| E hene, 08.12.2025, 06:59 PM |

BONUSI I QEVERISË, KJO KARTË E SHËMTUAR E MËSHIRËS SOCIALE…!
Nga Ilir Çumani
Çdo fundvit, kur
rrugët mbushen me drita dhe qytetet përpiqen të simulojnë një atmosferë gëzimi
kolektiv, qeveria shqiptare ringjall ritualin e shpërndarjes së bonusit prej
100 apo 150 eurosh për pensionistët dhe disa kategori të tjera sociale.
Kryeministri Edi Rama
e përdor këtë “dhuratë” si mekanizëm shfryrës – si një injeksion të
shpejtë financiar për të amortizuar zemërimin dhe zbutur pakënaqësinë, për të
frenuar revoltën sociale që është grumbulluar vit pas viti te pjesa më e madhe
e shqiptarëve. Bonuset projektohen si akt “bujarie”, por interpretohen gjithnjë
e më shumë si mjet manipulimi politik, një taktikë që synon t’i japë qeverisjes
një aureolë ndjeshmërie e dhembshurie në një realitet ku premtimet kanë
dështuar të materializohen.
Shfaqja është
gjithmonë e njëjtë: kamera, drita, entuziazëm i prodhuar, buzëqeshje e lehtë,
gjuhë e butë, zarfat që kalojnë nga një dorë në tjetrën. Një skenë pothuajse
rituale, e kuruar deri në detaj. Por pas gjithë këtij iluminimi teatral fshihet
një heshtje e rëndë: mungesa e çdo politike serioze që do t’u garantonte
pensionistëve, shtresave në nevojë dhe qytetarëve të zakonshëm një jetë të
denjë, pa nevojën të presin dhjetorin sikur të ishte e vetmja ditë kur shteti
kujtohet për ta.
Ky nuk është
humanizëm, sepse shteti nuk është OJQ, as Kishë dhe as Xhami; nuk është as
fondacion bamirësie, dhe asesi nuk mund të sillet si i tillë.
Por ajo që ndodh
realisht te ne është një teatër oriental i mëshirës publike, ku pushteti
shfaqet si shpëtimtar i atyre që në fakt i ka braktisur. Sociologjikisht, ky
model nuk i fuqizon shtresat në nevojë; përkundrazi, e mban varfërinë në
gjendje pezull, duke e lejuar të riprodhohet si e tillë brez pas brezi. Është
një sistem që nuk shëron plagët sociale, por i përdor ato si fasadë për të
justifikuar ekzistencën e vet.
Le ti themi gjërat
ashtu siç janë: një pensionist shqiptar nuk ka nevojë për dhurata të fundvitit.
Ai ka nevojë për një sistem që funksionon çdo ditë të vitit. Ka nevojë të mos e
ndiejë frikën e muajit të ardhshëm, as peshën e zgjedhjes mes ilaçeve dhe
bukës. Ka nevojë të mos i numërojë ditët e pleqërisë si të ishin borxhe ndaj
shtetit, por si vite të kontributeve të tyre që shteti ia kthen me respekt,
dinjitet dhe kujdes.
Sepse pleqëria nuk
është luks. Pleqëria është e drejta më elementare që një shtet i civilizuar
duhet t’ia garantojë qytetarit të vet. Dhe një shtet që i përkushtohet vetëm
skenografisë së bamirësisë në kamera nuk është shtet social; është një aparat
propagandistik që e ka humbur lidhjen me realitetin.
Filozofikisht,
lemosha e pushtetit është forma më e ulët e marrëdhënies shtet–qytetar. Ajo nuk ndërtohet mbi përgjegjësi institucionale, por mbi një lloj nostalgjie
feudale, ku sundimtari kujtohet për të varfrin herë pas here, për të krijuar
iluzionin e mëshirës.
Ky model rrezikshëm
ushqen varësinë, jo emancipimin. E mban qytetarin “mirënjohës”, jo të fuqizuar.
Dhe ndërsa qeveria prodhon spektakël, realiteti i dhimbshëm mbetet i
pandryshuar: pensionet ndër më të ulëtat në rajon, shëndetësia e ndërtuar mbi
barrën e vetë pacientit, çmimet që rriten pa kontroll dhe një treg pune që nuk
ofron stabilitet për familjet e zakonshme.
E vërteta është se
lemosha e pushtetit nuk maskon thjesht mangësitë ekonomike; ajo maskon një
dështim moral dhe institucional.
Sepse misioni i një
qeverie nuk është të japë dhurata. Misioni i saj është të ndërtojë një sistem
që i bën dhuratat të panevojshme.
Dhe pikërisht këtu
qëndron dramatika e situatës: shteti shqiptar nuk po ndërton siguri sociale,
por po ndërton skena. Nuk po krijon dinjitet, por varësi. Nuk po investon në
politika afatgjata, por në narrativë afatshkurtër. Kjo është arsyeja pse
pensionistët sot ndihen të padukshëm, të papërfillur, të mënjanuar. Sepse
sistemet nuk ndërtohen me video, me spektakle dhe pamje magjike të siguruara me
dronë, por me vullnet. Nuk ndërtohen me bujari të përkohshme, por me
përgjegjësi të vazhdueshme.
Dhe pikërisht këtu
qëndron paradoksi cinik: ndërsa pensionistët, administrata e ulët dhe shtresat
vulnerabël e të margjinalizuara marrin “frymëmarrje” vetëm për disa ditë,
brenda shtetit shqiptar vazhdon të funksionojë një sistem i padrejtë
shpërndarjeje të të mirave publike që është krejtësisht dhe në ekstrem
disproporcional.
Sot, Shqipëria është
vendi ku 38 kategori zyrtarësh të lartë përfitojnë paga të majme, privilegje
dhe bonuse të nivelit europian — ndërkohë që
administrata e zakonshme merr shpërblime qesharake, pagat mbeten minimale,
ndërsa pensionet janë të padinjitshme, cinike dhe denigruese.
Në asnjë vend
demokratik të kontinentit nuk ekziston një disproporcion kaq dramatik. Në
Belgjikë, Holandë, Danimarkë apo Francë, Itali, Gjermani, etj, raporti mes
pagesës së zyrtarëve të lartë dhe pagës mesatare është shumë më i balancuar
sesa në Shqipëri.
Madje edhe në vendet
e rajonit — Kosovë, Serbi, Maqedoni e Mal i Zi — nuk vihet re ky fenomen.
Aty ku shtetet kanë funksionuar si organizma të shekujve të
industrializimit, paga e zyrtarit nuk është thjesht shpërblim individual, por
barometër i drejtësisë sociale dhe i funksionalitetit logjik të administratës.
Ndërsa në Shqipëri,
piramida e pagave është përmbysur me kokë poshtë: zyrtarët e lartë marrin
shpërblime që nuk i gjen as në disa vende të BE-së, ndërsa punonjësi i thjeshtë
ka të ardhura që nuk mbulojnë as koston e një shporte bazike ushqimore.
Ky realitet nuk është
vetëm ekonomik — është politik, social dhe thellësisht moral.
Kur një qeveri përdor
bonuse modeste për të qetësuar popullin, por i mban privilegjet e saj të
paprekura, ajo ekspozon natyrën e vërtetë të një modeli qeverisës që funksionon
si kleptokraci moderne: një sistem që e sheh shumicën si statistikë dhe pakicën
si përfitues permanent.
Në historinë
shqiptare, pushteti ka përdorur gjithnjë metoda manipulative të “qetësimit” të
shumicës së popullit të abuzuar prej keqqeverisjes — përmes injektimit të “kartës së mëshirës sociale”, qoftë me bukë e
spektakle, qoftë me privilegje të kontrolluara.
Por, në dallim nga
periudhat autoritare të shekullit XX, sot disproporcionet janë transparente: të
gjithë i shohin, të gjithë i dinë, të gjithë i krahasojnë. Çdo qytetar i
thjeshtë është i ekspozuar ndaj pamjes së një shteti që shpenzon më shumë për
privilegje vertikale sesa për shërbime publike horizontale në formë kapilare.
Nëse e analizojmë në
thelb, “politika” e bonusit si “shpërblim” për pensionistët dhe shtresat në
nevojë, nuk është gjë tjetër, veçse një strategji e vjetër, idhnake e
djallëzore; një strategji apo mjet politik i një pushteti të lëkundur tashmë
nga arkitektura e shtetit prej qëndrimit gjatë në qeverisje, i zhytur në
skandale korruptive të pafund, i padhembshur njëkohësisht dhe aspak social, i
veshur me retorikën e re të propagandës dixhitale.
Ky është një akt i
shpejtë, por i pamjaftueshëm: një eksperiment djallëzor i regjimeve autoritare
që synon të mbajë në letargji vetëdijen qytetare, ndërgjegjen kolektive, nervin
e revoltës, të pakënaqësisë dhe të protestës legjitime popullore.
Por stabiliteti
politik dhe social nuk ndërtohet mbi përkohshmërinë, as mbi 100 euro që zhduken
brenda ditës nga çmimet e papërballueshme dhe kostoja e lartë e jetesës.
Nuk ndërtohen dhe nuk
fuqizohen shtyllat e kohezionit social mbi një shtet ku privilegjet e majme të
38 kategorive të zyrtarëve të lartë shembin çdo ide dhe bjerrin standard të
meritokracisë.
Problemi është më i
thellë se aq: shqiptarët nuk po revoltohen vetëm nga varfëria, por nga
pabarazia dhe padrejtësia sociale. Një vend i varfër mund të jetë i qetë. Por
një vend i pasur për të privilegjuarit e pushtetit dhe i varfër për shumicën
dërmuese të shoqërisë është gjithmonë i trazuar në shpirt. Aty lind pakënaqësia
e brendshme, ajo ndjesi kolektive se shteti nuk punon për qytetarin, por
qytetari punon për privilegjet e pamerituara të një pakice që sundon egërsisht,
pa pasur kurrfarë empatie e dhembshurie.
Sociologët e kanë
përshkruar qartë këtë fenomen: kur qytetarët humbin besimin te drejtësia e
shpërndarjes së pasurisë publike, humbasin edhe besimin te institucioni, te
ligji, te politika, te vota. Shpërblimet e vogla nuk ndryshojnë këtë prirje — madje shpesh e thellojnë hendekun social që të çon në greminë.
Shteti nuk mbahet mbi
bonuse bamirësie të fundvitit. Shteti mbahet mbi drejtësi, mbi balancë, mbi
respektin e dinjitetit të qytetarit. Shqipëria nuk mund të pranojë më një model
qeverisës që ushqen e majmë pafund pakicën dhe “qetëson” shumicën e varfër
përmes lëmoshave. Ky disproporcion është jo vetëm ekonomik, por edhe etik; jo
vetëm financiar, por edhe historik.
Në thelb, çështja nuk
ka të bëjë as me shumën e dhënë, as me periudhën kur jepet. Ka të bëjë me
parimin që qeverisja i ka kthyer politikat sociale në instrument propagande.
Dhe ky është një dëm që nuk prek vetëm pensionistët — prek vetë moralin e shtetit.
Një vend nuk ecën
përpara duke i mbajtur njerëzit në pritje të dhuratave, por duke i bërë ata të
zotët e jetës së tyre. Duke u dhënë siguri, mundësi, dinjitet. Duke u dhënë një
shtet që funksionon jo sepse “dëshiron”, por sepse ka detyrimin të funksionojë.
Nëse duam një shoqëri
që ecën drejt Europës, duhet të refuzojmë logjikën e një pushteti që shpërndan
nga torta e të mirave publike copëza të vogla për popullin dhe privilegje të
mëdha për veten.
Shqipëria meriton një
model të ri: një shtet që nuk shpërndan “bonuse si kartë të mëshirës sociale”,
por garanton drejtësi; që nuk shpërndan lëmoshë, por krijon mundësi reale; një
qeveri që nuk qetëson revoltën e popullit të lodhur nga padrejtësia dhe
padhembshuria, por e shmang atë duke u treguar i drejtë.
Vetëm atëherë populli
nuk do të presë si i vobekt te dera e një kryeministri zengjin që shpërndan
lëmoshë për të marrë vëmendjen e shtetit çdo fundvit — sepse shteti duhet ta ketë pranë qytetarin e vet çdo ditë, duke e parë drejt
e në sy.
Dhe deri në momentin
kur Shqipëria të ketë një qeveri që e kupton këtë të vërtetë bazike, zarfat e
fundvitit do të mbeten thjesht simboli më i hidhur i një shteti që zgjodhi të
dukej “mëshirshëm”, në vend që të ishte i drejtë.
Tiranë, e diel, 7 dhjetor, 2025