Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Kozmodisku identitar

| E diele, 07.12.2025, 12:50 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Kozmodisku identitar

(Satirë nga periudha komuniste)

Shqiptari plisbardh n’Beograd me një zaman,

kalonte me biçikletë parkut në “Kalemegdan”.

Një ditë e pret polici me shkop gome në dorë,

e kërcënon, e fyen, e rrah shpinës për disa orë.

Përsëri: - Hej ti, me gips në kokë, ndalu aty!

Vazhdonte polici ta ndalte shqiptarin hallexhi.

Ai, nuk reagonte, heshte pa thënë asnjë fjalë,

edhe pse dhimbjet i shtoheshin shpinës si mal.

Një ditë shqiptari tha: “Mjaft më me këtë lojë,

plisin po e heq, në kokë të vejë tjetër mbulojë!”

E vuri shajkaçën, një kapelë serbe aq të vjetër,

si maskë mbijetese, një kurth i ngritur si letër.

Polici u çudit: - Çka është kjo, bre, mbi krye?!

Shqiptari ia ktheu lehtë, me buzëqeshje ironie:

- Kozmodisk është, për shpinën time me halle,

mos t’më dhembin brinjët prej rrahjes brutale!

Polici ia dha një të qeshure me britma histerie,

s’kuptoi që humori është diplomaci fshehtësie.

Është arma e vetme, që s’e kupton dot sistemi,

për t’i tejkaluar maltretimet me gracka karremi.

Kur shtypja tenton plisin e bardhë me zënë pisk,

shqiptari me mjeshtri e shndërron n’Kozmodisk.

Ngase identiteti nuk shuhet mbrohet me intelekt,

me mbijetesën si humor, sarkazëm edhe marifet.

(Karikatura marrë nga interneti)