E marte, 09.12.2025, 03:50 AM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë

E hene, 08.12.2025, 06:54 PM


Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë

Nga Albert Vataj

Ka dashuri që nuk jetojnë vetëm në kujtesë, por ngjiten lart, në qielloren e përjetimit, aty ku njeriu bëhet me krahë. Ato mbeten të pacenueshme, edhe kur jeta vjen si një karvan i gjatë figurash që hyjnë e dalin nga ne, si stacione kalimtarësh që nuk arrijnë të bëhen kurrë vendbanim shpirti. Vetëm një dashuri, ajo e zgjedhura, ajo e brendësuar, arrin të mbetet e pashlyeshme, e palëvizshme, e ngulitur si yll që s’e shuan as koha, as hapat që na çojnë larg tyre.

Pse dikush mbetet njeriu më i dashur? Mbase sepse nuk është thjesht njeri: është dëshirimi hyjnor që e kërkon dhe e gjen te çdo gjë, është ajo ndjesi që të rrëqeth, të çliron, të mbush me mall e me ëndje, të sjell buzë lotit pa të lënduar. Është gjendja që të kaplon papritmas e të ngrit lart, saqë për një çast e beson me gjithë qenien se je zog, se mund të fluturosh, se mjafton vetëm ai emër, ai kujtim, ajo praninë e dikurshme, dhe gjithçka tjetër bëhet e parëndësishme.

Zemra shpesh zgjedh pa na pyetur. Ajo vendos kur ne jemi ende fëmijë, ose shumë më vonë, atëherë kur kemi mësuar të njohim dëshirat tona, kur mendja di të udhëzojë por zemra e ka vendimin gati. Mund të jetë nëna, babai, gjyshja, dikush i gjakut; mund të jetë edhe një dikush tjetër, i papritur, i padeshifruar nga logjika. Këto dashuri nuk hyjnë në ne si rrufe, edhe pse drita e tyre djeg me butësi; ato futen heshtur, si një mace që vjen një natë dimri, struket poshtë rrobës së gjumit dhe zgjedh të rrijë pranë teje. Me ngrohtësi. Me prani. Me shpëtim.

Ndoshta sepse frika më e madhe nuk është as errësira, as vetmia, por mundësia e braktisjes. Dhe kur bota tretet, ata që zemra i ka zgjedhur, qoftë edhe një, edhe dy, jo më shumë, qëndrojnë. Të bëhen rrahje, puls, frymë. Edhe kur nuk i kujton, ata rishfaqen. Jo se kërkojnë vëmendje, por sepse ajo nata e braktisë, ajo boshësi që rishfaqet, duket sikur i thërret. Dhe dashuria e tyre mbush çdo skaj të shprazëtisë sate, duke u bërë prehër qiellor, strehë e shenjtë, dritë që të ringrit.

Këto dashuri nuk janë tokësore. Nuk mund të shpjegohen, as të mbahen në dorë, as të rrëfehen deri në fund. Ato janë të pambajtshme, të pakapshme, të larta. Janë bekim.

Ato na kujtojnë se jo gjithçka vendoset prej nesh. Ka dashuri që nuk i zgjedhim, ato na zgjedhin. Ashtu siç ka momente kur duhet të vendosim me mendje, ka edhe të tjera kur zemra është më e shpejtë, më e mençur, më e vërtetë se ne. Dhe në zgjedhjet e saj ka rrallë gabim. Edhe kur gabon, e bën për të na mësuar se ekziston një art i dashurisë së përjetshme, një mënyrë për të dalluar dashuritë qiellore nga ato që nuk janë të destinuara të rrinë.

Jo çdo dashuri e fiton fatin e përjetësisë. Edhe kur përpiqet. Edhe kur digjet. Por ato pak dashuri që mbeten, mbeten sepse janë më shumë se lidhje, janë destin. Janë pjesë e krijimit tonë të brendshëm. Janë dritë që rikthehet, herë pas here, për të na kujtuar kush jemi dhe çfarë na mban gjallë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit në mermer Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu! Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx