Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Ma shanë vendlindjen

| E enjte, 04.12.2025, 07:04 PM |


Mihal Gjergji

MA SHANË VENDLINDJEN

Vendlindjen time shau një gaxhi

Se zgjyrën dhe kanistrat ia heq dera

E ndjeu Këndrevica dhe u nxi

Një re me breshër derdhi mbi humnera

E shau Kurveleshin një putanë

E rritur me thërrime nëpër botë

Hallatet e çobanit sa e panë

Ja varën brekët si flamur në kokë

Ushqeu princ e mbretër buka jonë

Dhe një katil që fryhet si Çezar

Më thotë një korb që vdekjet i përgjon:

-Qefinin do ja thurim me dollar

Një vrundull ere shkundi fustanellat

Dhe fjalët që gremisen shkrep më shkrep

Këta shkëmbinj dikur kanë qënë burra

I vdekuri të gjallin prapë e pjek!

Ndaj vetëtimat bëhen jatagane

Sepse lëndohen shamizezat trime

Më fton nga lart një perëndi pagane:

-Afro mëshirë dhe fol me gjuhën time!

Tepelenë, Korrik 2021