| E premte, 05.12.2025, 06:59 PM |

KUR FYTYRAT E KOHËVE
TË VIJNË NGA KOSOVA…
Nga
Visar Zhiti
“Një
portret nga ditët e burgut të diktaturës komuniste e një tjetër nga kohët e
vonshme…” - kështu shkruante. I pashë.
Pashë dhe emrin e autorit:
Besnik
Hamiti.
Nuk
e njihja. Më befasoi puna e tij, vëmendja dhe vështrimi artistik, empatia për
t’u futur në kohët e tjetrit, edhe pse bashkë nuk janë takuar ndonjëherë…
Më
thuaj diçka për veten? - i shkruajta unë. Dhe m’u përgjigj:
“Edhe
pse jam inxhinier i mekanikës, tërë jetën time kam punuar si gazetar për mediet
e huaja. Qe gjysmë shekulli punoj për televizionin publik të Gjermanisë, si
producent i tyre në Kosovë dhe…”.
Mbiemri
i tij më kujtoi poetin dhe studiuesin Sabri Hamiti, “ndër me të rëndësishmit në
letrat shqipe, shumë i dashur për mua.” - i thashë. - Ishte axha i tij, - dhe
vazhdova:
“E
kam lexuar poezinë e Sabri Hamitit që kur ishte diktaturë në Shqipëri dhe
Veprën e tij për Lasgushin ma dhanë fshehurazi, kisha dalë nga burgu dhe punoja
punëtor, e kam kopjuar të gjithë librin me dorë dhe e kam edhe sot në
Tiranë.. më ka tronditur metafora e
poezisë se Sabri Hamitit, thellësia dhe mendimi. […] Kujtoj poezitë e atentatit, të atij me
kasketë si të Leninit, etj, etj. Sabri Hamiti është autoritet në letrat tona,
me guxim intekektual të lartë…” - i shkruaja.
E
ai më tregoi:
“…
jam pranë Sabriut si ‘asistent’ i tij. Duke qenë që Sabriu ‘refuzon’ të përdorë
kompjuterin, të gjitha shkrimet e tij kalojnë së pari kah unë. Jam lexues i
parë i poezive, studimeve, kritikave e dramave prej fillimit të viteve
’90. Përmes shkrimeve të tij kam
dyfishuar dashurinë time për letërsinë shqipe dhe për historinë tepër të
dhimbshme të saj në periudhën e regjimit diktatorial në Shqipëri. Saherë ka
shkruar Sabriu për disidencën letrare në Shqipëri unë kam zbuluar autorë të
mrekullueshëm që janë nxjerrë nga rrjedhat normale të trungut letrar, pos
shkrimtarëve të traditës edhe ata që janë anatemuar, internuar burgosur e ekzekutuar
vetën pse nuk janë përshtatur ose kanë qenë kundër metodës së realizmit
socialist. Me gjithë mungesën e qarkullimit të mjaftueshëm të librave shqip nga
Shqipëria në Kosovë e anasjelltas, duke qenë pranë Sabriut kam pasur
privilegjin të kem në dorë libra autorësh të veçantë që m’i ka sugjeruar
Sabriu. […hoqa fjalët për mua…]. Jam po ashtu fotograf. Më shumë i peizazhit e
natyrës së qetë. Kam realizuar edhe portrete fotografike të personaliteteve
shqiptare e të huaja…”.
Më
mrekulloi letra e tij, sinqeriteti, marrëdhenia e veçantë me xhaxhain
shkrimtar, por dhe me kohën dhe vendet, të pandarë për atë, dashuria e
trashëguar për letrat shqipe, andej e këtej kufirit shtetëror, e njëjtë për
atë, dhimbja për “letërsinë tjetër” që doli nga ferri, e atyre që erdhën nga
burgjet dhe internimet dhe u bë pjesë tronditëse e letrave shqipe e ai si
lexues i përgjegjshëm e sheh pa shmangie, me ndërgjegje të lartë qytetare, si
vlerë të përbashkët, estetikë dhe moral… Desha t’i thosha që këtej nga anët
tona ka që edhe mërziten, kanë ende kompleksin e teksteve zyrtare me mbetjet
toksike të socrealizmit, etj, etj, por…
Po
më vinte mirë nga ky komunikim kështu, zbulova më shumë se si lexohet… si
shikohen letrat tona dhe vendet…shpresë dhe dashuri… mësova… ai ndërkaq me ato
vizatime kishte dhënë jo thjesht dy portrete të të njëjtit njeri në dy kohë,
por portretin e dy kohëve, që takohen si dy të ndryshëm, sipas meje, a thua
késhtu janë takimet me veten?
E
falenderova… dhe s’e di a e ndjeu që shqiptarçe kisha venë dorën në zemër…