| E enjte, 11.12.2025, 06:59 PM |

OSLO, 11 DHJETOR 1979
Letrat
sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht
njerëzore e shenjtores
Nga
Albert Vataj
Njerëzorja
e Nënë Terezës, e cila zbulohet përmes letrave sekrete të krizave të saj të
besimit, shtron një dimension të ri dhe thellësisht destabilizues të figurës që
bota mendoi se e njihte. Ajo që shpallet në Oslo më 11 dhjetor 1979, në ngjitjen
e podiumit të Nobelit me sariun e bardhë e bordurat blu, është versioni i
dukshëm, publik, i shenjtores së të varfërve. Fjala e saj është e qartë,
ungjillore, e padiskutueshme: dashuria për Zotin nuk ka kuptim pa pranimin e
tjetrit; Krishti është i mishëruar në të vuajturit; aborti, droga, dëshpërimi
moral perëndimor janë plagët që duhet të luftohen me dritë.
Por
vetëm pak javë më parë, e njëjta grua rrëfente në intimitetin e një letre një
boshllëk të pangushëllueshëm, një heshtje hyjnore që i shponte shpirtin. Fjalët
e saj ndaj atë Michael van der Peet-it nuk kanë gjë prej ikonës së gdhendur, të
buzëqeshur, të mbështjellë nga aureola e medias. Janë tone të thyera, të
lodhura, të përvuajtura gjer në agoni: kërkon, por nuk sheh; dëgjon, por nuk i
vjen asnjë zë; gjuha e saj kërkon lutjen, por fjalët nuk nisin dot. Aty shfaqet
një shpirt që e ndjen veten të braktisur pikërisht nga Ai të cilit i kishte
premtuar gjithçka.
Këto
dy rrafshime, të ndara vetëm 11 javë larg, krijojnë portretin e një kontradikse
të gjallë: shenjtores publike dhe gruas së mbështjellë nga dyshimi privat.
Tereza e podiumit dhe Tereza e letrave nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por
bashkëjetojnë si dy shtresa të së njëjtës ndërgjegje, njëra e ndriçuar, tjetra
e tejngjeshur me terr. Pikërisht ky dualizëm e bën figurën e saj njerëzore,
gati tragjike në intensitet.
Letrat
e mbledhura në “Mother Teresa: Come by My Light”, të ruajtura kundër vullnetit
të saj, e çvendosin perceptimin kolektiv nga miti te njeriu. Ato zbulojnë se
mungesa e “prezencës së Zotit” nuk ishte një episod, por një gjendje e
vazhdueshme që filloi në momentin kur ajo nisi misionin e saj të pamëshirshëm
në Kalkutë. Në prapaskenën e buzëqeshjes që i dha botës, ajo jetonte një “natë
të errët” të shpirtit pa fund, të ngjashme me përvojat më ekstreme të
mistikëve. Vetë Tereza e pranonte maskën: buzëqeshja si perde që mbulon
gjithçka; predikimi i një dashurie që vetë nuk e ndjente; frika se mos e gjithë
kjo ishte një hipokrizi.
Kjo
nuk e zbeh figurën e saj, përkundrazi i jep një përmasë të thellë
antropologjike dhe dramatike. Të jetosh gjithë jetën në një errësirë
shpirtërore dhe të mos braktisësh misionin, të ushqesh të varfërit, të prekësh
të sëmurët, të mbash në jetë idenë e dashurisë hyjnore, ndërsa vetë përjeton
mungesën e saj, është akt i një heroizmi të heshtur, të pakrahasueshëm.
Kisha
ka fjalorin e vet për këtë realitet: “nata e errët” e Shën Gjonit të Kryqit, në
të cilën Zoti fshihet që shpirti të pastrohet. Por tek Nënë Tereza, kjo natë
nuk ishte kalimtare; ishte një hapësirë ekzistence që e shoqëroi deri në fund.
Kjo e bën portretin e saj unik në historinë e shenjtërimit: një shenjtore që
jetoi me një mungesë.
Në
këtë kontradiktë qëndron fuqia e saj e vërtetë: jo te siguria, por te
qëndrueshmëria; jo te drita, por te besnikëria ndaj detyrës edhe kur drita
mungon. Ajo që u perceptua si siguri e pathyeshme ishte në të vërtetë kapja me
thonj pas njëbesimi të heshtur, të zhveshur nga ndjesia, nga “konsolacioni”,
nga përkëdhelja mistike.
Në
fund, njerëzorja e Nënë Terezës është më e madhja e shenjtërisë së saj. Ajo nuk
u shfaq e përkryer, por e përvuajtur; jo e qetësuar, por e sfilitur; jo e
tejmbushur nga Zoti, por duke e kërkuar me ankth. Kjo tensionon vetë nocionin e
shenjtërisë dhe e çon te një përfundim i vjetër sa vetë tradita: se shenjtëria
nuk është mungesë dyshimi, por aftësia për të jetuar me të, pa braktisur
dashurinë për tjetrin.
Kjo
e bën figurën e saj më të afërt, më të prekshme dhe më të ndërlikuar se miti që
ngriti bota. Në letrat e saj, Nënë Tereza shfaqet jo si statujë, por si njeri
që lufton me errësirën dhe vazhdon të japë dritë.
David
Van Biema, në TIME MAGAZINE, në një qasje për të shpërfaqur nerëzoren e
shenjtores, mes të tjerash shprehet:
Më
11 dhjetor 1979, Nënë Tereza, "Shenjtorja e të varfërve", shkoi në
Oslo. Si gjithmonë me veshjen e saj tipike të bardhë me bordurë blu dhe me
sandale, pavarësisht temperaturave nën zero, Anjeza Gonxhe Bojaxhiu u nderua me
Çmimin Nobel. Në ligjërimin e saj të pranimit, Tereza, dha fjalimin që bota
priste prej saj. "Nuk është e mjaftueshme të thuash që unë e dua Zotin,
por nuk e dua komshiun tim", tha ajo, "pasi Jezusi kur vdiq në kryq e
kishte sakrifikuar veten e tij, duke u bërë ai vetë i urituri, i zhveshuri dhe
i pastrehu. Duhet të gjejmë frymën e Jezusit dhe ta kultivojmë atë". Ajo
mallkoi abortin dhe përhapjen e drogës mes të rinjve në perëndim. Në fund ajo
sugjeroi që me rastin e Krishtlindjeve që po afronin, bota duhet të kujtohej që
drita e gëzimit është e vërtetë pasi Jezusi është kudo. "Krishti është në
zemrat tona, Krishti është afër të varfërve që takojmë, Krishtë gjendet në
buzëqeshjen që japim dhe në buzëqeshjen që marrim".
Më
pak se tre muaj më parë, në një letër drejtuar një rrëfyesi shpirtëror, atë
Michael van der Peet, që vetëm këto kohët e fundit është bërë publike, ajo
shkuante me një mërzi të thellë rreth një Krishti "ndryshe", një që
mungonte. "Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju", i thoshte ajo
Van der Peet-it. "Por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh saqë
e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin po nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua
të lutem, por nuk arrin të flasë…dua që të luteni për mua. Dua që t'i luteni
Atij që të bëjë çfarë të dojë me mua".
Këto
dy deklarata janë shkruajtur me një distancë kohore prej 11 javësh nga
njëra-tjetra. E para është tipike e gruas që e gjithë bota mendonte se e
njihte. E dyta tingëllon sikur të ketë dalë nga dramat e ekzistencialistëve të
viteve 1950. Të dyja së bashku ato sugjerojnë një portret kontraditkor. Ikona
njerëzore më e madhe e 100 viteve të fundit, veprat e mrekullueshme të së cilës
dukeshin të lidhura shumë ngushtë me afërsinë që ajo kishte me Zotin dhe që
është parë vetëm në momentet e saj të lutjeve të heshtura dhe në paqe, si nga
përkrahësit e saj të devotshëm ashtu edhe nga telekamerat e shumta televizive,
faktikisht ishte duke jetuar në një realitet tjetër shpirtëror, të cilin e
ruante me fanatizëm nga bota e jashtme. Ajo tashmë jetonte në një botë ku
perëndia duket se ishte zhdukur.
Faktikisht,
këtu qëndronte i gjithë problemi. Një libër i ri joarmiqësor i titulliar
"Mother Teresa: Come by my light" (Nënë Tereza: Eja drejt dritës
time), i cili konsiston kryesisht në korrespondencën e Terezës me rrëfyesit e
saj dhe eprorët gjatë një periudhe 66-vjeçare, shpalos një panoramë shpirtërore
që bie në kontradiktë me një jetë të dedikuar punës. Letrat, shumica e të
cilave janë ruajtur kundër vullnetit të saj (ajo kishte bërë kërkesë specifike
që letrat të zhdukeshin, por kisha nuk e bërës këtë gjë), tregojnë se gati
gjatë gjithë gjysmës së jetës së saj ajo nuk ndjeu asnjë prezencë të Zotit ose,
siç shkruan edhe redaktori dhe përpiluesi i librit, Atë Brian Kolodiejchuk,
"nuk e ndjente këtë prezencë as në zemër dhe as në veprat e saj".
Mungesa
duket se kishte filluar pikërisht në kohën kur ajo filloi t'i përkushtonte
jetën të varfërve dhe të vdiste në Kalkuta dhe, përveç pesë javëve të pushimit
në vitin 1959, nuk pushoi kurrë. Edhe pse shfaqej përherë e lumtur në publik,
Tereza e letrave jetonte në një gjendje të thellë dhe konstante dhimbjeje
shpirtërore. Në më shumë se 40 komunikime, shumë prej të cilave nuk janë
publikuar kurrë më parë, ajo vajtonte "thatësirën",
"errësirën", "vetminë" dhe "torturën" që po
përjetonte. Ajo e krahasonte këtë eksperiencë me ferrin dhe në një moment ajo
thoshte se kjo gjendje po e çonte drejt dyshimit të ekzistencës së parajsës,
madje edhe vetë Zotit. Ajo ishte tërësisht e vetëdijshme për mospërputhjen e
gjendjes së saj të brendshme me sjelljen e saj publike. "Buzëqeshja",
shkruan ajo, "është një maskë ose një perde që mbulon gjithçka". Në
të njëjtën mënyrë, ajo pyeste veten nëse ishte duke humbur në mashtrimet
verbale. "Unë flas sikur të isha e dashuruar me Zotin, një dashuri e
brishtë personale", i cilëson ajo një këshilltari. "Sikur të ishit
aty, do të thonit, 'Çfarë hipokrizie'". Atë James Martin, redaktor i
revistës "Jesuite" të Amerikës dhe autori i "Jeta ime me
Shenjtorët", një libër që merrej shumë shkurtimisht me dyshimet e Terezës,
thotë: "Nuk kam lexuar kurrë jetën e një shenjtori që të ketë një errësirë
shpirtërore kaq intensive. Asnjeri nuk e dinte që ajo ishte kaq e
shqetësuar". Kolodiejchuk, redaktor i librit "Eja drejt dritës
time" kujton: "Kam lexuar një letër që i drejtohej Motrave
(misioneret e bamirësisë bashkë me Terezën) dhe të linte me gojë hapur ashtu siç
la edhe ato. Kjo do t'i japë një dimension tërësisht të ri të perceptimit të
njerëzve për të".
Libri
nuk është absolutisht vepër e ndonjë antikrishti apo të ndonjë spekulatori.
Kolodiejchuk, një nga anëtarët më të vjetër të Misionerëve të Bamirësisë, ka
qenë përgjegjës për kërkesën e shenjtërimit të saj dhe për mbledhjen e
materialeve të nevojshme. Letrat që janë publikuar në libër kanë qenë
gjithashtu pjesë e procesit të shenjtërimit të saj.
Edhe
kisha e pranon që ekziston një periudhë pasive shpirtërore. Në të njëjtën
mënyrë, mistiku spanjoll, Shën John of the Cross, shpiku në shekullin XVI
"natën e errët" të shpirtit për të përshkruar një fazë karakteristike
të lartësimit të disa mjeshtërve shpirtërorë. Nënë Tereza mund të ketë
përjetuar periudhën më të gjatë të rasteve të tilla të evidentuara. ("Nata
e errët" e Shën Paul of the Cross zgjati 45 vjet.) Megjithatë,
Kolodiejchuk e shpjegon këtë fazë të jetës si errësira e fshehur e besimit.
Tereza zbuloi një mënyrë, duke filluar gjatë viteve '60, për të bashkëjetuar me
këtë gjendje ankthi dhe nuk e braktisi as besimin dhe as punën e saj.
Kolodiejchuk e shkroi këtë libër si një provë përkushtimi të mbushur me besim,
të cilin e cilëson si aktin e saj shpirtëror më heroik.