër (1931-1934), Kolonjës (1934-1936, komunës këtu), Përparimit (Pogradecit dmth, 1936-1939). Në 7 prill 1939 ishte nënprefektura e vetme e cila u bë zëri i fortë kundër pushtimit fashist. Për këtë arsye, Abedini u internua në Itali si antifashist. Në vitin 1942 kthehet në Shqipëri e banon fillimisht në Fier e më pas në Durrës. Në prill-tetor 1944 ishte sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

U dënua nga komunistët me 5 vjet heqje lirie dhe vuan dënimin në vitet 1945 – 1947. Në hetuesinë përkatëse nuk i tregoi vitet kur kish punuar në Zyrës Sekrete, ndërsa përmendi vetëm persona që ishin arratisur nga Shqipëria. Pas daljes nga burgu, punoi llogaritar shtypshkronje në Tiranë në vitin 1947, shef llogarie në vitet 1948-1949 në ndërmarrjen e duhanit në Elbasan dhe në vitet 1949-1952 në ndërmarrjen e duhanit në Durrës. Pavarësisht se ishte tërhequr, filluan ta raportojnë. Agjentët e Sigurimit të Shtetit, “Koburgu”, “Kafka e kokës”, Gjuha shqipe”, “Sheftelia”, sjellin raporte kundër tij. Por sinjalin më serioz e dha agjenti “Sinjali”, person i cili kish shërbyer dikur në vitet 1930 – 1933 si agjent i Zyrës Sekrete. Ai dëshmoi në vitin 1952 kundër shefit të tij Abedin Hoxha.

Abedini u arrestua më 1.7.1954 në Elbasan. Merret sërish në pyetje, por përgjigjet se posti i tij kishte qenë i një nëpunësi, pa karakter vendimmarrës. Më 2.11.1954 u internua për 5 vjet në kampin nr.2 në Shtyllas të Fierit e më pas atë të Kuçit. Në gjendje të rëndë shëndetësore u shtrua në spitalin e Tiranës, ku edhe vdiq më 5.5.1956.

Abedin Hoxha dhe persekutimi i familjes

Abedin Hoxha ishte kushëri me Enver Hoxhën. Por ky i fundit, në librat e tij me kujtime, e ka zhdukur emrin e tij dhe të vëllait tjetër.

Babai i Abedinit, Rasim Hoxha ishte avokat dhe kishte 4 fëmijë: Abedinin, Muhametin, Fiqiretin, si dhe një vajzë, Shpresën. Dy djemtë e tij, si Abedini dhe Fiqireti mbaruan shkollat ushtarake në Austri dhe Itali, ndërsa Muhameti në Francë, si inxhinier. Vajza e vetme e Rasimit, Shpresa, doli partizane dhe u martua me Myqerem Fugën.

Mirëpo do të kalonin vite dhe në librin “Vite të vegjëlisë”, Enver Hoxha nuk mund të rrinte pa falsifikuar të kaluarën e fisit të tij, duke treguar edhe natyrën e tij mosmirënjohëse, kur shkruan në lidhje me familjen e Rasim Hoxhës, këto rreshta:

“Në Fier duke punuar, për herë të parë fitova disa lekë, pikërisht 25. Ja si i fitova: Atje ishte avokat Rasim Hoxha, nga soji ynë, babai i Shpresës dhe Muhametit. Muhameti ishte më i madh nga unë, ai mësonte në Francë. Si Rasimi dhe djemtë, ishin fodullë. Vetëm Shpresa nuk ngjau fare me ta. Ajo, doli partizane, u bë komuniste e mirë, luftoi me kurajë edhe kundër pjesëtarëve të familjes, të cilët nuk qenë me ne. Pra, një ditë Rasimi më tha: “Hajde në zyrë, të më kopjosh disa shkresa!”. Dhe unë vajta, shkrova e shkrova me ditë të tëra dhe kur i mbarova, ai më dha 25 lekë, më mori edhe për drekë në shtëpi, pse kishte ardhur Muhameti nga Franca”. (faqe 212).

Sikurse shihet, në fillim Enveri shkruan se fëmijë të Rasimit ishin Shpresa dhe Muhameti, ndërsa më poshtë brenda të njëjtës faqe përdor fjalët “djemtë e tij”, pra në shumës dhe jo në njëjës. Enveri kështu ka hequr nga lista Abedinin dhe Fiqiretin, duke harrur që më sipër ka thënë se Rasimi kishte vetëm një djalë. Rasimi, Abedini dhe Muhameti, u burgosën nga regjimi komunist.

Në foto familjarë të Abedin Hoxhës, ai, babai, nëna, gruaja, motra, etj.