| E hene, 08.12.2025, 06:53 PM |
Flet "Artisti i Popullit" Luftar Paja:
- Sot humori me politikanët është më i bukuri, për
gafat e tyre, gënjeshtrat dhe deformimin e shqipes.
- Vënia e dramave të huaja në skenë do sjellë një
krizë identiteti në artin skenik shqiptan.
Sot në të gjithë teatrot shqiptare, në pjesën
dërrmuese vihen vetëm drama dhe komedi të huaja.
- Asnjë qeveri shqiptare nuk i ka nxitur
skenaristët shqiptarë për të bërë drama apo komedi kështu dhe ata se marrin
lapsin të shkruajnë.
-Te filmi "Gunat për mbi tela" kam
mbajtur gunën tre muaj veshur në mes të verës, kur guna është sobë në dimër dhe
vullkan në verë.
.-84-.vjetori i lindjes së "Artistit të
Popullit" Luftar Paja
Nga Albert Z. ZHOLI
Luftar Paja, ka
lindur më 1 dhjetor 1941 në Gorishovë të Mallakastrës, numëron tashmë 84 vite
jetë . Luftar Paja është një ndër aktorët më të dashur të humorit në Shqipëri,
ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Më 1 dhjetor festoi 84-vjetorin e lindjes.
Për vite me rradhë
Luftar Paja i ka dhuruar qeshje pafund publikut shqiptar.
Me humorin e tij, me
interpretimet plot jetë dhe rolet që kanë lënë gjurmë në teatër, kinema e
estradë, ai ka ditur të prekë zemrën e publikut dhe të kthehet në një ikonë të
kulturës sonë.
Hapat e tij të parë i
ka hedhur në pallatin e Kulturës "Mustafa Matohiti" në Patos, gjatë
viteve 1960–1968. Më pas, nga viti 1968 deri në 1990, u bë një nga
shtyllat e Estradës Fier dhe teatrit "Bylis", përpara se të
zhvendosej në Tiranë, ku vijoi rrugëtimin e tij artistik. Në skenat shqiptare
ka luajtur krah emrave më të mëdhenj: Rolan Trebicka, Sandër Prosi, Mirush
Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi e shumë të tjerë, duke krijuar role që edhe
sot mbeten të paharrueshme për publikun fierak dhe mbarë vendin. Luftar Paja
mbetet një figurë poliedrike, që ndërsa e takon përditërisht, të duket një
njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë shpërthen përmasat e
vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis përveçse me zotësinë e tij, duke
arritur të realizojë personazhin që merr përsipër në përmasat reale. Në vitin
1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Luan në teatër në
dramën "Hijet e natës", "Fejesa e Çehovit". Ndër rolet më
të spikatura të aktorit Luftar Paja janë: "Çobo Rrapushi me shokë" në
rolin e Çobos. Në dramën "Vite të paharruara". "Fytyra e dytë".
E në qindra e qindra komedi me
-Mbushe plot 84-vjeç, po afron një shekull jetë. Si i kujton këto vite
jete?Fëmijëria juaj lidhet me vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore kur jeta
ishte e vështirë. Po shkolla si ishte atë kohë, a kishit kushte, a kishte
shkollë në çdo fshat? Çfarë kujton nga ato vite?
As vetë se kuptoj se
si kanë ikur këto vite. Vite plot lëvizje, skenë, sheshe xhirimi, skenare,
mësime tekstesh përmendësh...Isha fëmijë i hedhur, i shkathët, por dhe me
mësime kam qenë mirë. Me vajzat të cilat bënin si komandante e kisha keq punën.
Nga koha e fillores më janë skalitur ca shenja nëpër trup. Si rrjedhim i
rezultateve në shkollë, në fund të vitit u zgjodha fatos i dalluar dhe u
caktova të përfaqësoja klasën time në klubin e Qafës ku organizoheshin
koncertet e fundvitit. Aty më mbeti në mendje regjisori i parë, Ndrek Beltoja,
që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike dhe një palë mustaqe të
ngjitura bashkë dhe sa i vinte ato luante me kitarë dhe këndonte parodi.
Mësuesja më caktoi të recitoja një vjershë për Vitin e Ri. Sigurisht, programi
shkollor nuk lejonte që ti të lexoje, por, duke qenë nxënës i shkathët vjershën
ma mësoi mësuesja. Ishte një vjershë për Stalinin, të cilën e recitova në
rusisht. Interpretimi im i parë, mbaj mend, që u prit me shumë duartrokitje. Si
dhuratë më dhanë
-Duke ju bashkuar Estradës së Fierit që vuri themelet në 1957-ën, ajo do
të punonte me emra të njohur si Llazar Verria e Pëllumb Kulla, me të cilin do
të shenjoje dhe disa nga rolet më të bukur të jetës suaj artisike?
Një kontribut të
jashtëzakonshëm në formimin tim artistik ka dhënë Pëllumb Kulla, një nga
dramaturgët e mirë të vendit tone; autor, regjisor e shkrimtar i gjinive të
tjera, por mua më ka dhënë ndihmë në punën time fryma e kolektivitetit që
kishim në trupën e Teatrit të Fierit, pasi një personazh pa këtë frymë
bashkëpunimi nuk zhvillohet dot. Pasi arti skenik, është art kolektiv, ku
marrin pjesë autori, regjisori, skenografi, aktori, kostumografi etj. Të gjithë
bashkë bëjnë më të bukurën", shprehet artisti.
- Si i keni përjetuar rolet dhe bashkëpunimet me aktorët më të mirë
shqiptarë?
Unë bashkëpunimin me
artistët e mëdhenj që kam pasur fatin e madh të luaj e quaj shkollën më të
madhe të jetës. Në skenë dhe në sheshet e xhirimit kam njohur artista gjigantë
të Shqipërisë. Si Sandër Prosin, me Violeta Manushin, Kadri Roshin, Sulejman
Pitarkën, Ndrek Lucën, Prokop Mimën etj., e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë
të pashlyeshme në artin tonë, pa harruar kolektivin tim të Fierit, me të cilin
kam punuar për 33 vjet me radhë në Fier, siç ka qenë Nestor Pogaçja, Fuat Boçi,
Todi Llupi, Hasan Bregu, Zhuljeta Kulla etj. Ne kishim dhe një parullë, thoshim
që "Jemi 6 vëllezër dhe kemi edhe një motër, Zhuljetën!" Kjo lloj
harmonie dhe dituria e regjisorit Pëllumb Kulla na ka bërë që të njihemi, jo në
shkallë rrethi, por në shkallë vendi.
- Në shumë biseda veçon filmin "Guna përmbi tela. Pse?
Për vetë faktin e
thjeshtë, sepse te filmi "Gunat për mbi tela" kam mbajtur gunën tre
muaj veshur në trup në qershor, korrik dhe gusht. Pra flasim për gunë që se shpon
as plumbi që dhe në dimër është si sobë, ndërsa në verë është vullkan. Që nëse
nuk do të ishte deti, do kishim zënë parazit. Ndërsa sot teknika është
zhvilluar, interpretimi është shumë më komod se në ato vite tonat.
- Me Gazin keni shumë të përbashkëta por edhe të veçanta, çfarë porosie
i keni dhënë?
Që në fillimet e tij
e kam orientuar që të ketë personalitetin e vet, individualitetin e vet,
suksesin e tij, të veçantën e tij artistike. I kam thënë që "Mos u mburr
me koburen e babait, se babai e ka shkrepur për vete. Mburru me koburen
tënde".
Ka kohë që Luftari është shmangur tërësisht nga politika, por e ndjek
politikën. Por shihet se sot politikanët janë pjesë e humorit. Pra shihet një
tendecë sot në disa krijues të humorit për të futur gjerësisht humorin politik
?
– Ky lloj humori është bërë pjesë e jetës sonë pasi shumë politikanë
e kanë bërë veten për humor. Eshtë një risi në humorin e sotëm për vetë faktin
se, në monizëm thuajse nuk ekzistonte një humor i tillë. Ishte e pamundur të
talleshe me një antar të Byrosë Politike. Ndërsa sot, rrugët janë të hapura për
këtë humor. Madje, duke pasur parasysh se populli ynë trim dhe liridashës rri
dhe pa bukë, por jo pa politikë, ky humor gjen shumë terren. Ka shumë humor me
politikanët e sotëm. Ata vetë dashje pa dashje të japin material të bollshëm.
Por edhe në këtë rast, tejkalohet masa. Kalon masa, prishet cilësia. Raportet
janë të domosdoshme në humorin kërkues. E them kërkues, pasi e kërkuara ka
jetgjatësi. E konsumuara "vdes" pas minutës që interpretohet. Rendja
shpesh herë pas gjestikulacioneve të sforcuara, i heq personazhit kostmumin e
bukur të fjalës, interpretimit. Ky kostum do të thosha është magjik. Magjia e
fjalës është e pazëvëndësueshme në një skeç. Sado të jesh një aktor i madh me
një plastikë mahnitëse, pa fjalën e bukur.
-Pengjet?
Pengje ka çdo aktor,
pasi ende duaj të luaj role që më përshtaten. Do të doja që të merrja pjesë te
'Gomari i Babatasit'". Peng tjetër është që dua t'i shoh sërish teatrot e
gjithë qyteteve të Shqipërisë plot, të gumëzhijnë nga spektatorët. Politika e
sotme shqiptare ti kthej sa më shumë sytë nga krijuesit shqiptarë, ti motivojë
ata. Politika dhe qeveritë shqiptare të mos merret vetëm me rikonstruksione
teatrosh, por të punojë që këto teatro të jenë plot me njerëz nga të gjitha
moshat dhe nga të dy gjinitë. Pra çdo qeveri duhet të bëjë program që në
teatrot e vendit të vihen pjesë shqiptare, drama shqiptare, komedi shqiptare,
apo skeçe shqiptare. Sot në të gjithë teatrot shqiptare, në ato pak më mirë të
them, vihen vetëm drama të huaja. Asnjë qeveri nuk i nxit skenaristët shqiptarë
për të bërë drama apo komedi kështu dhe ata se marrin lapsin të shkruajnë. Por
kjo do sjellë një krizë identiteti në artin skenik shqiptar. Për shembull
Teatri i Fierit është rikonstruktuar, por ka një jetë artistike shumë të vakë.